Ashton: Do njoftohen Shtetet Anëtare mbi progresin Serbi-Kosovë

19

catherine-ashtonPërfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe në të njëjtën kohë Zv. Presidente e Komisionit, Catherine Ashton ka dhënë një deklaratë pas takimit në Bruksel me Kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës, Dacic dhe Thaçi. Ashton ka vlerësuar arritjet e deritanishme në kuadrin e zbatimit të Marrëveshjes së Normalizimit të Marrëdhënieve midis dy vendeve. Shtetet Anëtare do të informohen së shpejti, nga Ashton mbi arritjet konkrete në këtë fushë nga dy vendet përkatëse. 

Pas takimit në Bruksel me Kryeministrin Kosovar Thaçi dhe Kryeministrin serb Dacic, në kuadrin e diskutimeve mbi Zbatimin e Marrëveshjes së Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet dy palëve, Ashton ka deklaruar se është riparë puna e kryer nga të dy palët përgjatë disa javëve mbi elementët kryesorë të Planit të Zbatimit. Ashton ka deklaruar se, është bërë një punë e mirë dhe është arritur një progres konkret.

Ajo theksoi gjithashtu se, të dy Kryeministrat kanë shkuar më tej duke rënë dakord mbi një numër të hapur çështjesh, në veçanti në fushën e drejtësisë, policisë dhe mbi zgjedhjet e ardhshme lokale.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Ashton nënvizoi se, do të informojë Shtetet Anëtare gjatë mbledhjes së javës së ardhshme të Këshillit dhe Këshillit Europian, në lidhje me progresin e Implementimit të Marrëveshjes së Prillit, duke konfirmuar, se janë ndërmarrë hapa konkretë drejt një përmirësimi të dukshëm dhe të vazhdueshëm të marrëdhënieve midis dy palëve.

Ashton ka falënderuar Kryeministrin Thaçi dhe Dacic dhe skuadrat përkatëse për dedikimin e tyre dhe punën e vështirë, duke shpresuar në një progres të mëtejshëm të normalizimit të marrëdhënieve, në të njëjtën vijë me Marrëveshjen e Prillit dhe Planin e tij të Zbatimit.

Arritja e Marrëveshjes së Normalizimit midis dy vendeve, mundësoi hapjen e dritës jeshile për një përafrim të shpejtë drejt strukturave evropiane. Për Serbinë pritet të vendoset data e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE dhe për Kosovën pritet fillimi i negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.