Ahmeti: Do t’i mbaj premtimet

56

Shpend ahmetiFituesi i kryeqytetit në balotazh, Shpend Ahmeti, para simpatizantëve dhe qytetarëve të tubuar në shesh vlerësoi se fitorja e sotme është fitore e të gjithë qytetarëve të Prishtinës.

“Deri tani flamurin kombëtar e kemi ngrit vetëm në protesta, por sot zemra mal po më bëhet kur po ju shoh të gjithëve këtu”, -ka thënë Ahmeti.

Më tej ai shtoi: “Sot është veç hapi i parë i ndryshimit të madh, sot është fitorja juaj, fitorja e banorëve të Prishtinës”.

I entuziazmuar, kreu i ardhshëm i kryeqytetit tha se ashtu si mbrëmë do të festohen edhe shumë netë të tjera, por gjithmonë pas përfundimit të ndonjë pune, raporton “Koha Ditore”.

“Kemi për të punuar bashkë dhe do të festojmë për secilën punë të kryer. Kur do të mund të lahemi në orën tre të natës do të festojmë, sepse do të kemi ujë. Do të festojmë kur ta rregullojmë transportin publik. Do të festojmë kur ta bëjmë Prishtinën ashtu siç e duam ne”, -u shpreh Ahmeti, duke premtuar se do t’i përmbushë ato që i ka premtuar gjatë fushatës.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë ka sjellë plot surpriza. E gjithë vëmendja ishte përqendruar në kryeqytet, ku pas balotazhit në raundin e parë, garonin Isa Mustafa i LDK-së, i cili ishte edhe kreu i komunës dhe Shpend Ahmeti i “Vetëvendosjes”. Mbyllja e votimeve dhe nisja e numërimeve tregoi për një fitore të kandidatit Ahmeti, i cili fitoi 51.5 % të votave. Në këtë mënyrë, “Vetëvendosje” fiton Prishtinën. Ish-kryetari i kësaj komune, Isa Mustafa mori vetëm 48.5 % të votave. I emocionuar nga rezultatet, Ahmeti ftoi të gjithë qytetarët të dilnin në shesh ditën e djeshme për të festuar fitoren.

Por fitorja e Vetëvendosjes në Prishtinë nuk ka kaluar pa pasoja. Një simpatizant i tyre afër të 60-ve, ka humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak që ka pësuar gjatë festës. Këtë e ka konfirmuar shërbimi emergjent në QKUK, ndërsa identiteti i personit nuk bëhet publik.