Të plagosurit në kufi me Serbinë jashtë rrezikut

11

f1_08plag1373266173Personat, të cilët janë plagosur mbrëmë në fshatin Mirofc të Podujevës, në brezin kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, janë ende duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtori i Qendrës Emergjente, Basari Lenjani, ka thënë se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, transmeton Rel.

“Të gjithë të lënduarit nuk kanë treguar shenja të rrezikshmërisë për jetën. Pas ndërhyrjeve kirurgjike, analizave laboratorike, radiologjike dhe konsulencës, dy nga personat janë vendosur për trajtim të mëtutjeshëm në Kliniken e Ortopedisë, ndërsa njëri prej tyre është vendosur në Kliniken e Kirurgjisë Torakale për shkak të lëndimeve. Dy të lënduar të tjerë janë duke qëndruar në kliniken tonë”, ka thënë Lenjani.

Gjashtë të plagosur në kufirin Kosovë – Serbi 

Gjashtë persona janë plagosur mbrëmë me armë zjarri nga xhandarmëria serbe në fshatin Mirofc të Podujevës, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton KTV.
Sipas Policisë së Kosovës, në këtë zonë kufitare ka pasur shkëmbim zjarri në të dyja drejtimet. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se dyshohet të ketë pasur shkëmbim zjarri ndërmjet disa personave që, sipas tij, dyshohet se kanë qenë duke prerë dru në mal.

“Rreth orës 19:40, në fshatin Mirofc të Podujevës, në brezin kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, dyshohet të ketë pasur shkëmbim zjarri në mes të disa personave që kanë qenë duke prerë dru dhe disa personave nga ana tjetër e kufirit. Nga informacionet e pranuara në terren, dyshohet edhe për 6 persona të plagosur nga armët e zjarrit. Të plagosurit janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, ka theksuar Baki Kelani.

Sipas tij, Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me këtë rast. Ndërkaq mediet serbe raportojnë se gjashtë shqiptarë janë plagosur në kufirin Kosovë-Serbi gjatë një konflikti të armatosur me xhandarmërinë serbe.

”Grupi shqiptar ka sulmuar me armë automatike patrullën e xhandarmërisë në territorin e Serbisë, në fshatin Borovac të Kurshumlisë”, ka thënë komandanti i këtij njësiti serb, Bratislav Dikiq.

Ai ka shtuar se në vend të ngjarjes është gjetur një traktor me dru, sharra motorike dhe pjesë të gardërobës, ndërsa për këtë sulm janë informuar EULEX-i dhe KFOR-i./ Koha.net