PBDNJ shpall koalicionin me PS

57

Partia për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut, ka shpallur koalicionin për zgjedhje me Partinë Socialiste pas tërheqjes së anëtarit të tyre në KQZ, Jani Jani në solidarizim me kolegët e tjerë për shkelje dhe dhunim të institucionit të pavarur të KQZ-së nga shumica në pushtet.

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule ka deklaruar: “Jemi sot në konkludim të bisedimeve për bashkëpunim me Partinë Socialiste. Bashkëpunimi ynë nuk është një bashkëpunim që ka filluar rishtazi, është një bashkëpunim prej vitesh dhe kjo na bën më të sigurt. E njohim mirë njëri tjetrin si forca politike, njohim mirë pikat që na bashkojnë, sikurse edhe vështirësitë që mund të kemi pasur në të shkuarën. Pas 4 vitesh opozite me vizion, me objektiva të qarta, është momenti më kulmor që për vendin, shoqërinë dhe qytetarët të realizohet rotacioni i shumëdëshiruar. Një rotacion jo për hir të rotacionit, jo si qëllim në vetvete, por për t’i hapur vendit perspektivën e integrimit në familjen europiane. Ky bashkëpunim besojmë se do të ketë kontributin e vet sado të vogël edhe nga ana jonë, në arritjen e  këtij objektivi madhor.’ 

Ndërkohë është shprehur për mediat dhe lideri i PS-së Rama duke deklaruar : “Nuk besoj se ka nevojë për shumë fjalë për afrimitetin, bashkëpunimin dhe objektivat afatgjatë të vizionit të një Shqipërie, që e kemi tërësisht të përbashkët, si një Shqipëri europiane e integruar në Bashkimin Europian. Në raportet tona me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut flet historia e afërt dhe më e largët, flet tradita e një miqësie të mirë, e një fqinjësie të mirë, e një marrëdhënieje të mirë të mbështetur në respektin reciprok. Unë jam sot shumë i kënaqur që me mikun tim, me kolegun Vangjel Dule, me Kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kemi dakordësuar që të hyjmë së bashku në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

 Rama e ka mbyllur këtë komunikim me mediat, duke theksuar se zgjerimi i koalicionit do të vazhdojë.e.k/