Gaiani: Armët kimike, prej PO-së do kishit dobi

63

ambasadori italianAmbasadori italian në Shqipëri, Massimo Gaiani deklaroi dje në një intervistë për “Vizion Plus”, se nëse Shqipëria do të kishte pranuar armët kimike, do të kishte pasur përfitime. “Besoj se do të kishte pasur masa shoqëruese dhe natyrisht do të ishte vlerësuar shumë pozitivisht kjo përpjekje dhe ky kontribut i dhënë nga Shqipëria. Mbështetje, në kuptimin e ndërmarrjes së disa nismave në dobi të mjedisit dhe të gjendjes mjedisore në Shqipëri”, – tha Gaiani.
Z.Ambasador, qeveria shqiptare mori një vendim të rëndësishëm për çështjen e armëve kimike, një vendim ndoshta i shtyrë edhe nga reagimi qytetar. Italia është një vend aleat i Shqipërisë në NATO. Të dyja vendet kanë kontribuuar për paqen në botë në operacione të ndryshme ndërkombëtare. Në këndvështrimin e sigurisë botërore dhe asaj rajonale, si e konsideroni vendimin e Shqipërisë?
Komuniteti ndërkombëtar po përballet me një problem të madh, që lidhet me gjendjen në Siri dhe arsenalin e madh të armëve kimike. Ndaj çdo kontribut për zgjidhjen e këtij problemi vlerësohet nga Italia dhe në përgjithësi nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar shumë pozitivisht. Kështu ndodhi edhe me ofertën e bërë nga Shqipëria. Në të njëjtën kohë ne e respektojmë vendimin e marrë, i cili duket se është kushtëzuar jo nga kushtet e veçanta të sigurisë së impianteve, të cilat ishin marrë përsipër nga ata të cilët më pas do të kryenin këtë operacion, por nga një kuadër referimi i përgjithshëm që ndoshta nuk ishte ndër më të mirët, e çka nuk bëri të mundur që Shqipëria t’i përmbahej ofertës së bërë.
Por Shqipëria është një vend i vogël dhe ka nevojë për komunitetin ndërkombëtar. Mediat këtu në Shqipëri kanë folur këto ditë edhe për benefite të mundshme që BE-ja do t’i garantonte vendit tonë nëse do të pranonte propozimin amerikan për armët kimike. Përtej spekulimeve, një “Po” e Shqipërisë për këtë operacion, a mund të përkthehej, siç shumë e thonë, në një mbështetje më të madhe të komunitetit ndërkombëtar karshi vendit tonë?
“Besoj se do të kishte pasur masa shoqëruese dhe natyrisht do të ishte vlerësuar shumë pozitivisht kjo përpjekje dhe ky kontribut i dhënë nga Shqipëria.
Mbështetje në ç’kuptim?
Mbështetje në kuptimin e ndërmarrjes së disa nismave në dobi të mjedisit dhe të gjendjes mjedisore në Shqipëri. Kjo besoj se do të mund të realizohej konkretisht.
Po nëse flasim për aspektin e rrugës së integrimit evropian të Shqipërisë?
Këto dy çështje nuk lidhen drejtpërdrejt, por thjesht fakti që Shqipëria bëri këtë përpjekje, këtë kontribut, apo që u vu në dispozicion, e bën atë një partner të respektuar në brendësi të Bashkësisë Ndërkombëtare dhe do të ketë edhe pasoja pozitive për të tjera çështje të hapura.
Le të flasim për qeverinë e re. Socialistët po qeverisin vendin prej dy muajsh tashmë. Në përgjithësi, si i konsideroni këto reforma të para të qeverisë “Rama”?
Do të thosha se ajo çka është bërë deri tani duhet vlerësuar në mënyrë pozitive. Është e qartë që jemi vetëm në hapat e parë. Ka pasur ndryshime të shumta në gjirin e administratës, ndaj nuk jemi në gjendje të vlerësojmë se si këto udhëzime të përgjithshme, si këto objektiva do të përkthehen më tej në veprime konkrete. Jemi duke parë me kujdes dhe do ta vlerësojmë me një frymë pozitive dhe të hapur, por natyrisht pjesa e zbatimit, çka është edhe më e rëndësishmja, duhet ende të vijë.
A po bëhet mjaftueshëm në këta muaj të parë, sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit? Ky është edhe një nga rekomandimet e Komisionit Evropian.
Ky qëndrim na duket shumë i mirë. Qeveria e re ka dëshmuar qartë se lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar është një ndër objektivat parësorë të saj. Sigurisht, kjo është tepër pozitive. Kemi parë disa prej veprimeve të para konkrete, por natyrisht duhet ende të shohim pjesën më të madhe të veprimeve dhe nismave që duhet të ndërmerren. Fillimi është shumë pozitiv dhe tejet premtues, si për sa u përket programeve, ashtu dhe për sa i përket qasjes së qeverisë në ndërmarrjen e veprimeve të saj.
Mbështetja e Italisë në rrugën tonë të integrimit europian nuk ka munguar kurrë, por duhet të themi se disa vende në BE nuk është se po e presin krahëhapur Shqipërinë. Përkundrazi, nuk kanë vendosur ende t’i japin apo jo Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Çfarë parashikoni se do të ndodhë në dhjetor, kohë kur Këshilli Evropian do të vendosë për këtë çështje?
Së pari nisemi nga një kusht shumë pozitiv, sikurse raporti i Komisionit, një raport pozitiv që ka marrë në konsideratë përparimet domethënëse të arritura, si nga qeveria e mëparshme, se si u mbajtën zgjedhjet dhe se si qeveria e re ka nisur veprimtarinë e saj, çka është diçka tepër pozitive. Në gjirin e Bashkimit Evropian ka rryma mendimesh që vlerësojnë me shumë kujdes çdo zgjerim, por pjesa më e madhe e vendeve anëtare e ka njohur faktin se Shqipëria ka bërë përparime të mëdha dhe meriton një mirënjohje. Besoj se dyshimet ende ekzistojnë e nëse nuk duam të presim ende dhe pak kohë për të parë në veprim masat e shpallura nga qeveria e re, ne si Itali mendojmë se Shqipëria meriton plotësisht këtë mirënjohje dhe, ashtu sikurse ne i kërkojmë Shqipërisë të kryejë gjëra të caktuara, nga ana jonë duhet të merren parasysh përparimet e bëra, ndaj është e drejtë të jepet kjo mirënjohje, edhe në ndihmë të reformave në vijim.
A konsideroni se klima aktuale politike në Shqipëri është e favorshme për të arritur në një përgjigje pozitive për statusin e vendit kandidat?
Them se po. Do të jenë shumë të rëndësishme këto pak javë që na ndajnë nga vendimi i dhjetorit, si dhe vijimi i përpjekjeve, nisja e vënies në veprim të objektivave të përbashkët.
Le të ndërrojmë temë, Ambasador. Të rinj italianë që vijnë të studiojnë apo punojnë në Shqipëri, sipërmarrës italianë që investojnë paratë e tyre në vendin tonë. Një prej kanaleve më të rëndësishme italiane, “LA7”, transmetonte pak ditë më parë një reportazh me titull: “Shqipëria: Toka e re e premtuar”. Çfarë po ndodh, Ambasador? Duket një skenar i parë tashmë në vitet ‘90.
Do të thosha me disa ndryshime. Ne ishim më të varfër. Në vitet ‘90 mbase kishte kureshtje, diçka të re dhe krejt të panjohur. Sot ka një njohje më të madhe të Shqipërisë, por do të thosha se ka shumë interes në Itali për një vend të ri, dinamik, ku ndihet dëshira për të bërë punë. Kjo u pëlqen italianëve.
Dhe ata duan të jenë pjesë e saj…
Ne jemi në dijeni të një interesi të madh, si nga ana e sipërmarrjeve që duan të investojnë, – e sigurisht kriza ndërkombëtare dhe problemet e konkurrencës së sipërmarrjeve tona përbëjnë bazën e këtij interesi të madh, – ashtu dhe nga individë që vijnë këtu, sepse janë të joshur nga ky dinamizëm që Shqipëria ia del të injektojë.
Sipas të dhënave tuaja, cili është numri i italianëve që punojnë apo jetojnë në Shqipëri? Nëse i keni këto të dhëna…
Është shumë e vështirë të japësh një të dhënë, edhe sepse shumë prej tyre kalojnë vetëm një pjesë të javës në Shqipëri dhe rikthehen në fundjavë. Pra, nuk janë të regjistruar. Por, shikojmë të gjitha linjat ajrore plot, restorantet, kafenetë, ku flitet shumë italisht.
Në fund, por jo për nga rëndësia, le të ndalemi pak në marrëdhëniet ekonomike Itali-Shqipëri. Me sa di, Ambasada italiane ka organizuar aktivitete të ndryshme që do të zhvillohen më 25 nëntor. A mund të na flisni për këtë?
Italia është mëse e pranishme në Shqipëri me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Dua të them se, ajo pjesë e ekonomisë sonë e bazuar në ndërmarrjet e vogla e të mesme është në harmoni me atë shqiptare, që ka një strukturë të ngjashme. E hëna e 25 nëntorit, që shënon hapjen e javës europiane të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, do të përurohet në Shqipëri, me një pasqyrë të rëndësishme të pranisë italiane në sektorin ekonomik shumë e përqendruar në ndërmarrjet e vogla e të mesme. Një pjesë që ka të bëjë me mjetet e mundshme, me qëllim fuqizimin e pranisë së ndërmarrjeve të vogla e të mesme e në veçanti të mjeteve me karakter financiar, por edhe ato që lidhen me edukimin profesional. Do të kalojmë më pas në një fazë të dytë, që lidhet me botën e punës, lëvizshmërinë ndërkombëtare të punës, që tashmë ka përftuar forma të reja. Le të përmendim për shembull praktikat arsimore, edukimin profesional, gjuhësor dhe universitar. Të gjitha këto janë pjesë e një pakete që besoj se fuqizon Shqipërinë, forcon lidhjen mes Italisë dhe Shqipërisë. Mbi këtë ne duam të investojmë. Së fundi kemi bërë një sërë eksperimentesh të bashkëpunimit në nivel vendor dhe duam të paraqesim frytet e këtij bashkëpunimi. Pra, do të kemi në datën 25 një ditë të tërë kushtuar Italisë. Kemi dashur t’i grupojmë dhe t’i bëjmë më të prekshme këto veprime. Ne bëjmë shumë gjëra në Shqipëri, por shpesh janë shumë të segmentuara dhe më pak të prekshme. Këto aktivitete janë organizuar në dakordësi të plotë me autoritetet shqiptare. Do të kemi kënaqësinë të mirëpresim në mëngjes ministrin Ahmetaj për pjesën më shumë ekonomike, ministrin Veliaj për pjesën e sektorit të punësimit dhe ministren Gjermeni për sa i përket zhvillimit të territorit. Ndaj do të ketë një pjesëmarrje të madhe të anëtarëve të qeverisë, të cilët i falënderoj paraprakisht për bashkëpunimin. Janë aktivitete të hapura për publikun, për të cilat presim një pjesëmarrje të gjerë.

*Gazeta Shqiptare