“Iu uroj detyrën ministrave të rinj, personaliteteve në fusha të cila premtojnë në këtë qeveri. I uroj suksese poetit dhe shkrimitarit të shquar, Visar Zhytit, të riut që zgjodhi në mbrojtje të vlerave të lirisë kundështimin e një regjimi barbar. Visar Zhiti është një përfaqësues i elitës kulturore të vendit por edhe një përfaqësues i shpirtit të qëndresës së kombit shqiptar. Një përfaqësues i shtresës së të përndjekurve politik që kanë qënë dhe mbetet mbështetja kryesore, e pamposhtur e demokracisë, lirisë dhe vlerave të saj dhe i Partisë Demokratike në tërësi” tha Berisha.
Doktor Halim Kosovës, Berisha i ka uruar suksese dhe e ka cilësuar si humanist të madh. Ndërkohë që ministrin Florion Mima, e ka përgëzuar për kontributin e madh që ka dhënë për reformat.
“Doktor Halim Kosova është njeriu që i frymëzuar nga parimet më të larta njerëzore në shërbim ndaj njeriut, në njërën prej fushave më delikate e të rëndësishme ka shkrirë energjitë e tij me sukses të madh. Ai ka dëshmuar gjatë këtyre viteve aftësi të shkëlqyera menaxhuese, gjë që nuk është shumë e zakonshme në botën medikale. Shkëlqen me mungesën e tij ministri i ekonomisë, Florion Mima, që është në një detyrë. Ai ka kontribut shumë të rëndësishëm në të gjitha reformat e kryera gjatë këtyre viteve nga qeveria e PD dhe koalicionet e saj, me aftësi profesionale, dinjitet dhe përkushtim të madh. Do vazhdojmë vendosmërisht reformat” u shpreh Berisha.