Kosovë: seancë e jashtëzakonshme e Parlamentit

57

20.04.2013_KM_03_vKryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përmes një shkrese zyrtare dërguar Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kërkuar mbajtjen e një seance te jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për ditën e diel, duke filluar nga ora 20.00. Kërkesa është bërë në pajtim me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës , si dhe në përputhje me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Gjatë kësaj seance të jashtëzakonshme, kryeministri Thaçi do të raportojë për Marrëveshjen për Normalizim në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila është përafruar më 19 prill 2013 në Bruksel. Marrëveshja e përafruar nga të dy kryeministrat është në fazën e dhënies së pëlqimit për nënshkrimin formal, për çka duhet dhënë pëlqimi paraprak nga përfaqësuesit e të dy vendeve më së largu ditën e hënë, më 22 prill 2013- thuhet në lajmërimin online të faqes se Kryeministrit Thaçi.

Ndërsa ‘Koha ditore’, bën të ditur se, nëse Marrëveshja nxirret për ratifikim, atëherë vetëm deputetët e Vetëvendosjes dhe LB-së do ta kundërshtojnë atë. Pro saj, do të votojnë edhe dy partitë opozitare, LDK dhe AAK. Kësaj radhe nuk pritet të ketë presion diplomatik, për ta ratifikuar në Kuvend Marrëveshjen e arritur, të premten, në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së, AKR-së dhe partive minoritare pritet të votojnë pro Marrëveshjes së arritur mes dy vendeve, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje dhe ajo për Bashkim kanë paralajmëruar se do të votojnë kundër.

Kryeministri Thaçi gjatë fjalës së djeshme, deklaroi gjithashtu se midis Republikës se Kosovës dhe Republikës së Serbisë, u hap një kapitull i ri bashkëpunimi. Se me nënshkrimin e marrëveshjes, Kosova dhe Serbia u përcaktuan për evropianizimin e rajonit. Kosova ka fituar, Serbia ka fituar dhe rajoni mbi të gjitha ka fituar, ka fituar Bashkimi Evropian, kanë fituar vlera euro-atlantike. Ka fituar opsioni i paqes, stabilitetit dhe integrimit.

Sipas tij, ky nuk ka qenë një proces i lehtë, se ka pasur momente të vështira, por e rëndësishme është që është arritur të shtyhen përpara interesat e qytetarëve dhe vendit. ”Marrëveshja është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet, policia dhe gjyqësia do të funksionojnë me ligjet e Kosovës dhe do të ruhet karakteri unitar i shtetit. Asociacioni i komunave do të funksionojë me ligjet e Kosovës, dhe do të ketë po ato struktura që ka edhe asociacioni aktual tjetër i Kosovës, pa karakter ekzekutiv apo legjislativ apo të pushtetit të tretë”, – ka theksuar Kryeministri Thaçi. Ai shto gjithashtu se, strukturat paralele do të shpërbëhen dhe zgjedhjet lokale do të organizohen në pjesën e dytë të këtij viti, me lehtësimin e OSBE-së dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

‘Tani ne duhet të përqendrohemi në implementimin e marrëveshjes dhe se kemi marrë edhe dje garanci nga NATO që edhe ata do të jenë partner në implementimin e plotë të marrëveshjes’ -ka deklaruar Kryeministri Thaçi. Ai i ka drejtuar po ashtu dhe një mesazh qytetarëve në veri të Kosovës, duke deklaruar se, kjo Marrëveshje është lajm i mirë për të dyja palët, sepse ajo hap perspektivë për qytetarët që të kthehen në pronat e tyre, të lëvizin lirshëm dhe të jetojnë pa frikë. Kryeministri i ka ftuar ato, të mos bien pre e atyre që tash e 14 vite e kanë mbajtur peng gjendjen në veri, e kanë mbajtur peng jetën e tyre, jo për të çuar përpara agjendën politike të vendit, por thjesht për përfitime të ngushta politike, materiale dhe personale. Ai i ftoi gjithashtu  që të mos i frikësohen marrëveshjes, mos t’i frikësohen institucioneve të Kosovës, sepse me shtrirjen e rendit dhe ligjit do të kenë mundësi më të mëdha për investime, zhvillim dhe punësim, por edhe për krijimin e ambientit demokratik dhe shumetnik. i.t/