Tradhëtarë apo heronj?

54

bediniNga Artan Bedini

Duke ndjekur ndeshjen e kombëtares shqiptare  kundër asaj të Zvicërës dhe duke dëgjuar koret sharëse tepër vulgare të një pjese të publikut që ndiqte ndeshjen, kundër atyre djemëve shqiptarë po që luanin për një kombëtare tjetër ndjeva keqardhje. U ndjeva keq dhe vendosa të hedh mendimin tim në leter jo për t’i mbrojtur këta të fundit, por për të ndikuar sadopak tek tifozët që reaguan në atë mënyrë kundër tyre, me qellim e mirë që të mos ndodhë sërish.

Gjatë kohës që isha në emigrim dhe ndiqja ndeshjet e ekipit kombëtar, diçka brenda meje më shtynte të bëja “tifo” jashtë natyres time, në njëfarë mënyre tifozllëk në gjithë kuptimin e keq të kësaj fjale, por e vërteta është se asnjëherë s’më kishte ndodhur të ndiqja një ndeshje me dy ekipe të përbërë nga lojtarë shqiptarë, ndaj nuk e di se cili do ishte reagimi im në këtë periudhë nëse do të bëja tifozllëk, për për të kuptuar reagimin e tifozëve që pashë në Qemal Stafa.

Tek kombetarja dëshiroja të shihja anën pozitive të vendit tim, se me ato negative isha            “kënaqur”dhe këtë barrë relativisht të rëndë ia lija ekipit kombëtar, tek ai ekip zbrazja gjithë mllefin për atë çka nuk shkonte në vendljindjen time.

Humbja e ekipit kombëtar më zgjonte  brenda meje atë inat që ne shqiptaret si ballkanas apo dhe si mesdhetar e kemi me shumicë, por fjala tradhëtar që pashë të stampuar tek fanelat e disa tifozeve është  e veçantë, tepër e reëndë për mentalitetin e një shqiptari dhe aq më keq për shqiptarët e diasporës. Të cilët ajo që ne “shajmë”, pra Shqipëria, iu mungon më shumë nga gjithçka dhe përpiqen ta prezantojnë sa më mirë aty ku munden, kudo në botë.

Por a është e drejtë që një grup njerzish të cilet s’kanë bërë asgjë për vendin e tyre, përveç të bërtiturave në një stadium, atë çka nuk shkon me vendin e tyre t’ua faturojnë disa individëve, që në fakt bëjnë shumë më mirë atë çka ky vend ka nevojë në këto momente, pra promovimin e shqiptarisë dhe shqiptarëve kudo në botë, përfaqësimin e ngjyrave kuqezi më mirë se  atë çka përfaqësojnë zyrtarisht qoftë edhe në një ndeshje fubolli?! Kjo nuk është aspak e drejtë.

Për thjeshtësi të mendimit do t’i referohesha historisë, asaj të vjetrës dhe të resë sepse kjo na mëson dhe na tregon se ne shqiptarët e kemi të mbushur historinë tonë me shembuj të pa fund shqiptarësh, të cilët e kanë shtrirë veprimtarinë e tyre jashtë atdheut, në vende të tjera qoft si papë, apo më vonë udhëheqës të shquar në perandorinë Romake dhe atë Osmane. Psh: Papa Kelmenti, Mhmet Aliu,  apo në historinë e re duke filluar me artistin e madh Aleksandër Moisiu, Nënë Tereza, Luan Krasniqi, James Belushi, Kleidi Kadiu, Saimir Pirgu, Inva Mula,Toni Dovolani, Elisa Dushku, të cilët kanë përcjellë vlerat e kombit shqiptar në të gjithë vendin dhe na kanë bërë krenar neve si komb, flamurin kuq e zi. Në këtë aspekt do të rendisja dhe këta shqiptarë, të cilët do të prezantojnë një pjesë Shqipërie në Brazilin 2014, duke na bërë krenar dhe pavarësisht se nuk përfaqësojnë zyrtarisht kombëtaren shqiptare. Suksesi i tyre do të na bëjë të ndihemi shumë krenar për kombin tonë. Por do të më bëjë të kthej dhe një herë sytë nga vetja dhe të shoh atë çka nuk shkon me kombëtaren e vendit tim për të rregulluar dhe për tu bërë një pikë mbështetje dhe për këto talente që gjithçka e kanë arritur nga përkushtimi dhe përpjekjet e familjeve të tyre.

Nuk mendoj se është çasti të kërkojmë problemin tek këta të rinj, problemi duhet kërkuar tjetërkund. Duhet të mendojmë vështirësitë ekonomike që ka kaluar futbolli shqiptar. Ende nuk kemi një stadium që plotëson kushtet europiane, a mund të shkojmë në botëror kështu? Në këto momente duhet ti mbështesim dhe të tregojmë se nga ky vend I vogël,Shqipëria, prodhohen talente me famë botërore.

Duke kërkuar të falur për ate çfarë ndodhi në atë ndeshje futbolli, si një ndeshje ku vëllezrit luajtën me ekipe të ndryshme dhe ku gjatë ndeshjes shahen, shtyhen dhe shkaktojnë falle me njëri-tjetrin.  Por  çfarë do të ndodhë nuk ka sesi një vëlla të mos ja dojë dhe urojë suksesin vëllait tjetër. Ne shqipëtaret paguajmë taksa për të përcjellë imazhin tonë në botë nëpërmjet ambasadave ndërsa në këtë rast e bëjnë pa shpenëzuar asgjë .