SHBA: Kongresi diskuton për Kosovë-Serbi

Komisioni për Punë te Jashtme në Kongresin Amerikan, do të diskutojë në mbledhjen e së mërkurës edhe për marrëdhëniet mes Kosovës edhe Serbisë.

‘Bota sot’ raporton se, Kryesuesi i nënkomitetit për Europën dhe Euroazinë, kongresmeni Dejn Rorabaker, ka thënë se, të drejtat e pakicave, duhet të respektohen edhe në Serbi edhe në Kosovë. Raportet në mes Serbisë dhe Kosovës, do të jenë temë debati e Komisionit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan. “Në interes të dy vendeve” është të gjejnë zgjidhje për problemet e deritanishme’-, ka thënë kryesuesi i nënkomitetit për Europën dhe Euroazinë, kongresmeni, Dejn Rorabaker. Ai tha se të drejtat e pakicave duhet të respektohen edhe në Serbi edhe në Kosovë. Kongresmeni Rorabaker, ka qenë një nga mbështetësit e parë të pavarësisë së Kosovës, duke e arsyetuar këtë me të drejtën e vetpërcaktimit të popullit. Në mbledhjen e Komisionit të Kongresit janë ftuar Xhonatan Mur, para DASH, Shirli Diogardi nga liga shqiptaro-amerikane, Daniel Server, profesori Xhon Hopkins, Obrad Kesiq, aktivist serb dhe analist nga Uashingtoni. Mbledhja do të fillojë të mërkurën në orën 15, sipas orës lokale dhe do të jetë e hapur për opinion,- raporton ‘Bota Sot’.

PS-LSI: Karta e Parimeve të bashkimit

rama metaPartia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë bërë publike, Kartën e Parimeve të Bashkimit, të firmosur nga dy liderët përkatës Rama dhe Meta. Karta e Parimeve, e cila do të udhëheq bashkëpunimin e dy partive opozitare, përmban 15 pika, si më poshtë vijon:

1. Një bashkëpunim strategjik, programor dhe politik, bazuar qoftë në domosdoshmërinë e realizimit të objektivave afatgjatë dhe qoftë në nevojën e bashkëveprimit konstant mes PS e LSI, për të ndërtuar Shqipërinë Europiane si realitet i ri i në të ardhmen e afërt i Bashkimit Europian, përmes mirëqeverisjes së punëve të vendit çdo ditë;

2. Një zhvillim konstruktiv të bashkëpunimit mes PS e LSI, mbi parimet e kushtetutshmërisë e të ligjshmërisë, respektit të të gjithë faktorëve institucionalë, politikë e shoqërorë, garantimit të lirive e të drejtave të opozitës dhe kërkimit të konsensusit sa më të gjerë në procesin vendimmarrës, përmes gjithëpërfshirjes e vendosjes së prioriteteve të procesit të ndërtimit të Shqipërisë Europiane mbi çdo prioritet partiak.

3. Një vullnet të palëkundur për të garantuar kohezion të brendshëm të koalicionit dhe konsensus për mirëqeverisjen, në funksion të reformave të dakordësuara bashkërisht, të emërimeve që janë përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit për garantuar pavarësinë e institucioneve, të depolitizimit dhe modernizimit të administratës publike përmes konkurrencës e meritës.

4. Një qasje të re publike të shumicës qoftë në parlament e qoftë në qeveri, për të garantuar mbi bazën e një Kodi Etik që do të hartojmë e miratojmë bashkërisht, shprehjen e respektit më të madh për opinionin publik dhe rritjen e transparencës ne qeverisje në një shkallë të panjohur deri më sot.

5. Një ndarje të re të punëve mes legjislativit dhe ekzekutivit, duke i dhënë një vlerë të re mandatit të popullit Sovran qoftë në pushtetin legjislativ qoftë në pushtetin ekzekutiv, me qëllim që kontrolli parlamentar të marrë vlerën e munguar në këto dy dekada dhe përgjegjësia qeverisëse të fitojë një cilësi të re.

6. Një pozicionim të qartë në mbrojtjen e shtresave të nevojë dhe në mbështetjen e shtresës së mesme, përmes uljes së barrës së detyrimeve apo taksave të drejtpërdrejta si edhe nxitjes së integrimit social përmes punës dhe rritjes së fuqisë blerëse.

7. Një politikë vijimësisht mbështetëse për biznesin e vogël, për të rritur vetëpunësimin dhe fuqinë ekonomike të familjeve që merren me biznes të vogël si edhe për të filluar uljen e borxheve të familjeve të varfra ndaj biznesit të vogël.

8. Një garanci të plotë për lirinë e biznesit të madh për të stimuluar një ekonomi prodhuese duke mbrojtur lirinë e konkurrencës, duke rritur përgjegjshmërinë e shtetit në raport me çdo potencial zhvillim dhe investitor vendas apo të huaj, si edhe duke rritur transparencën e cilësinë e marrëdhënieve mes qeverisë e sipërmarrjes në funksion të interesit madhor të zhvillimit ekonomik e social të vendit – çka për ne do të thotë përfshirje e sipërmarrjes në çdo vendimmarrje të rëndësishme për të dhe luftë pa kompromis arbitraritetit të organeve tatimore ndaj sipërmarrjes.

9. Një angazhim të fuqishëm për zgjidhjen e çështjes së pronës, duke siguruar transparencën e domosdoshme të procesit të kthim-kompensimit të pronave në funksion të së drejtës së mohuar të pronarëve që pas dy dekadash liri janë ende shumë që nuk gëzojnë asnjë të drejtë mbi pronën e tyre. Duke siguruar përmes një procesi të mirëorganizuar e transparent dhënien e certifikatës së tokës për të gjithë fermerët që prej dy dekadash punojnë një tokë që e kanë de facto po nuk e gëzojnë de jure. Duke realizuar me transparencë procesin e zvarritur të legalizimeve që në dy dekada ka sjellë vetëm rritjen e numrit të ndërtimeve pa leje dhe shkatërrime të mëdha të territorit.

10. Një trajtim me prioritet të sigurisë publike dhe të garantimit të paprekshmërisë së individit e të pronës, duke i shpallur një luftë të pashoqe krimit të çdo natyre dhe korrupsionit. Në këtë kontekst e shohim të pandashme edhe sigurinë juridike për çdo qytetar, në mënyrë të barabartë, eficiente dhe të përgjegjshme duke organizuar drejtësinë si një shërbim publik të sigurt e të aksesueshëm nga te gjithë sipas nevojës. Për ne një Shqipëri e drejtë me të gjithë fillon nga mirëqeverisja për të gjithë.

11. Një politikë të re për rininë shqiptare si kontributore e pazëvendësueshme për projektin e Shqipërisë Europiane dhe integrimin e vendit ne Bashkimin Europian. Kjo vetëkupton arsimimin e nje brezi me mentalitet dhe profesionalizëm europian për të përballuar sfidën e lirisë në mjedisin e një ekonomie gjithnjë e më globale.

12. Një vëmendje të posaçme ndaj barazisë gjinore duke synuar rritjen e vazhdueshme të pjesëmarrjes së gruas në përfaqësimin e popullit Sovran në nivel qendror e vendor, në mirëqeverisjen e punëve të vendit apo komunitetit në administratën publike, në biznes apo shoqërinë civile. Aleanca për Shqipërinë Europiane do të ketë objektiv të palëvizshëm të përpjekjes së saj zhdukjen e dhunës kundër gruas si edhe luftën kundër papunësisë femërore.

13. Një vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit, burimet nëntokësore, trashëgiminë kulturore, përmes politikash zhvillimi me një përmasë të gjelbër në kuadrin e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm.

14. Një vizion europianizues që të lerë pas përgjithmonë fantazmën e nacionalizmit primitiv e të promovojë atdhedashurinë si shprehje të krenarisë kombëtare dhe të respektit për historinë si burim frymëzimi për të ardhmen, jo si gjenerator dasish e konfliktesh të së shkuarës.

15. Një objektiv madhor: Anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda harkut të dy mandateve qeverisëse, ku të bashkuar në emër të shumicës së shqiptarëve dhe me dorën e bashkëpunimit të shtrirë ndaj përfaqësuesve të pakicës në emër të Shqipërisë Europiane, do t’i shërbejmë besnikërisht popullit shqiptar.

Karta e Parimeve të bashkimit PS – LSI në kuadrin e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane do të shtjellohet me detaje në programin qeverisës të koalicionit. Këto parime do të kihen parasysh edhe në hartimin e marrëveshjes së veçantë që PS dhe LSI do të bëjnë për zgjedhjet vendore të vitit 2015. Çdo ndryshim në Kartën e Parimeve mund të bëhet vetëm me konsensus përmes një amendamenti me shkrim të firmosur nga kryetarët e PS dhe LSI-, theksohet në mbyllje të kësaj Marrëveshje.

KE: Serbi dhe Kosovë drejt Bashkimit Europian

foto/albplus
foto/albplus

Komisioni Europian dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë në BE, pas nënshkrimit të Marrëveshjes nga Serbia dhe Kosova, kanë dalë në një raport të përbashkët, duke i rekomanduar Shteteve Anëtare hapjen e aderimit në BE, për Serbinë dhe fillimin e Marrëveshjes të Stabilizim Asocimit me Kosovën.

’Rekomandimet për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE dhe hapjen e Marrëveshjes të Stabilizim Asocimit, (MSA) me Kosovën, shënon një thyerje të rëndësishme me të kaluarën dhe një hap të përbashkët drejt së ardhmes Europiane. Do të dëshiroja të falënderoja, liderët e Serbisë dhe Kosovës për kurajën dhe vizionin e tyre. Jam e nderuar të kem kontribuar në këtë proces’-, ka deklaruar Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe në të njëjtën kohë zv. Presidente e Komisionit, Catherine Ashton.

‘Serbia dhe Kosova kanë provuar, se të dyja mund të fokusohen në të ardhmen, më tepër, se sa të qëndrojnë të mbërthyera në të kaluarën. Rekomandimet tona, sot, janë të qarta: si Serbia dhe Kosova meritojnë të ecin përpara në perspektivën europiane. Ky është një lajm i mirë për popullin e Serbisë dhe të Kosovës dhe për tërë rajonin’– ka shtuar Komisionieri për Zgjerim dhe Politikat e Fqinjësisë, Štefan Füle.

Konkluzionet kryesore:

Raporti mbi Serbinë nënvizon, se Serbia ka arritur prioritetet kyçe në ndërmarrjen e hapave drejt një përmirësimi të dukshëm dhe të zgjatshëm në kohë, në marrëdhëniet me Kosovën. Serbia është angazhuar aktivisht dhe në mënyrë konstruktive në dialogun e thjeshtësimit të BE-së me Prishtinën. Zbatimi i Marrëveshjes së arritur në dialog ka vazhduar, duke përfshirë administrimin e integruar të kufijve, përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonalë, mbrojtjen e vendeve fetare dhe kulturore, pranimin e diplomave të universiteteve, regjistrin civil dhe  vulat doganore. Të dyja palët, ranë dakord gjithashtu, të fillojnë mbledhjen e  të ardhurave doganore dhe të ndërtojnë një fond për zhvillimin e veriut të Kosovës. Bashkëpunimi i Serbisë me EULEX ka vazhduar të përmirësohet në disa fusha. Duke ndjekur ’Marrëveshjen e parë të principeve udhëheqëse të normalizimit të marrëdhënieve’’ të iniciuar nga të dy Kryeministrat, më 19 prill 2013, raporti del në konkluzionin, se negocimet për hyrjen në BE, duhet të hapen me Serbinë. Raporti gjithashtu vë në dukje, përpjekjet e Serbisë për përforcimin e reformave në sundimin e ligjit, pavarësinë e institucioneve kyçe, lirinë e medieve, politikat kundër diskriminimit, mbrojtjen e minoriteteve dhe mjedisit të biznesit, si edhe kontributin pozitiv të vendit në bashkëpunimin rajonal. Këto përpjekje, duhet të jenë të vazhdueshme me kalimin e kohës.

Raporti mbi Kosovën nënvizon se, Kosova ka dorëzuar në një afat të shkurtër, prioritetet e studimit të fizibilitetit të vitit të kaluar, në fushat e sundimit të ligjit, administrimit publik, mbrojtjes së minoriteteve dhe tregtisë. Komisioni rekomandon, hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Një Marrëveshje e tillë, do të jetë një hap i rëndësishëm për Kosovën, në rrugën e saj drejt BE-së: një element kyç i procesit të zgjerimit, ai liberalizon tregtinë me BE-në dhe ndërtimin e politikave dhe qëllimeve ekonomike të përbashkëta-, përfundon deklarata e Komisionit Europian.

KE: Kosova do marrë pjesë në programet e BE-së

foto/albplus
foto/albplus

Sipas deklaratës së Komisionit Europian, është adoptuar një propozim, që do ti lejojë Kosovës të marrë pjesë në programet e BE-së. Nëse Këshilli do të jetë dakord dhe në momentin që marrëveshja do të nënshkruhet nga të dyja palët, atëherë Kosova do të ketë mundësi të marrë pjesë në 22 programet e BE-së. Termat specifikë dhe kushtet për pjesëmarrjen e Kosovës në çdo program të veçantë, do të përcaktohen nga një Memorandum Mirëkuptimi, që duhet të aprovohet nga Komisioni Europian dhe Kosova. Vendet e tjera, që janë pjesë e Procesit të Asocim Stabilizimit të Bashkimit Europian, kanë tashmë marrëveshje të tilla.

Propozimi për të lejuar Kosovën të marrë pjesë në programet e BE-së, është bërë në Komunikimin e Komisionit: ‘Kosova- Drejt konkretizimit të Perspektivës Europiane’, të publikuar më tetor 2009. Komisioni Europian, ka propozuar direktiva negocimi, më 22 tetor 2012. Këshilli i Punëve të Jashtme, më 11 dhjetor 2012, ka mirëpritur përpjekjet e Komisionit Europian për negocimin e projekt Marrëveshjes me Kosovën, për sa i përket pjesëmarrjes në Programet e Unionit dhe qëllimin e tij, për t’iu rikthyer Këshillit, në gjysmën e parë të 2013. Kosova e konfirmoi pjesëmarrjen e saj, me shkrim më 16 janar 2013, nëpërmjet draftit të Projekt Marrëveshjes.

PBDNJ shpall koalicionin me PS

Partia për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut, ka shpallur koalicionin për zgjedhje me Partinë Socialiste pas tërheqjes së anëtarit të tyre në KQZ, Jani Jani në solidarizim me kolegët e tjerë për shkelje dhe dhunim të institucionit të pavarur të KQZ-së nga shumica në pushtet.

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule ka deklaruar: “Jemi sot në konkludim të bisedimeve për bashkëpunim me Partinë Socialiste. Bashkëpunimi ynë nuk është një bashkëpunim që ka filluar rishtazi, është një bashkëpunim prej vitesh dhe kjo na bën më të sigurt. E njohim mirë njëri tjetrin si forca politike, njohim mirë pikat që na bashkojnë, sikurse edhe vështirësitë që mund të kemi pasur në të shkuarën. Pas 4 vitesh opozite me vizion, me objektiva të qarta, është momenti më kulmor që për vendin, shoqërinë dhe qytetarët të realizohet rotacioni i shumëdëshiruar. Një rotacion jo për hir të rotacionit, jo si qëllim në vetvete, por për t’i hapur vendit perspektivën e integrimit në familjen europiane. Ky bashkëpunim besojmë se do të ketë kontributin e vet sado të vogël edhe nga ana jonë, në arritjen e  këtij objektivi madhor.’ 

Ndërkohë është shprehur për mediat dhe lideri i PS-së Rama duke deklaruar : “Nuk besoj se ka nevojë për shumë fjalë për afrimitetin, bashkëpunimin dhe objektivat afatgjatë të vizionit të një Shqipërie, që e kemi tërësisht të përbashkët, si një Shqipëri europiane e integruar në Bashkimin Europian. Në raportet tona me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut flet historia e afërt dhe më e largët, flet tradita e një miqësie të mirë, e një fqinjësie të mirë, e një marrëdhënieje të mirë të mbështetur në respektin reciprok. Unë jam sot shumë i kënaqur që me mikun tim, me kolegun Vangjel Dule, me Kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kemi dakordësuar që të hyjmë së bashku në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

 Rama e ka mbyllur këtë komunikim me mediat, duke theksuar se zgjerimi i koalicionit do të vazhdojë.e.k/

Ministri i Jashtëm Bumçi: Rama shpif nga selia ‘mavi’

0-5-bumci ne konference per shtypMinistri i Jashtëm i Shqipërise, Aldo Bumçi, në një deklaratë për mediat sot, akuzoi kryetarin e Partisë opozitare më të madhe në vend, Edi Rama, se shpif nga selia ‘mavi’. Ai akuzoi Ramën, si për pengesat në liberalizimin e vizave, në anëtarësimin në NATO dhe në bllokimin e integrimit europian.

”Sot Edi Rama na shfaqi vizionin e tij për politikën e jashtme të vendit.  Dhe sot, zoti Rama paraqiti të tjera shpikje nga selia ‘mavi’, sikur ai do të mbështesë anëtarësimin tonë në NATO dhe integrimin në BE.

Z. Rama, i vlerësojmë fjalët e bukura, por më bukur flasin veprat.

Por, zoti Rama, a e di ti, se ti je i vetmi kryetar opozite i një vendi tashmë anëtar të NATO-s, ku të ankoroi kjo qeveri, që pengon integrimin e vendit në BE?

A di ti, se je i vetmi kryetar opozite, që ka bllokuar dhe bërë lloj-lloj akrobacish për të penguar liberalizimin e vizave për shqiptarët?

A e di ti, se je i vetmi kryetar opozite, që ka anatemuar dhe përbaltur ‘Rrugën e Kombit”?

Dhe sot, vazhdon të jesh i vetmi kryetar opozite që për hir të interesit të ngushtë personal politik, vazhdon të bllokosh e të mbash peng miratimin e 3 ligjeve për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Sot, Rama na tregoi qartazi se ai ndihet i kompleksuar. Na sqaroi se ai ndihet i paragjykuar në Kosovë.

Ndoshta z. Rama paragjykohet sot në Kosove prej bojkotit, grevës së urisë, protestave të dhunshme dhe agresionin ndaj institucioneve demokratike.

Ndoshta, ai paragjykohet për bllokimin që i bën integrimin Europian të vendit.

Ndoshta ai paragjykohet sot, pasi del dhe me deklarata për “miqësi të mirë” me Kosovën, ndërkohë që shqiptarët këndej dhe andej kufirit janë vëllezër, shumë më shumë sesa “miqësia e re” që dashka të na ndërtojë z. Rama.

Ne do të realizojmë endrrën e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, ashtu siç realizuam anëtarësimin në NATO, dhe liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian.

Meqë zoti Rama zgjedh të kundërshtojë e anatemojë këto angazhime, le të mos ia vëmë atij veshim, por të ecim së bashku përpara.”

Facebook, kurthi ku rendim tërë pasion

facebookPara se të krijohej Facebook, një tjetër versioni i tij funksiononte, i quajtur Facemash. Ideja e Facemash, konsistonte në një platformë online, thjesht si lojë, që mundësonte hedhjen e fotove, në mënyrë që studentë të Harvardit të votonin, se kush nga fotot ishte ‘hot’ dhe kush jo. Gradualisht platforma pësoi ndryshimet e saj, deri sa erdhëm tek ideja e një rrjeti social, për të bërë të mundur gjetjen e kontakteve sociale në tërë botën.

Njerëzit filluan të vërshojnë në të dhe rrjeti filloi popullimin me miliona regjistrues. Mendohet gjithashtu se FB, është një mënyrë për të qenë në kontakt me njerëzit e tjerë, shoqëri, familje, farefis etj. Mendohet gjithashtu, se FB ka vlerat e tij, sepse lejon shkëmbimin e mendimeve, pikëpamjeve dhe opinioneve personale, sa deri edhe terapistët gjykojnë se, ndarja e jetës online për disa, shërben si terapi për to.

Kjo është njëra anë, që gjykohet të jetë pozitive, por le të shohim pak problematikën e tyre, apo anët negative. Studiuesit, gjithmonë e më shumë po nxjerrin në pah konkluzionet e studimeve, mbi përdoruesit e FB. Këto studime po konfirmojnë fuqishëm faktin se, FB na bën të ndjehemi keq, duke na rritur stresin dhe ankthin, në mënyrë konstante dhe për më tepër, studimet kanë vërejtur raste depresioni, tek individë të caktuar. Po pse ndodh ky fenomen? Çfarë e shkakton atë? Sipas tyre, tek shumica e njerëzve të pyetur në kuadrin e këtyre studimeve, është vënë re se, njerëzit ndjehen keq kur shikojnë një reklamim të pafund të lumturisë së të tjerëve. Ato janë shprehur, se ndjehen të mjerë dhe mendojnë, se miku apo mikesha e tyre, ka një jetë më të përsosur. E njëjta situatë, ndodh dhe në rastet kur njerëzit vazhdimisht hidhnin foto të tyre online, duke reklamuar jetën e tyre të lumtur dhe perfekte. Sipas studiuesve, krahasimet, shkaktojnë ankth tek njerëzit e tjerë, pasi ato mendojnë, se të tjerët, kanë një jetë më të lumtur dhe se, ato kanë dështuar. Kjo çonte në rritjen e ankthit dhe të stresit dhe personat në studim, kanë konfirmuar se, sa herë hapnin FB, ankthi i tyre rritej, dhe kur shikonin fotot e ‘bukura’ të personave të tjerë, stresi shtohej dhe shikonin veten ose duke ngrënë thonjtë, ose duke përtypur ndonjë ushqim të panevojshëm.

Pse njerëzit ndjejnë stres, dhe deprimohen? Studiuesit shpjegojnë se, problemi kryesor qëndron te reklamimi, jo i vërtetë i realitetit. Pra, nëse në jetën reale, njerëzit takohen ballë për ballë dhe flasin, diskutojnë, tregojnë edhe për eksperiencat e tyre, apo çfarë kanë bërë së fundmi, kur dikush të tregon se, ka qenë me pushime, ai mund të tregojë foto, por paralelisht do të tregojë edhe gjërat, që nuk shkonin në këtë udhëtim, problemet e hasura, apo pakënaqësitë, apo zënkat në familje, ose me partnerin, apo se buxheti i tyre ishte në limit dhe ishin privuar nga shumë kënaqësi, etj, etj. Online, kjo gjë nuk ndodh, njerëzit reklamojnë vetëm anën e bukur të gjërave, shpeshherë foto të cilat edhe kur kanë pozuar mund të jenë sforcuar, për tu dukur të lumtur. Sipas studiuesve, kemi të bëjmë me një fenomen, ku ‘halli’ shndërrohet në diçka tejet personale, i pareklamueshëm dhe ‘lumturia’ bëhet globale, pra reklamohet tërë pasion. Njerëzit duke parë vetëm fotot, ku personat duken të lumtur dhe duke mos qenë në kontakt me problemet reale të tyre, që mund të jenë shumë të mëdha, fillojnë dhe krijojnë perceptimin, se jeta e të tjerëve, është më e lumtur, duke futur në depresion vetveten dhe duke krijuar një përshtypje të rreme krahasuese mbi vetveten, që nuk është reale. Sepse, shumë pak mendojnë se, dikush që duket shumë i lumtur në ato pushime, ka kaluar pushime të shpifura, sepse, psh. mund të jetë zënë me partnerin. Kjo gjë, nuk bëhet e ditur dhe nuk kuptohet nga fotot, se në foto partnerët kanë qeshur, që të mos i bëjnë të tjerët të kuptojnë problemin e tyre, sepse halli shndërrohet në diçka shumë vetjake, që nuk duhet bërë e ditur.

E njëjta dozë stresi është vërejtur tek pritja e ‘like’ nga të tjerët, ku personi ndjen stres dhe ankth, kur foto e tij nuk shoqërohet me ‘like’ dhe kur përkundrazi mund të shoqërohet me ndonjë koment të padëshirueshëm. Hedhja e fotos, është parë si dëshirë për konfirmim dhe ‘like’ nëse s’bëhet, shikohet, po ashtu si dështim i konfirmimit.

Nëse meshkujt, sipas studimeve, janë më të fokusuar tek idetë dhe mendimet e tyre apo puna e tyre, femrat kanë një fokus më të madh te ekspozimi i fotove personale dhe të familjes së tyre. Kjo është dhe arsyeja që sipas studiuesve, femrat vuajnë më shumë nga ankthi dhe stresi i këtyre ekspozimeve.

Një fenomen po ashtu i tillë, është vënë re tek adoleshentët. Këtu situata komplikohet, sepse duke marrë parasysh, moshën delikate të tyre dhe duke qenë vazhdimisht në kontakt me një reklamim jete, që është i pavërtetë, fillojnë dhe zhvlerësojnë vetveten, duke rënë edhe në depresion. Studiuesit kanë vënë re, tek ato, një tendencë për zhvillim sjelljeje anti-sociale, agresive dhe mosrespektim të privatësisë. Adoleshentët, sipas tyre, po rrisin profilin e tyre narcizist dhe po bëhen të fiksuar me imazhin e tyre ndaj vetvetes. Efekte të tjera negative që janë vërejtur, tek një kategori e gjerë njerëzish janë po ashtu, mania, sjellja armiqësore, pagjumësi, ankth dhe depresion.

Studiuesit kanë konstatuar gjithashtu, një pasqyrim jo real të jetës së nënave, që rrisin fëmijët e tyre. Nëse shikon profilet e tyre, vihen re, vetëm gjëra pozitive mbi fëmijët, foto me fëmijë të qeshur dhe të lumtur dhe momente, po ashtu të lumtura. Mirëpo, sipas studiuesve, kjo formon një realitet të rremë, sepse të gjithë e dimë se, rritja e një fëmije në 70% të kohës së saj, është problem dhe stres dhe se vetëm 30% e saj, është lumturi dhe buzëqeshje. Asnjë nga këto nëna, nuk deklaron në FB, se fëmija i tyre po i çmend, sepse nuk pushon së qari, apo se kanë 2 muaj që nuk e dinë ç’është gjumi, nga grindjet e shpeshta të fëmijëve etj duke krijuar një realitet të rremë dhe duke i përcjellë një mesazh të gabuar të tjerëve.

Narcizismi, pra dashuria e tepruar ndaj vetvetes, është një tjetër fenomen i hasur. Sipas studiuesve, kjo konstatohet nga numri i ekzagjeruar i ‘miqve’ , ku shkon deri në 1000-2000, çka është e palogjikshme. Sipas studimeve, sa më e lartë të ishte dëshira për ekspozim të vetvetes, aq më shumë rritej dhe numri i ‘miqve’ ne FB. Këto persona sipas studimeve e ‘tagojnë’ më shpesh veten e tyre, komentojnë dhe janë më shpesh aktiv në rrjet dhe e azhurnojnë faqen e tyre sistematikisht, duke ndërruar foto e profilit. Ky reklamim shkakton depresion te shumica e njerëzve të tjerë, sepse shumë pak e dinë, sipas studiuesve, që profilet e tyre janë veçse imazhet e idealizuara të vetvetes, pra asaj, çka ato dëshirojnë të jenë dhe jo realiteti se, si ato janë në të vërtetë.

Një faktor tjetër, që njerëzit nuk e llogarisin, është se FB mbledh informacione personale, duke e shndërruar në një makinë inteligjente të jashtëzakonshme. Në të dhënat e tij, janë rregjistruar emra, adresa, nr telefoni, marrëdhënie, vende pune, kontakte me të afërm, shokë, mendime personale, gjykime personale, foto, video, etj. Është një burim i fuqishëm informacioni për të gjithë hackersat dhe agjencitë botërore të inteligjencës.

Ajo çka njerëzit duhet të dinë është se, është e pamundur të fshihen informacionet në momentin që ato hidhen online. Kjo do të thotë, se gjithçka hidhet në internet për serverat, ato shpërndahen në të gjithë botën. Heqja e të dhënave personale është diçka e pamundur edhe nëse ato fshihen, nga faqet personale.

Dihet se, FB i ka lënë akses të plotë autoriteteve, ku ato filtrojnë dhe kontrollojnë shoqërinë, në mënyrë sistematike, duke parë çka aty bëhet. Ka gjithashtu programe, të cilat janë në gjendje të përllogarisin tendencën e një vendi, nëse banorët e tyre ndjehen të lumtur, ose jo nëpërmjet gjendjes së përditshme të humorit, që ato postojnë në faqen e tyre. Pakkush i bën pyetje vetes, se kujt i intereson të dijë datëlindjen tënde, shkollën që ke mbaruar, ku punon, kë shok ke, ku banon, ku po udhëton tani, çfarë ti po mendon në këto momente, kë film pëlqen, kë libër lexon? Kujt i intereson bërja e profilit psikologjik dhe kuptimit të karakterit tënd? Sigurisht, që përveç autoriteteve shtetërore dhe kompanive komerciale, këto të dhëna, i shiten kush e di kujt dhe për çfarë arsye. FB s’bën asgjë të ditur!?

Një aspekt tjetër problematik, është se pak njerëz e dinë që hackersat, punojnë për të mbledhur informacione dhe për ti shitur ato. Shumë rrjete pedofilësh, janë sistematikisht të interesuar për grumbullime fotosh fëmijësh, të cilët prindërit i ekspozojnë pa e ditur, nëpër faqet e tyre, fëmijë të veshur, të zhveshur nëpër plazhe, pa e kuptuar rrezikun, që përballen dhe pa kuptuar që ato foto, mund të përfundojnë në duar pedofilësh ndërkombëtar, vetëm brenda disa momenteve. Sigurisht po ta dinin, nuk do ta bënin këtë. Por, pasioni për reklamim të përhershëm ‘lumturie’, e mbyt logjikën në mënyrë konstante.

Kur dikush më pyeti, se si e shikoja unë personalisht FB, iu përgjigja, se e shikoj si një zhvendosje të shoqërisë nga shtëpia dhe bulevardi në një kafene të ‘survejuar me kamera dhe mikrofon’. Dhe më interesantja është se, njerëzit shkojnë tërë pasion, te kjo kafene, shumica duke deklaruar me ‘krenari’, se nuk kemi asgjë për të fshehur. Dhe më kujtoi thënien e dikujt, kur kryeqyteti i Europës po mbulohej nga kamerat, ku edhe në rrugicat e tij, po instaloheshin kamera në emër të ‘sigurisë publike’, i cili më tha se : ‘’ ndonjë ditë do miratohet ndonjë ligj, për vendosjen e kamerave në çdo shtëpi, dhe kjo në emër të ‘ruajtjes së dhunës në familje’, dhe ne do jemi pikërisht ato, që do u themi sërish, se unë s’kam asgjë për të fshehur, le të vihen !’’

E. Kondi

DASH: reagon avokati i Popullit

Igli-Totozani-Deklarate-NOAReagon menjëherë pas raportit të DASh, Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili në një Deklaratë për Shtyp, thekson se:

‘’Në emër të Institucionit të Avokatit të Popullit jam sot këtu për të përshëndetur dhe mirëpritur raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Avokati i Popullit e vlerëson këtë dokument, si një dokument pune shumë të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes të të drejtave dhe lirive të njeriut. Një kontribut i çmuar për zhvillimin, promovimin, respektimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave.

Ne konstatojmë se Raporti i Departamentit të Shtetit është një vlerësim dhe analizë e thelluar dhe e vërtetë e gjendjes të të drejtave të njeriut në vendin tonë dhe se në të gjejnë pasqyrim të gjitha problematikat dhe shqetësimet e ngritura edhe nga institucioni ynë si: gjendja e minoritetit rom dhe atij egjiptian, problemet e personave me aftësi të kufizuar, gjakmarrja dhe pasojat e saj, gjendja e të drejtave të njeriut në vendet e kufizimit të lirisë, të drejtat e komunitetit LGBT, dhuna në familje dhe veçanërisht ajo ndaj grave.

Ne i konsiderojmë si mjaft të rëndësishme problematikat e ngritura nga raporti i DASH dhe do i përkthejmë ato në prioritet  dhe program pune për institucionin.

Institucioni i Avokatit të Popullit konstaton me kënaqësi dhe ndihet i vlerësuar që me punën e tij ka shërbyer si nje burim i besueshëm informacioni  për prezantimin e situatës të gjendjes të të drejtave të njeriut në Shqipëri

Së fundmi, do doja të falenderoja punën e stafit te institucionit tone te cilët me punën e tyre, profesionalizmin, pavarësinë dhe paanësinë kane arritur ta shndërrojnë Avokatin e Popullit në një institucion të besueshëm për qytetarin, partneret dhe miqtë tanë ndërkombëtarë.’’ e.k/

DASH: Pushteti në duart e Partisë-shtet

DASAlexArvizu1 (1)Departamenti i Shtetit Amerikan ka publikuar raportin vjetor për të drejtat e Njeriut për Shqipërinë. Theksi vihet mbi korrupsionin qeveritar, në sistemin e drejtësisë, etj. KQZ, sipas raportit të DASH, një institucion tërësisht partiak, minoi të drejtat e qytetarëve për të sfiduar drejtpërdrejtë ligjet dhe për të marrë pjesë plotësisht në qeverisjen e tyre. Pushteti është në duart e partisë shtet.

Ambasada Amerikane ka botuar një pjesë të raportit në gjuhën shqipe duke theksuar se pjesa tjetër e raportit do të bëhet shumë shpejt publike, në shqip:

PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE
(…)

‘’Korrupsioni i kudo gjendur në të gjitha degët e qeverisjes, e sidomos në sistemin e drejtësisë, mbeti një problem serioz. Axhenda e reformave, në veçanti lufta kundër korrupsionit, faktikisht ngeci teksa partitë politike e zhvendosën vëmendjen e tyre tek zgjedhjet kombëtare të vitit 2013. Institucione shtetërore thellësisht partiake, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, minuan të drejtat e qytetarëve për të sfiduar drejtpërdrejt ligjet dhe për të marrë pjesë plotësisht në qeverisjen e tyre. Konsolidimi i vazhdueshem i pushtetit në duart e partisë në pushtet gërryejti më tej besimin publik në pavarësinë e institucioneve të vendit. Mënjanimi dhe abuzimi i bashkësive rome dhe egjiptiano-ballkanike ishin probleme të rëndësishme të të drejtave të njeriut. Probleme domethënëse ishin edhe rrahja nga policia dhe keqtrajtime të tjera të të dyshuarve gjatë ndalimit dhe marrjes në pyetje, hera-herës për
t’u nxjerrë
rrëfime.

Probleme të tjera përfshinin dhunën në familje dhe diskriminimin kundër gruas, abuzimin e fëmijëve, si dhe diskriminimin mbi bazë orientimi seksual dhe identiteti gjinor. Vazhduan të raportoheshin raste të trafikimit të personave.

Përpjekjet e qeverisë për të ndjekur penalisht zyrtarët që kryenin abuzime ishin sporadike dhe jokonseguente. Shumë zyrtarë të qeverisë dhe politikanë në përgjithësi, ashtu si dhe gjykatës, gëzonin imunitet nga ndjekja penale, dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ia dilnin të shmangnin ndjekjen penale. Disa zyrtarë të niveleve më të ulëta u ndëshkuan për abuzime. Disa zyrtarë të qeverisë që ishin të implikuar qartësisht në raste abuzimesh u lëvizën dhe iu dhanë poste të tjera në qeverisje pa ndonjë ndëshkim.’’

(…)

Kosovë: seancë e jashtëzakonshme e Parlamentit

20.04.2013_KM_03_vKryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përmes një shkrese zyrtare dërguar Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kërkuar mbajtjen e një seance te jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për ditën e diel, duke filluar nga ora 20.00. Kërkesa është bërë në pajtim me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës , si dhe në përputhje me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Gjatë kësaj seance të jashtëzakonshme, kryeministri Thaçi do të raportojë për Marrëveshjen për Normalizim në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila është përafruar më 19 prill 2013 në Bruksel. Marrëveshja e përafruar nga të dy kryeministrat është në fazën e dhënies së pëlqimit për nënshkrimin formal, për çka duhet dhënë pëlqimi paraprak nga përfaqësuesit e të dy vendeve më së largu ditën e hënë, më 22 prill 2013- thuhet në lajmërimin online të faqes se Kryeministrit Thaçi.

Ndërsa ‘Koha ditore’, bën të ditur se, nëse Marrëveshja nxirret për ratifikim, atëherë vetëm deputetët e Vetëvendosjes dhe LB-së do ta kundërshtojnë atë. Pro saj, do të votojnë edhe dy partitë opozitare, LDK dhe AAK. Kësaj radhe nuk pritet të ketë presion diplomatik, për ta ratifikuar në Kuvend Marrëveshjen e arritur, të premten, në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së, AKR-së dhe partive minoritare pritet të votojnë pro Marrëveshjes së arritur mes dy vendeve, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje dhe ajo për Bashkim kanë paralajmëruar se do të votojnë kundër.

Kryeministri Thaçi gjatë fjalës së djeshme, deklaroi gjithashtu se midis Republikës se Kosovës dhe Republikës së Serbisë, u hap një kapitull i ri bashkëpunimi. Se me nënshkrimin e marrëveshjes, Kosova dhe Serbia u përcaktuan për evropianizimin e rajonit. Kosova ka fituar, Serbia ka fituar dhe rajoni mbi të gjitha ka fituar, ka fituar Bashkimi Evropian, kanë fituar vlera euro-atlantike. Ka fituar opsioni i paqes, stabilitetit dhe integrimit.

Sipas tij, ky nuk ka qenë një proces i lehtë, se ka pasur momente të vështira, por e rëndësishme është që është arritur të shtyhen përpara interesat e qytetarëve dhe vendit. ”Marrëveshja është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet, policia dhe gjyqësia do të funksionojnë me ligjet e Kosovës dhe do të ruhet karakteri unitar i shtetit. Asociacioni i komunave do të funksionojë me ligjet e Kosovës, dhe do të ketë po ato struktura që ka edhe asociacioni aktual tjetër i Kosovës, pa karakter ekzekutiv apo legjislativ apo të pushtetit të tretë”, – ka theksuar Kryeministri Thaçi. Ai shto gjithashtu se, strukturat paralele do të shpërbëhen dhe zgjedhjet lokale do të organizohen në pjesën e dytë të këtij viti, me lehtësimin e OSBE-së dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

‘Tani ne duhet të përqendrohemi në implementimin e marrëveshjes dhe se kemi marrë edhe dje garanci nga NATO që edhe ata do të jenë partner në implementimin e plotë të marrëveshjes’ -ka deklaruar Kryeministri Thaçi. Ai i ka drejtuar po ashtu dhe një mesazh qytetarëve në veri të Kosovës, duke deklaruar se, kjo Marrëveshje është lajm i mirë për të dyja palët, sepse ajo hap perspektivë për qytetarët që të kthehen në pronat e tyre, të lëvizin lirshëm dhe të jetojnë pa frikë. Kryeministri i ka ftuar ato, të mos bien pre e atyre që tash e 14 vite e kanë mbajtur peng gjendjen në veri, e kanë mbajtur peng jetën e tyre, jo për të çuar përpara agjendën politike të vendit, por thjesht për përfitime të ngushta politike, materiale dhe personale. Ai i ftoi gjithashtu  që të mos i frikësohen marrëveshjes, mos t’i frikësohen institucioneve të Kosovës, sepse me shtrirjen e rendit dhe ligjit do të kenë mundësi më të mëdha për investime, zhvillim dhe punësim, por edhe për krijimin e ambientit demokratik dhe shumetnik. i.t/