Kiev: Protestuesit bllokojnë hyrjen e Qeverisë

KievMë shumë se 1000 manifestues të opozitës bllokuan sot hyrjen për në ndërtesat qeveritare, në qendër të Kievit, dhe kërkuan dorëheqjen e presidentit ukrainas, Viktor Janukoviç pas pezullimit të papritur të marrëveshjes së asocimit me Bashkimin Evropian.

Rrugët që të çojnë tek ndërtesat qeveritare janë bllokuar nga makinat e simpatizantëve të opozitës.

Të paktën 100 mijë persona manifestuan dje në rrugët e Kievit për të njëjtën arsye. Ky manifestim u shoqërua edhe me plagosjen e mbi 100 efektivëve të policisë dhe shumë protestuesve.

Naço: Reformim Gjykatës së Lartë dhe KLD-së

Nasip-NacoGjatë senacës dëgjimore të zhvilluar sot në Komisionin e Integrimit, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka deklaruar se, nevojitet reformim i Gjykatës së Lartë dhe të KLD-së si edhe një strategji kunder korrupsionit.

Ministri Naço, ka deklaruar se KLD ka emëruar vetëm 7 Kryetarë gjykatash në 5 vjet, nderkohe qe pjesa tjetër është e komanduar.

Sipas tij, Ministria e Drejtësisë ka hartuar strategjinë kundër korrupsionit, e cila sipas tij pritet të japë efekte pozitive në luftën kundër këtij fenomeni.

Naço ka theksuar, se lufta kundër korrupsionit  dhe modernizimi i sistemit të drejtësisë do të jenë pasaporta për në BE e Shqipërisë.

Trafikimi, Tahiri: Rikonceptim luftës ndaj trafikut, bashkëpunim dhe me publikun

saimir-tahiri-565x421Në takimin e zhvilluar ditën e sotme, me temë “T’i japim fund stigmës”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Sociale, si dhe Organizatën “Të Ndryshëm dhe të Barabartë” është diskutuar mbi respektimin e të drejtave të viktimave të trafikimit në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij  Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri,  ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithë aktorëve për të kontribuar në një luftë shumë të rëndësishme kundër këtij trafiku, duke shmangur edhe stigmën, për ta hequr vendin nga lista e zezë e vendeve që jane nën vëzhgim për këtë problem.

“Kemi nevojë ta rikonceptojmë luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore. Sa jemi ne të përgatitur si shoqëri ta luftojmë këtë fenomen? Duke filluar që nga shfrytëzimi i fëmijëve në rrugë. Duke mos refuzuar kërkesën e fëmijëve të pafajshëm që kërkojnë lëmoshë, favorizojmë tutorët që duhet të shkojnë përpara drejtësisë. Ta ngremë këtë çështje në nivelin e alarmit publik. Na detyron të ndërtojmë platforma permanente dhe bashkëpunuese me shoqërinë. Bëhuni pjesë e përpjekjes sonë për të shënuar një nivel të ri të rezultateve lidhur me trafikun e qenieve njerëzore. Rezultatet arrihen duke qenë bashkë”- tha Tahiri.

Në takim marrin pjesë edhe Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, njëkohësisht edhe Koordinatorja Kombëtare për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, Gjebrea, Shefi i Departamentit të Punës dhe Politikës Sociale në Fakultetin e Shkencave Sociale, Dragoti, si edhe Drejtorja ekzekutive e organizatës “Të ndryshëm dhe të barabartë”, Meshi.

OSBE: Procesi zgjedhor në Kosovë paqësor dhe i rregullt

Lamberto ZannierSekretari i përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Lamberto Zannier, e ka mirëpritur votimin paqësor dhe të rregullt në zgjedhjet komunale në Kosovë, si një “hap të rëndësishëm drejt besimit dhe sigurisë”.

Këto komente ai i bëri pas mbylljes së votimeve në rundin e dytë të zgjedhjeve, që u mbajtën dje, ndërsa OSBE-ja i ka lehtësuar zgjedhjet në katër komuna veriore të Kosovës, në linjë me marrëveshjen e Brukselit, ka njoftuar OSBE-ja, me seli në Vjenë.

“Ky paraqet moment shumë të rëndësishëm në procesin kompleks, duke ndërtuar besim dhe duke hapur perspektiva për stabilitetin dhe për të ardhme prosperuese për popullin e këtij rajoni”, tha zoti Zannier, dhe ka shtuar se “kjo ka dëshmuar se Marrëveshja e 19 prillit e arritur nga Beogradi e Prishtina, dhe me sukses e ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, po fillon të japë rezultate”.

Ai ka theksuar se OSBE-ja “mbetet e gatashme për tu angazhuar në mbështetje të këtij dialogu të rëndësishëm, i udhëhequr nga BE-ja dhe në implementimin e tij”.

Shefi i OSBE-së, Lamberto Zannier, ka shfaqur kënaqësi për angazhimin konstruktiv nga të gjitha palët, gjatë negociatat komplekse dhe intensive për modalitetet e zgjedhjeve dhe e ka falënderuar policinë e Kosovës, misionin EULEX dhe KFOR-in, për krijimin e ambientit të sigurtë për zgjedhje në pjesën veriore të Kosovës.

Një manifestim në favor të integrimit europian në Kiev, Ukrainë

Një manifestim në favor të integrimit europian në Kiev, Ukrainë. (Stoyan Nenov, Reuters/Contrasto)
Një manifestim në favor të integrimit europian në Kiev, Ukrainë. (Stoyan Nenov, Reuters/Contrasto)
Një manifestim në favor të integrimit europian në Kiev, Ukrainë. (Stoyan Nenov, Reuters/Contrasto)

Kakavijë, sekuestrohen 19 kg marijuanë

mariuana1Burimet policore bëjnë me dije se kanë sekuestruar mëngjesin e sotëm 19 kg marijunë në pikën kufitare të Kakavijës.

Droga është gjetur gjatë një kontrolli që kanë bërë uniformat blu në automjetin me targa greke AXO8127, që drejtohej nga shtetasi Vasil Dervishanji.

Policia kufitare nuk arriti të kap drejtuesin e mjetit pasi ai është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke kaluar në kufirin grek.

Autoritetet i kanë bërë thirrje vendit fqinj dhe homologëve grekë që të jenë bashkëpunues në mënyrë të tillë që të arrestohet trafikuesi i drogës. Të dyja palët janë duke vijuar kërkimet për kapjen e tij.

Ahmeti: Do t’i mbaj premtimet

Shpend ahmetiFituesi i kryeqytetit në balotazh, Shpend Ahmeti, para simpatizantëve dhe qytetarëve të tubuar në shesh vlerësoi se fitorja e sotme është fitore e të gjithë qytetarëve të Prishtinës.

“Deri tani flamurin kombëtar e kemi ngrit vetëm në protesta, por sot zemra mal po më bëhet kur po ju shoh të gjithëve këtu”, -ka thënë Ahmeti.

Më tej ai shtoi: “Sot është veç hapi i parë i ndryshimit të madh, sot është fitorja juaj, fitorja e banorëve të Prishtinës”.

I entuziazmuar, kreu i ardhshëm i kryeqytetit tha se ashtu si mbrëmë do të festohen edhe shumë netë të tjera, por gjithmonë pas përfundimit të ndonjë pune, raporton “Koha Ditore”.

“Kemi për të punuar bashkë dhe do të festojmë për secilën punë të kryer. Kur do të mund të lahemi në orën tre të natës do të festojmë, sepse do të kemi ujë. Do të festojmë kur ta rregullojmë transportin publik. Do të festojmë kur ta bëjmë Prishtinën ashtu siç e duam ne”, -u shpreh Ahmeti, duke premtuar se do t’i përmbushë ato që i ka premtuar gjatë fushatës.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë ka sjellë plot surpriza. E gjithë vëmendja ishte përqendruar në kryeqytet, ku pas balotazhit në raundin e parë, garonin Isa Mustafa i LDK-së, i cili ishte edhe kreu i komunës dhe Shpend Ahmeti i “Vetëvendosjes”. Mbyllja e votimeve dhe nisja e numërimeve tregoi për një fitore të kandidatit Ahmeti, i cili fitoi 51.5 % të votave. Në këtë mënyrë, “Vetëvendosje” fiton Prishtinën. Ish-kryetari i kësaj komune, Isa Mustafa mori vetëm 48.5 % të votave. I emocionuar nga rezultatet, Ahmeti ftoi të gjithë qytetarët të dilnin në shesh ditën e djeshme për të festuar fitoren.

Por fitorja e Vetëvendosjes në Prishtinë nuk ka kaluar pa pasoja. Një simpatizant i tyre afër të 60-ve, ka humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak që ka pësuar gjatë festës. Këtë e ka konfirmuar shërbimi emergjent në QKUK, ndërsa identiteti i personit nuk bëhet publik.

Vetëvendosja fiton Prishtinën

vetvendosjaLidhja Demokratike e Kosovës ka humbur Komunën e Prishtinës pasi Isa Mustafa është thyer përballë kandidatit të Vetëvendosjes.

Fitoren e Shpend Ahmetit në Prishtinë e ka konfirmuar edhe Demokracia në Veprim. “Klan Kosova” raporton se, Shpend Ahmetit i janë mbushur sytë me lotë nga ky rezultat.

Sipas rezultateve paraprake, Shpend Ahmeti ka fituar 51.5% të votave ndërsa kryetari i deritanishëm Isa Mustafa 48.5%.

Ndërkohë fitoren në Prishtinë e ka shpallë edhe Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet Dardan Sejdiut, i cili ka thënë se ky subjekt do të qeverisë me kryeqytetin gjatë 4 vjetëve të ardhshëm.

 

Lëvizjet në diplomacinë shqiptare

artur kukoPas emrave të bërë publikë si ai i ish-deputetit socialist Ilir Gjoni, i propozuar për ambasador në Zvicër dhe emri i ish-kryetarit të Komisionit të Sigurisë, ish-deputetit demokrat Leonard Demi si përfaqësuesi ynë në NATO, të tjerë emra i bashkëngjiten lëvizjeve të para brenda shërbimit diplomatik.

Artur Kuko, që deri më tani ka mbajtur postin e ambasadorit tonë në NATO, propozohet nga Ministria e Jashtme si ambasador në Gjermani, një vend tejet i rëndësishëm për marrëdhëniet me Shqipërinë. Adriana Hodbari është propozuar si përfaqësuesja jonë në Strasburg. Një tjetër emër i njohur i diplomacisë, Roland Bimo, është propozuar si ambasadori jonë në Vjenë.

Propozimet për këto emra janë bërë prej Ministrisë së Jashtme që prej datës 13 nëntor. Mbetet për t’u parë kur Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, do të nxjerrë dekretet përkatëse për emrat që Ministria e Jashme propozon, në një kohë që Shqipëria njeh edhe precedentë të mëhershëm kur propozime për ambasadorë janë mbajtur të padekretuar për më shumë se një vit. Ndërkaq, ditën e hënë, dy emrat e parë të propozuar, Ilir Gjoni dhe Leonard Demi, do të prezantohen në Komisionin Parlamentar të Jashtëm nga ministri Bushati dhe dy kandidatët do të vijojnë më pas me seancën dëgjimore. Në këtë fazë të parë të lëvizjeve të diplomatëve nuk janë përfshirë për momentin emra të ambasadorëve që shpesh kanë qenë pjesë e diskutimeve politike, si ai i Mal Berishës në Mbretërinë e Bashkuar, i emëruar jo shumë kohë më parë në këtë detyrë.

Shqipëria është e përfaqësuar me një numër realativisht të lartë të përfaqësive diplomatike, në plot 55 vende të Botës dhe në pothuaj gjysmën e tyre ambasadorët kanë kaluar moshën e pensionit apo kanë më shumë se dy mandate në to. Me një buxhet tejet të ulët, rreth 15 milionë euro në vit, në diplomaci numërohen të jenë të angazhuar plot 570 njerëz, një raport i zhdrejtë krahasuar qoftë edhe me fqinjët.

Synimi i shpallur nga Bushati në ditët e tij të para si ministër ishte rritja e cilësisë së përfaqësimit tonë në Botë, ngritja e rrjetit të diasporës, diplomacisë kulturore dhe zhvillimit të diplomacisë ekonomike, të nevojshme veçanërisht në këto momente kur Shqipëria pret marrjen e statusit të vendit kandidat dhe në rast të votës pro të këshillit në fund të dhjetorit, hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Partizani dhe Skënderbeu triumfojnë

SkenderbeuDitën e sotme u luajtën edhe tri sfidat e mbetura për javën e 13-të të Kategorisë Superiore. Skënderbeu fitoi pastër në Korçë ndaj rivalëve të Flamurtarit me rezultatin 2-0.

Goli i parë u shënua nga Arapi në minutën e 32-të, ndërsa në pjesën e dytë ishte Pejiç ai që dyfishoi shifrat. Me këtë fitore, Skënderbeu nis arratisjen në vendin e parë.

Fitore arriti edhe Partizani, i cili përmbysi kurbinasit e Laçit në “Qemal Stafa” me rezultatin 2-1. Pas një pjese të parë pa gola, Veliaj kaloi miqtë në avantazh në minutën e 68-të.

Atëherë kur mendohej se ndeshja do të përfundonte 0-1, Maliqi barazoi në të 89-ën, ndërsa Hyshmeri përmbysi gjithçka në minutat shtesë.

Fitore të rëndësishme arriti edhe Kukësi në Shkodër ndaj Vllanzisë, duke përmbysur avantazhin e krijuar nga Semina në minutën e 35-të.

Goli i barazimit erdhi nga Shameti në minutën 53, ndërsa Popoviç kaloi miqtë në avantazh në minutën e 75-të, duke i dhënë tri pikë të vlefshme verilindorëve.