Piktori Vangjel Nikolla: E ardhmja ende nuk ka mbërritur

91

INTERVISTA  Artisti Vangjel Nikolla, ju rrëfej rrugën time të artit

 Entela Trimmi

Gjate punes, VangjelNikolla
Gjate punes, VangjelNikolla

Nuk është e thjeshtë ti kuptosh artistët, ata shpesh herë hyjnë në botën e tyre dhe mbyllen brenda kangjallave të frymëzimit. Ne, me personazhin tonë, artistin Vangjel Nikolla, na ndodhi ndryshe. Ai na priti në botën e tij të artit dhe na tregoi me çdo lëvizje penareli tablotë e tij. Piktori dhe ikonografi shqiptar  Nikolla, në këtë intervistë për “Albaniapus”, hap sirtaret e tij të talentit, duke na servirur gjithçka ka brenda. Ndër të tjera ai tregon, se, “ëndrrat dhe e ardhmja kanë dicka të përbashkët; ato ende nuk kanë mbërritur. Ose e thënë me fjalë të tjera “e ardhmja është në një farë mënyre, ëndrra jonë e bërë realitet”. Shumë nga ëndrrat, që kam patur i kam realizuar, por ka ende të tjera, që jetojnë në imagjinatën time. Ajo, që dëshiroj ta realizoj së shpejti, është një ekspozitë pikture në Tiranë, por e veçanta e saj do të jetë edhe prezantimi i një vëllimi poetik, që besoj se do u japë një kënaqësi të madhe miqve të mi dhe dashamirësve të artit tim. Endrra më e madhe, është të le gjurmët e mia në jetë, jo vetëm si artist por edhe si njeri.

Si e fillon diten një piktor?

Mëngjesi, është pjesa e ditës, kur artisti ka në kokë shumë gjëra. Një ripërtëritje artistike ndodh çdo mëngjes, sepse gjatë ditës edhe artistët si çdo njeri, përballen me jetën reale, me probleme, me rutinën e zakonshme, ndërsa orët e para të mëngjësit, janë një oaz qetësie. Me kafenë e mëngjesit, meditoj dhe shpesh reflektoj edhe në vargje. Më pas fillon dita e punës, ku gjërat vendosen në rrugën e tyre ose “rrjedhin”, si uji i një lumi me rregullin e vet.

Sa ndikoheni nga aktualiteti në ato çfarë hidhni në tablo?

Aktualiteti ndikon,  së pari në gjendjen time shpirtërore, kjo e fundit në karakterin emocional të tablosë. Pra, cdo lloj gjendje shpirtërore, në të cilën jam, e mendoj të dobishme për ta kthyer e materializuar në art. Ndonjëherë, shohim rënien e ngadaltë të një gjethe peme, ndiejmë zhurmën e një qerpiku që pulitet, dëgjojmë melodinë e gurgullimës së ujit dhe në atë çast, gjithcka tjetër ndalon. Aty fillon skicimi i tablosë, në imagjinatën time. Pas kësaj, baza e pikturës është ngjyra. Përpiqem që nëpërmjet saj, të arrij në burimin e dritës, me dëshirën që piktura ime, të ndricojë ashtu si drita e diellit. Në këtë përpjekje, piktura më rrëmben dhe harroj se në ç’ gjendje isha, para se ta filloja. Ajo më bën të tejkaloj gjithmonë vetveten.

Cfare ngjyrash ka aktualiteti juaj?

Në fakt, aktualiteti ka më së shumti karakterin e tij të ashpër, që është edhe më i dukshëm dhe të imponohet më lehtë, sesa dicka e bukur të cilën duhet ta kërkosh. Por edhe tek aktualiteti i shëmtuar dhe i ashpër, jeton njerëzorja. Nëse gjen dhe pasqyron njerëzoren, arti është gjithmonë i bukur. E bukura, është te rrudhat e një lypsari, te sytë e bukur të një fëmije të braktisur, te lotët e një gruaje, te flokët e bardhë të një plaku të vetmuar, apo te agonia për të nesërmen e një njeriu të papunë…Të gjitha këto sigurisht që lenë gjurmë tek unë dhe arti im.

Që një artist të jetë i frymëzuar, pa dyshim duhet të jetë i qetë dhe i kënaqur shpirtërisht. Jeni kështu?

Mund ta them pa drojë, se, jam në periudhën më të bukur të jetës sime. Përvec faktit që mendoj, se, kam arritur pjekurinë artistike, prej disa kohësh, kam në krah një njeri, që më jep mbështetje të fortë dhe frymëzim. Megjithëse, profesioni i saj është gazetaria, bashkëshortja ime Anila, ka një këndvështrim të veçantë për artin, të cilin unë e vlerësoj. Ajo është edhe këshilltarja edhe kritikja ime, është shikuesi i parë i punëve të mia.vangjel nikolla

Cilët janë piktorët tuaj më të preferuar?

Preferencat per piktorët, varen edhe nga pjekuria artistike që arrin cdo piktor, por të mëdhenjtë ngelen të mëdhenj. Janë të shumtë piktorët, që i kam parë gjithmonë me adhurim. Të parët, janë piktorët e vendit tim si V. Mio, K. Idormeno, Z. Kolombi etj. Ata, që kanë ndikuar më shumë në pjekurinë time si piktor, janë piktorët e mëdhenj grekë, si M. Gyzis, N. Litras, G. Jakovidhis. Por, kam një prirje të vecantë drejt artit bizantin, që ka ndikuar jo vetëm në punën time të vazhdueshme si ikonograf, por edhe në punën time si piktor. Teknikat, që kam mësuar në shkollën e ikonografisë, i shfrytëzoj edhe në pikturë dhe ky stil është i preferuari im. Unë jam gjithmonë në kontakt me piktorë të rinj, dhe stile të reja, që hyjnë në pikturë, sepse arti është një proces i pandalshëm dhë është gjithmonë në ndryshim.

Ju ka ndodhur që atë që keni hedhur një ditë më parë në tablo, të nesërmen ta shprehni me vargje?

Shumë shpesh më ndodh që piktura më frymëzon për t’u shprehur edhe në vargje, pa kuptuar lë mënjanë penelin dhe hedh me shpejtësi vargje në letër.

Kur do kemi mundësinë të shohim ekspozitën tuaj të radhës?

Një plan ende i papërfunduar, është një ekspozitë në kuadër të veprimtarive për “Selanikun, kryeqyteti evropian i rinisë”, titull, që ky qytet e mori me iniciativë të Forumit Rinor Europian, në bashkëpunim me Komisionin Evropian. Ekspozita, do të jetë një veprimtari që do të zhvillohet nën kujdesin e konsullatës shqiptare në Selanik, në bashkëpunim me bashkinë e këtij qyteti. Eshtë momenti të shpreh falenderimin, për konsullin shqiptar në Selanik, i cili ka sjellë një frymë të re bashkëpunimi dhe është shumë pranë shqiptarëve, që jetojnë dhe punojnë në Selanik, duke i mbështetur ata.

Sa të veshtirë e ka një artist që të integrohet në jetën artistike të një vendi tjetër?

Mendoj, se, për një artist integrimi në vend të huaj, ka dy plane; integrimin si njeri, si qytetar, dhe integrimin si artist dhe ky i dyti ndihmon të parin. Nëse punon dhe ke talent, pavarësisht vështirësive dhe konkurrencës do ecësh përpara, sepse fatmirësisht në Perëndim, këto janë kriterët bazë të vlerësimit.  Në qytetin ku jetoj prej 20 vjetësh, ndihem mjaft mirë. Jo më kot, zgjodha Selanikun për të jetuar, sepse është një qytet i bukur dhe shumë pranë Shqipërisë. Sa herë që ndiej mall, marr rrugën drejt Shqipërisë për të takuar të afërmit dhe miqtë e për t’u cmallur me vendin tim, sepse aty kam rrënjët, nga ku marr forcën për të ecur përpara.

Ka patur momente te vështira në jetën tuaj artistike? Nëse po, cilat kanë qenë?

Moment i keq për një artist, sipas meje, është kur ai nuk prodhon asgjë, dhe kjo varet nga gjendja shpirtërore. Ka ditë, kur ndihesh bosh dhe nuk ke çfarë të shprehësh për të tjerët. Natyrisht edhe mua më ka ndodhur kjo, por bukuria është se artisti rilind. Dhe kur “rilind” shprehet me shumë forcë, me ngjyra, me dashuri për jetën.

Cili ka qenë momenti që keni ndier, se, keni arritur kulmin në karrierën tuaj?

Kulmi, është objektivi i çdo njeriu dhe asnjëherë njeriu nuk duhet të mendojë, se, e ka arritur, sepse ndryshe nuk ecën përpara. Por mund të përmend momente, kur jam ndjerë shumë bukur, si rastet e ekspozitave që kam çelur apo kur shoh besimtarët t’iu përulen dhe t’iu falen ikonave të mia në Kisha… Kënaqësi të madhe provoj, kur njerëzit emocionohen para portreteve të të dashurve të tyre.

Çfare ëndrrash keni, si e shikoni të ardhmen?

Endrrat dhe e ardhmja kanë dicka të përbashkët, ato ende nuk kanë mbërritur. Ose e thënë me fjalë të tjera, “e ardhmja është në një farë mënyre, ëndrra jonë e bërë realitet”. Shumë nga ëndrrat që kam patur i kam realizuar, por ka ende të tjera, që jetojnë në imagjinatën time. Ajo, që dëshiroj ta realizoj së shpejti, është një ekspozitë pikture në Tiranë, por e veçanta e saj do të jetë edhe prezantimi i një vëllimi poetik, që besoj se do u japë një kënaqësi të madhe miqve të mi dhe dashamirësve të artit tim. Endrra më e madhe, është të le gjurmët e mia në jetë, jo vetëm si artist, por edhe si njeri. 

Jeta e një artisti

Ka lindur në vitin 1969 në Shqipëri, në qytetin e Korcës.  Lapsin dhe penelin i ka përdorur që në moshë të vogël dhe kur ishte vetëm 10 vjeç, nxori nga duart pikturën e parë në tempera. Kreu shkollën e mesme artistike në Korcë dhe më pas ish shkollën e Ministrisë në Tiranë. Gjatë kohës së studimeve, ai nuk iu nda pikturës dhe çeli ekspozitën e tij të parë të pikturave dhe vizatimeve. Pas mbarimit të shkollës së lartë, vendosi të jetojë në Greqi, vend ku do të gjente mundësi për të shprehur talentin dhe pasionin e tij, ndërkohë që Shqipëria sapo filloi të përjetonte periudhën e tranzicionit, pas rrëzimit të komunizmit. Në Greqi, kreu edhe një shkollë për ikonografi, nën drejtimin e ikonografit më të njohur grek Joanis Vranos. Mësimet që mori në këtë shkollë dhe kontakti me artin bizantin i dhanë personalitetit të tij artistik, veçori të re dhe ndikuan në krijimin e një stili të veçantë ku ndërthurret arti klasik me atë biznantin. Shumë prej ikonave të tij, ndodhen në manastiret e famshme në Malin e Shenjtë në Greqi dhe kishat në disa qytete, janë zbukuruar nga ikonat e tij. Në këtë shkollë, ai mori njohuri mbi restaurimin e ikonave dhe pikturave të vjetra. Nikolla, është gjithashtu edhe restaurues i kishave të vjetra, pikturave të vjetra, që ndodhen në muze apo në koleksionet e koleksionistëve grekë. Në pikturë, janë me qindra punimet e tij, të të gjitha gjinive që ka realizuar gjatë viteve të jetës në Greqi. Vangjel Nikolla, është anëtar i Shoqatës së Piktorëve të Greqisë. Ai është bërë i njohur në rrethet artistike greke, për shkak të disa ekspozitave të çelura në Athinë (2003) e Selanik (2002, 2005, 2009), ku ka prezantuar punime në vaj e akrilik, peisazhe, natyra të qeta, portrete dhe piktura me temën e detit e dashurisë, që nga klasikja, modernia, e deri tek ato ku ndërthurret bukur arti klasik me atë bizantin. Në përgjithësi, në qendër të pikturave të tij është njeriu dhe jeta.   Nikolla, ka fituar cmimin e parë në konkursin e shoqatës së piktorëve të Greqisë së Veriut, ku riprodhoi mrekullisht një pikturë të Rembrandit. Një muze privat në Athinë, kërkoi që piktori shqiptar të pikturonte me penelin e tij, portretin e Ali Pashë Tepelenës, një figurë tepër komplekse e historisë shqiptare dhe asaj greke. Nikolla e riprodhoi atë nga origjinali i artistit grek Spiridhon Venturas (1761- 1835), vepër e cila gjendet në galerinë shtetërore të arteve në Greqi, nën një kujdes të rreptë. Katër punime të tjera “nudo” të piktorit Nikolla, ndodhen në Muzeun Ballkanik Bashkëkohor në ishullin grek të Lymnos, ku janë ekspozuar përkrah punimeve të piktorëve më të njohur grekë. Për punën e tij kanë shkruar vazhdimisht revista të njohura në Greqi, por edhe Shqipëri, ku kritika ka vlerësuar artin e tij plot jetë, të ndjeshëm, plot ngjyra dhe shumëllojshmëri tematike.

Vangjel Nikolla luan shumë bukur në kitarë, instrument ku gjithmonë gjen frymëzim dhe ku gjithashtu derdh bukur botën e tij shpirtërore. Shpirtin artistik ai e shpreh shpesh edhe në vargje, madje ka marrë cmimin e dytë në një konkurs kombëtar në Shqipëri, organizuar nga revista “Psikostil”.