Tirana, “shuplakë” nga disiplina

18

tirona-fanaticsKlubi i Tiranës pëson edhe një “shuplakë” tjetër. Kësaj here jo nga ndonjë ekip apo padi nga ndonjë futbollist, por nga Komisioni i Disiplinës. Klubi bardheblu është dënuar me gjobë, por edhe futbollisti kroat Vedran Gerc është pezulluar me 5 ndeshje, pasi ai goditi gjatë ndeshjes në Shkodër kundërshtarin e Vllaznisë, Rajoviç. Ditë të vështira këto për Tiranën, për klubin më të suksesshëm në futbollin shqiptar, plot 24 herë kampion i vendit. “Lojtari i KF ‘Tirana’, Vedran Gerc, për goditje të lojtarit kundërshtar dënohet me 5 ndeshje pezullim nga aktivitetet. KF ‘Tirana’, për koret fyese të spektatorëve, me pasojë ndërprerjen e përkohshme të lojës, dënohet me 50.000 lekë gjobë”. Këto janë dy vendimet që Komisioni i Disiplinës ka marrë karshi klubit tiranas.
GERC
Klubi i Tiranës nuk do të apelojë vendimin e dënimit të futbollistit kroat Vedran Gerc, madje vetë klubi bardheblu e ka pezulluar lojtarin në fjalë për një afat të papërcaktuar, duke e gjobitur me 10 mijë euro, për shkelje të rregullores, si dhe për veprimin antisportiv ndaj kundërshtarit. Sulmuesi kroat ka luajtur vetëm 15 minuta në takimin ndaj Vllaznisë në Shkodër dhe është ndëshkuar me karton të kuq, pasi ka goditur me qëllim malazezin Rajoviç, i cili është habitur nga veprimi i Gerc. Tirana e humbi atë ndeshje, duke ia faturuar humbjen jo pak edhe këtij veprimi. Aventura e kroatit duket se ka përfunduar ende pa filluar. Duket se do të jetë lojtari i huaj me minutazhin më të paktë që është aktivizuar ndonjëherë në kampionatin shqiptar. Por gjërat për Gercin mund të shkojnë edhe më keq, pasi ndaj tij është ngritur padi në prokurori, pasi gjesti i tij ka qenë i qëllimshëm. Kroati është justifikuar me faktin se Rajoviç e ka sharë nga nëna, por ky duket një justifikim banal për Disiplinën dhe klubin e Tiranës.
PRESIDENCA
Ecuria jo e mirë e Tiranës në 4 javët e para, ku është shënuar vetëm një gol, edhe ai me 11-metërsh, ka detyruar donatorët e rinj të klubit bardheblu të bëjnë një analizë të gjendjes. Presidenti Ndriçim Babasi, ndryshe nga sa pritej, nuk ka bërë kritika të forta, madje i ka dhënë besimin trajnerit Nevil Dede për ndeshjet në vijim. Babasi ka kërkuar që ndaj Teutës të vijë kthesa, pasi në të kundërt situata do të rëndohej dhe nuk është aspak normale që Tirana të jetë në të tilla pozita në klasifikimin e përgjithshëm. Merkatoja e vonë dhe jo shumë cilësore, dëmtimet e shumta, si dhe problemet e fillimit me financat kanë ndikuar jo pak, prandaj donatorët i kanë lënë kohë skuadrës të reagojë. Trajneri Dede do të mundohet të ndryshojë situatën që në ndeshjen e radhës, edhe pse do të jetë e vështirë, pasi Tirana do të përballet në Durrës me Teutën. Skuadra kryeson dhe në shtëpi është e fortë, por Tirana mbetet Tiranë.