Shqipëria përmirësohet me 18 vende në Indeksin e Foreign Policy për vitin 2014

61

Tirana_20070713_img_1220Revista e njohur amerikane Foreign Policy ka publikuar për të dytin vit radhazi Indeksin Bazë të Rentabilitetit, “Ku të investosh në botë”, Edicioni 2014.

Në këtë publikim, Foreign Policy vlerëson se Shqipëria është përmirësuar me 18 vende, pasi është renditur në vendin e 53-të për vitin 2014, nga vendi i 71-te që ishte në vitin 2013, për mundësitë e tërheqjes së investimeve të huaja.

Raporti i Foreign Policy bazohet në tetë faktorë, për të parashikuar atë se çfarë investitorët e huaj presin në vendet ku duan të investojnë. Këto faktorë janë rritja ekonomike, stabiliteti financiar, siguria fizike, korrupsioni, varësia nga qeveria, bashkëpunimi mes partnerëve lokalë, kontrolli mbi kapitalin dhe kursi i këmbimit.
Sipas rankimit të Foreign Policy, Shqipëria zë vendin e 53-të në botë, nga 112 vende në total. Në këtë renditje vihet re se Shqipëria qëndron përpara Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë.

Në raportin e vitit 2013 të Foreign Policy Shqipëria renditej në vendin e 71, duke u rritur kështu me 18 vende për vitin 2014. Publikimi i Foreign Policy mbështet në Indeksin e Rentabilitetit (Baseline Profitability Index).

Në raport theksohet se, “edhe njëherë Indeksi Bazë i Rentabilitetit sugjeron se jo çdo vend me rritje të shpejtë ekonomike është një vend i synuar për investimet e huaja, pasi shumë faktorë të tjerë përcaktojnë se sa shumë kjo rritje do të transformohet në kthimin e parave mbrapsht në vend, faktorë që nuk janë përfshirë të gjithë në Indeks. “Por ai ende përmban shumë më tepër informacion se një parashikim i thjeshtë i rritjes Ekonomike”, thuhet në raportin e Foreign Policy.