Facebook, kurthi ku rendim tërë pasion

62

facebookPara se të krijohej Facebook, një tjetër versioni i tij funksiononte, i quajtur Facemash. Ideja e Facemash, konsistonte në një platformë online, thjesht si lojë, që mundësonte hedhjen e fotove, në mënyrë që studentë të Harvardit të votonin, se kush nga fotot ishte ‘hot’ dhe kush jo. Gradualisht platforma pësoi ndryshimet e saj, deri sa erdhëm tek ideja e një rrjeti social, për të bërë të mundur gjetjen e kontakteve sociale në tërë botën.

Njerëzit filluan të vërshojnë në të dhe rrjeti filloi popullimin me miliona regjistrues. Mendohet gjithashtu se FB, është një mënyrë për të qenë në kontakt me njerëzit e tjerë, shoqëri, familje, farefis etj. Mendohet gjithashtu, se FB ka vlerat e tij, sepse lejon shkëmbimin e mendimeve, pikëpamjeve dhe opinioneve personale, sa deri edhe terapistët gjykojnë se, ndarja e jetës online për disa, shërben si terapi për to.

Kjo është njëra anë, që gjykohet të jetë pozitive, por le të shohim pak problematikën e tyre, apo anët negative. Studiuesit, gjithmonë e më shumë po nxjerrin në pah konkluzionet e studimeve, mbi përdoruesit e FB. Këto studime po konfirmojnë fuqishëm faktin se, FB na bën të ndjehemi keq, duke na rritur stresin dhe ankthin, në mënyrë konstante dhe për më tepër, studimet kanë vërejtur raste depresioni, tek individë të caktuar. Po pse ndodh ky fenomen? Çfarë e shkakton atë? Sipas tyre, tek shumica e njerëzve të pyetur në kuadrin e këtyre studimeve, është vënë re se, njerëzit ndjehen keq kur shikojnë një reklamim të pafund të lumturisë së të tjerëve. Ato janë shprehur, se ndjehen të mjerë dhe mendojnë, se miku apo mikesha e tyre, ka një jetë më të përsosur. E njëjta situatë, ndodh dhe në rastet kur njerëzit vazhdimisht hidhnin foto të tyre online, duke reklamuar jetën e tyre të lumtur dhe perfekte. Sipas studiuesve, krahasimet, shkaktojnë ankth tek njerëzit e tjerë, pasi ato mendojnë, se të tjerët, kanë një jetë më të lumtur dhe se, ato kanë dështuar. Kjo çonte në rritjen e ankthit dhe të stresit dhe personat në studim, kanë konfirmuar se, sa herë hapnin FB, ankthi i tyre rritej, dhe kur shikonin fotot e ‘bukura’ të personave të tjerë, stresi shtohej dhe shikonin veten ose duke ngrënë thonjtë, ose duke përtypur ndonjë ushqim të panevojshëm.

Pse njerëzit ndjejnë stres, dhe deprimohen? Studiuesit shpjegojnë se, problemi kryesor qëndron te reklamimi, jo i vërtetë i realitetit. Pra, nëse në jetën reale, njerëzit takohen ballë për ballë dhe flasin, diskutojnë, tregojnë edhe për eksperiencat e tyre, apo çfarë kanë bërë së fundmi, kur dikush të tregon se, ka qenë me pushime, ai mund të tregojë foto, por paralelisht do të tregojë edhe gjërat, që nuk shkonin në këtë udhëtim, problemet e hasura, apo pakënaqësitë, apo zënkat në familje, ose me partnerin, apo se buxheti i tyre ishte në limit dhe ishin privuar nga shumë kënaqësi, etj, etj. Online, kjo gjë nuk ndodh, njerëzit reklamojnë vetëm anën e bukur të gjërave, shpeshherë foto të cilat edhe kur kanë pozuar mund të jenë sforcuar, për tu dukur të lumtur. Sipas studiuesve, kemi të bëjmë me një fenomen, ku ‘halli’ shndërrohet në diçka tejet personale, i pareklamueshëm dhe ‘lumturia’ bëhet globale, pra reklamohet tërë pasion. Njerëzit duke parë vetëm fotot, ku personat duken të lumtur dhe duke mos qenë në kontakt me problemet reale të tyre, që mund të jenë shumë të mëdha, fillojnë dhe krijojnë perceptimin, se jeta e të tjerëve, është më e lumtur, duke futur në depresion vetveten dhe duke krijuar një përshtypje të rreme krahasuese mbi vetveten, që nuk është reale. Sepse, shumë pak mendojnë se, dikush që duket shumë i lumtur në ato pushime, ka kaluar pushime të shpifura, sepse, psh. mund të jetë zënë me partnerin. Kjo gjë, nuk bëhet e ditur dhe nuk kuptohet nga fotot, se në foto partnerët kanë qeshur, që të mos i bëjnë të tjerët të kuptojnë problemin e tyre, sepse halli shndërrohet në diçka shumë vetjake, që nuk duhet bërë e ditur.

E njëjta dozë stresi është vërejtur tek pritja e ‘like’ nga të tjerët, ku personi ndjen stres dhe ankth, kur foto e tij nuk shoqërohet me ‘like’ dhe kur përkundrazi mund të shoqërohet me ndonjë koment të padëshirueshëm. Hedhja e fotos, është parë si dëshirë për konfirmim dhe ‘like’ nëse s’bëhet, shikohet, po ashtu si dështim i konfirmimit.

Nëse meshkujt, sipas studimeve, janë më të fokusuar tek idetë dhe mendimet e tyre apo puna e tyre, femrat kanë një fokus më të madh te ekspozimi i fotove personale dhe të familjes së tyre. Kjo është dhe arsyeja që sipas studiuesve, femrat vuajnë më shumë nga ankthi dhe stresi i këtyre ekspozimeve.

Një fenomen po ashtu i tillë, është vënë re tek adoleshentët. Këtu situata komplikohet, sepse duke marrë parasysh, moshën delikate të tyre dhe duke qenë vazhdimisht në kontakt me një reklamim jete, që është i pavërtetë, fillojnë dhe zhvlerësojnë vetveten, duke rënë edhe në depresion. Studiuesit kanë vënë re, tek ato, një tendencë për zhvillim sjelljeje anti-sociale, agresive dhe mosrespektim të privatësisë. Adoleshentët, sipas tyre, po rrisin profilin e tyre narcizist dhe po bëhen të fiksuar me imazhin e tyre ndaj vetvetes. Efekte të tjera negative që janë vërejtur, tek një kategori e gjerë njerëzish janë po ashtu, mania, sjellja armiqësore, pagjumësi, ankth dhe depresion.

Studiuesit kanë konstatuar gjithashtu, një pasqyrim jo real të jetës së nënave, që rrisin fëmijët e tyre. Nëse shikon profilet e tyre, vihen re, vetëm gjëra pozitive mbi fëmijët, foto me fëmijë të qeshur dhe të lumtur dhe momente, po ashtu të lumtura. Mirëpo, sipas studiuesve, kjo formon një realitet të rremë, sepse të gjithë e dimë se, rritja e një fëmije në 70% të kohës së saj, është problem dhe stres dhe se vetëm 30% e saj, është lumturi dhe buzëqeshje. Asnjë nga këto nëna, nuk deklaron në FB, se fëmija i tyre po i çmend, sepse nuk pushon së qari, apo se kanë 2 muaj që nuk e dinë ç’është gjumi, nga grindjet e shpeshta të fëmijëve etj duke krijuar një realitet të rremë dhe duke i përcjellë një mesazh të gabuar të tjerëve.

Narcizismi, pra dashuria e tepruar ndaj vetvetes, është një tjetër fenomen i hasur. Sipas studiuesve, kjo konstatohet nga numri i ekzagjeruar i ‘miqve’ , ku shkon deri në 1000-2000, çka është e palogjikshme. Sipas studimeve, sa më e lartë të ishte dëshira për ekspozim të vetvetes, aq më shumë rritej dhe numri i ‘miqve’ ne FB. Këto persona sipas studimeve e ‘tagojnë’ më shpesh veten e tyre, komentojnë dhe janë më shpesh aktiv në rrjet dhe e azhurnojnë faqen e tyre sistematikisht, duke ndërruar foto e profilit. Ky reklamim shkakton depresion te shumica e njerëzve të tjerë, sepse shumë pak e dinë, sipas studiuesve, që profilet e tyre janë veçse imazhet e idealizuara të vetvetes, pra asaj, çka ato dëshirojnë të jenë dhe jo realiteti se, si ato janë në të vërtetë.

Një faktor tjetër, që njerëzit nuk e llogarisin, është se FB mbledh informacione personale, duke e shndërruar në një makinë inteligjente të jashtëzakonshme. Në të dhënat e tij, janë rregjistruar emra, adresa, nr telefoni, marrëdhënie, vende pune, kontakte me të afërm, shokë, mendime personale, gjykime personale, foto, video, etj. Është një burim i fuqishëm informacioni për të gjithë hackersat dhe agjencitë botërore të inteligjencës.

Ajo çka njerëzit duhet të dinë është se, është e pamundur të fshihen informacionet në momentin që ato hidhen online. Kjo do të thotë, se gjithçka hidhet në internet për serverat, ato shpërndahen në të gjithë botën. Heqja e të dhënave personale është diçka e pamundur edhe nëse ato fshihen, nga faqet personale.

Dihet se, FB i ka lënë akses të plotë autoriteteve, ku ato filtrojnë dhe kontrollojnë shoqërinë, në mënyrë sistematike, duke parë çka aty bëhet. Ka gjithashtu programe, të cilat janë në gjendje të përllogarisin tendencën e një vendi, nëse banorët e tyre ndjehen të lumtur, ose jo nëpërmjet gjendjes së përditshme të humorit, që ato postojnë në faqen e tyre. Pakkush i bën pyetje vetes, se kujt i intereson të dijë datëlindjen tënde, shkollën që ke mbaruar, ku punon, kë shok ke, ku banon, ku po udhëton tani, çfarë ti po mendon në këto momente, kë film pëlqen, kë libër lexon? Kujt i intereson bërja e profilit psikologjik dhe kuptimit të karakterit tënd? Sigurisht, që përveç autoriteteve shtetërore dhe kompanive komerciale, këto të dhëna, i shiten kush e di kujt dhe për çfarë arsye. FB s’bën asgjë të ditur!?

Një aspekt tjetër problematik, është se pak njerëz e dinë që hackersat, punojnë për të mbledhur informacione dhe për ti shitur ato. Shumë rrjete pedofilësh, janë sistematikisht të interesuar për grumbullime fotosh fëmijësh, të cilët prindërit i ekspozojnë pa e ditur, nëpër faqet e tyre, fëmijë të veshur, të zhveshur nëpër plazhe, pa e kuptuar rrezikun, që përballen dhe pa kuptuar që ato foto, mund të përfundojnë në duar pedofilësh ndërkombëtar, vetëm brenda disa momenteve. Sigurisht po ta dinin, nuk do ta bënin këtë. Por, pasioni për reklamim të përhershëm ‘lumturie’, e mbyt logjikën në mënyrë konstante.

Kur dikush më pyeti, se si e shikoja unë personalisht FB, iu përgjigja, se e shikoj si një zhvendosje të shoqërisë nga shtëpia dhe bulevardi në një kafene të ‘survejuar me kamera dhe mikrofon’. Dhe më interesantja është se, njerëzit shkojnë tërë pasion, te kjo kafene, shumica duke deklaruar me ‘krenari’, se nuk kemi asgjë për të fshehur. Dhe më kujtoi thënien e dikujt, kur kryeqyteti i Europës po mbulohej nga kamerat, ku edhe në rrugicat e tij, po instaloheshin kamera në emër të ‘sigurisë publike’, i cili më tha se : ‘’ ndonjë ditë do miratohet ndonjë ligj, për vendosjen e kamerave në çdo shtëpi, dhe kjo në emër të ‘ruajtjes së dhunës në familje’, dhe ne do jemi pikërisht ato, që do u themi sërish, se unë s’kam asgjë për të fshehur, le të vihen !’’

E. Kondi