Fidel Ylli: Ramës, ia bëra të qartë se nuk e lë mandatin për ministër

23

fidel-ylliDeputeti i qarkut të Beratit, Fidel Ylli, në një intervistë për “Panorama” shprehet se bazuar në premtimet e bëra gjatë fushatës, ai dhe elektorati kanë pritshmëri të mëdha nga qeveria “Rama”.
Lidhur me nismën për lënien e mandatit të deputetit nga ana e ministrave, e përcaktuar edhe në Kodin e Etikës, Ylli thotë se nëse do të kishte ofertë për ministër, nuk do ta linte mandatin e deputetit. Sipas tij, detyrimi që ka për votuesit dhe banorët e qarkut të Beratit nuk do ta lejonin atë që të hiqte dorë nga mandati. Lidhur me emërimet e ministrave, Ylli shprehet se as ai dhe as Grupi Parlamentar nuk u konsultuan për emrat që Kryeministri Rama caktoi. Ndarjen mes qeverisë dhe Grupit Parlamentar, deputeti socialist e sheh si një mundësi ku grupi i deputetëve të jetë më kërkues dhe në vëzhgim të plotë të punës së kabinetit qeverisës. Si kryetari i grupit të punës i programit për Sportin, deputeti socialist, i angazhuar maksimalisht dhe gjatë fushatës, shprehet se do të kërkojë realizimin e plotë të programit, pasi këtë ia ka premtuar zgjedhësve të tij.
Zoti Ylli, ju jeni deputet i qarkut të Beratit. Si e vlerësoni rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit për qarkun e Beratit?
Unë nuk do ta vlerësoja rezultatin e qarkut të Beratit si rezultat vetëm të PS, pasi krahasuar me vitin 2009 kemi 5 mijë vota më shumë, pra nga 38 mijë, sot kemi 43 mijë vota si PS. Por unë do ta marr rezultatin me aleatët, pasi ndërsa vendosëm të qeverisim me aleatët, nuk ka vlerë që ne të dilnim mirë si PS, por të qëndronim në opozitë, siç ndodhi dhe në vitin 2009. Nuk është njëlloj ta kesh LSI-në kundërshtare, të jetë parti më vete, dhe ta kesh pjesë të strategjisë të fitores tënde. Kjo kërkon një strategji të re të fushatës ndryshe nga viti 2009 dhe në këtë mënyrë ne e ndërtuam fushatën si ekip. Unë nuk kisha arsye të merresha me LSI, siç bëmë më 2009-n, kur një sherr i G99-s me PS bëri që ne për 267 vota të humbnim deputetin e pestë. Kjo gjë nuk ndodhi në këtë fushatë dhe LSI bashkë me të vetët, ne me tanët, bëmë maksimumin që të merrnim sa më shumë vota dhe t’i ruanim votat njëri-tjetrit. Kështu ia arritëm të merrnim 6 deputetë. Po të kishim qenë më të koordinuar, mund të merrnim dhe deputetin e shtatë.
Në këtë këndvështrim, ne jemi në qarqet e para që kemi marrë mbi 72% si aleatë. Ne kemi marrë 6 deputetë bashkë me aleatët për shkak të kësaj strategjie në koalicion.
Por ndërkohë LSI me dy deputetë në qarkun e Beratit mori një post ministror, ndërsa PS nuk ka përfaqësim në qeveri nga ky qark. Ka një nonsens?
Kjo varet nga perceptimi i Kryeministrit se si do ta ndërtojë qeverinë. Mirë do të ishte që të kishim përfaqësim, por e përsëris, kjo është një çështje e trajnerit që organizon skuadrën. Jo të gjithë deputetët mund të bëhen ministra, por janë këta deputetë që e bënë Edi Ramën Kryeministër. Ne do të jemi pjesë e programit qeverisës që ua kemi premtuar dhe shqiptarëve. Dikush do kontribuojë si ministër, dikush si deputet, tjetri si kryetar komisioni e të tjerë si socialistë të thjeshtë. Kështu do bëjmë që vendi të qeveriset.
Gjatë tryezave për zbërthimin e programit ju jeni betuar para qytetarëve se do ta linit mandatin nëse programi i PS për sportin nuk zbatohet. Ju nuk u bëtë ministër. U përmbaheni këtyre angazhimeve?
Nuk është e thënë që në PS duhet të jesh ministër për të zbatuar programin. PS ka bërë një program me një grup njerëzish specialistë të fushës që të gjithë jetën ia kanë përkushtuar sportit të përzgjedhur nga unë, me të cilët kemi organizuar tryeza të shumta për këtë program, nga Prishtina në Athinë, për t’i thënë politikës shqiptare në këta 22 vjet se sporti nuk duhet harruar më nga programet qeverisëse. Nga programi ynë u detyrua dhe Berisha apo dhe Jozefina Topalli të bëjë premtime për sportin, duke e bërë sportin pjesë të debatit politik në fushatë. Unë jam optimist se me praninë apo pa praninë time në qeveri, programi për sportin, i cili është i studiuar mirë, ka një kosto të përllogaritur të bëhet realitet. Sporti nuk është çështje parash, por çështje vizioni. Sportin në programin tonë e shohim si garë, kulturë fizike, si argëtim, si arritje disiplinash, si punësim, sepse ne synojmë emërimin e 162 mësuesve të edukimit fizik çdo vit në shkolla, duke bërë të mundur që për 9 vjet të shtohen 1200 djem dhe vajza që mbarojnë Universitetin e Sporteve dhe më vijnë këtu në lokal për të kërkuar punë si kamerierë apo marrin rrugët e emigrimit. Ne do ta bëjmë realitet këtë program, dhe ky program është aset i PS. Këto ditë ne kemi qenë në kontakt direkt me ministren e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikollën, me grupin e punës, për të bërë strukturat e Ministrisë për zbatimin e këtij programi.
Jeni i vetmi që thoni se ka një kosto të përllogaritur ky program. Sa shkon kjo paketë për zhvillimin e sporteve në Shqipëri?
Paketat janë të veçanta. Ajo që është e rëndësishme është shtimi i 162 mësuesve të rinj të edukimit fizik në të gjitha shkollat e vendit, që bashkë me trajtimet e tyre shkon në 1.5 milionë dollarë në vit. Nuk e di nëse 1.5 milionë dollarë në vit është ndonjë rëndesë e madhe për buxhetin e shtetit, por do të vëmë në eficiencë palestrat e shkollave, do ndryshojmë cilësinë e jetës së të rinjve, klasat sportive, do largojmë të rinjtë nga droga dhe alkooli dhe do rrisim aktivitetin sportiv në jetën e rinisë shqiptare duke gjallëruar dhe mendjen e tyre. Buxheti i shtetit i dha 30 mijë dollarë delegacionit olimpik shqiptar për në Londër më 30 gusht, kur Lojërat Olimpike kishin mbaruar më 8 gusht. Ky është absurd i madh. As për imazhin e vendit qeveria e shkuar nuk punoi.
A do të jeni gardian i këtij programi?
Unë vërtet kam dhënë një premtim gjatë fushatës zgjedhore, dhe personalisht nuk më intereson as mandati i deputetit nëse nuk realizohen këto premtime. Sepse Edi Rama ka ardhur me ne në të gjitha rrethet e vendit dhe u ka thënë të gjithëve të marrin shembull nga programi i sportit dhe do të shihni impaktin që do të japë ky program për të rritur gjallërinë sportive të rinisë shqiptare.
Ministrat e rinj do ta lënë mandatin e deputetit. Sipas jush, është një kjo një humbje pavarësie e ministrit në veprimtarinë e tij?
Kjo nuk ka të bëjë me deputetin, kjo ka të bëjë me filozofinë e një kryeministri për kabinetin e tij. Unë kam qenë kundër kësaj nisme, dhe kjo ka qenë nga arsyet që kur e kam dëgjuar, kam dhënë mendimin tim duke thënë se mes zgjedhjes deputet apo ministër, unë do të preferoja të isha deputet. Unë do të doja të isha në zonën ku më kanë votuar, të interesohesha dhe të sillja investime për zonën time, për shkolla, rrugë, shërbime, ambulanca dhe për të rregulluar nivelin e jetesës së atyre banorëve. Pavarësisht se Rama nuk ia propozoi askujt prej deputetëve nëse do të jetë ose jo ministër, ky ka qenë një vendim i vetë zotit Rama se cili do të jetë ministri i tij, por në një bisedë që kemi bërë, unë e kam bërë të qartë se nëse do të më bënte ministër, unë nuk do të hiqja dorë nga mandati i deputetit. Mandati i deputetit, duke qenë dhe ministër, do më mbante të lidhur me zonën dhe banorët e vuajtur të atij qarku, pasi u kam premtuar shumë gjëra.
Pritshmëritë tuaja dhe të banorëve të qarkut të Beratit janë të mëdha për qeverinë e re?
Pritshmëritë janë të mëdha, Kryeministri ka dhënë fjalën se do ta kthejë vëmendjen për të bërë rrugën Lushnjë-Berat e më pas rrugën Berat-Skrapar. Premtimi i Kryeministrit Rama është që në të gjithë qarkun e Beratit do të ketë investime si një zonë që ka vlera të jashtëzakonshme, me Beratin 2004-vjeçar, i mbrojtur dhe nga UNESKO, me Bogovën që është një perlë, ka malin e Tomorrit që më 20-25 gusht mbledh 200 mijë njerëz, ka kanionet e Çorovodës, ku mungojnë rrugët për të shkuar atje. Ne kërkojmë që dhe Tre Urat të lidhet me Çorovodën dhe Beratin e ku më pas del dhe në Elbasan e Tiranë. Ne jemi në pritje që të kthehet vëmendja e qeverisë drejt qarkut të Beratit.