Lazarat, arrestohet i kërkuari nga policia

lazarat-albania-cannabisForcat e policisë vijojnë operacionin antikanabis në Lazarat. Në ditën e19-të të operacionit, forcat blu kanë arrestuar një tjetër person të shpallur në kërkim nga policia.

Në pranga ka rënë 44-vjeçari Vladimir Brahimi, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u zbuluan dhe u sekuestruan 1 ton e 233 kilogramë kanabis sativa.  Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar edhe sasi të konsiderueshme municionesh, mes të cilave 650 fishekë, 20 kapsolla detonatore dhe një mbushëse granathedhëse.

Ndalimi dhe arrestimi i 44-vjeçarit u bë për veprën penale “Prodhim e shitje të narkotikëve”, dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve e municioneve.” Kështu, numri i personave të arrestuar nga policia gjatë superaksionit antikanabis në Lazarat, tashmë ka shkuar në 39

Kuvend, mblidhet sot seanca plenare

Kuvendi-i-ri-9-shtator-20113-Legjislatura-8-640x426Kuvendi mblidhet të enjten në seancë plenare, ku pritet të diskutohen disa projektligje. Rendi i ditës parashikon shqyrtimin dhe miratimin e disa ndryshimeve në ligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, disa shtesa në ligjin “Për mbrojtjen e biodiversitetit”, si dhe pr/ligjin “Për Shërbimin për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme”.
Axhenda e sotme e Kuvendit përfshin edhe projektrezolutën mbi raportin e Prokurorit të Përgjithshëm për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2013.

Pentagoni: anija amerikane me armët kimike siriane drejt ujërave ndërkombëtare

pentagoniTransferimi i materialeve për armët kimike siriane në anijen ”Cape Ray” ka përfunduar, njoftoi sot Pentagoni duke saktësuar se anija amerikane la portin e Gioia Tauros për të lundruar drejt ujërave ndërkombëtare. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Hagel falenderoi autoritetet daneze dhe italiane për operacionin e vështirë. ”Hagel falenderon autoritetet daneze dhe italiane për mbështetjen e tyre në këtë proces dhe është pamasë krenar për të gjithë personat të cilët bënë të mundur transferimin e këtyre arnmëve kimike”, thuhet në një komunikatë të Pentagonit.

Presidenca italiane e BE-së prezanton sot prioritetet

uePërfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Clive Rumbold dhe ambasadori italian, Massimo Gaiani pritet të prezantojnë mesditën e sotme në Qendrën e Informimit të BE-së prioritetet e presidencës italiane, për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2014.
Presidenca e Këshillit, e cila mbahet me radhë nga secili prej 28 vendeve anëtare të BE-së, për një periudhë 6-mujore, luan një rol jetik në organizimin e nismave ligjore dhe procesit të vendimmarrjes në këtë institucion në Bruksel.
Që nga hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës, në dhjetor 2009, Presidenca e Këshillit të BE-së nuk ka rol formal në këtë cilësi jashtë Brukselit, sidomos sa i përket politikës së jashtme. Kjo për arsyen se me traktatin e ri, që krijoi edhe Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së, iu dha udhë një projekti ambicioz, i cili synon të garantojë një përfaqësim të jashtëm solid diplomatik evropian të BE-së, si një i vetëm. Për rrjedhojë, këtu në Shqipëri, përfaqësimi i jashtëm i BE-së, garantohet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian.

Belgjika kualifikohet në shtesë, SHBA në shtëpi

belgjike sportBelgjika arriti të mundë me rezultatin 2-1 SHBA-në, në kohën shtesë, pasi 90 minutat e rregullta kishin përfunduar në barazim pa gola, në takimin e vlefshëm për 1/8 e finaleve të Kupës së Botës, “Brazil 2014”.

Dy ekipet dhuruan një ndeshje me ritëm të lartë, me aksione të shumta për shënim, por të dy portierët ishin në një formë të shkëlqyer dhe arritën ta mbanin rezultatin të pandryshuar deri në fund të kohës së rregullt.

Menjëherë pas fillimit të 15 minutëshit të pare të shtesës, belgët arritën të shënonin me anë të De Bruyne, që shfrytëzoi më së miri në minutën e 93-të një pasim të sulmuesit të sapo futur në lojë, Lukaku.

Nga ndeshja Belgjikë – SHBA 2-1
Nga ndeshja Belgjikë – SHBA 2-1

Ky ishte një avantazh, i cili i çliroi të besuarit e Vilmots, të cilët rrezikuan edhe disa herë të tjera. Në minutën e 105’ Lukaku dyfishoi shifrat, duke shfrytëzuar ai këtë herë një pasim të De Bruyne.

Teksa të gjtihë prisnin fundin e ndeshjes, amerikanët arrijnë të shkurtojnë diferencën me anët të Green në minutën e 107-të. Amerika provoi të barazonte rezultatin, por tashmë nuk kishte më kohë dhe Belgjika fitoi 2-1 duke shkuar në çerekfinale përballë Argjentinës së Lionel Mesit.

Nicolas Sarkozy hetohet për korrupsion

sarkozyIsh-presidenti Nicolas Sarkozy po hetohet për korrupsion aktiv, trafik të influencës aktive dhe për shkelje të fshehtësisë së hetimit, njoftoi prokuroria kombëtare financiare. Pas mbikëqyrjes prej 15 orësh, Nicolas Sarkozy mbërriti pak pas mesnate, në polin financiar të Gjykatës së Lartë në Paris. Ai kaloi dy orë duke u marrë në pyetje nga hetuesit, para se të akuzohej.Statusi i tij si ish-president nuk e mbron më. Ai konsiderohet tashmë si një qytetar i zakonshëm. Është hera e parë që një ish-president Republike vihet nën mbikëqyrje.
Zhvillimet e fundit shihen si një goditje ndaj përpjekjeve të zotit Sarkozy për të marrë pjesë në garën presidenciale të vitit 2017.
Jacques Chirac u dënua në vitin 2011 për çështjen e punësimeve fiktive në qytetin e Parisit, por nuk u vendos kurrë nën mbikëqyrje.

Juncker “de facto” president i Komisionit, por socialistët e mbështesin me kushte

EuroscepticismJean Claude Juncker vendoset “de facto” nga liderët e BE-së si president i Komisionit Evropian, por grupi socialist i Parlamentit evropian, që i ka dhënë mbështetjen e vetë Junckerit, insiston se mbështetja e tyre është e kushtëzuar.
“Ne jemi shumë të kënaqur që Jean Claude Juncker u zgjodh nga krerët e shteteve dhe qeverive si kandidati për kryesimin e Komisionit”, deklaroi presidenti i grupit socialist Martin Schulz.
“Sikurse e kemi bërë të qartë edhe më parë, duke parë zgjedhjet për Parlamentin Evropian ne e mbështesim plotësisht Jean Claude Juncker. Kjo është ajo për çfarë kanë votuar shumica e qytetarëve evropianë dhe këtë duhet të shohin që të ndodhë, si një sinjal që votimi i tyre është respektuar”, vazhdoi Schulz.
“Megjithatë, çdo president i Komisionit Evropian që del para parlamentit për të kërkuar votat tona do të mbështetet nga grupi ynë nëse ata përkrahin programin tonë për ndryshim. Kjo përfshin, mes shumë çështjesh, një ndryshim thelbësor të politikës për t’i dhënë fund politikave shtrënguese që po drejtojnë Evropën, investime në rritje ekonomike dhe punësim si dhe fokusim social në luftën kundër nivelit shumë të lartë të papunësisë tek të rinjtë”, deklaroi Schulz gjatë një konference për shtyp.

Shqipëria përmirësohet me 18 vende në Indeksin e Foreign Policy për vitin 2014

Tirana_20070713_img_1220Revista e njohur amerikane Foreign Policy ka publikuar për të dytin vit radhazi Indeksin Bazë të Rentabilitetit, “Ku të investosh në botë”, Edicioni 2014.

Në këtë publikim, Foreign Policy vlerëson se Shqipëria është përmirësuar me 18 vende, pasi është renditur në vendin e 53-të për vitin 2014, nga vendi i 71-te që ishte në vitin 2013, për mundësitë e tërheqjes së investimeve të huaja.

Raporti i Foreign Policy bazohet në tetë faktorë, për të parashikuar atë se çfarë investitorët e huaj presin në vendet ku duan të investojnë. Këto faktorë janë rritja ekonomike, stabiliteti financiar, siguria fizike, korrupsioni, varësia nga qeveria, bashkëpunimi mes partnerëve lokalë, kontrolli mbi kapitalin dhe kursi i këmbimit.
Sipas rankimit të Foreign Policy, Shqipëria zë vendin e 53-të në botë, nga 112 vende në total. Në këtë renditje vihet re se Shqipëria qëndron përpara Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë.

Në raportin e vitit 2013 të Foreign Policy Shqipëria renditej në vendin e 71, duke u rritur kështu me 18 vende për vitin 2014. Publikimi i Foreign Policy mbështet në Indeksin e Rentabilitetit (Baseline Profitability Index).

Në raport theksohet se, “edhe njëherë Indeksi Bazë i Rentabilitetit sugjeron se jo çdo vend me rritje të shpejtë ekonomike është një vend i synuar për investimet e huaja, pasi shumë faktorë të tjerë përcaktojnë se sa shumë kjo rritje do të transformohet në kthimin e parave mbrapsht në vend, faktorë që nuk janë përfshirë të gjithë në Indeks. “Por ai ende përmban shumë më tepër informacion se një parashikim i thjeshtë i rritjes Ekonomike”, thuhet në raportin e Foreign Policy.

Lazarat, deri tani janë sekuestruar mbi 46 ton kanabis sativa

kanabis2Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të operacionit në Lazarat kanë mundësuar asgjesimin e rreth 133.419 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 46 ton e 150.565 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzamimin.

Burime nga Policia e Shtetit theksojnë se janë gjetur 8 pako e dyshuar heroinë në një ambient në afërsi të qendrës Lazarat, janë sekuestruar dhe 1.3 kg lëndë narkotike çokollatë, si dhe 3 kg farë kanabis sativa.

Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 5 laboratorë nga të cilët 2 përpunimi të bimëve narkotike dhe 3 për përpunimin e vajit të hashashit, si dhe 2 inkubatorë ku u sekuestruan 27 llampa për ngrohje.

Gjithashtu janë sekuestruar sasi të konsiderueshme municioni dhe armë. 236 armë zjarri automatikë e pushkë, 8 pistoleta, 2 snajper, 1 mitroloz kundërajror me gjithë shtrat, 15 mitrolozë, 3 antitank, 1 murtajë dhe 4 granatëhedhës, 2 armë të vjetra, si dhe 12 armë gjahu. Janë gjetur e sekuestruar 32 armë të djegura, si: 1 snajper, 6 mitrolozë, 1 granatëhedhës, 22 automatikë dhe 2 pushkë. Janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme municioni si: 100.993 fishekë të llojeve të ndryshme, 237 kallëpë tritol, 147 granata dhe një arkë me granata, 44 predha granatëhedhësi, 8 krëhra fishekësh, 250 ndezësa elektrik dhe një sasi tjetër e konsiderueshme, 106.3 m fitil zjarrpërcjellës dhe një sasi tjetër fitil zjarrpërcjellës, 153 krëhra fishekësh,

Janë bllokuar për kqyrje të mëtejshme 11 mjete me armë e kanabis brenda tyre, si dhe 23 automjete të tjera. Janë bllokuar dhe 3 mjete të djegur (2 furgonë dhe 1 veturë) me kanabis. Janë sekuestruar 30 targa automjetesh. Janë sekuestruar 8 pajisje presuese droge, 9 kallëp presash, 18 gërshërë për krasitje kanabisi, 2 pajisje për vakum ajri.

Është sekuestruar 1 aparat kërkues floriri dhe 1 kasafortë. Janë sekuestruar dokumenta identitetesh të ndryshme, uniforma policie. 1 maskë, 1 jelek multifunksional policie, 1 dylbi termike, si dhe një sasi e madhe gëzhojash.

Krahas sa më sipër në një kazino në qendër Lazarat janë gjetur e sekuestruar dhe, 19 makineta lojra fati, 1 rulet lojëra fati, 2 tavolina-fusha lojra fati, 2 kasaforta, 9 bateri për makinetat e lojrave të fatit. Gjithashtu është ushtruar kontroll në territoret e mbi 581 banesave dhe ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e Komunës.

Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar 22 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për prodhim e shitje të narkotikëve, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone.

Ministri Panariti në Kashar: Mbështetje financiare për fermerët

Edmond_PanaritiMinistri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, ka vizituar dje fermerë të serave diellore në zonën e Kasharit në Tiranë.

I shoqëruar nga drejtues të Drejtorisë Bujqësore të Tiranës, Ministri Panariti u njoh me nevojat e fermerëve dhe shprehu mbështetjen e tij të plotë për të financuar ata në nivelin 60-70% të kostos së ndërtimit si dhe financim të mbulimit të kostos së plastamasit për serat diellore.

Ministri Panariti theksoi gjithashtu rëndësinë e prodhimit të Bio, duke inkurajuar fermerët të fokusohen te ky lloj prodhimi.

“Ajo që do të insistoja shumë, dhe do të kërkoja që fermerët ta ruajnë me xhelozi, është prodhimi BIO. Të mos përdorin, siç nuk përdorin stimulant hormonal, bëjnë 100% plehërim organik, gjë që bën që cilësia e domates të jetë e pakrahueshme, me domatet që rritet me plehëra kimike dhe insekticide. Prandaj kjo është një vlerë e shtuar dhe e bën këtë domate konkurruese dhe të pëlqyeshme nga konsumatori I Tiranës”, theksoi Ministri Panariti, i cili përmendi gjithashtu edhe rëndësinë e ndërtimit të një pike grumbullimi për serat diellore në afërsi të kryeqytetit.

“Fermerët këtu kanë interes që ta zgjerojnë prodhimin prandaj biseduam me ta, për mënyrën se si ti ndihmojmë. Unë u njoha me nevojat e tyre dhe ne angazhohemi që ti ndihmojmë në rradhë të parë për të zgjeruar sipërfaqen e kultivuar me domate në sera diellore. Kemi një përllogaritje të përafërt të kostos së ndërtimit të një sere dhe ne natyrisht do të financojmë rreth 60-70% të kostos së ndërtimit”, tha Panariti.
Nga ana tjetër, vijoi ministri i Bujqëssë, “do të financojmë për plastamasin, icili është elementi kryesor i kostos në serat me ngrohje. Këtu prodhohet domate me një farë të përzgjedhur, varieteti Izmir, i cili është adoptuar edhe ndaj kushteve mikroklimatike të zones”.

Por, shtoi Panariti, “çështja e farës është një çështje shumë e rëndësishme, pasi ka qëlluar që ndoshta një orientim I gabuar që është përkundrejt farës ka bëë që prodhimi të jetë me rendiment të ulët, të dëmtohet, prandaj fara ka shumë rëndësi. Unë vura re që në fermat këtu afër kultivohen varietete tradicionale që pëlqehen, siç është domatja tipike Zemerkau, por edhe varieteteti Beladona. Ferma ka gjetur këtu varietetin Izmir, i cili kërkohet shumë nga tregu, dhe arkat e para me prodhim tashmë janë gati”.

-Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti ka vizituar dje fermerë të serave diellore në zonën e Kasharit në Tiranë
-Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti ka vizituar dje fermerë të serave diellore në zonën e Kasharit në Tiranë

“Ajo që do të insistoja shumë, dhe do të kërkoja që fermerët ta ruajnë me xhelozi, është prodhimi BIO. Të mos përdorin, siç nuk përdorin stimulant hormonal, bëjnë 100% plehërim organik, gjë që bën që cilësia e domates të jetë e pakrahueshme, me domatet që rritet me plehëra kimike dhe insecticide”, tha ministri Panariti.

Prandaj theksoi ai, “kjo është një vlerë e shtuar dhe e bën këtë domate konkurruese dhe të pëlqyeshme nga konsumatori i Tiranës. Fati i tyre është që ndodhen afër tregut më të madh të vendit, siç është tregu i Tiranës”.

Por, u shpreh ministri Panariti, “ajo që kërkohet është investimi në një pikë grumbullimi, që ne diskutuam që mund të jetë diku këtu afër dhe grumbullon gjithë prodhimin e zonës, sepse për dy tre javë, prodhimi arrin në pikën maksimale dhe kuptohet që tregu nuk ka aftësi thithëse të të gjithë këtij prodhimi, prandaj duhet kaluar në këtë pikë grumbullimi, ku janë edhe magazinat frigoriferike, në mënyrë që domatja të ruhet për një kohë të gjatë dhe pastaj gradualisht të kalojë në treg sipas kërkesave”.