PE: Hetim i thelluar mbi programet e survejimit amerikan

48

european_parliamentKomisioni i Lirive Civile në Parlamentin Europian do të kryejë një hetim të thelluar mbi programet e survejimit amerikan, kryesisht mbi akuzat për përgjim të institucioneve të BE-së dhe për spiunazh. Komisioni duhet të prezantojë rezultatet deri në fund të vitit, sipas një Rezolute të miratuar të enjten e kaluar në PE. Presidenti Martin Schulz dhe presidentët e grupeve kanë konfirmuar formalisht hapjen e hetimeve. Parlamenti kërkon gjithashtu të rrisë mbrojtjen e personave, që denoncojnë këto lloj abuzimesh. 

Në Rezolutën e miratuar me 483 vota pro, 98 kundër dhe 65 abstenime, deputetët kanë shprehur shqetësime serioze në lidhje me programin Prism dhe programet e tjera të survejimit, duke dënuar ashpërsisht, spiunimin e përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe i bëjnë thirrje autoriteteve amerikane, t’iu sigurojnë në afatet e duhura, informacionet në lidhje me këto zbulime.

Parlamenti është i shqetësuar gjithashtu për ekzistencën e programeve të të ngjashëm të survejimit, që ndodhen në disa Shtete Anëtare si Britania e Madhe, Suedia, Hollanda dhe Polonia. Parlamenti i fton ato të marrin në konsideratë pajtueshmërinë e programeve të tilla me të drejtën komunitare.

Hetimi i Komisionit të Lirive Civile

Hetimi i Komisionit të Lirive Civile do të mbledhë informacione dhe prova që vijnë nga shumë burime si amerikane dhe europiane, dhe do të prezantojë këto konkluzione në një Rezolutë në fund të këtij viti. Komisioni do të vlerësojë impaktin e aktiviteteve të supozuara të survejimit, mbi të drejtën e respektit për jetën private dhe ruajtjen e të dhënave të qytetarëve të BE-së, lirinë e shprehjes, prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për një rekurs efektiv.

Deputetët pjesëmarrës në hetim do të prezantojnë rekomandime, që synojnë të pengojnë raste të tilla të ngjashme në të ardhmen dhe të përforcojnë sigurinë informatike të institucioneve, organeve dhe agjencive të Unionit.

Mbrojtja e personave, që denoncojnë abuzime të tilla

Deputetët theksojnë, se është e domosdoshme të krijohen ‘ procedura që i lejojnë informuesit të denoncojnë dhunimet e rënda të të drejtave themelore’ dhe se është e rëndësishme që këtyre personave t’i ofrohet mbrojtja për të cilën ato kanë nevojë, e përfshirë kjo edhe në një nivel ndërkombëtar.

Pezullim i marrëveshjeve mbi të dhënat e pasagjerëve dhe të transfertave bankare

Eurodeputetët ftojnë Komisionin, Këshillin e Ministrave dhe Shtetet Anëtare të synojnë përdorimin e gjithë instrumenteve, që kanë në dispozicion në negociatat me SHBA, duke përshirë edhe pezullimin e marrëveshjeve aktuale mbi të dhënat e dosjeve të pasagjerëve (PNR) apo të programit të survejimit të financimit të terrorizmit (TFTP).

Negociatat tregtare nuk duhet të cenojnë ruajtjen e të dhënave

Normat e Unionit në fushën e ruajtjes së të dhënave nuk duhet të cenohen nga marrëveshja tregtare midis BE dhe SHBA, precizon rezoluta.

Parlamenti fton vendet e BE-së, të përshpejtojnë punët e tyre mbi bashkësinë e propozimeve përkatëse, në lidhje me ruajtjen e të dhënave dhe i kërkon Komisionit dhe autoriteteve amerikane të rimarrin pa vonesë negociatat mbi marrëveshjen, që lidhet me ruajtjen e të dhënave me karakter personal. Marrëveshja finale duhet të sigurojë që qytetarët e BE-së do të kenë akses në sistemin juridik të SHBA-ve njësoj si qytetarët amerikanë, thekson gjithashtu Rezoluta./im.ta/