Raportuesi i ri i Shqipërisë në PE: Propozojmë ta merrni statusin kandidat

14

beEurodeputeti kroat, Nikola Vuljaniç u zgjodh raportues i Parlamentit Europian për Shqipërinë. Vuljaniç, i cili është anëtar i laburistëve kroatë, Partia e Punës, u zgjodh në këtë detyrë nga Komiteti i politikës së jashtme të Parlamentit Europian. Në takimin e djeshëm me gazetarët, Vuljaniç njoftoi se është zgjedhur si raportues për Shqipërinë në vend të grekut Nikolaos Kuntis, i cili u tërhoq nga kjo detyrë “për arsye të gjendjes së brendshme politike (në Greqi)”. Në komunikimin e tij me mediat, eurodeputeti kroat tha mes të tjerash se “gëzohem, që arrita këtë detyrë, dhe që do të ndihmoj Shqipërinë, e cila ka kaluar përmes një transformimi të madh, po të kemi parasysh sa e izoluar jetonte në regjimin komunist, dhe para pak kohësh për herë të parë pati zgjedhje demokratike”, – tha ai.
STATUSI
Në komunikimin e tij me gazetarët, eurodeputeti kroat, Nikola Vuljaniç bëri të ditur se për shkak të atmosferës pozitive që ekziston mes kolegëve të tij në raport me Shqipërinë, pritet që në rezolutën e ardhshme të Parlamentit Europian të propozohet që vendi ynë të marrë statusin kandidat në BE. “Kam folur me kolegët dhe tek të gjithë ka një atmosferë pozitive kundrejt Shqipërisë. Të njëjtën gjë mendon edhe Komisioni Europian dhe ndaj në rezolutën e ardhshme të Parlamentit Europian do të propozojmë që vendi të marrë statusin e kandidatit për anëtar në Bashkimin Europian”, – deklaroi Vuljaniç. Ai, pas zgjedhjes si eurodeputet u përfshi në grupin e të majtës europiane dhe të majtës së gjelbër nordike, megjithëse më parë si vëzhgues në Parlamentin Europian ishte pjesë e grupit të socialistëve dhe të demokratëve. Kryeministri, Edi Rama por edhe ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati në prononcimet e tyre të fundit për mediat janë shprehur optimistë për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian në muajin dhjetor të këtij viti. Të njëjtët garanci ka dhënë ndërkohë edhe ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha. Rama gjithashtu, në një intervistë të dhënë për “euronews” pak ditë më parë shprehu ambicien e anëtarësimit të Shqipërisë në BE brenda 10 viteve të ardhshme.