Kerry do të nënshkruajë traktatin e armëve

john_kerryZyrtarët amerikanë kanë thënë se sekretari i shtetit, John Kerry, do të nënshkruajë sot traktatin historik, i cili rregullon tregtinë globale të armëve.

Duke folur në kushte anonimiteti, zyrtarët kanë thënë se nënshkrimi do të bëhet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ky hap do ta vinte administratën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, në kundërshtim me lobin e fuqishëm të armëve dhe disa ligjvënës që janë kundër traktatit.

SHBA-të janë eksportuesi më i madh i armëve në botë dhe nënshkrimi i saj është parë si vendimtar për suksesin e traktatit.

Traktati, i miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në muajin prill, është nënshkruar nga 86 vende, por jo edhe nga eksportuesit e mëdhenj të armëve, si Rusia dhe Kina.

Aderimi i SHBA-së në traktat do të kërkonte miratimin e Senatit.

Tirana, “shuplakë” nga disiplina

tirona-fanaticsKlubi i Tiranës pëson edhe një “shuplakë” tjetër. Kësaj here jo nga ndonjë ekip apo padi nga ndonjë futbollist, por nga Komisioni i Disiplinës. Klubi bardheblu është dënuar me gjobë, por edhe futbollisti kroat Vedran Gerc është pezulluar me 5 ndeshje, pasi ai goditi gjatë ndeshjes në Shkodër kundërshtarin e Vllaznisë, Rajoviç. Ditë të vështira këto për Tiranën, për klubin më të suksesshëm në futbollin shqiptar, plot 24 herë kampion i vendit. “Lojtari i KF ‘Tirana’, Vedran Gerc, për goditje të lojtarit kundërshtar dënohet me 5 ndeshje pezullim nga aktivitetet. KF ‘Tirana’, për koret fyese të spektatorëve, me pasojë ndërprerjen e përkohshme të lojës, dënohet me 50.000 lekë gjobë”. Këto janë dy vendimet që Komisioni i Disiplinës ka marrë karshi klubit tiranas.
GERC
Klubi i Tiranës nuk do të apelojë vendimin e dënimit të futbollistit kroat Vedran Gerc, madje vetë klubi bardheblu e ka pezulluar lojtarin në fjalë për një afat të papërcaktuar, duke e gjobitur me 10 mijë euro, për shkelje të rregullores, si dhe për veprimin antisportiv ndaj kundërshtarit. Sulmuesi kroat ka luajtur vetëm 15 minuta në takimin ndaj Vllaznisë në Shkodër dhe është ndëshkuar me karton të kuq, pasi ka goditur me qëllim malazezin Rajoviç, i cili është habitur nga veprimi i Gerc. Tirana e humbi atë ndeshje, duke ia faturuar humbjen jo pak edhe këtij veprimi. Aventura e kroatit duket se ka përfunduar ende pa filluar. Duket se do të jetë lojtari i huaj me minutazhin më të paktë që është aktivizuar ndonjëherë në kampionatin shqiptar. Por gjërat për Gercin mund të shkojnë edhe më keq, pasi ndaj tij është ngritur padi në prokurori, pasi gjesti i tij ka qenë i qëllimshëm. Kroati është justifikuar me faktin se Rajoviç e ka sharë nga nëna, por ky duket një justifikim banal për Disiplinën dhe klubin e Tiranës.
PRESIDENCA
Ecuria jo e mirë e Tiranës në 4 javët e para, ku është shënuar vetëm një gol, edhe ai me 11-metërsh, ka detyruar donatorët e rinj të klubit bardheblu të bëjnë një analizë të gjendjes. Presidenti Ndriçim Babasi, ndryshe nga sa pritej, nuk ka bërë kritika të forta, madje i ka dhënë besimin trajnerit Nevil Dede për ndeshjet në vijim. Babasi ka kërkuar që ndaj Teutës të vijë kthesa, pasi në të kundërt situata do të rëndohej dhe nuk është aspak normale që Tirana të jetë në të tilla pozita në klasifikimin e përgjithshëm. Merkatoja e vonë dhe jo shumë cilësore, dëmtimet e shumta, si dhe problemet e fillimit me financat kanë ndikuar jo pak, prandaj donatorët i kanë lënë kohë skuadrës të reagojë. Trajneri Dede do të mundohet të ndryshojë situatën që në ndeshjen e radhës, edhe pse do të jetë e vështirë, pasi Tirana do të përballet në Durrës me Teutën. Skuadra kryeson dhe në shtëpi është e fortë, por Tirana mbetet Tiranë.

Fidel Ylli: Ramës, ia bëra të qartë se nuk e lë mandatin për ministër

fidel-ylliDeputeti i qarkut të Beratit, Fidel Ylli, në një intervistë për “Panorama” shprehet se bazuar në premtimet e bëra gjatë fushatës, ai dhe elektorati kanë pritshmëri të mëdha nga qeveria “Rama”.
Lidhur me nismën për lënien e mandatit të deputetit nga ana e ministrave, e përcaktuar edhe në Kodin e Etikës, Ylli thotë se nëse do të kishte ofertë për ministër, nuk do ta linte mandatin e deputetit. Sipas tij, detyrimi që ka për votuesit dhe banorët e qarkut të Beratit nuk do ta lejonin atë që të hiqte dorë nga mandati. Lidhur me emërimet e ministrave, Ylli shprehet se as ai dhe as Grupi Parlamentar nuk u konsultuan për emrat që Kryeministri Rama caktoi. Ndarjen mes qeverisë dhe Grupit Parlamentar, deputeti socialist e sheh si një mundësi ku grupi i deputetëve të jetë më kërkues dhe në vëzhgim të plotë të punës së kabinetit qeverisës. Si kryetari i grupit të punës i programit për Sportin, deputeti socialist, i angazhuar maksimalisht dhe gjatë fushatës, shprehet se do të kërkojë realizimin e plotë të programit, pasi këtë ia ka premtuar zgjedhësve të tij.
Zoti Ylli, ju jeni deputet i qarkut të Beratit. Si e vlerësoni rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit për qarkun e Beratit?
Unë nuk do ta vlerësoja rezultatin e qarkut të Beratit si rezultat vetëm të PS, pasi krahasuar me vitin 2009 kemi 5 mijë vota më shumë, pra nga 38 mijë, sot kemi 43 mijë vota si PS. Por unë do ta marr rezultatin me aleatët, pasi ndërsa vendosëm të qeverisim me aleatët, nuk ka vlerë që ne të dilnim mirë si PS, por të qëndronim në opozitë, siç ndodhi dhe në vitin 2009. Nuk është njëlloj ta kesh LSI-në kundërshtare, të jetë parti më vete, dhe ta kesh pjesë të strategjisë të fitores tënde. Kjo kërkon një strategji të re të fushatës ndryshe nga viti 2009 dhe në këtë mënyrë ne e ndërtuam fushatën si ekip. Unë nuk kisha arsye të merresha me LSI, siç bëmë më 2009-n, kur një sherr i G99-s me PS bëri që ne për 267 vota të humbnim deputetin e pestë. Kjo gjë nuk ndodhi në këtë fushatë dhe LSI bashkë me të vetët, ne me tanët, bëmë maksimumin që të merrnim sa më shumë vota dhe t’i ruanim votat njëri-tjetrit. Kështu ia arritëm të merrnim 6 deputetë. Po të kishim qenë më të koordinuar, mund të merrnim dhe deputetin e shtatë.
Në këtë këndvështrim, ne jemi në qarqet e para që kemi marrë mbi 72% si aleatë. Ne kemi marrë 6 deputetë bashkë me aleatët për shkak të kësaj strategjie në koalicion.
Por ndërkohë LSI me dy deputetë në qarkun e Beratit mori një post ministror, ndërsa PS nuk ka përfaqësim në qeveri nga ky qark. Ka një nonsens?
Kjo varet nga perceptimi i Kryeministrit se si do ta ndërtojë qeverinë. Mirë do të ishte që të kishim përfaqësim, por e përsëris, kjo është një çështje e trajnerit që organizon skuadrën. Jo të gjithë deputetët mund të bëhen ministra, por janë këta deputetë që e bënë Edi Ramën Kryeministër. Ne do të jemi pjesë e programit qeverisës që ua kemi premtuar dhe shqiptarëve. Dikush do kontribuojë si ministër, dikush si deputet, tjetri si kryetar komisioni e të tjerë si socialistë të thjeshtë. Kështu do bëjmë që vendi të qeveriset.
Gjatë tryezave për zbërthimin e programit ju jeni betuar para qytetarëve se do ta linit mandatin nëse programi i PS për sportin nuk zbatohet. Ju nuk u bëtë ministër. U përmbaheni këtyre angazhimeve?
Nuk është e thënë që në PS duhet të jesh ministër për të zbatuar programin. PS ka bërë një program me një grup njerëzish specialistë të fushës që të gjithë jetën ia kanë përkushtuar sportit të përzgjedhur nga unë, me të cilët kemi organizuar tryeza të shumta për këtë program, nga Prishtina në Athinë, për t’i thënë politikës shqiptare në këta 22 vjet se sporti nuk duhet harruar më nga programet qeverisëse. Nga programi ynë u detyrua dhe Berisha apo dhe Jozefina Topalli të bëjë premtime për sportin, duke e bërë sportin pjesë të debatit politik në fushatë. Unë jam optimist se me praninë apo pa praninë time në qeveri, programi për sportin, i cili është i studiuar mirë, ka një kosto të përllogaritur të bëhet realitet. Sporti nuk është çështje parash, por çështje vizioni. Sportin në programin tonë e shohim si garë, kulturë fizike, si argëtim, si arritje disiplinash, si punësim, sepse ne synojmë emërimin e 162 mësuesve të edukimit fizik çdo vit në shkolla, duke bërë të mundur që për 9 vjet të shtohen 1200 djem dhe vajza që mbarojnë Universitetin e Sporteve dhe më vijnë këtu në lokal për të kërkuar punë si kamerierë apo marrin rrugët e emigrimit. Ne do ta bëjmë realitet këtë program, dhe ky program është aset i PS. Këto ditë ne kemi qenë në kontakt direkt me ministren e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikollën, me grupin e punës, për të bërë strukturat e Ministrisë për zbatimin e këtij programi.
Jeni i vetmi që thoni se ka një kosto të përllogaritur ky program. Sa shkon kjo paketë për zhvillimin e sporteve në Shqipëri?
Paketat janë të veçanta. Ajo që është e rëndësishme është shtimi i 162 mësuesve të rinj të edukimit fizik në të gjitha shkollat e vendit, që bashkë me trajtimet e tyre shkon në 1.5 milionë dollarë në vit. Nuk e di nëse 1.5 milionë dollarë në vit është ndonjë rëndesë e madhe për buxhetin e shtetit, por do të vëmë në eficiencë palestrat e shkollave, do ndryshojmë cilësinë e jetës së të rinjve, klasat sportive, do largojmë të rinjtë nga droga dhe alkooli dhe do rrisim aktivitetin sportiv në jetën e rinisë shqiptare duke gjallëruar dhe mendjen e tyre. Buxheti i shtetit i dha 30 mijë dollarë delegacionit olimpik shqiptar për në Londër më 30 gusht, kur Lojërat Olimpike kishin mbaruar më 8 gusht. Ky është absurd i madh. As për imazhin e vendit qeveria e shkuar nuk punoi.
A do të jeni gardian i këtij programi?
Unë vërtet kam dhënë një premtim gjatë fushatës zgjedhore, dhe personalisht nuk më intereson as mandati i deputetit nëse nuk realizohen këto premtime. Sepse Edi Rama ka ardhur me ne në të gjitha rrethet e vendit dhe u ka thënë të gjithëve të marrin shembull nga programi i sportit dhe do të shihni impaktin që do të japë ky program për të rritur gjallërinë sportive të rinisë shqiptare.
Ministrat e rinj do ta lënë mandatin e deputetit. Sipas jush, është një kjo një humbje pavarësie e ministrit në veprimtarinë e tij?
Kjo nuk ka të bëjë me deputetin, kjo ka të bëjë me filozofinë e një kryeministri për kabinetin e tij. Unë kam qenë kundër kësaj nisme, dhe kjo ka qenë nga arsyet që kur e kam dëgjuar, kam dhënë mendimin tim duke thënë se mes zgjedhjes deputet apo ministër, unë do të preferoja të isha deputet. Unë do të doja të isha në zonën ku më kanë votuar, të interesohesha dhe të sillja investime për zonën time, për shkolla, rrugë, shërbime, ambulanca dhe për të rregulluar nivelin e jetesës së atyre banorëve. Pavarësisht se Rama nuk ia propozoi askujt prej deputetëve nëse do të jetë ose jo ministër, ky ka qenë një vendim i vetë zotit Rama se cili do të jetë ministri i tij, por në një bisedë që kemi bërë, unë e kam bërë të qartë se nëse do të më bënte ministër, unë nuk do të hiqja dorë nga mandati i deputetit. Mandati i deputetit, duke qenë dhe ministër, do më mbante të lidhur me zonën dhe banorët e vuajtur të atij qarku, pasi u kam premtuar shumë gjëra.
Pritshmëritë tuaja dhe të banorëve të qarkut të Beratit janë të mëdha për qeverinë e re?
Pritshmëritë janë të mëdha, Kryeministri ka dhënë fjalën se do ta kthejë vëmendjen për të bërë rrugën Lushnjë-Berat e më pas rrugën Berat-Skrapar. Premtimi i Kryeministrit Rama është që në të gjithë qarkun e Beratit do të ketë investime si një zonë që ka vlera të jashtëzakonshme, me Beratin 2004-vjeçar, i mbrojtur dhe nga UNESKO, me Bogovën që është një perlë, ka malin e Tomorrit që më 20-25 gusht mbledh 200 mijë njerëz, ka kanionet e Çorovodës, ku mungojnë rrugët për të shkuar atje. Ne kërkojmë që dhe Tre Urat të lidhet me Çorovodën dhe Beratin e ku më pas del dhe në Elbasan e Tiranë. Ne jemi në pritje që të kthehet vëmendja e qeverisë drejt qarkut të Beratit.

Raportuesi i ri i Shqipërisë në PE: Propozojmë ta merrni statusin kandidat

beEurodeputeti kroat, Nikola Vuljaniç u zgjodh raportues i Parlamentit Europian për Shqipërinë. Vuljaniç, i cili është anëtar i laburistëve kroatë, Partia e Punës, u zgjodh në këtë detyrë nga Komiteti i politikës së jashtme të Parlamentit Europian. Në takimin e djeshëm me gazetarët, Vuljaniç njoftoi se është zgjedhur si raportues për Shqipërinë në vend të grekut Nikolaos Kuntis, i cili u tërhoq nga kjo detyrë “për arsye të gjendjes së brendshme politike (në Greqi)”. Në komunikimin e tij me mediat, eurodeputeti kroat tha mes të tjerash se “gëzohem, që arrita këtë detyrë, dhe që do të ndihmoj Shqipërinë, e cila ka kaluar përmes një transformimi të madh, po të kemi parasysh sa e izoluar jetonte në regjimin komunist, dhe para pak kohësh për herë të parë pati zgjedhje demokratike”, – tha ai.
STATUSI
Në komunikimin e tij me gazetarët, eurodeputeti kroat, Nikola Vuljaniç bëri të ditur se për shkak të atmosferës pozitive që ekziston mes kolegëve të tij në raport me Shqipërinë, pritet që në rezolutën e ardhshme të Parlamentit Europian të propozohet që vendi ynë të marrë statusin kandidat në BE. “Kam folur me kolegët dhe tek të gjithë ka një atmosferë pozitive kundrejt Shqipërisë. Të njëjtën gjë mendon edhe Komisioni Europian dhe ndaj në rezolutën e ardhshme të Parlamentit Europian do të propozojmë që vendi të marrë statusin e kandidatit për anëtar në Bashkimin Europian”, – deklaroi Vuljaniç. Ai, pas zgjedhjes si eurodeputet u përfshi në grupin e të majtës europiane dhe të majtës së gjelbër nordike, megjithëse më parë si vëzhgues në Parlamentin Europian ishte pjesë e grupit të socialistëve dhe të demokratëve. Kryeministri, Edi Rama por edhe ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati në prononcimet e tyre të fundit për mediat janë shprehur optimistë për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian në muajin dhjetor të këtij viti. Të njëjtët garanci ka dhënë ndërkohë edhe ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha. Rama gjithashtu, në një intervistë të dhënë për “euronews” pak ditë më parë shprehu ambicien e anëtarësimit të Shqipërisë në BE brenda 10 viteve të ardhshme.

Durrës, arrestohet arkitekti i Bashkisë, i dënuar në Itali

policia...Arrestohet për llogari të drejtësisë italiane arkitekti i Bashkisë së Durrësit, Adlei Likmeta.

Burime nga policia e qytetit bregdetar bëjnë të ditur se 34-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi është dënuar nga drejtësia italiane me 17 vjet burg, nën akuzën e trafikut të qenieve njerëzore dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.

Mësohet se arrestimi i Likmetës është kryer paraditen e sotme në zyrat e Bashkisë së Durrësit, ku arkitekti ishte paraqitur si çdo ditë për të nisur punën.

Lazarat, të shtëna armësh, plagosen 2 vetë

kanabis2Të shtëna armësh u dëgjuan në Lazarat mbrëmjen e sotme, ku u plagosën edhe dy persona. Mësohet se të plagosurit janë, S. Kolla 15 vjeç dhe Fotaq Ksera, nipi i ish-ministrit Spiro Kserës.

Mësohet se plumbat i kanë kapur gabimisht dy të rinjtë dhe se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Dy adoleshentët ishin bashkë në momentin kur u plagosën.

Dy të lënduarit janë nga fshati Derviçan, i cili është shumë pranë Lazaratit. Nga ana tjetër, kultivuesit e kanabisit qëllojnë shpesh herë me armë për të mbrojtur plantacionet.

Gjyqtarët e “21 janarit”, të ndarë për vendimin

21-janariVendimi i Gjykatës së Apelit për 21 janarin ka sjellë një valë të re reagimesh të opinionit publik në lidhje me besueshmërinë e drejtësisë dhe gjyqtarëve.

“Top-Channel” ka mësuar se edhe vetë trupi gjykues ka qenë përfshirë në mos në debate, në mendime të ndryshme në lidhje me vendimin për të akuzuarit e kësaj çështjeje, Ndrea Prendin dhe Agim Llupon.

Gjykata doli javën e kaluar me një vendim ku rrëzonte pretendimet e Prokurorisë dhe riklasifikonte akuzën nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”. Por vendimi nuk ka qenë unanim.

Gjyqtarja Evgjeni Sinojmeri ka votuar kundër dy kolegëve të saj të treshes gjykuese, Agim Bendo dhe Ervin Metalla. Sinojmeri ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë për pafajësi dhe qëndrimin e Bendos dhe Metallës për “vrasje nga pakujdesia”, duke mbështetur Prokurorinë për akuzën e vrasjes me dashje.

 

MB përzgjedh policët e rinj të qarkullimit

saimir tahiriMinistria e Brendshme njofton se ka zëvendësuar punonjësit e shkarkuar të Policisë Rrugore me staf të ri dhe të kualifikuar.

Përzgjedhja e punonjësve të rinj në shërbimin e Policisë Rrugore të Tiranës është bërë nga një komision i përbërë nga drejtues të lartë dhe me eksperiencë të Policisë Rrugore, duke pasur parasysh disa kritere kryesore.

Deri tani efektivi i Komisariatit të Policisë Rrugore në kryeqytet është rinovuar me 6 oficerë të Rolit të Parë Drejtues dhe me 53 oficerë të Rolit të Parë Zbatues. Më ndryshimet e bëra, mosha mesatare e këtij komisariati është ulur nga 47.4 vjeç që ishte deri dje, në 33.2 vjeç.

Për nga arsimimi, oficerët e Rolit të Parë Drejtues janë të gjithë me arsim të Lartë në Akademinë e Rendit Publik dhe disa me arsim të lartë jopolicor në degët si: Inxhinieri mekanike, juridik, psikologji etj.

Që prej ditës së sotme të gjithë efektivat e rinj janë pajisur edhe me bazën e nevojshme materiale, përfshirë jeleket fosforeshentë dhe kanë nisur me ritëm të mirë punën sipas një plani masash për reduktimin e aksidenteve dhe ofrimin e një shërbimi cilësor për qytetarët.

Kriteret përzgjedhëse:

1. Arsimin dhe për përgatitjen e tyre profesionale, me njohuri të përgjithshme për detyrat, organizimin dhe funksionimin e Policisë së Shtetit;

2. Vlerësimet e treguesve të punës për çdo punonjës në sektorin apo komisariatin ku kanë punuar deri tani;

3. Përgatitjen fizike dhe moshën e re, për t’ju përshtatur sa më mirë ngarkesës së punës në trafikun rrugor;

4. Barazinë gjinore, duke shtuar një numër të caktuar të policeve femra në këtë shërbim.

Janinë, fëmijët gjejnë 43 000 euro teksa po luanin

femije qe luajneNjë grup fëmijësh kanë gjetur një çantë me euro, teksa ishin duke luajtur në një ndërtesë të braktisur në qytetin e Janinës, në veriperëndim të Greqisë. Mësohet se fëmijët zbuluan 43 000 euro, që i përkisnin një 80-vjeçare i kishte fshehur në ndërtesë.

“Paratë ishin fshehur në një çantë, që fëmijët, pas 10 vjetësh, e hapën rastësisht duke luajtur në ndërtesën e braktisur”, theksoi policia.

Policia zbuloi se thesari i përkiste një 83-vjeçareje, pronare e ndërtesës, ku ajo kishte fshehur kursimet e saj tre vjet më parë për shkak të krizës financiare.

Tetëdhjetëvjeçarja u shpreh se nuk i kujtohej me saktësi shuma. Kriza ekonomike, që ka goditur Greqinë që nga viti 2010, ka çuar shumë grekë të tërheqin kursimet e tyre nga bankat e vendit.

SHBA, Rama takim me Bill dhe Hilari Klinton

24-shtator-Rama-Clinton-Thaci-1024x768Kryeministri i vendit Edi Rama gjatë qëndrimit të tij në Amerikë është takuar edhe me ish presidentin Bill Klinton dhe gruan e tij Hilari Klinton. Rama deklaron në profilin e tij në rrjetin social Facebook, se ka zhvilluar një takim emocionues me dy miq të mëdhenj të Shqipërisë.

“Mengjez i bukur ne New York. Bisede e ngrohte me Sekretaren Klinton,takim emocionues me Presidentin Klinton.Dy miq te medhenj te Shqiperise”,- shkruan Rama.

Kryeministri Rama është takuar edhe me homologun kosovar Hashim Thaçi ku projektet e përbashkëta me interes reciprok, për të dy shtetet ishin dhe fokusi i bisedimeve.

 

.