Gjenden makinat e arratisjes së të dënuarve

te arratisuritPolicia e Elbasanit ndaloi sot dy të rinj, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar katër prej të arratisurve për t’u larguar nga burgu i Korçës. Dy të rinjtë nga Shkodra, që mendohet se kanë lidhje me të dënuarin Admir Tafili, janë dërguar në Drejtorinë e Policisë së Korçës ku po merren në pyetje.

Ndërkohë Policia e Shtetit ka deklaruar se do të shpërblejë me pesë mijë euro çdo person që ka informacione të vlefshme për vendndodhjen e të arratisurve nga burgu i Drenovës në Korçë.

Mëngjesin e sotëm forcat e rendit kanë gjetur të braktisura dy automjetet që dyshohet se janë përdorur nga të dënuarit për tu arratisur nga burgu. Në fshatin Ravonik të Korçës është gjetur makina e kryeplakut të fshatit Qatrom, Myfit Ustalli, ndërsa në Pogradec është gjetur edhe makina tjetër tip “Passat”, me të cilën dyshohet se udhëtonin 4 prej të dënuarve.

Vulin viziton sot Kosovën

aleksander vulinMinistri pa portofol në qeverinë e Serbisë, i ngarkuar për Kosovën , Aleksandar Vulin do të vizitojë sot Kosovën për të marrë pjesë në një liturgji në manastirin e Deçanit.

“Patriarku serb Irinej do ta dekorojë zyrën për “Kosovë e Metohi” me dekoratën “Shën Sava” të rangut të parë, e cila është mirënjohja më e lartë që dhuron Kisha Ortodokse Serbe”, -raporton “Koha Ditore”.

Në ceremoninë e sotme në Deçan do të marrin pjesë edhe ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Rodiq, ministri i Punëve të Jashtme, Ivan Mërkiq dhe ndihmësi i drejtorit i zyrës për ”Kosovë dhe Metohi”, Mirko Kërliq.

Gjenevë, gjashtë të mëdhenjtë “nënshtrojnë” Iranin

European Union foreign policy chief Catherine Ashton delivers a statement during a ceremony at the United Nations in GenevaPërfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë, Catherine Ashton, deklaroi se në bisedimet e Gjenevës është arritur marrëveshja ndërmjet fuqive udhëheqëse botërore dhe Iranit, lidhur me programin e kontestuar atomik të këtij vendi.

Nuk janë publikuar detaje të marrëveshjes, e cila është arritur sot herët në mëngjes në Gjenevë të Zvicrës.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, e ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes në rrjetin social “Twitter”.

“Po, kemi arritur një marrëveshje”, -shkruan në Twitter, kryediplomati iranian.

Grupi “P5+1”, i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania, i kanë ofruar Iranit zbutje të kufizuar të sanksioneve ndërkombëtare, në këmbim pezullimin e disa aspekteve të programit të tij bërthamor.

Bisedimet në Gjenevë, që kanë filluar para 5 ditësh, kishin ngecur për shkak të këmbënguljes së Iranit, se çfarëdo marrëveshje që arrihet duhet ta njohë të “drejtën” e këtij vendi për pasurimin e uraniumit.

Nga ana tjetër, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ka deklaruar se nëse Irani nuk i përmbahet angazhimeve të tij brenda gjashtë muajve, Kombet e Bashkuara do ta tërheqin paktën e lehtësimeve dhe do të rrisin presionin.

“Reuters” ka bërë publike deklaratën e një diplomati perëndimor, i cili ka preferuar të mbetet anonim, që thotë se Irani ka mundësi të fitojë 4,2 miliardë dollarë pas ndalesës së programit nuklear.

Vampiri i parë në histori ishte Serb

vampirGazetari amerikan, David Ono, i cili ka udhëtuar në gjithë botën për të kërkuar legjendat për vampirët, ka zbuluar se legjenda e gjakpirësve nuk fillon me romanin “Dracula” të Bram Stoker (1897) e as në Rumani, porse në Serbi.

Vampiri i parë, për të cilin flasin librat historikë është i varrosur në një varrezë të izoluar në Kisiljevo të qarkut Branicevo, ku gjenden dhjetëra përmendore pa mbishkrime dhe vetëm disa fshatarë dinë për ekzistimin e tyre.

Në njërën nga varrezat gjendet Petar Blagojevic, për të cilin në vitin 1725 është shkruar se do të ngritet nga varri dhe do t’i gjuajë fshatarët.

Ono ka arritur ta gjejë njërin nga pasardhësit e Blagojevicit dhe me të ka biseduar se si ndihet me faktin që është pasardhës i vampirit të parë në histori. Ai ka thënë se kurrë nuk flitet për Petar Blagojevicin në fshat dhe se fshatarët shmangin çfarëdo bisede që e lidhin atë me prejardhjen nga vampirët.

Për nxitjen e besimit për ekzistimin e vampirëve në Serbi, është përgjegjës kirurgu ushtarak austriak, Johann Fluckinger. Në vitin 1732, ai së bashku me një njësi ushtarësh kanë arritur në atë vend për të gjetur dëshmi për ekzistimin e vampirëve.

Në raportin e tij, ai shkruan se ka qenë i pranishëm në gërmimet e varreve dhe nguljen e kunjit në trupin e të dyshuarve. Oficerët asokohe i kanë angazhuar romët lokalë që t’ua heqin kokat të dyshuarve si vampirë, t’ua djegin trupat e tyre, ndërsa hirin ta hedhin në lumin Morava.

Fluckinger ka shkruar se ka parë teksa krijesat e tilla kanë ulëritur dhe janë gjakosur. Pikërisht në raportin e tij është përdorur për herë të parë shprehja ‘vampir’ dhe që atëherë vampirët janë pjesë e kulturës serbe. Ata akoma besojnë në ekzistimin e tyre.

Ja ushqimet që duhen konsumuar për të jetuar më gjatë

cibi saniMënyra e ushqyerjes është gjithmonë objekt studimi kur bie fjala për jetëgjatësinë. Të gjithë duan të dinë se cila është lista e ushqimeve që përbëjnë “eliksirin” për një jetë të gjatë dhe të shëndetshme. Sipas studiuesve, disa ushqime kanë aftësinë të ruajnë shëndetin, ndërsa të tjera mund të bëhen burim i patologjive të rënda si tumoret, por edhe dëmtimet në nivelin kardiovaskular, të cilat shtojnë rrezikun e vdekjes.

Studiuesit amerikanë të Shkollës së Harvardit për Shëndetin Publik në Boston kanë mbajtur nën vëzhgim për 28 vjet me radhë shumë persona, duke dalë në disa konkluzione të rëndësishme. Plot 37 698 meshkuj dhe 83 644 femra janë vëzhguar për mënyrën e ushqyerjes dhe patologjitë që kanë shfaqur gjatë 28 viteve. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 23 926 raste vdekjesh që lidheshin me patologji të ndryshme. Mes tyre, 5 910 persona janë ndarë nga jeta për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare, ndërsa 9 464 të tjerë për shkak të shfaqjes së tumoreve të ndryshme. Në të gjitha këto raste është vënë re se ndikim deciziv kishte mënyra e ushqyerjes. Sipas shifrave, ky faktor nuk përbënte ndonjë ndryshim të madh nga meshkujt te femrat.

Nutricionistët u këshillojnë gjithmonë njerëzve një dietë ushqimore që përfshin pak nga të gjitha, kjo duke nisur që në moshat e vogla. Por mbi të gjitha, ajo që nuk duhet të mungojë kurrsesi në dietën ushqimore janë produktet që përmbajnë substanca ushqyese dhe të dobishme për organizmin tonë. Mishrat e bardhë si pula, gjeli i detit, lepuri, peshku; frutat e thata, drithërat integrale dhe perimet janë ushqimet që ulin rrezikun e shfaqjes së patologjive që mund të çojnë edhe në vdekje. Në mënyrë të veçantë, studiuesit thonë se mishi i shpendëve dhe frutat e thata e reduktojnë rrezikun e këtyre sëmundjeve me 14-19 për qind. Në krye të listës së ushqimeve që “akuzohen” për rreziqet që i sjell është mishi i kuq.

Përmbytjet në Durrës, nis puna për pastrimin e kanalizimeve

permbytje trKa nisur intensivisht puna për zhbllokimin e kanalizimeve, të cilat kanë qenë preçedentë për përmbytje në qytetin e Durrësit.

Ekskavatorë dhe makineri të rënda kanë ndërhyrë në kolektorin kryesor, duke nisur zhbllokimin e tij,  ku pritet normalizimi i situatës ndaj fenomenit të përmbytjeve, të cilat kanë qenë prezente në zonën hyrëse të qytetit por edhe në atë të plazhit.

Sipas prefektit të qarkut Durrës, Roland Xhelilaj, do të punohet intensivisht për hapjen e kanaleve për të normalizuar situatën dhe për ti bërë parapritë përsëritjes së këtij fenomeni.

problemet e shënuara nga përmbytjet si pasojë e rreshjeve të stinës së dimrit, jo pak herë kanë krijuar situata alarmante në qytetin e Durrësit ku në pak minuta janë përmbytur pothuajse shumica e tyre.

Arratisen 7 të burgosur nga Drenova

burguShtatë të burgosur ia kanë dalë të arratisen nga burgu i Drenovës. Ngjarja ka ndodhur sot në mbrëmje, ku të arratisurit kanë mundur të largohen duke i vendosur policët e burgut nën presionin e armëve që ata mbanin me vete.

Forca të shumta të policisë menjëherë pas marrjes së lajmit kanë arritur të ngrenë postoblloqe në akset rrugore. E megjithatë, ata kanë mundur të kalojnë me forcë postbllokun e ngritur nga policia e Pogradecit.

Të arratisurit janë: Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri, Gezim Toma, Reiz Haxhiraj, Eduard Lila, Artur Gora. Admir Tafili njihet për vrasjen e komisarit të policisë, Arben Zylyftari, i dënuar me burgim të përjetshëm.

Ndërsa Fran Marashi, ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Urës Vajgurore. Forca të shumta policie janë vënë në ndjekje të të 7 të arratisurve.

Ahmetaj, ministrive: “Na dërgoni listën e koncesioneve”

ahmetajMinistri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes u ka kërkuar sot Ministrive që të dorëzojnë pranë MZHETS, listën e plotë të koncesioneve që ato u kanë dhënë subjekteve, të cilat u përkasin fushave të ndryshme ekonomike.

Ahmetaj u ka bërë thirrje Ministrive që të bëjnë një analizë të plotë e të qartë kontratave të koncesioneve si dhe paketave ligjore e rregullatore që janë pjesë e tyre.

Zyra për shtyp e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka deklaruar se ky vendim ka ardhur si pasojë e ankesave të shumta nga përfaqësuesit e bizneseve që u përkasin sektorëve të ndryshëm ekonomikë.

Një ndër shqetësimet e tyre kryesore qëndron në faktin se këto koncesione të dhëna i kanë klasifikuar bizneset në degë krejtësisht të pabarabarta duke i përqëndruar ato në kushte dominante krahasuar me aktorët e tjerë në treg.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është duke ndërmarrë një hulumtim të të gjitha koncesioneve që janë dhënë vitet e fundit, si institucioni përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e politikave për mbrojtjen e biznesit nga praktikat e pandershme, si dhe palë e interesuara për liberalizimin e tregut dhe përmirësimin e klimës së biznesit, thekson angazhimin e saj për reduktimin e këtyre praktikave dhe për sigurimin e konkurueshmërisë së barabartë të biznesit në çdo sektor” – bën me dije zyra për shtyp.

Në letrën e Ministrit Ahmetaj kërkohet që Ministritë e linjës të identifikojnë edhe praktikat që mund të kenë elementë ekskluziviteti, e që kufizojnë konkurrencën në treg.

Ekzekutohet pranë lokalit të lojrave të fatit një 35-vjeçar

policiaNjë tjetër vrasje ka tronditur qytetin e Shkodrës në orët e pasdites së sotme, ku një 30-vjeçar është vrarë me armë zjarri nga disa persona.

Bëhet fjalë për shtetasin Marjan Martini nga fshati Juban, i cili ka qenë duke ecur pranë një lokali të lojërave të fatit, kur disa persona i kanë dalë në pritë duke e qëlluar për vdekje.

Fillimisht u raportua për një person por pas hetimeve është zbuluar se kanë qenë disa persona të cilët i kanë bërë atentat 30-vjeçarit Martini.

Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së Shkodrës  si dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë , nga ku kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe për kapjen e tyre.

Burime konfidenciale për News 24, bëjnë me dije se dy janë pistat ku është përqendruar policia e Shkodrës, një pistë është ajo e hakmarrjes ndërsa pista tjetër është ajo e ndonjë debati të mundshëm të Marjan Martinit.

Gjakmarrja në Shqipëri,109 fëmijë pa shkollë

gjakmarrjaNë Shqipëri janë zyrtarisht 109 fëmijë të cilët nuk mund të ndjekin shkollën për shkak të ngujimit,pasi familjet e tyre janë të rrezikuara nga gjakmarrja. Kjo është konfirmuar nga zëvendës.ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj gjatë konferencës “Sfidat e gjakmarrjes” organizuar nga Instituti Shtëpia e Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar.

Për drejtuesin e këtij Instituti, Agim Loci, me fenomenin e gjakamarrjes është abuzuar në Shqipëri për gati 20 vjet, sidomos sa i takon statistikave. Ai sqaron se numri i viktimave nga gjakmarrja nuk është 6 mijë dhe se 250 familje janë të ngujuara nga ky fenomen.

Në këtë konferencë ishin të ftuar Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj dhe Avokati i Popullit Igli Totozani ,të cilët nuk kanë marrë pjesë duke mos argumentuar mungesën.