Shkaqet e rënieve të flokëve

67

renia e flokeveStresi, ndotja, përdorimi i kimikateve, ekspozimi në rrezatimet e dëmshme, si dhe sëmundje të caktuara klasifikohen nga mjekët dermatologë si shkaqet kryesore që çojnë në dobësimin dhe më pas rënien e flokut. Shqetësim ky që shfaqet në rritje gjatë viteve të fundit. Megjithatë, rënia e flokut jo në çdo rast është problematike, pasi humbja e deri 100 fijeve në ditë konsiderohet si normale dhe nuk përbën shqetësim. Mjekia dermatologe, Monika Fida, detajon për gazetën “Dita” shkaqet dhe format se si shfaqet rënia e flokut së bashku me këshillat që nuk duhet t’i neglizhojmë për të mos u përballur me një fenomen shqetësues që ndikon negativisht në pamjen tonë estetike të përditshme. Në materialin bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar të gjitha format dhe shkaqet se si manifestohet rënia e flokut.

Alopecia (rënia e flokëve)

Rënia e flokëve ose, siç njihet ndryshe në gjuhën mjekësore, Alopecia, është një sëmundje që shoqërohet me rënie të flokëve në formë vatrash (Alopecia areata) ose në të gjithë lëkurën e kokës (Alopecia totalis). Rënia difuze e flokëve çon në të ashtuquajturën defluidum ose efluvium të flokut. Humbja e flokëve mund të jetë e formave të ndryshme dhe në varësi të saj përcaktohet edhe rikuperimi ose jo i tyre. Duke iu referuar këtij klasifikimi vëmë në dukje se rënia e flokëve mund të jetë e përkohshme dhe mund të trajtohet nga mjeku dermatolog (duke iu nënshtruar trajtimeve specifike). Nga ana tjetër, humbja e flokut mund të jetë edhe e përhershme dhe trajtimi i saj mbetet vetëm në ndihmën e kirurgut plastik, i cili me atë të procedurave të zhvilluara të transplantit mund të çojë në rikuperimin e flokëve të humbur.

Rastet kur rënia e flokut kalon kufijtë e normalitetit

Floku rritet në normën 0.35mm në ditë dhe ka një densitet 80.000-150.000.  Një sërë faktorëh ndikojnë në rritjen dhe rënien e flokut. Konkretisht do të përmendim trashëgiminë, influencën e faktorëve patologjike të jashtëm e të brendshëm si psh: faktorë dëmtues të flokëve si bojëra e kimikate të ndryshme, stresi, ndotja ambientale, sëmundje të ndryshme në organizëm, marrja e medikamenteve të caktuara etj. Në persona normalë rënia dhe rritja e flokëve ndodh në mënyrë të vazhdueshme. Rënia normale e flokëve konsiderohet humbja e 70-100 fijeve në ditë, pra mbi këtë numër të flokëve rënia konsiderohet patologjike, për të cilën është e nevojshme konsultimi me mjekun specialist dermatolog. Çdo ditë pra ne humbasim deri në 100 fije floku në ditë, të cilat më pas zëvendësohen në muajt në vijim nga flokë të rinj dhe kështu floku nuk humbet volumin e tij, pavarësisht fijeve që bien. Çdo folikul ose rrënjë e flokut ndjek një ritëm të caktuar, me faza rritje dhe pushimi. Në përfundim të çdo faze, pushimi floku bie dhe një fazë e re me formim të një floku të ri fillon, duke zëvendësuar fijet e humbura.