Lëvizjet në diplomacinë shqiptare

47

artur kukoPas emrave të bërë publikë si ai i ish-deputetit socialist Ilir Gjoni, i propozuar për ambasador në Zvicër dhe emri i ish-kryetarit të Komisionit të Sigurisë, ish-deputetit demokrat Leonard Demi si përfaqësuesi ynë në NATO, të tjerë emra i bashkëngjiten lëvizjeve të para brenda shërbimit diplomatik.

Artur Kuko, që deri më tani ka mbajtur postin e ambasadorit tonë në NATO, propozohet nga Ministria e Jashtme si ambasador në Gjermani, një vend tejet i rëndësishëm për marrëdhëniet me Shqipërinë. Adriana Hodbari është propozuar si përfaqësuesja jonë në Strasburg. Një tjetër emër i njohur i diplomacisë, Roland Bimo, është propozuar si ambasadori jonë në Vjenë.

Propozimet për këto emra janë bërë prej Ministrisë së Jashtme që prej datës 13 nëntor. Mbetet për t’u parë kur Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, do të nxjerrë dekretet përkatëse për emrat që Ministria e Jashme propozon, në një kohë që Shqipëria njeh edhe precedentë të mëhershëm kur propozime për ambasadorë janë mbajtur të padekretuar për më shumë se një vit. Ndërkaq, ditën e hënë, dy emrat e parë të propozuar, Ilir Gjoni dhe Leonard Demi, do të prezantohen në Komisionin Parlamentar të Jashtëm nga ministri Bushati dhe dy kandidatët do të vijojnë më pas me seancën dëgjimore. Në këtë fazë të parë të lëvizjeve të diplomatëve nuk janë përfshirë për momentin emra të ambasadorëve që shpesh kanë qenë pjesë e diskutimeve politike, si ai i Mal Berishës në Mbretërinë e Bashkuar, i emëruar jo shumë kohë më parë në këtë detyrë.

Shqipëria është e përfaqësuar me një numër realativisht të lartë të përfaqësive diplomatike, në plot 55 vende të Botës dhe në pothuaj gjysmën e tyre ambasadorët kanë kaluar moshën e pensionit apo kanë më shumë se dy mandate në to. Me një buxhet tejet të ulët, rreth 15 milionë euro në vit, në diplomaci numërohen të jenë të angazhuar plot 570 njerëz, një raport i zhdrejtë krahasuar qoftë edhe me fqinjët.

Synimi i shpallur nga Bushati në ditët e tij të para si ministër ishte rritja e cilësisë së përfaqësimit tonë në Botë, ngritja e rrjetit të diasporës, diplomacisë kulturore dhe zhvillimit të diplomacisë ekonomike, të nevojshme veçanërisht në këto momente kur Shqipëria pret marrjen e statusit të vendit kandidat dhe në rast të votës pro të këshillit në fund të dhjetorit, hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.