Eksploziv furgonit në Gjirokastër

policia-gjirokasterNjë sasi eksplozivi ka shpërthyer ditën e sotme në Gjirkoastër, rreth orës 03 :00 të mëngjesit.

Persona ende të paidentifikuar kanë vendosur një sasi eksplozivi një automjeti tip Furgon me targa GJ 8067 A.

Raportohet se mjeti në të cilin ishte vendosur eksplozivi gjendej i parkuar pranë banesës së shtetasit G.L nga Dunavati. Nuk ka viktima ne njerëz, ndërkohë që janë raportuar vetëm dëme materiale.

Policia e cila ka mbërritur në vendngjarje, ka komunikuar se ka filluar hetimet për kapjen dhe identifikimin e autorëve.

PE: Hetim i thelluar mbi programet e survejimit amerikan

european_parliamentKomisioni i Lirive Civile në Parlamentin Europian do të kryejë një hetim të thelluar mbi programet e survejimit amerikan, kryesisht mbi akuzat për përgjim të institucioneve të BE-së dhe për spiunazh. Komisioni duhet të prezantojë rezultatet deri në fund të vitit, sipas një Rezolute të miratuar të enjten e kaluar në PE. Presidenti Martin Schulz dhe presidentët e grupeve kanë konfirmuar formalisht hapjen e hetimeve. Parlamenti kërkon gjithashtu të rrisë mbrojtjen e personave, që denoncojnë këto lloj abuzimesh. 

Në Rezolutën e miratuar me 483 vota pro, 98 kundër dhe 65 abstenime, deputetët kanë shprehur shqetësime serioze në lidhje me programin Prism dhe programet e tjera të survejimit, duke dënuar ashpërsisht, spiunimin e përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe i bëjnë thirrje autoriteteve amerikane, t’iu sigurojnë në afatet e duhura, informacionet në lidhje me këto zbulime.

Parlamenti është i shqetësuar gjithashtu për ekzistencën e programeve të të ngjashëm të survejimit, që ndodhen në disa Shtete Anëtare si Britania e Madhe, Suedia, Hollanda dhe Polonia. Parlamenti i fton ato të marrin në konsideratë pajtueshmërinë e programeve të tilla me të drejtën komunitare.

Hetimi i Komisionit të Lirive Civile

Hetimi i Komisionit të Lirive Civile do të mbledhë informacione dhe prova që vijnë nga shumë burime si amerikane dhe europiane, dhe do të prezantojë këto konkluzione në një Rezolutë në fund të këtij viti. Komisioni do të vlerësojë impaktin e aktiviteteve të supozuara të survejimit, mbi të drejtën e respektit për jetën private dhe ruajtjen e të dhënave të qytetarëve të BE-së, lirinë e shprehjes, prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për një rekurs efektiv.

Deputetët pjesëmarrës në hetim do të prezantojnë rekomandime, që synojnë të pengojnë raste të tilla të ngjashme në të ardhmen dhe të përforcojnë sigurinë informatike të institucioneve, organeve dhe agjencive të Unionit.

Mbrojtja e personave, që denoncojnë abuzime të tilla

Deputetët theksojnë, se është e domosdoshme të krijohen ‘ procedura që i lejojnë informuesit të denoncojnë dhunimet e rënda të të drejtave themelore’ dhe se është e rëndësishme që këtyre personave t’i ofrohet mbrojtja për të cilën ato kanë nevojë, e përfshirë kjo edhe në një nivel ndërkombëtar.

Pezullim i marrëveshjeve mbi të dhënat e pasagjerëve dhe të transfertave bankare

Eurodeputetët ftojnë Komisionin, Këshillin e Ministrave dhe Shtetet Anëtare të synojnë përdorimin e gjithë instrumenteve, që kanë në dispozicion në negociatat me SHBA, duke përshirë edhe pezullimin e marrëveshjeve aktuale mbi të dhënat e dosjeve të pasagjerëve (PNR) apo të programit të survejimit të financimit të terrorizmit (TFTP).

Negociatat tregtare nuk duhet të cenojnë ruajtjen e të dhënave

Normat e Unionit në fushën e ruajtjes së të dhënave nuk duhet të cenohen nga marrëveshja tregtare midis BE dhe SHBA, precizon rezoluta.

Parlamenti fton vendet e BE-së, të përshpejtojnë punët e tyre mbi bashkësinë e propozimeve përkatëse, në lidhje me ruajtjen e të dhënave dhe i kërkon Komisionit dhe autoriteteve amerikane të rimarrin pa vonesë negociatat mbi marrëveshjen, që lidhet me ruajtjen e të dhënave me karakter personal. Marrëveshja finale duhet të sigurojë që qytetarët e BE-së do të kenë akses në sistemin juridik të SHBA-ve njësoj si qytetarët amerikanë, thekson gjithashtu Rezoluta./im.ta/

 

Të plagosurit në kufi me Serbinë jashtë rrezikut

f1_08plag1373266173Personat, të cilët janë plagosur mbrëmë në fshatin Mirofc të Podujevës, në brezin kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, janë ende duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtori i Qendrës Emergjente, Basari Lenjani, ka thënë se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, transmeton Rel.

“Të gjithë të lënduarit nuk kanë treguar shenja të rrezikshmërisë për jetën. Pas ndërhyrjeve kirurgjike, analizave laboratorike, radiologjike dhe konsulencës, dy nga personat janë vendosur për trajtim të mëtutjeshëm në Kliniken e Ortopedisë, ndërsa njëri prej tyre është vendosur në Kliniken e Kirurgjisë Torakale për shkak të lëndimeve. Dy të lënduar të tjerë janë duke qëndruar në kliniken tonë”, ka thënë Lenjani.

Gjashtë të plagosur në kufirin Kosovë – Serbi 

Gjashtë persona janë plagosur mbrëmë me armë zjarri nga xhandarmëria serbe në fshatin Mirofc të Podujevës, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton KTV.
Sipas Policisë së Kosovës, në këtë zonë kufitare ka pasur shkëmbim zjarri në të dyja drejtimet. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se dyshohet të ketë pasur shkëmbim zjarri ndërmjet disa personave që, sipas tij, dyshohet se kanë qenë duke prerë dru në mal.

“Rreth orës 19:40, në fshatin Mirofc të Podujevës, në brezin kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, dyshohet të ketë pasur shkëmbim zjarri në mes të disa personave që kanë qenë duke prerë dru dhe disa personave nga ana tjetër e kufirit. Nga informacionet e pranuara në terren, dyshohet edhe për 6 persona të plagosur nga armët e zjarrit. Të plagosurit janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, ka theksuar Baki Kelani.

Sipas tij, Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me këtë rast. Ndërkaq mediet serbe raportojnë se gjashtë shqiptarë janë plagosur në kufirin Kosovë-Serbi gjatë një konflikti të armatosur me xhandarmërinë serbe.

”Grupi shqiptar ka sulmuar me armë automatike patrullën e xhandarmërisë në territorin e Serbisë, në fshatin Borovac të Kurshumlisë”, ka thënë komandanti i këtij njësiti serb, Bratislav Dikiq.

Ai ka shtuar se në vend të ngjarjes është gjetur një traktor me dru, sharra motorike dhe pjesë të gardërobës, ndërsa për këtë sulm janë informuar EULEX-i dhe KFOR-i./ Koha.net

 

Sulmet Kibernetike: PE miraton aplikimin e sanksione të rënda

cybercrimeProjekt Direktiva mbi sulmet kibernetike pas votimit në Parlamentin Europian javën e kaluar, pritet të miratohet formalisht edhe nga Këshilli. Kiberkriminelët do t’i nënshtrohen sanksioneve më të rënda europiane, konform kësaj Projekt Direktive. Rregullat e reja janë bërë objekt i një marrëveshje midis Shteteve Anëtare, të cilat synojnë të thjeshtësojnë parandalimin e sulmeve kibernetike dhe përforcimin e bashkëpunimit policor dhe juridik në këtë fushë. 

Teksti tashmë i miratuar nga Parlamenti Europian, synon që Shtetet Anëtare të fiksojnë një dënim me burgim maksimal, duke filluar nga minimumi dy vite burgim për krimet e mëposhtme : hyrje ilegale në sistemet e informimit ose ndërhyrja në heshtje në këto sisteme, interferimi në heshtje tek të dhënat, përgjimi ilegal i komunikimeve, ose prodhimi dhe shitja me qëllim i mjeteve të përdorura për të kryer këto krime.

Rastet e vogla janë përjashtuar, por ngelet në kompetencën e çdo shteti anëtar të përcaktojë përkufizimin e rasteve ‘të vogla’. Rezoluta e hartuar nga Monika Hohlmeier (PPE, DE) është adoptuar me 541 vota pro, 91 kundër dhe 9 abstenime.

« Rrjetet Zombie »

Projekt Direktiva do të fusë gjithashtu një dënim me të paktën 3 vite burgim, për përdorim të “rrjeteve Zombie”, që synojnë një kontroll në distancë të një numri të konsiderueshëm kompjuterësh, duke i infektuar nëpërmjet sulmeve të shënjestruara kibernetike. (shën.red. Rrjetet ‘Zombie’ , kanë të bëjnë me infektimin e një sërë kompjuterësh nëpërmjet dërgimeve të programeve të caktuara, të cilat e transformojnë kompjuterin në një Zombie/Mumje. Në këtë moment kompjuteri mund të kryejë detyra automatike në Internet, pa dijeninë tuaj. Kryesisht kriminelët kibernetikë, përdorin Zombie për të infektuar një rrjet kompjuterësh për t’i përdorur më pas, për shpërndarje mesazhesh të padëshirueshme, për shpërndarje virusësh, për sulme kibernetike, etj. Në këtë mënyrë, personat zotërues të kompjuterëve, pa e ditur bëhen bashkëpunëtorë të kriminelëve kibernetikë.)

Sulme ndaj infrastrukturës kritike

Projekt Direktiva parashikon, dënim maksimal me burgim për sulme kundër infrastrukturave kritike, siç janë centralet nukleare, rrjetet e transportit dhe ato qeveritare, duke filluar minimalisht me 5 vite burgim. I njëjti dënim, do të aplikohet nëse një sulm është kryer nga një organizatë kriminale, apo nëse ajo shkakton dëme serioze.

Afat prej 8 orësh për kërkesat urgjente

Pikat e kontaktit të përcaktuara nga Shtetet Anëtare, do t’iu përgjigjen kërkesave urgjente, në një afat prej 8 orësh në rast të sulmeve kibernetike, me synim shndërrimin e bashkëpunimit policor më efikas.

Përgjegjësia e personave moralë

Personat moralë, si psh. ndërmarrjet, do të jenë përgjegjëse për shkeljet e kryera për llogari të tyre (psh. për angazhimin e një pirati informatik me synim pasjen e aksesit në bazën e të dhënave të një konkurrenti) . Dhënia fund e përfitimeve të një avantazhi apo ndihmës publike apo mbyllja e ndërtesës në fjalë, do të jenë sanksionet, që do prekin këto kategori.

Teksti i adoptuar nga PE, do të miratohet së shpejti formalisht edhe nga Këshilli. Direktiva e re ngrihet mbi rregulla, që janë në fuqi që prej 2005. Pas adoptimit, Shtetet Anëtare duhet ta përfshijnë brenda dy viteve në legjislacionin e tyre kombëtar./im.ta/

 

 

 

Rama: Në bregdet do të bëjmë atë çka bëmë me Lanën, në Tiranë

ramaKryeministri i ardhshëm Edi Rama, njëkohësisht dhe deputet i Vlorës ka lajmëruar, se do të bëjë me vijën bregdetare, atë çka bëri me Lanën në Tiranë.

Në një mesazh në Twitter pas takimit me vendorët në qarkun e Vlorës, Rama ka deklaruar :

« Kush ndërton pa leje apo në shkelje të lejes në bregdet duhet të ndalet, sepse pa asnjë dyshim po i çon paratë në det ! Në vijën bregdetare të Shqipërisë do të bëjmë çka bëmë më Lanën në Tiranë !”- ka deklaruar Rama.

Tre vende i ofrojnë azil, njeriut më të kërkuar për momentin Edward Snowden

Edward Snowden
Edward Snowden

Tre vende të Amerikës Latine kanë rritur shpresat tek Edward Snowden për marrjen e azilit. Bolivia, Venezuela dhe Nikaragua janë treguar të gatshme t’i ofrojnë mbrojtje nëpërmjet statusit të azilit humanitar, Snowden.

Snowden gjendet i bllokuar që prej 14 ditësh, në zonën e tranzitit të aeroportit të Moskës.

Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro e ka deklaruar këtë fakt, gjatë festimeve të pavarësisë përpara se homologu i tij Bolivian të bënte këtë gjë.

Pasuesi i Hugo Chavez, ka deklaruar: “Lajmëroj qeveritë e vendeve mike në botë, se ne kemi vendosur t’i ofrojmë azil humanitar të riut Snowden, për ta mbrojtur nga persekutimi i perandorisë më të fuqishme në botë, që është vërsulur kundër tij, një persekutim kundër një të riu që thotë të vërtetën”.

Gjithashtu edhe Nikaragua, ka saktësuar se do të mirëpres Snowden ‘nëse rrethanat e lejonin këtë ».

Snowden, njeriu më i kërkuar për momentin nga SHBA, ka kërkuar azil në rreth 20 vende të ndryshme, i akuzuar për spiunazh dhe cenim të sigurisë kombëtare, pasi bëri publike faktin se si SHBA përgjonin mbarë botën, nëpërmjet një programi gjigant të quajtur PRISM./euronews/

 

 

Braçe: Turpi i KQZ-së, nuk kemi akoma një rezultat zgjedhor

erion-brace-lsa_1Erjon Braçe ka deklaruar nëpërmjet rrjetit social Facebook, se është një turp që edhe dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve, KQZ nuk ka dalë akoma me një rezultat zgjedhor. Braçe e konsideron si turpin e zgjedhjeve në Shqipëri.

« E dini qe: KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE NUK KA NXJERRE ENDE NJE REZULTAT PERFUNDIMTAR TE ZGJEDHJEVE TE 23 QERSHORIT?!!
Dy jave larg nga dita kur shqiptaret votuan NUK KA ENDE NJE REZULTAT ZYRTAR TE VOTES SE SHQIPTAREVE!!

Ky vijon te jete turpi i zgjedhjeve ne Shqiperi!! ,- deklaron deputeti socialist Erjon Braçe.

Sipas ligjit, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, shpallet nga KQZ, brenda 5 ditëve nga shpërndarje e mandateve për çdo zonë zgjedhore.

 

 

CV e Bashës, si CV komunisti që ka kontribuar në LANÇ

basha-olldashiNdërkohë që gara për Kreun e PD-së ka filluar, një vëmendje mediatike kanë marrë edhe CV e dy kandidatëve të hedhura online.

Përveç ndryshimeve që mbartin përballë njëra tjetrës në stil, ku CV e Olldashit kap më shumë formën zyrtare të një CV, ajo e Bashës i përmbahet më tepër stilit letrar përshkrues.

Paralelisht vërehet një detaj, që të kujton një tjetër kohë, atë të meritës së komunistëve mbas luftës, të cilët pothuajse në çdo ‘CV’ për anëtarësim në Partinë Komuniste, apo për të bërë karrierë në ambientet politike, iu vihej në theksim fakti që “ kishin kontribuar për luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare’. Kur sheh këtë CV, krijohet një perceptim paralelizmi ku nëse ‘komunistët kishin kontribuar në luftë për çlirimin e atdheut’, demokratët që kandidojnë përfshihen në të njëjtin stil si “pjesëmarrës aktiv gjatë protestave për ‘rrëzimin e pushtetit”

“Lulzim Basha u angazhua që në dhjetorin e 1990 bashkë me të rinj të tjerë gjimnazistë të Tiranës përkrah studentëve dhe Partisë Demokratike të sapothemeluar. Pjesëmarrës aktiv në protestat para dhe pas zgjedhjeve të Marsit 1991, gjatë zgjedhjeve të 1992…….”

http://perpara.al/lajme/cv-e-kandidatit-pe-kreun-e-partise-demokratike-lulzim-basha

http://perpara.al/lajme/cv-e-kandidatit-per-kreun-e-partise-demokratike-sokol-olldashi

Berisha për PS: “Fali Zot se nuk dinë ç’thonë”

kryeministri-sali-berisha-11Pas thirrjeve të socialistëve për abuzime, që nuk po ndalen nëpërmjet vendimeve qeveritare të njëpasnjëshme, reagon Berisha.

“Te dashur miq, protesta e rrogelarteve ne krye te PS per rritjen nga qeveria te rrogave te ulta 11.3% eshte fytyra e “dhimbsur” e mazhorances se re!!! Fali Zot se nuk dine ç’thone! Sb”,- shkruan Berisha në Facebook.

Vendimi për rritjen e rrogave është një vendim i marrë sipas socialistëve në një moment kur vendi nuk dihet akoma, se në ç’gjendje i ka financat e tij, se nuk dihet akoma në ç’nivel e ka çuar borxhin e jashtëm qeveria Berisha dhe ku mungon transparenca totale mbi këtë situatë.

Majko ka propozuar gjithashtu ngritjen e një Komisioni i cili do të mundësojë transferimin e pushtetit, nëpërmjet një procedure rigoroze, ku do të dokumentohet gjithçka si në format letër, po ashtu edhe në format dixhital. Majko ka shtuar gjithashtu se shpreson që fillimet e Kuvendit të ri, të mos nisin me hetime për falimentim me dashje të financave të shtetit.

Pas reagimeve të socialistëve, ka ardhur edhe kundërpërgjigja nga selia blu nëpërmjet zëdhënëses për shtyp Mëhilli, e cila ka deklaruar se, Rama po bën presion dhe po kërcënon institucionet kushtetuese. Ajo deklaroi edhe njëherë, se vendimet e qeverisë Berisha, janë dhe do të mbeten legjitime deri në shtator.

 

PD: Rama të mos kërcënojë institucionet kushtetuese, Berisha do vazhdojë marrjen e vendimeve

erla-mehilli2Pas reagimeve të Partisë Socialiste dhe liderit të saj Rama, që qeveria të ndalonte marrjen e vendimeve të jashtëligjshme duke abuzuar me pasuritë publike vjen dhe reagimi nga selia blu.

Erla Mëhilli nëpërmjet një deklarate për shtyp ka akuzuar Ramën se po sulmon dhe kërcënon institucionet kushtetuese. Ajo konfirmoi edhe njëherë se Berisha do të rrijë në detyrë dhe do të vazhdojë marrjen e vendimeve dhe detyrën e tij normalisht deri në shtator.

“Këto ditë, zoti Edi Rama, kryetar i mazhorancës së re, ka ndërmarrë sulme dhe kërcënime ndaj institucioneve kushtetuese të vendit, veprimtarisë normale të qeverisë, vendimeve të saj. Lidhur me këto qëndrime, shprehje e një revanshi të papërmbajtur të zotit Rama, sqarojmë se Kushtetuta, me nenet e saj 65; 67; 96; 99, përcakton shumë qartë datën e fillimit dhe mbarimit të mandatit të një mazhorancë dhe kryeministrit të saj.

Kështu, sipas nenit 65 të Kushtetutës, mandati i Kuvendit përfundon të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë dhe data e mbledhjes së parë është data 7 shtator 2009 dhe sipas nenit 67 të saj, Presidenti i Republikës mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës. Pra, Kuvendi i ri nuk mund të mblidhet para datës 7 shtator.

Po kështu, sipas neni 96 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës emëron kryeministrin, pra, pasi mblidhet Kuvendi i ri dhe ky i fundit, sipas nenit 99 të saj, para fillimit të detyrës bën betimin para Presidentit të Republikës, çka do të thotë se mandati i kryeministrit  mbaron pas betimit të pasardhësit të tij. Pra, kjo qeveri ka mandat të plotë Kushtetues  për të ushtruar pushtetin e saj ekzekutiv në zbatim të programit për të cilin është votuar gjer ditën e fillimit të mandatit të mazhorancës së re. Të gjitha vendimet e qeverisë janë dhe do jenë  në përputhje me programin e saj të mandatit që ushtron dhe të bazuara në Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, tha Mëhilli gjatë një konference shtypi.

Mëhilli deklaroi se nuk janë vendimet e Berishës antikushtetuese, por kërcënimet dhe sulmet e Ramës.

“Antikushtetuese dhe dëshmi e revanshit të papërmbajtur janë sulmet, kërcënimet e zotit Rama ndaj institucioneve të vendit. Antikushtetues është pretendimi i tij për qeveri kujdestare. Kushtetuta e Shqipërisë dhe e asnjë vendi në Europë, por dhe thuajse në tërësi, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, nuk njohin e nuk parashikojnë qeveri kujdestare, të lidhura me zhvillimin e zgjedhjeve. Ky kuadër ligjor ekziston i sanksionuar në Kushtetutën e Bangladeshit, e cila 3 muaj para zgjedhjeve  i jep kryesimin e qeverisë kujdestare kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe tepër rrallë në ndonjë vend tjetër, mbi bazë ligjore të përcaktuar mirë.

Kryeministri i kërkon zotit Rama të heqë dorë nga kërcënimet dhe sulmet ndaj institucioneve kushtetuese dhe siguron qytetarët se qeveria në detyrë do vazhdojë normalisht përmbushjen e detyrimeve të saj dhe se Kushtetuta dhe institucionet  e vendit nuk do mund të pengohen, as edhe të ndikohen nga revanshi i papërmbajtur i tij ndaj tyre”,-deklaroi Mëhilli.