Basha në Shkodër: Të mbrojmë demokracinë nga oligarkia

Lulzim-Basha-PD-deklaron1-565x413Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë të shtunën në Kuvendin Zgjedhor të demokratëve në Shkodër. Para demokratëve të Shkodrës, Basha theksoi kërcënimin që po i bëhet sot vlerave të demokracisë. Ky alarm nuk përcillet vetëm nga PD, tha Basha, por edhe nga aleatët e Shqipërisë mes të cilëve dhe SHBA.

Lideri i demokratëve solli në vëmendje qëndrimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry në letrën drejtuar senatit ku shprehte shqetësimin për vonesat në emërimin e ambasadorëve në disa vende strategjike mes të cilave dhe në Shqipëri .

Kryetari i PD-së ka shprehur vendosmërin e çdo demokrati dhe të çdo shqiptari për të mbrojtur vlerat e demokracisë të cilat u fituan me sakrifica të mëdha nga shkodranët dhe gjithë shqiptarët.

“Duhet të ngrihemi, duhet të bashkohemi me njëri tjetrin dhe me gjithë shqiptarët që kanë në zemër ëndrrën e demokracisë dhe idealin e lirisë. Nuk duhet ta falim për asnjë çast ëndrrën e madhe të demokracisë,  sakrificat dhe gjakun e heronjvë të 14 Janarit dhe 2 Prillit të Shkodrës, sakrificat dhe përpjekjet e këtyre 23 vjetëve. Në këtë betejë, në këtë mision, në ketë udhëtim kemi përkrah fuqinë më të madhe të botës, SHBA, kemi përkrah Bashkimin Europian. Ju demokratët shkodranë dhe demokratët në mbarë vendin po e përmbushni këtë mision sot duke zhvilluar demokracinë dhe zgjedhjet e lira brenda partisë”, tha Basha.

Vetëshembja e Maqedonisë është afër

Kreu i Unionit të Gazetarëve Aleksanër Çipa

ALEKSANDËR ÇIPA

Kreu i Unionit të Gazetarëve Aleksanër Çipa
Kreu i Unionit të Gazetarëve Aleksanër Çipa

Mediat shqiptare, së pari në Maqedoni dhe njëherësh edhe në Shqipëri e Kosovë, së fundi, për shkak të protestave të ndezura pas dënimit të gjashtë shqiptarëve me burg të përjetshëm për të ashtuquajturin proces “Monstra”, i janë rikthyer tekstit të Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001. Kanë kaluar 13 vjet nga nënshkrimi i asaj marrëveshjeje dhe faktori politik dhe sidomos politika institucionale në këtë shtet tekanjoz dhe provincial në mendësi, qëllimisht e kanë vonuar e harruar përmbajtjen dhe implementimin e saj.

Ripërmendja prej Kryeministrit Edi Rama e kësaj marrëveshjeje dy ditë më parë, shkaktoi jo vetëm reagim nervoz e agresiv, të partisë së Kryeministrit Gruevski, por shtoi diçka e cila e pozicionon këtë politikan grindavec, sikur të jetë opozitar i Kryeministrit të Shqipërisë. Në deklaratën e partisë së tij citohet: “Nuk do jesh gjatë Kryeministër i Shqipërisë…”. Kjo deklaratë dhe sidomos reagimet e protestuesve shqiptarë në Maqedoni, e përjashtojnë kuptimin nacionalist të reagimit të shtetasve shqiptarë. Madje vetë këta qytetarë po ia dalin të sqarojnë dhe vërtetojnë se në protestat e tyre nuk është motivi fetar dhe ndonjë shtysë tjetër radikale fetare që po e shpërthen situatën. Prova reale dhe plotësisht e besueshme mbetet ndjeshmëria e lartë e shtrirë në të gjitha qytetet ku jetojnë shqiptarët dhe prijësia e këtyre protestave prej të rinjve dhe përfaqësuesve që kërkojnë dhe dëshirojnë një përfaqësim më dinjitoz e me të drejta të plota barazie si shtetas.

Shpalosja dhe shtimi i flamujve kombëtarë në këto protesta nuk e shton simbolikën apo peshën frymëzuese të kombëtarizmit, por thjesht, merr semantikën e plotë të dëshmisë për të drejta të paplotësuara të njësisë tjetër etnike bazë të këtij shteti. Te kjo dëshmi, mediat shqiptare, por sidomos ato ndërkombëtare dhe rajonale, në ditët e ardhme, do të jenë më të fokusuara.

Në dy ditët e para, shumë prej mediave dhe opinioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, reaguan me skepticizëm ndaj shfaqjes së disa flamujve arabë dhe simboleve të veçanta fetare. Dhe me të drejtë, diçka e tillë jo vetëm do të komprometonte qëllimin e kërkesave për drejtësi pa selektivitet dhe barazi shtetasish të etnive të ndryshme në këtë vend, por do të krijonte argument dhe arsye për një goditje imazhi ndaj shqiptarëve myslimanë. Në këtë skepticizëm u përfshimë edhe ne gazetarët dhe opinionistët e Tiranës. Mirëpo publicistë dhe mendimtarë prezentë në jetën publike dhe atë mediale të shqiptarëve në Maqedoni, reaguan të parët ndaj këtij dizinformimi dhe simbolikave komprometuese, të cilat u zhdukën në ditët pasuese të protestave në Shkup apo Tetovë. Fjalimi i shkrimtarit dhe publicistit Kim Mehmeti para protestuesve të mbështjellë me flamujt kombëtarë dhe sidomos pohimi i tij se çdo simbolikë tjetër e huaj në këto protesta është antishqiptare dhe kundër qëllimit për drejtësi e të drejta të barabarta, është kundër shqiptarësisë, merr vlerën e një sqarimi të plotë dhe pa ekuivokë.

Por matanë ilaritetit të parë të simbolikës së futur në mënyrë të dyshimtë dhe qëllimit real prej të cilit shpërtheu protesta e shqiptarëve, ka diçka shumë më përmbajtësore. Kjo përmbajtje dhe substanca reale e saj, klasën politike bietnike në Maqedoni dhe krejt shoqërinë, duhet t’i bindë shpejt dhe pa dyshim se fjala është për diçka më komplekse dhe që pashmangshmërisht kërkon një proces të ri reagimi dhe ndryshimi. Kjo është një herë pa të dytë! Shqiptarët po e nisin me qytetari dhe europianizëm procesin për një realitet që është i dënuar të mos zvarritet apo injorohet më. Madje duhet thënë se edhe pse klasa politike shqiptare është e pakonsultuar mes vedi në tërësinë e selive të saj partiake apo institucionale, si në Shkup ashtu edhe në Prishtinë, e sidomos në Tiranë, procesi që është shfaqur jo vetëm e problematizon qëndrimin e derisotëm të udhëheqësve, por e bën atë edhe më të sfiduar. Kur themi e bën më të sfiduar, kemi parasysh faktin që protestuesit në Shkup mësynë me gurë dhe akuza selinë e BDI-së, sikundër përqeshën edhe deklaratën e Menduh Thaçit, kryetarit të PDSH-së, se ata janë elita dhe “paria” e shqiptarëve.

Gjithë faktorët politikë dhe ata ekstrapolitikë në hapësirën shqiptare duhet të marrin në konsideratë se protestat e shqiptarëve në Shkup janë pjesë e protagonizmit të rinisë shqiptare. Një protagonizëm, i cili në historinë e konfliktit të vitit 2001, kur nisi lufta që u mbyll me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, kishte brendinë dhe mbështetjen e faktorit politik dhe ushtarak gjithëshqiptar, të lidhur me një situatë dhe kontekste gjeopolitike rajonale dhe ndëretnike. Sot protagonizmi i rinisë shqiptare në Maqedoni e ka të përjashtuar gjer në këto çaste faktorin politik institucional dhe sidomos rishfaqjen e faktorit ilegal, atë ushtarak. Është kjo arsyeja që një pjesë e këtij faktori vonoi të prononcohej, ndërsa një pjesë tjetër u gjend plotësisht e papërgatitur, madje në zymtësinë e tejkalimit. Iluzioni i Shkupit për të vonuar reflektimin institucional, apo qasja e provokuar prej Kryeministrit Gruevski për një kundërpërgjigje të nacionalistëve maqedonas me deklarata dhe protesta qesharake qytetarësh, është një akt vetëndëshkimi jo vetëm politik, por edhe në raport me institucionalizmin ndërkombëtar dhe garantët eurorajonalë.

Por pavarësisht këtij faktori kaq kompleks e me kaq komplekse, protesta e shqiptarëve në Maqedoni është jo një pretekst për acarime etnike, por një refuzim qytetarësh ndaj një realiteti me diskriminim dhe pabarazi shtetasish të së njëjtës republikë. Ajo republikë është e pandreqshme në asimetrinë dhe pabarazinë e vet. Një kryeministër grindavec dhe megaloman si Gruevski nuk mund ta kuptojë e aq më tepër ta pranojë këtë gjë. Për këtë arsye kaq themelore, bashkëjetesa politike në të njëjtën qeverisje e BDI-së së Ali Ahmetit në mos ka përfunduar, nuk mund të vijojë sikundër deri tani. Kësaj bashkëjetese i është vënë në dispozicion një platformë e re e dalë dhe që do të formulohet prej vullnetit të qytetarëve që nuk e njohin më drojën. Platforma – monstër e kësi bashkëqeverisjeje e ka mbyllur kohën dhe jetën në Maqedoninë fqinje. Këtë po e konfirmojnë shqiptarët e dalë në sheshe dhe në rrugë si qytetarë të dinjitetshëm dhe pa braktisur konstruktivizmin e shtetasve që kërkojnë barazi e njëjtësi sjelljeje e shërbimi prej shtetit. Ata duan që ai shtet të pushojë së qeni me dy standarde, në të kundërt Maqedonia, nëse mbetet në padëgjueshmërinë dhe kryeneçësinë tipike të klikës politike të maqedonasve të deritanishëm, ka për të jetuar dhe vuajtur finalen e inekzistencës së vet.

*Gazeta “Shqip”

Nuland viziton nesër Tiranën

victoria-nulandNdihmës sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe EuroAzizë, Viktoria Nuland, pritet të vizitojë nesër Shqipërinë. Departamenti amerikan i Shtetit, konfirmoi vizitën e zyrtares së DASH në Tiranë.

Nuland do të takohet me përfaqësuesit më të lartë të qeverisë dhe liderëve politikë, për të diskutuar çështje të ndryshme dypalëshe dhe rajonale, duke përfshirë integrimin euro-atlantik të vendit tonë në Bashkimin Evropian.

Pas vizitës në Shqipëri, Nuland (më 13 Korrik) do të gjendet në Kosovë dhe Serbi për të diskutuar mbi dialogun mes dy vendeve dhe zbatimin e marrëveshjes të arritur në Bruksel.

Sot zyrtarja e DASH ndodhet në Kroaci për të marrë pjesë në Forumin e 9 të Kroacisë, ku do të mbajë dhe një fjalim mbi Ballkanin Perëndimor. Gjatë qëndrimit në Kroaci, Nuland do të takohet me zyrtarë të lartë të qeverisë së vendit si dhe me udhëheqësit e rajonit që do të jenë të pranishëm në konferencën për çështjet e sigurisë rajonale dhe të energjisë.

Viktoria Nuland gjatë këtij turi do të qëndrojë edhe në Podgoricë, Mal të Zi, Maqedoni, Belgjikë dhe Britani.

Më 14 korrik, Nuland do të udhëtojë drejt Shkupit, ku do të takohet me zyrtarë të lartë qeveritarë dhe krerët e partive me në fokus diskutimin për rrugën euro-atlantike të vendit dhe për çështje të tjera me interes të përbashkët.

Paralajmërohen protesta nga shqiptarët dhe maqedonasit

shqiperi maqedoniNë Shkup sot rreth orës 14:00 pritet të zhvillohen protesta të shqiptarëve dhe maqedonasve.
Shqiptarët do të protestojnë lidhur me vendimin me burg të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve për rastin e ashtuquajtur “Monstra”, ndërsa maqedonasit do të protestojnë me moton “Maqedonia e maqedonasve” dhe në mbrojtje të vendimeve institucionale.
Sipas agjencisë maqedonase INA, Ministria e Brendshme ka shtuar masat e sigurisë në kryeqytet, për të shmangur kontaktin e mundshëm të turmave protestuese, ndërsa forca të mëdha policore janë të pranishme në kryeqytet.
Protesta që pritet të jetë masive e shqiptarëve me moton Stop , diskriminimit dhe drejtësisë selektive’ do të nisë nga pjesa e komunës së Çairit. Protesta e shqiptarëve ka marrë mbështetjen e shumë organizatave shqiptare nga vendi, trevat e tjera dhe diaspora.
Ndërsa protesta e maqedonasve do të zhvillohet para qeverisë dhe nuk dihen organizatorët e saj.
Lidhur me këto protesta janë bërë apele nga partitë politike, shoqatat dhe bashkësia ndërkombëtare për protesta të qeta dhe për shmangie të dhunës.
Protesta e shqiptarëve pritet të mbahen edhe në qytete të tjera të vendit, pasi ka pasur disa thirrje përmes rrjeteve sociale.

Zbulohet pema më e vjetër në Angli

pemaKjo pemë që po shikoni në foto saktësisht është pema më e vjetër në Britaninë e Madhe.

Kjo pemë ndodhet në varrezat e Uellsit.

Sipas ekspertëve të cilët kanë bërë një sërë analizash në pemën që gjeni bashkëngjitur në fotografi, ajo është pema më e vjetër në botë.

Nga ana e tyre bëhet e ditur se pema ekziston prej më se 5000 vjetësh, ose thënë ndryshe rreth 3000 vjet para Krishtit.

Qeveria e Kosovës thirrje palëve në Maqedoni

kosova_flag_1Qeveria e Republikës së Kosovës deklaroi sot se është duke i ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në Maqedoni .Në një deklaratë për shtyp qeveria kosovare shpreh shqetësim për rritjen e klimës konfliktuale dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të veprojnë në mënyrë sa më të qetë dhe kujdesshme për të shmangur me çdo kusht një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga autoritetet në Maqedoni që të garantojnë zbatimin e të drejtave themelore të njeriut, konkretisht në këtë rast të mundësojë gëzimin e të drejtës së qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore.
Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon sigurimin e maksimumit të rigorozitetit dhe transparencës në proceset gjyqësore, në veçanti në rastin delikat që po trajtohet në Maqedoni , për të mos lënë kështu hapësirë që proceset gjyqësore të politizohen, apo të shërbejnë si bazë për kultivimin e urrejtjes ndëretnike.
Përveç kësaj, Qeveria e Kosovës i bën thirrje qytetarëve shqiptarë të Republikës së Maqedonisë që të veprojnë me maturi dhe vetëpërmbajtje, duke ndjekur rrugën e dialogut dhe institucioneve për zgjidhjen e problemeve. Po ashtu, i fton që të mos bien pre të provokimeve që vijnë prej segmenteve të caktuara, të cilët synojnë tensionimin e mëtejshëm të situatës dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e popullsisë shqiptare në Maqedoni. Qeveria e Kosovës thekson se, këto grupime ndjekin axhenda specifike që shkojnë ndesh me interesat kombëtare prandaj ftohen qytetarët që të mos bashkëpunojnë me to e të mos bien në ndikimin e tyre.
“Prandaj, të gjithë aktorët dhe faktorët e jetës publike në Maqedoni duhet të vihen në veprim për të shtensionuar situatën dhe parandaluar degradimin në dhunë të protestave, që planifikohen të organizohen ditën e premte. Të gjithë duhet që bashkërisht të punojmë që të ndërtojmë një frymë të paqes e bashkëpunimit në Ballkan sepse rruga institucionale e dialogut dhe mirëkuptimit janë forma më e mirë e zgjidhjes së problemeve në shoqëri”, deklaron Qeveria e Kosovës.

Rritje të tarifave në nivelin bachelor të Universiteteve Publike

fakulteti-filologjik-universiteti-i-TiranesRaporti përfundimtar për reformën në Arsimin e lartë, prezantuar një ditë më parë nga Ministria e Arsimit dhe Sportin, parashikon rritje të tarifave të studimit në Universitete.

Gjithçka përcaktohet te sugjerimet për burimet e financimit, ku institucionet e arsimit të lartë duhet të krijojnë të ardhura, krahas financimit nga buxheti i shtetit. “Deri tani këto tarifa kanë qenë minimale dhe si të tilla, nuk përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të të ardhurave të Universiteteve Publike.
Në të ardhmen, komisioni vlerëson si të pashmangshme rritjen e kontributit të tarifave të nivelit Bachelor në buxhetin e universiteteve. Shteti për këtë nivel studimi është i detyruar të vendosë një tarifë tavan, bazuar në studimet e detajuara të tregut, mbi bazën e mundësisë së çdo familjeje për të përballuar të ardhurat e arsimimit të lartë. Tarifat e studimeve në universitete publike përcaktohen prej tyre”, thuhet në raportin përfundimtar për reformimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Ndërkohë që, parashikohet të vendoset edhe një nivel maksimal i tarifave të studimeve për programet e ciklit të parë, i cili do të caktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave. Po ashtu, reforma propozon financim nga shteti edhe për universitete private. Ndërkohë që edhe sistemi part-time do të orientohet drejt formimit profesional të nivelit diplome profesionale 1-2 vjeçare, master profesional dhe ekzekutiv. Ndërsa gjuha e huaj do të çertifikohet nga ente kombetarë apo ndërkombëtarë, duke mos u mbrojtur më në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.

Aplikacioni “20 ditë me një të huaj”

aplikacioniImagjinoni të ndiqni hap pas hapi një të huaj për 20 ditë rrallazi dhe të dini çdo detaj, çdo levizje, çdo gjë që ha apo që pi madje dhe kur fle.

Nëse jeni në gjëndje ta bëni atëherë jeni gati që të merrni pjesë në një eksperiment ( akoma ne fazën beta ) “20 day stanger“  organizuar nga  “Media Lab e MIT në Boston”

Për të marre pjesë në këtë eksperiment ju duhet të plotësoni 2 kushte : që të keni një Iphone dhe të jeni i disponueshëm dhe ju që të vëzhgoheni.

Funksionon kështu : në momentin që ju jeni pjesë e ketij eksperimenti partneri juaj virtual  nëpërmjet nje aplikacioni i cili instalohet ne Iphone, merr çdo informacion për lëvizjet tuaja.

Në këtë kohë ju nuk do të keni mundësi të komunikoni me ndjekësin tuaj sepse nuk do të keni asnje të dhënë për të.

Qëllimi i këtij ekseprimenti është të dallojmë sjelljet e secilit prej nesh në ambjete të ndryshme, me njerëz të ndryshëm në kohë të ndryshme.

Të humburit…

reldar-dedaj-620x330Nga Reldar DEDAJ

U kthyem përsëri tek humbja. Dhe kjo është e kuptueshme, për humbjen ke përherë dëshirë të flasësh. Si është e mundur? Jo, s’është e mundur… Janë piskamat e para, kundërshtimi i parë që shoqëron çdo humbje, të çdo natyre qoftë. E kush e mendoi se bash në kohën e suksesit të madh, të kulmit të ekstazës, në pikun e shpërndarjes së medaljeve, ndodhi ajo, e mosqofta, gjëma. Askush nuk do ta mendonte se pikërisht në kohën kur njeriu u bë i ndërgjegjshëm se s’kishte të bënte me trille të paqena mediatike, nga ato që ishin shkruajtur e luajtur me qindra herë në të gjitha ekranet e televizioneve, pra, kur të gjithë qenë të sigurtë se kishin të bënin me një aksion policor prej vërteti, çuditërisht, nisi dhe humbja e tyre.

Tashmë, nuk ka se si të ndodhë ndryshe, çështja po vazhdon e të bëhet edhe më e ndërlikuar kur censurës zyrtare i shtohen edhe kërkesat e spektatorëve. Ne ishim aty, e pamë rrokullsijen spektakolare të policisë së shtetit, i pamë të gjitha aksionet e saj në Lazarat, nuk munguam të shohim edhe festimet, paradat, selfiet, policet seksi, pak a shumë u bëmë dëshmitarë të mësymjes dhe fitores së tyre, sigurisht, të përkohëshme. Po e nënvizojmë të tillë, me një fjalë, të përkohëshme, sepse mjaftoi vetëm një akt, brutal, i dhunshëm sa s’ka ku të vejë më tepër, dhe të shembë gjithçka që u ndërtua, a thua të ishte vallë, veçse një kala prej rëre. Asgjë më shumë se kaq. Asgjë!

Koha, natyrisht, e donte suksesin, përderisa e polli atë, por, ndërkaq, ajo kishte rezervat e saj, që i shfaqi në mënyrat më të ndryshme. Mendimi i parë për tragjedinë do të ishte pak a shumë i kësaj natyre: ndodhi ç’ndodhi vrasja u realizua brenda planetit tonë, Shqipëri. Ajo është tepër e vogël për këtë humbje. Sido që të ndodhë, do të qëmtohet çdo kënd i saj, do të përmbysen kompjutera, arkiva e dokumente. Në fund të fundit, jemi të bindur se vrasja u bë këtu, në Shqipëri, në kërthizë të saj, e ndoshta pikërisht nga kjo, nga fakti se humbja ndodhi mes nesh, fajtori nuk ka se ku të jetë ndryshe përveçse diku në ndonjë cep të saj.

E, megjithatë, shpresa ka mundësi të jetë e kotë. Nga su kërkuan fajtorët për gjatë gjithë natës, u thirren dhjetra të dyshuar, hulumtuan në miq e armiq të tij, e në fund asgjë, asgjë nuk e lidh vrasësin me policinë. Gjithçka humbi. Dështim? Mirëpo, kjo nuk është asgjë tjetër veçse një pjesë e historisë. Pjesa e munguar ajo që zor e ka të dalë në sipërfaqe, ka mundësi të jetë ajo, që rri strukur, në errësirë, një sistem paralel i shtetit, që kontrollohet nga fantazmat, nga ato të tilla që edhe fatkeqi Santo ndoshta prej kohësh i mbartte me vete.

Me siguri, Artan Santo nuk ishte nga ata biznesmenë që pasurinë e tij ta kishte ndërtuar mbi kurriz të trafiqeve, drogës apo lidhjeve të dyshimta më mafien, ndoshta, duhet të ketë qenë një individ i thjeshtë që asnjëherë nuk i ka pasur idhuj të fortët e Tiranës, edhe pse fati i kishte rënë të ishte një çun Tirone. Por që u tradhtua nga Tirana.

Në zemër të saj ai dha shpirt, pa miq, pa askënd, e ndoshta pikërisht atë ditë, kur dikush për të vetmen herë në jetë do t’i duhej, bash në atë çast, askush nuk ishte me të. Ata avulluan sikur kishin ardhur nga një planet tjetër, që nuk i njihnin ligjet dhe rregullat e këtij vendi, na dëshmuan përpara syve, se gjithçka është fallso, e pabesueshme dhe në këtë vend asgjë nuk është e nevojshme të merret seriozisht, qoftë ajo edhe vetë vdekja. Në fund të fundit, ka raste, që ajo të jetë më e drejta…

Presidentja shmang vendimin për zgjedhjet e jashtëzakonshme

jahjagaVendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procedurat që duhet të ndjekë presidentja e Kosovës për caktimin e mandatarit për krijimin e qeverisë në dy rastet kushtetuese, paraqet një mundësi të mirë për tejkalimin e krizës dhe evitimin e zgjedhjeve të reja të parakohshme, vlerësojnë analistët e çështjeve politike e juridike. Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se në rastin e parë, mandatari, sipas interpretimit të Kushtetueses do t’i takojë PDK-së, si partia shumicë e dalë nga rezultati i zgjedhjeve. “Në rastin e parë, presidentja e Republikës e ka një pozicion pasiv. Koalicioni më i madh parazgjedhor e që ka njëkohësisht numrin apo shumicën relative të deputetëve në Kuvend bën një propozim për emrin e mandatarit dhe presidentja këtë propozim e dekreton duke qëndruar në këndin e shikuesit dhe duke mos pasur rol në ndërtimin e ndonjë konsensusi jashtë apo përtej propozimit që vjen nga partia apo koalicioni më i madh parazgjedhor”, ka thënë Korenica. Në vendimin e Kushtetueses një interpretim më i gjerë i është bërë rastit të dytë të caktimit të mandatarit, nëse partia e parë, fituese e zgjedhjeve nuk arrin të sigurojë miratimin e Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë. Në rastin e dytë del në pah roli aktiv i presidentes, e cila do t’i konsultojë partitë politike, pa dallim, dhe më pas në bazë edhe të vlerësimit të saj, do të përcaktohet se kë do të mandatojë për krijimin e qeverisë, në bazë të perceptimit të saj. Në këtë rast, vijon Korenica, presidentja sigurohet se ka një marrëveshje dhe ka një shumicë, kështu që bëhet edhe garantuese se mandatari i dytë ka siguruar të paktën 61 vota të deputetëve për formimin e qeverisë.”Te rasti i dytë, Gjykata i jep presidentes diskrecion. Ky diskrecion nuk i jep të drejtën presidentes që ta caktojë se kush është mandatari, por nënkupton që presidentja del në terrenin politik dhe aktivisht e kërkon një grup të partive politike të cilat së bashku janë në gjendje t’i garantojnë asaj se kanë numrin e mjaftueshëm të votave dhe janë në gjendje të formojnë qeverinë pavarësisht se cilat janë ato parti, pa asnjë përjashtim”, ka vlerësuar Korenica. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte kërkuar nga presidentja Atifete Jahjaga, e cila kishte kërkuar sqarime në lidhje me nenet përkatëse që përcaktonin dhënien e mandatit partive për krijimin e qeverisë. Sidomos, e diskutueshme ishte fakti nëse qeverinë mund ta formojnë edhe partitë jo fituese të zgjedhjeve, siç është rasti i koalicionit me LDK, AAK dhe Nisma të mbështetura edhe nga Lëvizja Vetëvendosje që po synojnë të krijojnë qeverinë e ardhshme pa PDK-së si fituese të zgjedhjeve.

Presidentja nuk mund ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme  

Vendimi i shumëpritur i Gjykatës Kushtetuese për mandatarin e ardhshëm të qeverisë që u bë i ditur të martën, u interpretua në forma të ndryshme nga ekspertë të drejtësisë, analistë dhe subjekte politike. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte që së pari të provojë të formojë qeverinë partia që ka fituar përqindjen më të madhe në zgjedhje e nëse ajo dështon, atëherë vendimi i mbetet Presidentes Jahjaga, që të vendosë sipas fuqisë politike që ka partia apo koalicioni. Pra, çështja mbetet mbi Presidenten e vendit, Atifete Jahjaga. Nëse Presidentja do të ndjekë rrugën kushtetuese, asaj i takon të mandatojë PDK-në, si partia fituese në këto zgjedhje dhe nëse kjo parti dështon që brenda 15 ditësh të marrë votat e duhura në Parlament, mandaton partinë e dytë që ka fituar më së shumti në zgjedhje, përkatësisht koalicionin LDKAAK- Nisma për Kosovën.

Rinumërimi i kutive nuk ndryshon rezultati  

Rinumërimi i 51 kutive të votimit, pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërim, sipas Burim Ahmetaj, koordinator i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve nuk ka krijuar ndryshim të efektshëm në rezultatet në përgjithësi për votat e subjekteve politike dhe për kandidatët për deputetë. Rezultatet përfundimtare nga QNR-ja, u diskutuan në mbledhjen e djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por nuk u përmend certifikimi i rezultateve përfundimtare të shpallura javën që shkoi. Në rend dite ishte edhe shqyrtimi i raportit të Auditorit Gjeneral për auditimin e pasqyrave financiare të KQZ-së për vitin 2013, dhe Planin e Veprimit për Zbatim të Rekomandimeve që dalin nga ky raport u la të diskutohet në një tjetër mbledhje.

PDK kërkon të çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme  

Përgjigja e Gjykatës Kushtetuese  karshi pyetjeve të Presidentes  duket se vetëm e ka komplikuar  edhe më shumë interpretimin  e Kushtetutës së Kosovës në veçanti  nenet 84 dhe 95 të saj. Edhe pse  Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të ri, së pari i jep të drejtën  për të pasur mandatarin që të krijojë  qeverinë ia ka dhënë PDK-së,  ajo nuk i përjashton këtë parti edhe  nga marrja për herë të dytë e kësaj  të drejte.

Megjithatë për herën e dytë e ka  lënë të vendosë Presidenten e Kosovës.  Analisti politik në vend, Imer  Mushkolaj ka thënë se e gjithë  kjo situatë i shkon më së shumti  për shtat PDK-së, pasi kjo parti  do ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. “PDK do të provojë të krijojë qeverinë,  edhe pse nuk i ka numrat. Në  interesin e kësaj partie është që ta  çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme  dhe këtë do të provojë ta  bëjë”, tha Mushkolaj për “Zëri”.  Mushkolaj ka shtuar se nga zgjedhjet  e jashtëzakonshme fituesja  më e madhe do të dilte pikërisht  PDK-ja.  “Në atë rast, PDK-ja do të ishte fituesja  më e madhe, ndërkaq koalicioni  opozitar paszgjedhor do të ishte  humbës. Por, gjasat janë që problemet  të lindin që në tentimin e përzgjedhjes  së kryetarit dhe të kryesisë  së Kuvendit. Mbase koalicionit  opozitar i duhet të bëjë kompromis  në këtë fazë, nëse nuk dëshiron  zgjedhje të jashtëzakonshme”,  ka përfunduar ai.

Arsyet pse LDK nuk bëhet më me Thaçin  

Anëtari i kryesisë së LDK-së,  Arben Gashi, ka shpjeguar  se pse askush nuk dëshiron  marrëveshje me kryeministrin në largim, Hashim Thaçin. Nëpërmjet  një postimi në Facebook ka shkruar  për gënjeshtrat, siç thotë ai, që  kryetari i PDK-së u ka bërë: LDKsë,  AAK-së,VV-së si dhe NISMËS.  Ai në postimin e tij ngre shumë  pikëpyetje sepse askush nuk do marrëveshje me Thaçin. Ka gënjyer  LDK-në për çështjen e Presidentit dhe të zgjedhjeve, AAK-në  për çështjen e Kryeministrit, Nismën  për çështje Limaj, Lëvizjen Vetëvendosje  për çështjen e decentralizimit  dhe të negociatave etj. Dhe  me e keqja te të gjitha bisedat edhe  private me spektrin politik të Kosovës,  në momente debati politik i  ka keqpërdorur për interesa politike  personale dhe partiake, dhe për t’i  shkatërruar kundërshtarët politikë  me të cilët në një moment mund të  ketë pasur bashkëpunim.