MB përzgjedh policët e rinj të qarkullimit

17

saimir tahiriMinistria e Brendshme njofton se ka zëvendësuar punonjësit e shkarkuar të Policisë Rrugore me staf të ri dhe të kualifikuar.

Përzgjedhja e punonjësve të rinj në shërbimin e Policisë Rrugore të Tiranës është bërë nga një komision i përbërë nga drejtues të lartë dhe me eksperiencë të Policisë Rrugore, duke pasur parasysh disa kritere kryesore.

Deri tani efektivi i Komisariatit të Policisë Rrugore në kryeqytet është rinovuar me 6 oficerë të Rolit të Parë Drejtues dhe me 53 oficerë të Rolit të Parë Zbatues. Më ndryshimet e bëra, mosha mesatare e këtij komisariati është ulur nga 47.4 vjeç që ishte deri dje, në 33.2 vjeç.

Për nga arsimimi, oficerët e Rolit të Parë Drejtues janë të gjithë me arsim të Lartë në Akademinë e Rendit Publik dhe disa me arsim të lartë jopolicor në degët si: Inxhinieri mekanike, juridik, psikologji etj.

Që prej ditës së sotme të gjithë efektivat e rinj janë pajisur edhe me bazën e nevojshme materiale, përfshirë jeleket fosforeshentë dhe kanë nisur me ritëm të mirë punën sipas një plani masash për reduktimin e aksidenteve dhe ofrimin e një shërbimi cilësor për qytetarët.

Kriteret përzgjedhëse:

1. Arsimin dhe për përgatitjen e tyre profesionale, me njohuri të përgjithshme për detyrat, organizimin dhe funksionimin e Policisë së Shtetit;

2. Vlerësimet e treguesve të punës për çdo punonjës në sektorin apo komisariatin ku kanë punuar deri tani;

3. Përgatitjen fizike dhe moshën e re, për t’ju përshtatur sa më mirë ngarkesës së punës në trafikun rrugor;

4. Barazinë gjinore, duke shtuar një numër të caktuar të policeve femra në këtë shërbim.