Kryeministri Rama u uron festën e ditëlindjes socialistëve

rama-kryeminister_0Kryeministri Edi Rama u ka uruar sot socialistëve festën e ditëlindjes së PS-së që do të festohet me një ceremoni pasditen e sotme në orën 19:30 në ambjentet e Muzeut Kombëtar.

“Socialistëve e progresistëve u uroj gëzuar ditëlindjen e PS – forca e interesave kombëtare për Shqipërinë Europiane”, shkruan Rama në mesazhin e tij drejtuar socialistëve në rrjetin social “Twitter”

Franca kundërshton statusin për Shqipërinë?

RAMA FRNjë ditë pas takimit mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Francës, Francois Hollande, mediet franceze shkruajnë se vendi i tyre mund të kundërshtojë dhënien e statusit kandidat për Tiranën.

Gazeta “Le Parisien” shkruan se, Rama ndodhej në Paris për të kërkuar mbështetjen e Francës në rrugën e integrimit në BE, por Franca edhe mund ta kundërshtojë një gjë të tillë.

Ndërsa në komunikatën për shtyp të presidencës franceze, thuhet se Rama dhe Hollande kanë rënë dakord që t’i japin një shtysë të re marrëdhënieve bilateral, praktikisht në fushat e ekonomisë. Në njoftim thuhet se, është diskutuar për statusin kandidat të Shqipërisë.

“Presidenti përsëriti mbështetjen e Francës për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe inkurajoi z. Rama për të vazhduar më tej përpjekjet për të përmirësuar qeverisjen dhe sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsioni dhe krimi i organizuar”, thuhet në komunikatë.

Franca është një nga pesë vendet skeptike që kërkoi shtyrjen e afatit për dhënien e statusit kandidat të Shqipërisë në dhjetor të vitit 2014.

Francë, Rama takon Hollande

Rama Hollande 2Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Francë është takuar sot me presidentin e këtij vendi, Francois Hollande.

Rama, në një postim në rrjetet sociale e konsideron bisedën me Hollande “përtje pritshmërive” dhe paralajmëron ardhjen e presidentit francez në Tiranë.

“Një takim përtej pritshmërive dhe kënaqësi që njësoj si kancelarja Merkel dhe Presidenti Hollande do vijë në Shqipëri”, shkruan Rama në “Twitter”.

Meta-Al-Ghanim: Forcim bashkëpunimit Shqipëri-Kuvajt

meta kuvajtKryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjatë vizitës së tij në Kuvajt, u prit nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Marzouq Ali Al-Ghanim.

Gjate takimit dy zyrtarët e lartë u angazhuan për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat.
Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi, Al-Ghanim i shprehu homologut Meta mirënjohjen për mbështetjen e fortë gjatë viteve të pushtimit të Kuvajtit.

Nga ana e tij kryeparlamentari shqiptar e falënderoi zyrtarin kuvajtian për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvajtit ndaj Shqipërisë, si dhe për njohjen e shtetit të Kosovës.
Meta u shpreh se Kuvendi mbështet fort forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kuvajtit, dhe në këtë kuadër e ftoi z. Al-Ghanim të vizitojë Shqipërinë së shpejti.
Z. Meta dhe z. Al-Ghanim ndanë bindjen se marrëdhëniet e mira dhe vëllazërore mes dy vendeve duhen forcuar më tej përmes një strategjie të përbashkët bashkëpunimi dhe përmes intensifikimit të kontakteve, duke rënë dakord se marrëdhëniet ndërparlamentare që po njohin një dinamikë më intensive shkëmbimesh, duhen forcuar më tej përmes dy grupeve reciproke të miqësisë në të dy vendet.
Duke diskutuar mbi zhvillimet e fundit në të dy rajonet, Meta dhe Al-Ghanim ranë dakord gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit në drejtim të çështjeve rajonale dhe ndërkombëtare duke konfirmuar mbështetjen reciproke në kuadër të organizatave shumëpalëshe si OKB dhe OBI.
Gjatë vizitës së tij, kryetari Meta dhe delegacioni parlamentar shqiptar u pritën dhe u përshëndetën në seancën plenare në Asamblenë Kombëtare të Shtetit të Kuvajtit nga kryetari Marzouq Ali Al-Ghanim dhe nga deputetët e Asamblesë.

Vetëvritet 23-vjeçarja, hidhet nga Sky Tower

policiaNjë ngjarje e rëndë ka ndodhur pak minuta më parë, në ndërtesën e lartë Sky Tower, nga e cila është hedhur një vajzë e re 23 vjeçare dhe për pasojë ka gjetur vdekjen.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish- Bllokut, Tiranë. Sipas dëshmitarëve vajza 23 vjeçare, Iris Belba ka qenë duke pirë kafe. Mësohet se vajza ka qenë punonjëse në një nga bizneset e pallatit 16-katësh.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Ende mbeten të paqarta shkaqet pse vajza është hedhur.

Qëndrimi i Çekisë për statusin

BE2Çekia ka paralajmëruar sërish vendosjen e vetos në Këshillin e BE-së sa i takon vendimit për statusin e Shqipërisë, që do të merret në fund të muajit.

Kjo është hera e dytë që shteti çek bën një paralajmërim të tillë. Tetorin e kaluar, ish-kryeministrin Jiri Rusnok i tha Edi Ramës se vendi i tij mund të bllokonte statusin nëse nuk merreshin hapa për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me CEZ.

Tashmë është kryeministri, Bohuslav Sobotka që bën një paralajmërim të tillë. Sobotka shprehet se, Çekia mbështet zgjerimin e BE-së në Ballkan, por ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së investimeve të huaja.

Si do të veprohet?

Çekia këtë herë nuk do të shkojë pa një vendim zyrtar në Këshillin e BE-së. Kjo pasi në mbledhjen e ardhshme të qeverisë çeke është parashikuar pozicionimi i saj sa i takon vendimit që do të mbajë në Bruksel.

“Çekia do të fokusohet tek çështja e mbrojtjes së investimeve të huaja në Shqipëri, çështja e stabilitetit të mjedisit të biznesit, çështja e luftës kundër krimit të organizuar,” tha ai.

“Ne insistojmë se çdo vend që merr statusin kandidat, duhet të plotësojë kushtet. Nuk ka dyshim që në këtë kontekst ne do ta shqyrtojmë Shqipërinë”.

A mund të vendosë veton?

Tomas Prouza, Sekretar Shteti për Çështjet e BE-së thotë se votimi për statusin kandidat nuk mund të bazohet vetëm tek një çështje e veçantë. Nga ana tjetër ai shton se ka disa rregulla bazë që çdo vend i BE-së duhet të ndjekë.

Shqipëria i hoqi licencën kompanisë shtetërore çeke, CEZ pas mosmarrëveshjeve të krijuara për shkak të taksave dhe mbledhjen e detyrimeve. CEZ privatizoi 73% të OST-ës për 102 milionë euro në vitin 2009. Tashmë çështja i ka kaluar Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Poroshenko urdhëron krijimin e korridoreve humanitare

Ukraine's President Yanukovich addresses during the draw of the Euro 2012 soccer championship at the Palace of Arts in KievPresidenti ukrainas, Petro Poroshenko urdhëroi krijimin e korridoreve humanitare për të lejuar civilët të largohen nga zonat e luftimeve në lindje të vendit, njoftoi sot presidenca në faqen e saj të internetit.

“Për të shmangur viktima të tjera në zonën e operacioneve antiterroriste, presidenti ka ngarkuar drejtuesit e forcave të sigurisë të krijojnë të gjitha kushtet e nevojshme për civilët që dëshirojnë të largohen”, theksoi presidenca në një komunikatë.

Felaj: Lufta kundër drogës, sfidë e qeverisë

ermonela-felajLufta kundër drogës mbetet sfida e qeverisë. Pohimi vjen nga deputetja socialiste njëherësh kryetarja e Komisionit Hetimor për trafikun e drogës, Ermonela Felaj. Në një intervistë për “Shekullin”, Felaj analizon konkluzionet e raportit të Komisionit Europian të prezantuar pak ditë më parë në Tiranë nga Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule dhe në mënyrë të veçantë sugjerimet për reformën në sistemin e drejtësisë. Ajo pranon se trafiku i drogës është një problem që kërkon zgjidhje dhe shpjegon hapat që janë hedhur nga qeveria në kuadër të reformës në drejtësi. Felaj pohon se me asistencën gjermane po punohet për një reformë thelbësore në KLD dhe Gjykatën e Lartë. Sa i përket konkluzioneve të hetimit parlamentar për trafikun e drogës, deputetja e PSsë shpreson se prokuroria do të mund të thellojë hetimin dhe të gjejë dhe faktorët real të këtij trafiku.

Zonja Felaj Komisioni Evropian nëpërmjet Progres-raportit sugjeroi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë pasi bënte një analizë të plotë të asaj që është bërë po dhe duhet të bëhet. Si e vlerësoni këtë analizë?

Komisioni Europian së fundi rekomandoi sërish dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë dhe ky natyrisht është një lajm i mirë për të gjithë. Edhe më parë Komisioni ka qenë pozitiv ndaj Shqipërisë, por e veçanta këtë herë ishte fakti se nuk u vendosën kushte të tjera shtesë që duhen të përmbushen deri në momentin kur të shprehen vendet anëtare të unionit. Pra Shqipëria duket e gatshme për të mbërritur statusin dhe shpresoj shumë që kjo dëshirë e madhe e të gjithëve të mund të plotësohet këtë herë. Nga ana tjetër, është e sigurt se Shqipëria duhet dhe do të vijojë rrugën e vet të reformave, dhe në këtë pikë, ky progres- raport, sikurse dhe të tjerë më parë, është një dokument i rëndësishëm për t’u ndjekur nga ana jonë, sepse në vetvete përfaqëson analizën më të mirë, më të plotë, më objektive që mund t’i bëhet qeverisjes së një vendi si dhe veprimtarisë së institucioneve të tij shtetërore.

Progres-raporti vlerësonte ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale sa i përket korrupsionit por thekson se “Numri i lartë i hetimeve për korrupsion, nuk çon në dënime me vendim të formës së prerë, gjë që vë në dukje nevojën për të forcuar pavarësinë, efiçencën dhe llogaridhënien e gjyqësorit, si edhe nevojën për të forcuar kapacitetet e policisë dhe të prokurorisë”. Si mund të arrihet kjo?

Ndryshimet në fjalë i referohen ndryshimit të kompetencës lëndore të Gjykatës dhe Prokurorisë për Krime të Rënda, që tanimë do të mund të gjykojnë korrupsionin e zyrtarëve të lartë shtetërorë, të zgjedhurve vendorë si dhe atë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nevojat që i paraprinë këto ndryshime janë pikërisht ato që përmendni në pyetjen tuaj të cilat është e qartë se nuk do të mund të ezaurohen plotësisht dhe njëherazi nëse nuk do të flitej për reformë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo Gjykatën e Lartë. Mund t’ju them se po punohet intensivisht për të dyja këto reforma edhe duke përfituar nga asistenca e huaj, kryesisht ajo gjermane. Ideja është që trupa e gjyqësorit, ajo e prokurorisë dhe e policisë po të doni, të dalin nga topitja, nga qerthulli i individëve të korruptuar e të lidhur me një mijë fije njëri me tjetrin, e që kur bëhen bashkë është e vështirë t’i ndash. E bëj këtë konstatim për të vërejtur se asnjë reformë nuk është e thjeshtë dhe që mund të merret lehtë, përkundrazi kërkohet vëmendje, ndërhyrje në momentin e duhur dhe mbi të gjitha evidentim ditë pas dite, të elementëve pozitivë që janë aktualisht në sistem dhe që me pak mbështetje dhe nxitje, të bërë bashkë përmbysin me siguri status-quonë e tmerrshme të mosbesimit dhe pamundësisë për t’ia dalë në një sistem të korruptuarish.

Për herë të parë në një raport flitet gjatë për trafikun e drogës, për atë çka është bërë kundër tij, por dhe atë që duhet të bëhet. Është kjo një shenjë negative pra një problem i shtuar për Shqipërinë?

Trafiku i drogës ka qenë dhe mbetet një problem për Shqipërinë, pavarësisht përpjekjeve të Policisë së Shtetit për ta luftuar atë. Pikërisht sepse jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij krimi dhe mbi të gjitha të pasojave të rënda që ai shkakton, jemi shumë të angazhuar për të luftuar autorët e këtyre veprave pa asnjë tolerancë, përmes rritjes së performancës së strukturave të policisë, bashkëpunimit më të gjerë me partnerët, lidhjes më të mirë me prokurorinë, me qëllim kapjen e autorëve dhe përballjen e tyre me prova dhe fakte të pakundërshtueshme. Kuptohet që kemi punë për të bërë në këtë drejtim sepse kjo ende ngelet sfidë.

KE-ja shpreh shqetësim për numrin e ulët të dënimeve për trafikun e qenieve njerëzore, pastrimit të parave apo dhe krimit ekonomik. Do ketë masa konkrete për të përmirësuar këtë situatë? 

Problemet me gjyqësorin, reflektohen pa dyshim dhe tek dënimet e munguara e që shqiptarët mezi i presin. E kuptoj që çdo ditë që kalon rrit presionin që të ndërhyhet dhe në këtë drejtim dhe ne për këtë po punojmë, natyrisht duke u kujdesur në çdo moment që pushteti gjyqësor të marrë trajtat e vërteta të pavarësisë dhe paanësisë, pasi vetëm kështu do të mund të ringrihet dhe të ndërtohet si një pushtet të cilin njerëzit e zakonshëm e duan dhe i besojnë.

Për tu rikthyer tek debatet e ditës, sapo është mbyllur hetimi për akuzat e opozitës mbi trafikun e drogës. Janë dorëzuar tashmë në prokurori faktet e gjetura dhe a do kërkoni një hetim mbi bazën e tyre?

Komisioni hetimor parlamentar që ju citoni, tanimë e ka mbyllur veprimtarinë e vet. Raporti i miratuar në mbledhjen e fundit të Komisionit, pritet të miratohet së afërmi nga Kuvendi i Shqipërisë, në mënyrë që të procedohet më tej me dërgimin në Prokurorinë e Republikës  së Shqipërisë të gjithë dokumentacionit që e shoqëron. Mbetem shpresëplotë se gjetjet e këtij raporti do i shërbejnë thellimit të hetimeve dhe individualizimit të fajtorëve.

PD ka zgjedhur të bëjë opozitë fillimisht me protesta, më pas me greva dhe tani dhe me kërkesa të vazhdueshme për komisione hetimore. Si e shikoni këtë lloj opozitarizmi? 

Nuk e them vetëm unë, por dhe kolegë brenda opozitës e kanë shprehur dhe publikisht, se ka diçka të mangët në këtë mënyrë të bërit opozitë që e ndërron tematikën e “kauzave” ende pa u filluar, që përsërit vetveten deri në atë pikë sa bëhen të pakuptimtë dhe të padobishëm në raport me interesin publik të cilit duhet t’i shërbejmë.

A pengon kjo kryerjen e reformës në drejtësi, e theksuar fort si e domosdoshme dhe nga Progres-raporti? 

Sipas mendimit tim, reformat më të mira janë ato që bëhen duke mos iu nënshtruar kushteve që ngrihen thjesht dhe vetëm artificialisht.

Ndryshimet ligjore në hetimin e pasurisë, garanci për luftën kundër korrupsionit  

Një tjetër pikë në raport sugjeron se “Shqipëria duhet të fokusohet në zbatimin e legjislacionit në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesit, rritjen e hetimeve proaktive dhe miratimin e masave që i bëjnë hetimet më efiçente”. Cilat janë masat që po merren në këtë drejtim?

Është një vërejtje me vend pa dyshim, ndërkohë që unë mund të them se ne si mazhorancë kemi reflektuar në këtë drejtim; së pari, me largimin nga kreu i ILDKPKI-së të ish drejtueses e cila ishte propozuar dhe zgjedhur nga Kuvendi në kundërshtim të hapur me ligjin. Së dyti, me ndryshimet e bëra në dy ligjet bazë të punës së këtij institucioni, si ligji për deklarimin e pasurive dhe interesave privatë si dhe në atë të konfliktit të interesave.

Ndryshimet e sjella në këto dy ligje, i japin mundësinë ILDKPKI-së të kontrollojë jo vetëm pasuritë por dhe interesat privatë, jo vetëm pasuritë dhe interesat privatë të bashkëshortëve të deklaruesve por dhe bashkëjetuesve të tyre. Nga ana tjetër, kontrolli i pasurive nuk do të kryhet me short, por periodikisht për të gjithë titullarët e institucioneve, përfshirë këtu dhe gjyqtarë dhe prokurorë. Duke mos u zgjatur më tej në analizën e këtyre ndryshimeve, do të shtoja se falë këtyre ndryshimeve, jam e sigurt se ILDKPKI-ja do të shfaqet si një institucion më efektiv dhe absolutisht i nevojshëm me kërkimet dhe informacionet e veta në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve si dhe atë të pastrimit të parave.

Kryeministri Rama i shpreh ngushëllimet Thaçit

Rama-ne-kompjuterKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka shprehur ngushëllimet e tij, homologut Kosovar, Hashim Thaçi, për viktimat e shkaktuara nga shpërthimi tragjik i ndodhur sot në Korporatën Energjetike të Kosovës, (KEK), në Obliq.

Kryeministri i vendit Edi Rama përmes faqes së tij zyrtare në FaceBook,  shkruan se , “ fola me KM Thaçin për pasojat e shpërthimit tragjik dhe i shpreha ngushëllimet dhe solidaritetin tonë. KM Thaçi ishte i lënduar dhe falenderues.”.

Më herët, përmes Facebook-ut. shefi i qeverise  shprehu solidaritetin e tij për lajmin tronditës që ndodhi sot në Kosovë.

“Lajm tronditës nga Kosova, dhimbje e solidaritet për familjarët, le të lutemi që numri i te vdekurve dhe të dëmtuarve të mos rritet më tutje..”, shkruante Kryeministri Rama në “Facebook”.

Shpërthimi në KEK- Thaçi: Po merren masat për përballimin e situatës

hashim thaci“Po merren të gjitha masat nga ekipet profesionale të ekspertëve dhe po bëhet gjithçka për të përballuar situatën”, deklaroi sot Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nga vendngjarja, Obliqi, ku ka ndodhur shpërthimi në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Kreu i qeverisë kosovare tha në një lidhje telefonike të drejtpërdrejtë për Televizionin publik se “ka ndodhur një shpërthim i madh, nga i cili kanë dëme edhe termocentralet. Ka të lënduar, ende nuk mund të konfirmohet se a ka viktima apo jo”.
“Nuk ka kaluar ende rreziku, është izoluar pjesa e rrezikshmërisë”, tha Thaçi duke bërë të ditur evakuimin e punëtorëve nga vendet e punës në zonën e rrezikuar edhe nga ndonje shperthim tjetër potencial.
Nga Qendra Klinike Universitare bëhet e ditur se atje deri tani kanë mbërritur trembëdhjetë të lënduar, jashtë rrezikut.

Një shpërthim i madh ka ndodhur paraditen e sotme në KEK, Obliq, jashtë kazanave të Termocentralit Kosova A. kazanat e Kosovës A. Mësohet se nga shpërthimi ka viktima dhe persona të lënduar, por pritet konfirmimi zyrtar nga mjekët.