Rama: Më në fund vendi ka një Polici Shteti në krye të detyrës

RAMA-vloreKryeministri Edi Rama përgëzoi Policinë e Shtetit për realizimin me sukses të operacionit për kapjen e katër prej të arratisurve nga burgu i Drenovës.

Përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, kryeministri Rama thekson angazhimin e qeverisë së tij për të vijuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Më në fund Shqipëria ka një Polici Shteti në krye të detyrës. Asgjë s’do na ndalë në luftën me krimin e korrupsionin. Ky është veç fillimi”- shkruan Rama.

Tahiri: Të arratisurit të lidhur me policinë

saimir tahiriSaimir Tahiri ka bërë një analizë të situatës, duke filluar që nga mbrëmë kur ndodhi ngjarja e Drenovës e deri më sot, kur aktualisht janë kapur katër nga të arratisurit e burgut të sigurisë së lartë në Drenovë. Tahiri tha se të arratisurit kanë qenë të lidhur me pjesë të veçanta të policisë, të cilët i kanë ndihmuar ata të largohen nga burgu.

“Pa mbushur ende 24 orë arritëm të zbardhim zinxhirin e arratisjes, të vëmë para drejtësisë fajtorët e ngjarjes si dhe të kapnim katër prej të arratisurve.

Policia e Shtetit është në këmbë dhe në gatishmëri për t’i shërbyer popullit”, -ka deklaruar ministri Tahiri.

Duke falënderuar edhe qytetarët për ndihmën e dhënë me informacione, Tahiri ironizoi Partinë Demokratike duke e falënderuar që i kujtuan se shteti është shembur.

“Dua të falënderoj të gjithë qytetarët për ndihmën e dhënë, por dua të falënderoj edhe Partinë Demokratike që nuk priti të na kujtojë se shteti është shembur.

Po, shteti është shembur sepse ne e gjetëm të shembur, por shteti është këtu për ti shërbyer popullit dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë duke vënë papara drejtësisë të gjithë të inkriminuarit”, -tha Tahiri.

Ministri i Brendshëm tha se arratisja e ndjeshme është e organizuar mirë, është dëshmi tragjike e përfshirjes së politikës në krim, por se Policia e Shtetit së bashku me prokurorinë e Përgjithshme po heton për të gjetur dhe fajtorët e tjerë.

“Ne jemi këtu, Policia e Shteti është këtu, ndërsa kriminelët do të jenë në burg, së bashku me ata që i kanë ndihmuar. I bëj thirrje të arratisurve dhe veçanërisht familjarëve të tyre që t’i dorëzojnë ata, sot pasi nesër do të jetë shumë vonë”, -përfundoi Tahiri.

Kapen 3 nga të arratisurit e burgut të Drenovës

Fran-MarashiTre nga të arratisurit e burgut të Drenovës, Admir Tafilin, Gëzim Toma dhe Fran Marashi u arrestuan para pak minutash në një magazinë në qytetin e Përrenjasit.

Gezim-Toma-2-229x300Gjashtë të burgosurit që u arratisën mbrëmë nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë u dyshuan se ishin fshehur në një magazinë të vjetër në Përrenjas.

Banorët e zonës kanë dëgjuar të shtëna më armë zjarri në një magazinë afër banesave të tyre dhe kanë njoftur menjëherë policinë.

Forca të shumta policie si dhe grupe të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë rrethuar brenda pak minutash magazinën pranë ish-stacionit hekurudhor në Përrenjas dhe arritën të kapnin tre nga të arratisurit.

Gezim-Toma-2-229x300Mbeten ende në arratisje të dënuarit: Gëzim Gjergj Guri, Reiz Namik Haxhiraj dhe Eduard Kujtim Lula. I arratisuri i shtatë, Artur Gora u kap dy orë pas arratisjes, ndërsa deklaroi në komisariat se nuk ka pasur të bënte me planin e arratisjes dhe se nuk dinte asnjë detaj të planit, por thjeshtë ka përfituar të largohej në momentin kur janë arratisur gjashtë personat e tjerë.

PD: Shteti ka rënë dy herë brenda 1 ore

silvi bardhiPartia Demokratike shpreh shqetësim për situatën e sigurisë në vend. Duke iu referuar arratisjes së shtatë të dënuarve nga burgu i Drenovës, koordinatorja për media Silvi Bardhi tha se “Shteti shqiptar ka rënë dje dy herë në harkun e një ore, teksa qeveria shtrohet në gosti nëpër resorte luksoze të Tiranës.”
PD akuzon qeverinë se ka zëvendësuar efektivët profesionistë të policisë me besnikë dhe militantë të partive në pushtet.

DEKLARATA E PLOTE
Shteti shqiptar ka rënë dje dy herë në harkun e një ore, teksa qeveria shtrohet në gosti nëpër resorte luksoze të Tiranës.
7 persona të dënuar me burgim të përjetshëm arrijnë të dalin të armatosur nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. Kjo është rënia e parë e shtetit.
Rreth një orë më vonë, të arratisurit arrijnë të çajnë me forcë një postbllok të policisë të ngritur në Pogradec enkas për ndalimin e tyre. Dhe ky është rrëzimi i dytë i shtetit.
Ndërkohë, qeveria përhap panik duke i thënë qytetarëve të bëjnë kujdes se personat janë të rrezikshëm dhe të armatosur.
Partia Demokratike është e shqetësuar nga kjo ngjarje e rëndë dhe ne konstatojmë se për fat të keq shteti ka pushuar së ekzistuari në dy raste dje, dhe pikërisht për funksionet më të rëndësishme për të cilat shteti ekziston, për sigurinë dhe rendit publik.
Kjo situatë e rënduar e pasigurisë dhe e vërshimit të krimit e dobësimit të shtetit në çdo drejtim vjen si rezultat i mënyrës së qeverisjes.
Filozofia e dyshes Rama-Meta është allishverishi, ndarja e tortës së përfitimeve, dhe kjo ka bërë zëvendësimin e profesionistëve në polici e kudo, me militantë të paaftë por besnikë të partisë dhe të shefave të tyre.
Për këtë qeveri, përfitimi dhe ndarja e tortës së pushtetit është shqetësimi kryesor, dhe kjo ka sjellë pasoja të dukshme në rritjen e kriminalitetit në vend, në rritjen e pasigurisë për qytetarët.
Rënia e institucioneve të zbatimit të ligjit, të policisë, të burgjeve, lidhet kryesisht me keqqeverisjen dhe me faktin se emërimet në detyrat dhe në postet kyçe janë bërë sipas llogarive financiare dhe elektorale.
Kjo është situata ideale për krimin, dhe situata më e keqe për qytetarët. Kjo është një qeveri ideale për krimin, dhe qeveria më e keqe për qytetarët dhe shtetin.

Gaiani: Armët kimike, prej PO-së do kishit dobi

ambasadori italianAmbasadori italian në Shqipëri, Massimo Gaiani deklaroi dje në një intervistë për “Vizion Plus”, se nëse Shqipëria do të kishte pranuar armët kimike, do të kishte pasur përfitime. “Besoj se do të kishte pasur masa shoqëruese dhe natyrisht do të ishte vlerësuar shumë pozitivisht kjo përpjekje dhe ky kontribut i dhënë nga Shqipëria. Mbështetje, në kuptimin e ndërmarrjes së disa nismave në dobi të mjedisit dhe të gjendjes mjedisore në Shqipëri”, – tha Gaiani.
Z.Ambasador, qeveria shqiptare mori një vendim të rëndësishëm për çështjen e armëve kimike, një vendim ndoshta i shtyrë edhe nga reagimi qytetar. Italia është një vend aleat i Shqipërisë në NATO. Të dyja vendet kanë kontribuuar për paqen në botë në operacione të ndryshme ndërkombëtare. Në këndvështrimin e sigurisë botërore dhe asaj rajonale, si e konsideroni vendimin e Shqipërisë?
Komuniteti ndërkombëtar po përballet me një problem të madh, që lidhet me gjendjen në Siri dhe arsenalin e madh të armëve kimike. Ndaj çdo kontribut për zgjidhjen e këtij problemi vlerësohet nga Italia dhe në përgjithësi nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar shumë pozitivisht. Kështu ndodhi edhe me ofertën e bërë nga Shqipëria. Në të njëjtën kohë ne e respektojmë vendimin e marrë, i cili duket se është kushtëzuar jo nga kushtet e veçanta të sigurisë së impianteve, të cilat ishin marrë përsipër nga ata të cilët më pas do të kryenin këtë operacion, por nga një kuadër referimi i përgjithshëm që ndoshta nuk ishte ndër më të mirët, e çka nuk bëri të mundur që Shqipëria t’i përmbahej ofertës së bërë.
Por Shqipëria është një vend i vogël dhe ka nevojë për komunitetin ndërkombëtar. Mediat këtu në Shqipëri kanë folur këto ditë edhe për benefite të mundshme që BE-ja do t’i garantonte vendit tonë nëse do të pranonte propozimin amerikan për armët kimike. Përtej spekulimeve, një “Po” e Shqipërisë për këtë operacion, a mund të përkthehej, siç shumë e thonë, në një mbështetje më të madhe të komunitetit ndërkombëtar karshi vendit tonë?
“Besoj se do të kishte pasur masa shoqëruese dhe natyrisht do të ishte vlerësuar shumë pozitivisht kjo përpjekje dhe ky kontribut i dhënë nga Shqipëria.
Mbështetje në ç’kuptim?
Mbështetje në kuptimin e ndërmarrjes së disa nismave në dobi të mjedisit dhe të gjendjes mjedisore në Shqipëri. Kjo besoj se do të mund të realizohej konkretisht.
Po nëse flasim për aspektin e rrugës së integrimit evropian të Shqipërisë?
Këto dy çështje nuk lidhen drejtpërdrejt, por thjesht fakti që Shqipëria bëri këtë përpjekje, këtë kontribut, apo që u vu në dispozicion, e bën atë një partner të respektuar në brendësi të Bashkësisë Ndërkombëtare dhe do të ketë edhe pasoja pozitive për të tjera çështje të hapura.
Le të flasim për qeverinë e re. Socialistët po qeverisin vendin prej dy muajsh tashmë. Në përgjithësi, si i konsideroni këto reforma të para të qeverisë “Rama”?
Do të thosha se ajo çka është bërë deri tani duhet vlerësuar në mënyrë pozitive. Është e qartë që jemi vetëm në hapat e parë. Ka pasur ndryshime të shumta në gjirin e administratës, ndaj nuk jemi në gjendje të vlerësojmë se si këto udhëzime të përgjithshme, si këto objektiva do të përkthehen më tej në veprime konkrete. Jemi duke parë me kujdes dhe do ta vlerësojmë me një frymë pozitive dhe të hapur, por natyrisht pjesa e zbatimit, çka është edhe më e rëndësishmja, duhet ende të vijë.
A po bëhet mjaftueshëm në këta muaj të parë, sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit? Ky është edhe një nga rekomandimet e Komisionit Evropian.
Ky qëndrim na duket shumë i mirë. Qeveria e re ka dëshmuar qartë se lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar është një ndër objektivat parësorë të saj. Sigurisht, kjo është tepër pozitive. Kemi parë disa prej veprimeve të para konkrete, por natyrisht duhet ende të shohim pjesën më të madhe të veprimeve dhe nismave që duhet të ndërmerren. Fillimi është shumë pozitiv dhe tejet premtues, si për sa u përket programeve, ashtu dhe për sa i përket qasjes së qeverisë në ndërmarrjen e veprimeve të saj.
Mbështetja e Italisë në rrugën tonë të integrimit europian nuk ka munguar kurrë, por duhet të themi se disa vende në BE nuk është se po e presin krahëhapur Shqipërinë. Përkundrazi, nuk kanë vendosur ende t’i japin apo jo Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Çfarë parashikoni se do të ndodhë në dhjetor, kohë kur Këshilli Evropian do të vendosë për këtë çështje?
Së pari nisemi nga një kusht shumë pozitiv, sikurse raporti i Komisionit, një raport pozitiv që ka marrë në konsideratë përparimet domethënëse të arritura, si nga qeveria e mëparshme, se si u mbajtën zgjedhjet dhe se si qeveria e re ka nisur veprimtarinë e saj, çka është diçka tepër pozitive. Në gjirin e Bashkimit Evropian ka rryma mendimesh që vlerësojnë me shumë kujdes çdo zgjerim, por pjesa më e madhe e vendeve anëtare e ka njohur faktin se Shqipëria ka bërë përparime të mëdha dhe meriton një mirënjohje. Besoj se dyshimet ende ekzistojnë e nëse nuk duam të presim ende dhe pak kohë për të parë në veprim masat e shpallura nga qeveria e re, ne si Itali mendojmë se Shqipëria meriton plotësisht këtë mirënjohje dhe, ashtu sikurse ne i kërkojmë Shqipërisë të kryejë gjëra të caktuara, nga ana jonë duhet të merren parasysh përparimet e bëra, ndaj është e drejtë të jepet kjo mirënjohje, edhe në ndihmë të reformave në vijim.
A konsideroni se klima aktuale politike në Shqipëri është e favorshme për të arritur në një përgjigje pozitive për statusin e vendit kandidat?
Them se po. Do të jenë shumë të rëndësishme këto pak javë që na ndajnë nga vendimi i dhjetorit, si dhe vijimi i përpjekjeve, nisja e vënies në veprim të objektivave të përbashkët.
Le të ndërrojmë temë, Ambasador. Të rinj italianë që vijnë të studiojnë apo punojnë në Shqipëri, sipërmarrës italianë që investojnë paratë e tyre në vendin tonë. Një prej kanaleve më të rëndësishme italiane, “LA7”, transmetonte pak ditë më parë një reportazh me titull: “Shqipëria: Toka e re e premtuar”. Çfarë po ndodh, Ambasador? Duket një skenar i parë tashmë në vitet ‘90.
Do të thosha me disa ndryshime. Ne ishim më të varfër. Në vitet ‘90 mbase kishte kureshtje, diçka të re dhe krejt të panjohur. Sot ka një njohje më të madhe të Shqipërisë, por do të thosha se ka shumë interes në Itali për një vend të ri, dinamik, ku ndihet dëshira për të bërë punë. Kjo u pëlqen italianëve.
Dhe ata duan të jenë pjesë e saj…
Ne jemi në dijeni të një interesi të madh, si nga ana e sipërmarrjeve që duan të investojnë, – e sigurisht kriza ndërkombëtare dhe problemet e konkurrencës së sipërmarrjeve tona përbëjnë bazën e këtij interesi të madh, – ashtu dhe nga individë që vijnë këtu, sepse janë të joshur nga ky dinamizëm që Shqipëria ia del të injektojë.
Sipas të dhënave tuaja, cili është numri i italianëve që punojnë apo jetojnë në Shqipëri? Nëse i keni këto të dhëna…
Është shumë e vështirë të japësh një të dhënë, edhe sepse shumë prej tyre kalojnë vetëm një pjesë të javës në Shqipëri dhe rikthehen në fundjavë. Pra, nuk janë të regjistruar. Por, shikojmë të gjitha linjat ajrore plot, restorantet, kafenetë, ku flitet shumë italisht.
Në fund, por jo për nga rëndësia, le të ndalemi pak në marrëdhëniet ekonomike Itali-Shqipëri. Me sa di, Ambasada italiane ka organizuar aktivitete të ndryshme që do të zhvillohen më 25 nëntor. A mund të na flisni për këtë?
Italia është mëse e pranishme në Shqipëri me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Dua të them se, ajo pjesë e ekonomisë sonë e bazuar në ndërmarrjet e vogla e të mesme është në harmoni me atë shqiptare, që ka një strukturë të ngjashme. E hëna e 25 nëntorit, që shënon hapjen e javës europiane të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, do të përurohet në Shqipëri, me një pasqyrë të rëndësishme të pranisë italiane në sektorin ekonomik shumë e përqendruar në ndërmarrjet e vogla e të mesme. Një pjesë që ka të bëjë me mjetet e mundshme, me qëllim fuqizimin e pranisë së ndërmarrjeve të vogla e të mesme e në veçanti të mjeteve me karakter financiar, por edhe ato që lidhen me edukimin profesional. Do të kalojmë më pas në një fazë të dytë, që lidhet me botën e punës, lëvizshmërinë ndërkombëtare të punës, që tashmë ka përftuar forma të reja. Le të përmendim për shembull praktikat arsimore, edukimin profesional, gjuhësor dhe universitar. Të gjitha këto janë pjesë e një pakete që besoj se fuqizon Shqipërinë, forcon lidhjen mes Italisë dhe Shqipërisë. Mbi këtë ne duam të investojmë. Së fundi kemi bërë një sërë eksperimentesh të bashkëpunimit në nivel vendor dhe duam të paraqesim frytet e këtij bashkëpunimi. Pra, do të kemi në datën 25 një ditë të tërë kushtuar Italisë. Kemi dashur t’i grupojmë dhe t’i bëjmë më të prekshme këto veprime. Ne bëjmë shumë gjëra në Shqipëri, por shpesh janë shumë të segmentuara dhe më pak të prekshme. Këto aktivitete janë organizuar në dakordësi të plotë me autoritetet shqiptare. Do të kemi kënaqësinë të mirëpresim në mëngjes ministrin Ahmetaj për pjesën më shumë ekonomike, ministrin Veliaj për pjesën e sektorit të punësimit dhe ministren Gjermeni për sa i përket zhvillimit të territorit. Ndaj do të ketë një pjesëmarrje të madhe të anëtarëve të qeverisë, të cilët i falënderoj paraprakisht për bashkëpunimin. Janë aktivitete të hapura për publikun, për të cilat presim një pjesëmarrje të gjerë.

*Gazeta Shqiptare

Shkodër, gjendet arsenal armësh në landfillin e Bushatit

policia...Një sasi e konsiderueshme municionesh, janë gjetur nga punonjësit e pastrimit në Landfillin e Bushatit.

Municionet, janë evidentuar gjatë procesit të shkarkimit, e të mbetjeve urbane që depozitohen në këtë landfill. Menjëherë drejtuesit e këtij landfilli kanë njoftuar efektivët e policisë të cilët kanë bërë edhe sekuestrimin e municioneve.

Sipas informacioneve, janë rreth 100 fishekë të llojeve të ndryshme dhe një granatë dore, municionet e sekuestruara te gjetura se bashku me mbetjet te tjera urbane.

Mendohet që municionet janë hedhur nga persona të paidentifikuar në kontenierët e mbeturinave, dhe më pas ato janë depozituar nga makinat e pastrimit në landfillin e Bushatit.

Drejtori i Landfillit i bën apel të gjithë banorëve që të mos depozitojnë të tilla mbetje të rrezikshme të cilat mund të jenë fatale për punonjësit e pastrimit.

Ndalohet një shtetas italian në Kakavijë, transportonte 25 kg marijuanë

kanabisPolicia kufitare e Gjirokastrës sekuestroi rreth 25 kg marijuanë në Kakavijë, ndërsa ndaloi një shtetas italian.

“Marijuana e ndarë në 34 pako, me pesha të ndryshme, u gjet e fshehur poshtë automjetit tip “Renault”, me targa italiane Ç 799 GZ, me drejtues Giovanni Indelicato, 50 vjeç, tashmë i ndaluar”, – bëri të ditur policia kufitare.

Sipas policisë, është ende herët të saktësojmë origjinën e lëndës narkotike, por besohet se ajo mund të këtë ardhur nga Lazarati.

Rreth një muaj më parë policia e kufitare e Gjirokastrës bllokoi në vendkalimin e Kakavijës 12 kg kokainë, ndërsa një person u ndalua.

Shkaqet e rënieve të flokëve

renia e flokeveStresi, ndotja, përdorimi i kimikateve, ekspozimi në rrezatimet e dëmshme, si dhe sëmundje të caktuara klasifikohen nga mjekët dermatologë si shkaqet kryesore që çojnë në dobësimin dhe më pas rënien e flokut. Shqetësim ky që shfaqet në rritje gjatë viteve të fundit. Megjithatë, rënia e flokut jo në çdo rast është problematike, pasi humbja e deri 100 fijeve në ditë konsiderohet si normale dhe nuk përbën shqetësim. Mjekia dermatologe, Monika Fida, detajon për gazetën “Dita” shkaqet dhe format se si shfaqet rënia e flokut së bashku me këshillat që nuk duhet t’i neglizhojmë për të mos u përballur me një fenomen shqetësues që ndikon negativisht në pamjen tonë estetike të përditshme. Në materialin bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar të gjitha format dhe shkaqet se si manifestohet rënia e flokut.

Alopecia (rënia e flokëve)

Rënia e flokëve ose, siç njihet ndryshe në gjuhën mjekësore, Alopecia, është një sëmundje që shoqërohet me rënie të flokëve në formë vatrash (Alopecia areata) ose në të gjithë lëkurën e kokës (Alopecia totalis). Rënia difuze e flokëve çon në të ashtuquajturën defluidum ose efluvium të flokut. Humbja e flokëve mund të jetë e formave të ndryshme dhe në varësi të saj përcaktohet edhe rikuperimi ose jo i tyre. Duke iu referuar këtij klasifikimi vëmë në dukje se rënia e flokëve mund të jetë e përkohshme dhe mund të trajtohet nga mjeku dermatolog (duke iu nënshtruar trajtimeve specifike). Nga ana tjetër, humbja e flokut mund të jetë edhe e përhershme dhe trajtimi i saj mbetet vetëm në ndihmën e kirurgut plastik, i cili me atë të procedurave të zhvilluara të transplantit mund të çojë në rikuperimin e flokëve të humbur.

Rastet kur rënia e flokut kalon kufijtë e normalitetit

Floku rritet në normën 0.35mm në ditë dhe ka një densitet 80.000-150.000.  Një sërë faktorëh ndikojnë në rritjen dhe rënien e flokut. Konkretisht do të përmendim trashëgiminë, influencën e faktorëve patologjike të jashtëm e të brendshëm si psh: faktorë dëmtues të flokëve si bojëra e kimikate të ndryshme, stresi, ndotja ambientale, sëmundje të ndryshme në organizëm, marrja e medikamenteve të caktuara etj. Në persona normalë rënia dhe rritja e flokëve ndodh në mënyrë të vazhdueshme. Rënia normale e flokëve konsiderohet humbja e 70-100 fijeve në ditë, pra mbi këtë numër të flokëve rënia konsiderohet patologjike, për të cilën është e nevojshme konsultimi me mjekun specialist dermatolog. Çdo ditë pra ne humbasim deri në 100 fije floku në ditë, të cilat më pas zëvendësohen në muajt në vijim nga flokë të rinj dhe kështu floku nuk humbet volumin e tij, pavarësisht fijeve që bien. Çdo folikul ose rrënjë e flokut ndjek një ritëm të caktuar, me faza rritje dhe pushimi. Në përfundim të çdo faze, pushimi floku bie dhe një fazë e re me formim të një floku të ri fillon, duke zëvendësuar fijet e humbura.

Aldo Bare e Zani Çaushi “ngelen” në Burgun e Drenovës

zani-caushiPersonazhe të njohur të botës së krimit mbahen në Burgun e Drenovës në Korçë, ku ndodhi arratisja e djeshme. Prej më se një viti, në këtë institucion të vuajtjes së dënimit mbahet Zani Çaushi, i dënuar me burgim të përjetshëm. Transferimi i ish- të fortit të Vlorës në Burgun e Korçës më tepër se një vit më parë shkaktoi edhe protestën e vetë Zani Çaushit, që ishte mbajtur më parë në burgje të tjera të sigurisë së lartë në vend. Një tjetër personazh i njohur i botës së krimit që mbahet në burgun e Drenovës në Korçë, është Aldo Bare.

Edhe ky person është dënuar me burgim të përjetshëm në cilësinë e drejtuesit të bandës së Lushnjës me akuzën e disa vrasjeve, plagosjeve, armëmbajtjes pa leje dhe veprave të tjera penale të rënda. Pas përfundimit të procesit gjyqësor ndaj tij, Bare është mbajtur në burg të sigurisë së lartë, ndërsa mësohet se muajin e fundit ai ishte transferuar në Burgun e Korçës. Ky burg konsiderohet si një nga institucionet më moderne të vuajtjes së dënimit në vend, pasi është ndërtuar vonë dhe me mbështetjen e BE.

Artur Gora:S`jam pjesë e skenarit,thjesht kam përfituar

Artur-Gora-211x300“Nuk jam pjesë e skenarit për arratisjen nga burgu por thjesht kam përfituar.

Ky ka qënë rrëfimi i Artur Gorës, i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme vetëm 2 orë pas arratisjes nga Burgu i Drenovës së bashku me 6 të dënuar të tjerë.

Në rrëfimin e tij para punonjësve të policisë, Gore ka theksuar se nuk ka pasur në plan të arratiset por ka përfituar nga rrëmuja që është krijuar në burg.

Të njëjtin version ka treguar edhe bashkëshortja e Artur Gorës e cila theksuar se burri i saj nuk ka lidhje me arratisjen por ka përfituar nga rrëmuja.

Sipas saj, për arratisjen e bashkëshortit të saj ishte informuar nga mediat sepse nuk dinte asgjë më përpara.

“Nuk e dinim që Arturi ishte arratisur por e pamë në televizor. Arturi nuk ka lidhje me arratisjen por ka përfituar nga rrëmuja.Ne prisnim që ai të dilte me leje sepse kishte nënën të sëmurë” është shprehur bashkëshortja e Artur Gorës.

Artur Gora, prej personave të arratisur nga Burgu i Drenovës në Korçë u arrestua mbrëmë nga policia në aksin Dishnicë-Devoll.

Artur Gora ka qenë duke udhëtuar me një automjet tip “Ford” për në drejtim të banesës së tij, teksa është ndaluar nga një postobllok i Policisë i ngritur enkas për këtë qëllim.

Artur Demir Gora është dënuar në vitin 2003 me burgim të përjetshëm, për “Vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Rojet: Të arratisurit kanë pasur 4 pistoleta

Ndërsa rojet e burgut kanë dëshmuar se të arratisurit kanë qënë të pajisur me katër pistoleta të cilat dyshohet se mbaheshin në dhomën e Admir Tafilit.

Ata ka deklaruar se ishin kërcënuar me jetë nga të dënuarit në mënyrë që t`i lejonin të arratiseshin.