Mbase është koha të zgjoheni Z. Kryeprokuror ?!

16

largea_adriatik-llalla1354533576Nga Eni Kondi

Vetëm pak orë na ndajnë nga hapja e procesit të votimit në mbarë Shqipërinë. Megjithëse fushatat elektorale po mbyllen sot gradualisht, denoncimet për dhunime ligjore, shkelje dhe abuzime kanë tronditur faqet e përditshme të shtypit. Të bën përshtypje, sepse në asnjë shtet normal, nuk mund të ndodh të shikosh, se si media hetuese denoncon për ditë, dhunimet e rënda ligjore dhe nuk kemi as reagimin më të vogël nga institucioni i Prokurorisë.

Z. Kryeprokuror në çdo shtet normal, tashmë zyra e prokurorisë do i kishte dhënë rezultatet e saj. Të paktën do t’i kishte provuar publikut në këtë klimë të acaruar parazgjedhore, se është aty, për të punuar.

Emisioni Fiks Fare po denoncon sistematikisht se, si forca te caktuara në terren po veprojnë në shkelje flagrante të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në shkelje të kodeve dhe ligjeve zgjedhore.

Një administratë e tërë po kërcënohet duke u marrë zvarrë shesheve dhe mitingjeve të radhës. Nëse refuzojnë i transferojnë dhe nëse mungojnë në mitingje, i pushojnë nga puna. Të marrë me zor, të shtrembëruar, të deformuar, pa dëshirën e tyre, janë të detyruar të ngërdheshen përpara asaj që e refuzojnë, por që janë të detyruar ta ndjekin, përpara asaj që e përbuzin, por që buka e gojës i detyron të heshtin. Quhen rëndom skllevër, pavarësisht se askush nuk e qas me dëshirë nëpërkëmbjen e radhës. Po transformohen vullnetet politike, ato qytetare, liria e të mbledhurit dhe të organizuarit, liria e shpirtit dhe e të protestuarit. Një sistem i tërë po zhytet përditë e më shumë, në një deformim ligjor.

Nuk ka më shumë se një javë, kur vetë i akuzuari kryesor për tragjedinë e Gërdecit, Fatmir Mediu ka lëshuar urdhër pushimi punonjësish në grup, sepse kanë munguar në mitingjet e tij.

Kush duhet të mbajë përgjegjësi për këto akte z. Kryeprokuror ? Mbase është koha të zgjoheni !

Po shikojmë përditë, se si shkollat mbyllen dhe fëmijët nxirren në rrugë për të duartrokitur një forcë partiake, në mënyra absurde autoritare. Studentë, gjimnazistë dhe fëmijë në moshë të vogël, i nxjerrin në rrugë, i lënë pa dije atë ditë, sepse duhet të jenë në shërbim të ‘partisë-shtet’.

Kush duhet të mbajë përgjegjësi për këto akte Z. Kryeprokuror ? Mbase është koha të zgjoheni !

Adoleshentë dhe maturantë, që duhet të kalojnë provën e studimeve të tyre, nëpërmjet një procesi ekzaminimi dijesh normal, por ky proces po transformohet, sepse nga njëra anë u bëhet presion të anëtarësohen në një forcë politike dhe nga ana tjetër u ofrohet si këmbim për votë, dhënia e provimeve. Po deformohet një gjeneratë e tërë z. Kryeprokuror, po u mësohet të rinjve, se ç’është paaftësia,  mashtrimi, djallëzia dhe krimi.

Kush duhet të mbajë përgjegjësi për këto z. Kryeprokuror ? Nuk është kurrë vonë të zgjoheni !

Grupe të caktuara, që i përkasin forcave elektorale po denoncohen, se po mbledhin kartat e qytetarëve si letra bixhozi, për të votuar me to ditën e votimit. Disa u jepen lekë në këmbim, disa të tjerëve u kujtohet, se lekët që ushqehen mund t’ua marrin.

Dëshmi live, me zë edhe figurë se, si vota blihej në mes të Metropolit tek dyqanet e “Myslym Shyrit”. Njerëz të varfër, por dinjitozë, njerëz që nuk pranonin të ndryshonin bindjet pavarësisht, se për mbijetesë nuk u thoshin jo të paktave ushqimeve. Njerëz të përulur, nga skamja dhe varfëria, por me një logjikë për tu admiruar, sepse e kuptonin që në këtë sistem padrejtësie jetën dinjitoze ua kishin mohuar.

Kush duhet të mbajë përgjegjësi për tërë këto akte,  z. Kryeprokuror ? Po ofrohen prova pa fund, përditë…..lista zgjedhore të manipuluara, dhunë policore politike e orekstruar……….Populli nuk është kurrë vonë ta dijë, se kur do të jetë koha, që ju do të zgjoheni?!