Nano: Jam si kokrra e mollës

fatos nanoPrej disa ditësh në rrjetet sociale qarkullon lajmi se ish-Kryeministri, Fatos Nano ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Lajmi flet për një aksident me makinë.

Në të vërtetë e gjitha kjo është një sajim. Vetë ish-Kryeministri ka reaguar duke thënë se, “është si kokrra e mollës”.

“Gëzuar Kurban Bajramin…! Kur të mësojnë shqipen zyrtare shpellarët e blogjeve, edhe mund të ‘sëmurem’. Deri atëherë jam si kokrra e mollës! Kurban sitet!”, ka pohuar Nano për GSH.

 

 

Eurocopteri, zhdukja enigmatike e pajisjes me vlerë 758 mijë euro

1378285037‘DITA’ INVESTIGIM

Batërdia  me tenderin e helikopterëve, mungojnë 758 mijë euro pajisje. Zyrtarë të lartë të Bazës Ajrore të Farkës denoncojnë se një nga helikopterët e kontratës me “Eurocopter”, edhe pse është paguar i plotë nuk ka mbërritur i pajisur me paketën mjekësore, që veç dëmit ekonomik e bën atë jofunksional. Oficerët që nuk firmosën kontratën me shkelje u transferuan, ndërsa drejtues të Ushtrisë dhe të operacionit të blerjes mohojnë të kenë dijeni.

Një paketë me vlerë mbi 758 mijë euro mungon në helikopterin “Cougar” që Shqipëria bleu me bujë nga kompania franceze “Eurocopter”. Në mënyrë të çuditshme paratë janë paguar edhe për këtë pjesë, pa të cilën, specialistët thonë se helikopteri nuk është funksional. Skandali ka “ngrënë” disa koka oficerësh në bazën e helikopterëve në Farkë, dhe sipas një denoncimi dërguar nga major Agim Manaj për ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, arsyeja për largimet nga detyra ishte mospranimi i tyre për të firmosur si të përmbushur kontratën, të cilës i mungonte paketa 758 mijë euro. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi dhe drejtori i Modernizimit në Ministrinë e Mbrojtjes, Baki Bala, që ka vepruar në këtë rast si përfaqësues i palës blerëse, mohojnë të kenë dijeni rreth kësaj çështje, edhe pse sipas Manajt, i pari është njoftuar me letër, ndërsa i dyti rezulton personi që ka firmosur kontratën si të përmbushur. Sipas dokumenteve që zotëron investigim.al dhe informacioneve nga një ushtarak që kërkoi të mbetej anonim, mungesa e paketës ishte arsyeja pse pranimi i helikopterit u vonua më shumë se 2 muaj (nga prilli në korrik 2013). Të paktën dy oficerë të lartë që refuzuan të firmosin pranimin e helikopterit u larguan nga detyrat që mbanin dhe u zëvendësuan me personat, që sipas burimit, morën në dorëzim paketën mjekësore “Kit for Medevak” e cila nuk ekziston. Manaj, në letrën dërguar ministres Kodhelli, të cilën e disponojmë flet për dëme deri në 1.7 milionë euro që i janë shkaktuar Shqipërisë në ekzekutimin e kontratës për helikopterët nga ish-drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes.
Mbërritja në bazë
Helikopteri “Cougar AS 532 Medevak” mbërriti në Tiranë pasditen e 25 prillit, ku u prit në një ceremoni zyrtare nga krerët më të lartë të Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së kohës. Por ndryshe nga sa u tha publikisht, helikopteri me vlerë 14 milionë e 479 mijë e 897 euro nuk mund ta përmbushë misionin e tij në rast se nuk ka në bord pajisjen “Kit for Medevak” (komplet mjekësor). Debati për këtë kuti pajisjesh, i përcaktuar edhe në një dokument me qarkullim të kufizuar të NATO-s ka nisur menjëherë pas mbërritjes së helikopterit në Shqipëri. Një grup ushtarakësh, pjesë e komisionit të ngritur për pritjen e mallit (helikopter dhe komplet pajisjesh) ka firmosur një procesverbal sipas të cilit merr në dorëzim “Kitin Medevak”, vlera e saktë e të cilit është758 mijë e 25 euro. Por investigim.al mësoi se ish-drejtuesit e Bazës Ajrore të Farkës informuan eprorët e tyre se ky komplet pajisjesh nuk ekziston dhe për këtë arsye helikopteri nuk mund të merret në dorëzim. Nga ana tjetër, një dokument zyrtar me emërtimin “Procesverbal për pritje malli” tregon se një komision i përbërë nga gjashtë ushtarakë, më 25 prill 2013 ka marrë në dorëzim kompletin e pajisjeve “Kit for Medevac” të helikopterit “Cougar AS 532 Medevak”. “Komisioni prezent kontrolloi Kit Medeva (kompleti i pajisjeve) për pamjen e jashtme dhe gjendjes faktike, dhe konstatojmë se nuk ka dëmtime dhe se është i rregullt, i cili merret në dorëzim me fletë-hyrjen …..”,- thuhet në procesverbal. Komisioni kryesohet nga kolonel Frederik Beltoja (tashmë gjeneral) dhe përbëhet edhe nga pesë ushtarakë të tjerë: nënkolonel Kuto Hasani, nënkolonel Pëllumb Sevdari, major Skerdilajd Zavalani dhe kapiten Çlirim Plaku, ky i fundit është i vetmi që nuk e ka firmosur procesverbalin. Në këtë dokument bie në sy mungesa e numrit të fletë-hyrjes për kompletin mjekësor, i cili është pse është marrë në dorëzim, nuk ka një numër të përcaktuar në fletë-hyrjen për magazinimin e pajisjeve mjekësore.

faksimile 1     Faksimile e Procesverbalit per makazinimin e Helikopterit, mbajtur ne daten 10 korrik 2013 ok

Ku avulluan  paisjet?
Investigim.al ka hulumtuar mbi këtë çështje duke siguruar një sërë provash shkresore dhe dëshmi, të cilat pavarësisht se ndryshojnë nga njëra-tjetra tregojnë se kompleti i pajisjeve mjekësore nuk ka mbërritur asnjëherë në Shqipëri. Një dokument që investigim.al disponon tregon se helikopteri “Cougar AS 532 Medevak” edhe pse ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit pasditen e 25 prillit të vitit 2013, dhe po atë ditë është marrë në dorëzim, ai është magazinuar në Bazën e Helikopterëve Farkë vetëm më 10 korrik të këtij viti. Sipas dokumentit, rezulton se procesverbali për pritje malli është firmosur nga nënkoloneli Altin Lamaj dhe shefi i Logjistikës, Agim Manaj, i cili më pas do të denonconte në Ministrinë e Mbrojtjes mungesën e kompletit të pajisjeve mjekësore. Procesverbali nuk është firmosur nga shefi i shëndetësisë, major Astrit Mezuraj për arsye ende të panjohura. Por, duke iu referuar të njëjtit procesverbal rezulton se nga kontrolli i mallrave të ardhura në dokumentacionin shoqërues u konstatua mungesa e një artikulli. “Gjatë kontrollit të mallrave të ardhura në dokumentacionin shoqërues “Airborne Kit lot de bord Aircraft” u konstatua se artikulli “MCP KIT FOR TRAININ”, 1 copë mungon. Nuk ka ardhur me helikopterin, ndërsa një copë tjetër është vendosur në helikopterin AS532”,- thuhet në dokumentin e firmosur nga dy prej tre anëtarëve të komisionit që bënë magazinimin e helikopterit “Cougar AS 532 Medevak”. Por në këtë dokument nuk thuhet asgjë për pajisjet mjekësore të cilat bëjnë funksional helikopterin, i cili sipas specialistëve të kontaktuar, vihet në përdorim vetëm në rastet e emergjencave mjekësore e natyrore. “Gjatë kësaj kohe, nga 25 prilli deri më 10 korrik, pra disa ditë pas zgjedhjeve të 23 qershorit në Repartin Ushtarak të Farkës ka pasur një luftë të brendshme për marrjen në dorëzim të helikopterit dhe kompletit të pajisjeve mjekësore”, – thotë oficeri i lartë që u kontaktua nga investigim.al. Ish-zyrtari i kësaj baze ushtarake tha për investigim.al, se refuzimi i tij për të marrë në dorëzim helikopterin për shkak të mungesës së “Kitit Medevak” solli edhe transferimin e tij dhe të disa oficerëve. Ai akuzon drejtues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, të cilët urdhëruan disa lëvizje në radhët e drejtuesve të kësaj baze ushtarake për të mundësuar pranimin e helikopterit pavarësisht problemeve. Një tjetër ushtarak, ish-shefi i Logjistikës në Bazën Ajrore Farkë, major Agim Manaj, i cili ka firmosur në procesverbalin për magazinimin e helikopterit, gjithashtu është transferuar, pasi kishte denoncuar skandalin tek eprorët e tij.  “…si shpërblim për këtë mora largimin nga pozicioni i punës”, – shkruan majori Manaj, në një letër që i ka bërë ministres aktuale së Mbrojtjes.

Denoncimi te ministri i ri

Në të njëjtën letër, të datës 23 shtator 2013, majori Manaj informon ministren lidhur me problematikën që shfaqet në kontratën për blerjen e pesë helikopterëve nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Një prej çështjeve të prekura në letër është edhe mungesa e kompletit mjekësor të helikopterit “Cougar AS 532 Medevak”. “Helikopteri ‘Cougar AS 532’ me numër anësor 632, i dyti i mbërritur në Shqipëri, është marrë në hyrje jo në mënyrë të rregullt sipas dokumentacionit shoqërues”, – thotë ndër të tjera majori i larguar nga detyra. Sipas tij, ky helikopter me vlerë rreth 15 milionë euro është në versionin “Medevac”, por që në fakt nuk ka lidhje me këtë version. “Në faturën shoqëruese është shënuar “KIT FOR MEDEVAC”, por këto pajisje nuk kanë mbërritur asnjëherë edhe pse kërkohet të tejkalohet si veprim, të cilin e kundërshtova sërish në mënyrë përfundimtare, pasi mungojnë 758 mijë e 25 euro, duke mos dhënë informacion për vendndodhjen e “Kit For Medevac”,- thuhet në denoncimin e major Agim Manaj. Më tej ai shkruan se ky komplet pajisjesh është faturuar nga pala kontraktore, këmbëngulje që me detyrim të merret hyrje nga ana jonë. “Për këtë arsye janë hartuar një sërë dokumentesh për tiu kërkuar se nuk mund të merrej hyrje helikopteri sipas faturës së vënë në dispozicion, pasi mungon tërësisht “Kit For Medevac” me vlerë 758 mijë e 25 euro”, – thotë majori. Sipas tij, për këtë problematikë është vënë në dijeni në fillim të muajit qershor sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, komandanti dhe zv.komandanti i Forcës Ajrore, si dhe komandanti i Bazës Ajrore për shkeljet flagrante.

letra 2

Gjenerali ngre supet

Pas këtij denoncimi që ka mbërritur në zyrën e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, investigim.al kontaktoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Xhemal Gjunkshin, i cili i  pyetur për këtë çështje, tha se nuk mund të fliste për diçka që nuk kishte informacion. “Nuk mund të prononcohem dhe të jap informacion për një çështje për të cilën nuk kam dijeni. Unë ju falënderoj për interesimin tuaj, por për këtë çështje mund të kontaktoni me drejtorin e Modernizmit në Ministrinë e Mbrojtjes”, – tha z.Gjunkshi, duke iu përgjigjur interesimit të investigim.al.  Gjithashtu, u kontaktua edhe me drejtorin e Modernizmit në Ministrinë e Mbrojtjes, Baki Bala, i akuzuar nga Manaj në letrën për Kodhelin. Bala ka firmosur faturën (një kopje të së cilës ne e zotërojmë) për marrjen në dorëzim të Helikopterit “Cougar AS 532 Medevak” në cilësinë e blerësit, por ai mohoi të kishte informacion për mungesën e kompletit të pajisjeve mjekësore. “Nuk jam unë personi i duhur për këtë çështje. Ju e keni gabim informacionin. Ju lutem, por nuk duhet të më kontaktoni mua për këtë çështje”, – tha drejtori i Modernizmit në Ministrinë e Mbrojtjes, Baki Bala. Një foto e brendisë së helikopterit, që iu vu në dispozicion investigim.al nga një prej burimeve, tregon se në bordin e helikopterit me vlerë 15 milionë euro janë vetëm disa barela dhe asgjë tjetër. Personat që na kanë vënë në dispozicion këtë fotografi thonë se helikopteri “Cougar” nuk disponon asnjë nga pajisjet mjekësore për të cilat janë paguar mbi 758 mijë euro nga ana e shtetit shqiptar. Për këtë çështje investigim.al kontaktoi edhe me ministren e Mbrojtjes, znj.Mimi Kodheli, të cilës i kërkoi informacion lidhur me denoncimet zyrtare për mungesën e kompletit të pajisjeve mjekësore, por nuk mori përgjigje prej saj. Në një e-mail dërguar zyrës së shtypit të Partisë Socialiste (pasi na u tha se ministrja e Mbrojtjes nuk ka ende një zyrë shtypi), investigim.al kërkoi informacione lidhur me rastin, por nuk mori përgjigje edhe pse u njoftua se ministres i ishin dorëzuar pyetjet.

Faksimile e Procesverbalit per marrjen ne dorezim te Kitit Medevak ndryshe kompet pajisjesh mjekesore ok

Një mungesë e çuditshme

Pajisjet që i mungojnë helikopterit janë ndërkohë një kërkesë e Agjencisë së Standartizimit në NATO, e cila u referohet atyre me përshkrimin “Pajisje mjekësore të rekomanduara për evakuimet aeromjekësore”. Në këtë dokument përcaktohen një sërë mjetesh dhe aparaturash të cilat duhet të jenë pjesë e çdo mjeti fluturues që ka si funksion evakuimin aeromjekësor. Duke qenë se Shqipëria është pjesë e Atlantikut të Veriut që prej vitit 2008, helikopteri i blerë për qëllime mjekësore duhet të kishte pjesë të tijën: respiratorin, ventilatorin manual, burimin e oksigjenit, sistemin e shpërndarjes së oksigjenit, pajisje për injeksione, si dhe një sërë pajisjesh, aparaturash dhe medikamentesh që duhet të ishin pjesë e kompletit mjekësor me vlerë mbi 758 mijë euro. Ndër to, pajisjet më të rëndësishme janë: defribrilator-kardioskop, monitori shumëparametërsh (ECG, okzimetër, presioni i gjakut jo invaziv, rrahjet e zemrës, temperature) si dhe respiratori pneumatik ose elektrik. Por këto pajisje, përveçse në dokumentin e NATO-s nuk përmenden askund tjetër, madje edhe në procesverbalin për pritjen e kompletit mjekësor që drejtuesit e Bazës Ushtarake të Farkës kanë mbajtur në Aeroportin e Rinasit më 25 prill 2013. Madje, këto aparatura nuk u përmenden aspak as në ceremoninë e zhvilluar me rastin e mbërritjes së helikopterit “Cougar AS 532 Medevak”, ku morën pjesë ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Xhemal Gjunkshi, si dhe një sërë zyrtarësh e ushtarakësh të tjerë të lartë. Sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, referuar ceremonisë së pritjes së helikopterit, ndër të tjera thuhet se helikopterët “Cougar” janë nga më modernët dhe operojnë në të gjitha kushtet meteorologjike, ditën dhe natën, në misione të vështira, operacione luftarake,  si dhe në mbështetje të Forcave Tokësore apo Detare. “Cougar, AS 532 AL” është i pajisur me një sërë pajisjesh të veçanta të cilat bëjnë të mundur që ky helikopter të përdoret më së miri për transportim të plagosurish. Ekuipazhi minimal: VFR: 1 pilot; IFR: 2 pilotë. Evakuimi i të plagosurve: 6 barela dhe 11 ndenjëse për pacientët ose stafin mjekësor”,- thuhet në përshkrimin e helikopterit, por pa përmendur asnjë prej pajisjeve mjekësore që ky helikopter duhet të kishte. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, helikopteri “Cougar”, “Medevac” i Forcës Ajrore Shqiptare me numër anësor FA632, është helikopter i tipit shumë-rolësh. “Në variantin e prokuruar nga Ministria e Mbrojtjes, “Medevac” do të përdoret kryesisht për transport të plagosurish, 6 pacientë të sistemuar në barela, por mund të përdoret në rast nevoje edhe për transport trupash (deri në 24 trupa pa pajime), transport ngarkesash (CARGO) deri në 3000 kg, (ngarkesë të brendshme), etj.”,- thuhet në njoftim.

 

Helikopteri   pamje e brendshme helikopteri

Dogana: Kompania Atllas shkelje ligjore ndaj shtetit, në dëmin 118 milionë lekë

spiropaliDrejtoria e Përgjithshme e Doganave ka njoftuar për mediet se subjekti “Atllas” sh.p.k, me status të “magazinës fiskale”, ka asgjësuar në kundërshtim flagrant me Ligjin 61/2012 “Per Akcizat në Republikën e Shqipërisë” si dhe me VKM 612, date 05.09.2012 për dispozitat zbatuese të këtij ligji, 1850 ton melase (lëndë e parë për prodhimin e alkoolit) pa praninë dhe kontrollin e autoriteteve doganore, sipas një njoftimi zyrtar të Doganave.

Për këtë veprim të kundërligjshëm është marrë tashmë vendimi për pagesën 101.182.500 si detyrim akcize i munguar si dhe penaliteti përkatës.

Gjithashtu, më datë 09.10.2013, gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat e specializuara ne fushën e akcizës të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në magazinën fiskale të subjektit “Atllas” sh.p.k. u gjetën diferenca të theksuara midis deklarimit të subjektit dhe mallit fakt.

Ndër të tjera, rezultoi se mbi 9300 litra alkool anhider janë hedhur për konsum në mënyrë të paligjshme duke shmangur detyrimin e akcizës në shumën 4.204.350 lekë. Për këtë shkelje të dytë subjekti është penalizuar në shumën 16.871.400 leke (detyrim i munguar dhe penalitet). Totali i penaliteteve për këto dy shkelje te konstatuara arin ne rreth 118 milion lekë. Personeli doganor përgjegjës për mbikëqyrjen e magazinave fiskale është pezulluar si dhe po vazhdojnë hetimet për nxjerrjen e përgjegjësive administrative apo penale te tyre.

Meta, bashkëpunimi me Ramën deri sa Shqipëria të futet në BE

Edi-Rama-Ilir-Meta-konference-ok.-565x354Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në një intervistë për emisionin ‘Tonight’ të Ilva Tares, i është përgjigjur shumë pyetjeve në lidhje me bashkëpunimin aktual me PS, mbi ambiciet dhe ndryshimet e tij politike. Ai deklaron, se bashkëpunimi do të vazhdojë përtej 2 mandateve qeverisëse dhe deri kur Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së.

Ilva Tare – Mirëmbrëma me këtë prezantim që e pritët me buzëqeshje, sidomos pjesën e muajit të mjaltit me zotin Rama! Sa do të zgjasë?

Ilir Meta – Me buzëqeshje kam pritur çdo koment tuajin dhe të televizionit tuaj!

Ilva Tare – Sa do të zgjasë mjalti?

Ilir Meta – Cili mjaltë?

Ilva Tare – Mjalti i bashkëpunimit të frytshëm dhe me buzëqeshje me Kryeministrin Rama.

Ilir Meta – Ju e dini që marrëveshja e Shkodrës është një marrëveshje strategjike, që do të thotë se i ka të gjitha mundësitë për të zgjatuar, të paktën, për aq kohë sa Shqipëria të bëhet anëtare  e BE-së.

Ilva Tare – A keni ndonjë afat se kur mund të bëhet Shqipëria anëtare e BE-së?

Ilir Meta – Sipas objektivave të mia kjo është diçka tjetër dhe nuk varet vetëm nga unë apo nga LSI-ja, qoftë nga ne të gjithë, por edhe nga Bashkimi Europian.

Ilva Tare – Por ne kemi një pritshmëri, kemi një datë tentative?

Ilir Meta – Patjetër. Ne edhe në marrëveshjen e Shkodrës angazhohemi brenda dy mandateve.

Ilva Tare – Brenda dy mandateve. Pra, tetë vjet bashkëqeverisje me Ramën?

Ilir Meta – Diçka e tillë.

Ilva Tare – Zgjedhjet do ta vërtetojnë këtë, sepse do të kemi zgjedhje pas katër vjetësh. Zoti Meta, a keni një pakt me Edi Ramën?

Ilir Meta – Ne kemi një marrëveshje të qartë, marrëveshje publike, një marrëveshje që është votuar edhe më 23 qershor.

Ilva Tare – Po lexoja opinionet e analistëve, të gjithë kanë vlerësime për ju dhe për rezultatet që keni marrë më 23 qershor. Shkullaku deklaronte pak para se të kishin përfunduar zgjedhjet që ju jeni kryeministri në pritje. A di ndonjë gjë Shkullaku, apo analistët e tjerë, që nuk e di publiku?

Ilir Meta – Unë nuk mund të komentoj vlerësimet e analistëve të ndryshëm, kam konsiderata për to. Pak më parë ju kujtova një bisedë që kemi bërë së bashku te “Rogneri”, ku unë kontestoja rezultatet e sondazheve të “Ora News”-it. Gjithmonë kam respekt për mendimin e analistëve, të gazetarëve dhe të gazetareve.

Ilva Tare – Përtej respektit, por ambicien për të qenë kryeministër së shpejti?

Ilir Meta – Mendoj se kam një detyrë shumë të nderuar, të cilën do të përpiqem ta bëj me përgjegjësi maksimale. Natyrisht, ky koalicion e ka një Kryeministër, i cili gëzon mbështetjen time të plotë dhe të LSI-së. Ndërsa aludimet e gazetarëve janë pjesë e demokracisë.

Ilva Tare – Më lejoni ta filloj me pyetjen që kisha përgatitur, përpara se biseda të rridhte në këtë mënyrë. Jeni shfaqur në këtë sezon të ri të politikës shqiptare më elegant dhe jo vetëm në kuptimin fizik, por edhe në mënyrën sesi po moderoni parlamentin. Keni një gjuhë lutëse, gati për bashkëpunim. Një komunikim që nuk është parë prej vitesh me opozitën në parlament, ia lini fjalën me pash, sa herë të dojë opozita e ka këtë garanci prej jush. I keni dhënë zonjës Topalli një zyrë në parlament. Ka komente që nuk dihet nëse i takon apo jo, por do të doja që ju të na sqaronit. Në zyrën tuaj mbani edhe foton e Presidentit Nishani, edhe foton e Ismail Qemalit që vendosi zoti Rama. Së fundmi keni thënë se duhet rivlerësuar edhe Enver Hoxha si figurë e këtij vendi. Kujt i flisni me këtë gjuhë zoti Meta, shqiptarëve, apo? Kujt?

Ilir Meta – Sigurisht që unë ju flas shqiptarëve në radhë të parë, sepse çdo komunikim tjetër që i tejkalon ata është i pavlerë dhe pa një produkt afatgjatë në politikë. Unë besoj se kemi ardhur në një moment që pas 23 vjetësh pluralizëm, tranzicion, demokraci, për të ngritur zhvillimet politike, institucionale në një stad tjetër, edhe ekonomike, patjetër, duhet një performim i modelit tonë ekonomik, sepse nuk mund të vazhdojmë si deri tani e të gjitha këto besoj se fillojnë nga parlamenti, aty ku qytetarët shqiptarë përfaqësohen të gjithë përmes votës së tyre sipas forcave dhe individëve që kanë zgjedhur. Unë jam i angazhuar që parlamenti të jetë një model i një funksionimi demokratik dhe në interes të qytetarëve dhe publikut.

Ilva Tare – Nuk ka qenë i drejtuar në mënyrë demokratike?

Ilir Meta – Unë nuk doja të thosha këtë. Përkundrazi, dua të nënvizoj që jemi në një moment kur duhet të tregojmë një stad të ri më të lartë dhe natyrisht që kjo nuk ka të bëjë thjesht me angazhimin apo me vullnetin tim personal, por kjo ka të bëjë dhe duhet të jetë produkt i të gjithëve. Sepse të gjithë kemi një… “Të gjithë jemi bashkëfajtorë”, thoshte dikur zoti Berisha për ato gjëra që nuk kanë ecur mirë, por duhet të mësojmë nga gabimet që kemi bërë, secili prej nesh, dhe të sjellim një standard të ri, më të lartë, më të qytetëruar, më etik dhe më racional, në mënyrë që parlamenti të mos jetë thjesht një arenë e protagonizmit të sforcuar politik, ku flitet thjesht për t’u bërë qejfin kryetarëve të partive, por të jetë vërtet institucioni që ngre shqetësimet e qytetarëve, institucioni që mbështet qeverinë për të realizuar premtimet e saj, por edhe që e kontrollon atë në mënyrën se si i përmbush këto detyrime. Në këtë aspekt, edhe opozita ka një rol tepër të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm, për të cilin unë shpresoj se do ta luajë në mënyrë konstruktive.

Ilva Tare – Do t’ju pyes pas pak specifikisht për opozitën, kam pyetje për këtë, por meqenëse e kemi intervistën të limituar, vetëm 55 minuta kemi në dispozicion, dhe dua të njoftoj edhe publikun që po na ndjek në këto momente, që ka filluar tashmë të dërgojë mesazhe, që gjatë 5 minutave të fundit të pjesës së fundit, me mirëkuptimin tuaj zoti Meta, do t’u përgjigjemi disa prej pyetjeve që kanë drejtuar për Kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Kryetarin e Kuvendit, zotin Meta. Por më lejoni të rri edhe pak këtu: duket sikur po investoni një kapital të ri në politikë.

Ilir Meta – Në ç’kuptim?

Ilva Tare – Në kuptimin e këtij reflektimi që ju sapo e ndatë me teleshikuesit: për të mësuar nga gabimet dhe për të qenë më të përgjegjshëm për fatet e vendit. A e kanë politikanët e tjerë këtë reflektim? Sepse ju bini në sy, se të paktën që përpara zgjedhjeve të 23 qershorit e deri tani keni pasur një qëndrim konsekuent, konstant, bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës. A po e bëni këtë me qëllim se doni të jeni ju lideri i së majtës?

Ilir Meta – Ky pozicion nuk ka të bëjë me faktin se çfarë dua unë të jem, por ka të bëjë, në radhë të parë, me filozofinë që përfaqëson LSI-ja dhe këtë profil konstruktiv e bashkëpunues LSI-ja e ka treguar në të kaluarën. Në rast se ne kemi marrë vota më shumë se ç’kanë pritur shumë prej kolegëve tuaj dhe juve personalisht, kjo ka ndodhur pikërisht se kemi ditur të përçojmë një mesazh pozitiv bashkëpunues për qytetarët shqiptarë; një mesazh normaliteti. Unë theksoj që arritja më e madhe e kësaj maxhorance – nuk është se do të bëjë ndonjë mrekulli nga ato që njerëzit mund të ëndërrojnë dhe që do të ndryshojë menjëherë jetët e tyre – është vendosja e një normaliteti, si një çdo vend të stabilizuar demokratik, ku gjithçka mund të parashikohet në mënyrën më të qetë dhe më të sigurt.

Ilva Tare – Kjo është një meritë që mund ta marrë zoti Berisha, pasi ai garantoi një lloj normaliteti, pavarësisht se humbi zgjedhjet më 23 qershor.

Ilir Meta – Këtu nuk jemi në luftë se kush do të marrë merita dhe kush do të ngelet pa merita. Përkundrazi, unë do ta ftoja zotin Berisha që ai të merrte disa merita, duke kontribuar që opozita e sotme të jetë sa më konstruktive, sa më pozitiviste, një opozitë që vjen me propozime, që reflekton për shumë çështje, për të cilat ajo mori atë vlerësim që mori më 23 qershor dhe mbi të gjitha që të vijojë të kontribuojë për ta pasuruar këtë trashëgimi pozitive që ka Partia Demokratike në drejtim të proceseve integruese.

Ilva Tare – Zoti Berisha, meqenëse jemi tek ai, ju quajti, në një nga seancat e parlamentit që ju drejtonit, bashkëkryetar të maxhorancë, bashkë me Edi Ramën. Në fakt, zoti Meta, sa ndikues jeni ju në qeverisjen e Edi Ramës?

Ilir Meta – Mendoj se qeveria ka një program, i cili është një program i përbashkët dhe Lëvizja Socialiste për Integrim përfaqësohet me emra të spikatur në këtë qeveri dhe ka angazhimin e plotë për të ndikuar në mënyrën më pozitive dhe më të përgjegjshme për arritjen e përbashkët: të suksesit të kësaj qeverie.

Ilva Tare –  Përse të gjithë, këtë po e thonë edhe opinionbërësit në këtë vend, duan të jenë me LSI-në kohët e fundit?

Ilir Meta – Mendoj se të gjithë duhet të jemi sa më pozitivë me njëri-tjetrin. Nuk mendoj se kjo do të thotë domosdoshmërisht të jesh me LSI-në. Por besoj se shoqëria jonë është lodhur shumë nga një nihilizëm pafund, nga një konfliktualitet absurd dhe nga qëndrimi në një rreth vicioz, prandaj ka ardhur koha për një shkëputje. Ka ardhur vërtet koha për një ndryshim thelbësor. Mendoj se kjo maxhorancë i ka të gjitha mundësitë për të mos bërë gabimet e maxhorancave të mëparshme, por përmes një parimi të rëndësishëm dhe konkret, siç është ai i gjithëpërfshirjes, të bëjë të mundur bashkimin e energjive pozitive jo vetëm të PS-së, të LSI-së, të Social Demokratëve e partive të tjera të këtij koalicioni, të shoqërisë civile, por edhe të opozitës e zërave kritikë në shoqërinë tonë, sepse në shoqërinë tonë kemi edhe zëra kritikë permanentë.

Ilva Tare – Ku janë?! Nuk po i gjejmë këto kohët e fundit.

Ilir Meta – Janë…

Ilva Tare – Në ekrane janë zhdukur.

Ilir Meta – Janë… Dhe shumë mirë që janë, sepse, në fund të fundit, kritikat janë të rëndësishme për të na ndihmuar që asnjëherë të mos kënaqemi me ato që arrijmë.

Ilva Tare – Për shembull, ka pasur shumë kritika për emërimet e zotit Rama në dikasteret kryesore, por nuk është dëgjuar ndonjë kritikë as në media, as në opinionin politik e publik të vendit. Po emërimet që keni bërë ju, zoti Meta? A duhet të shqetësohemi për këtë, që nuk po ju kritikon askush?

Ilir Meta – Nuk e kam bërë këtë bilanc kritikash. Për mua absolutisht është e rëndësishme t’i japim mundësinë qeverisë, t’u japim mundësinë emrave të rinj në detyra kyçe të tregojnë rezultatet e tyre dhe të kenë kohën e duhur për këtë gjë. Nuk duhet të nxitohemi për të paragjykuar, aq më tepër që ju këtë pyetje po ia bënë një personi i cili ka qenë në moshën 30 vjeç Kryeministër, kurse tani dëgjojmë kritika se përse është bërë një drejtor apo një drejtoreshë në një pozicion të tillë në këtë moshë. Kështu që unë nuk e pranoj këtë gjë. Natyrisht që është koha ajo që do të konfirmojë aftësitë e gjithsecilit dhe kapacitetin për të justifikuar besimin që i është dhënë.

Ilva Tare – Ky është edhe komenti juaj për sa u takon emërimeve të deritanishme të bëra në administratë, në nivel drejtorësh të lartë, pra që të presim të shohim performancën e tyre?

 Ilir Meta – Nuk kam asnjë koment. Mendoj se kjo është një qeveri me shumë energji. Duket që ka një dinamikë mjaft domethënëse. Natyrisht që shumë prej këtyre drejtorëve që ju po përmendni kanë vetëm pak ditë që janë emëruar dhe në disa sektorë duket se gjërat po lëvizin, ka ndryshime dhe ka vrull. Për të gjykuar për rezultatet, sigurisht  që do të duhen të paktën….

Ilir Meta – Nuk kam asnjë koment. Mendoj se kjo është një qeveri me shumë energji. Duket që ka një dinamikë mjaft domethënëse. Natyrisht që shumë prej këtyre drejtorëve që ju po përmendni kanë vetëm pak ditë që janë emëruar dhe në disa sektorë duket se gjërat po lëvizin, ka ndryshime dhe ka vrull. Për të gjykuar për rezultatet, sigurisht  që do të duhen të paktën….

Ilva Tare – Të paktën, mund të gjykojmë mënyrën se si janë emëruar, kriteret që janë zbatuar.

Ilir Meta – Le të urojmë që çdo lloj kritike është një motivim më shumë për secilin, për të demonstruar aftësitë e veta.

Ilva Tare – Sigurisht, këtë do ta shohim me kalimin e muajve që janë në detyrë, por, të paktën, mund të gjykojmë për kriteret që janë zbatuar për emërimet e tyre dhe për meritokracinë. Kur ka qenë në opozitë Partia Socialiste, por edhe ju në muajit e fundit, keni folur për meritokraci dhe për kritere që duhen ndjekur në emërime të tilla. A u ndoqën ato në këtë rast?

Ilir Meta – Nuk mendoj se këto emërime janë bërë jashtë kritereve.

Ilva Tare – Dakord, edhe kjo është një përgjigje për emërimet.

Zoti Meta, jeni në përgjithësi kuriozë se çfarë mendojnë të tjerët për ju? Le të themi për njerëzit tw cilwt merren me politikë, që bëjnë politikë, që analizojnë politikën dhe politikanët.

Ilir Meta – Sigurisht, kjo ka rëndësi për mua, por më e rëndësishme për mua është ajo që bëj, se sa ajo që mendojnë të tjerët sot. Më e rëndësishme është ajo që do të mendojnë nesër, se sa ajo që do të mendojnë sot.

Ilva Tare – Atëherë, po ndaj bashkë me ju dhe teleshikuesit çfarë mendon Enkel Demi për ju, në këtë pikë të karrierës tuaj politike. Ai është editorialist i emisionit Tënait dhe do ta kemi çdo mbrëmje me opinionin e tij për temën dhe të ftuarin që do të kemi.

Enkel Demi – Sot që Ilir Meta është mysafir në studion e Ilva Tares politika ndodhet në ngërc, madje mund të jetë në vigjilje të një krize të re politike. Kryetari i qeverisë nuk iu shmang dot arrogancës së numrave, numrat të cilët tek e fundit nuk i ka të vetët. Ai nga zgjedhjet e 23 qershorit nuk është fitimtar. I vetmi fitimtar i këtyre zgjedhjeve është Ilir Meta. Ndaj sot kryeministr është bujar me miell hua. Në anën tjetër të litarit është kryetari i opozitës i cili nuk i shmanget dot kompleksit të gafurjes. Në mes tyre qëndron Ilir Meta që duhet të negociojë sërish. Ajo që më habit është se si shkruajtësit e letrave nuk e kuptojnë që janë duke cuar ujë vetëm në mullirin e LSI-së. Meta është i vetmi politikan i paskomunizmit që arriti të kapërcejë murin e lartë të partive të vogla. Në zgjedhjet e 23 qershorit fitoi garantimi i tij. Rezultati psektakolar i LSI-së rëfeu se njerëzit duan garantin e vendit të punës, garantin e paqes sociale, shumë nga ata që humbën falë manovrave dhe aleancave rakitike për të mbajtur një qeveri në këmbë gjetën strehë të partia e mysafirit të Ilva Tares, sot Ilir Meta duhet të përballet me një paradoks tipik shqiptar. Një qeveri gjysmagjel ka një gjysmëqeverie ku triumfon apolitizmi dhe një gjysmë ku ka prerje të fortë politike. Kjo gjysma e fundit i përket LSI-së. Ata që ia mbushën mendjen vetes që fituan me 1 milionë shuplaka, sot duhet të kërkojnë vende pune favore, solidaritet frymëzim politik te gjysma apolitike. Sado që të kërkojnë vështirë e kanë ta gjejnë. Mbetet gjysma tjetër e cila tashmë ka përvojë të jap garanci ndaj LSI-ja sërisht mund të rritet në vota dhe mandate. Së fundi në shqipëri pak e dinë që fituesit duhet të jenë më kokulur sesa fumbësi. Mësim që deri tani vec ilir metës askush nuk e ka kuptuar.

Ilva Tare – I ndani këto mendime më zotin demi. Mendoni se pak a shumë iu ka profilizuar mirë në këtë pikë të karrierës suaj politike?

Ilir Meta – natyrisht që zoti demi ka këndveshtrimin e tij. Megjithatë unë besoj që nga gjithë komenti i tij ajo që mua më pëlqeu është kjo që futuesi duhet të jetë më kokëuylur se unë, kjo nuk ka lidhje, por padyshim fituesi gjithmonë duhet të jetë më tolerant më zemërgjerë dhe kjo vecse i forcon pozitat e tij. Ajo që unë kam mësuar në politikë është që fuqia e vërtetë qëndron te qetësia, te durime te toleranca.

Ilva Tare – kjo është shumë interesante dhe në fakt e kam menduar këto kohë që ju kam parë të drejtoni me aq shumë qetësi gati olimpike. E di si më dukeni shpesh zotio meta, sikur drejtoni parlamentin e norvegjisë dhe jo të shqipërisë. Ku e keni fituar këtë qetësi? Si e rifituat? Është eksperienca që e ka bërë këtë, vitet tuaja të angazhimit në politikë apo është individuale, karakteriale? Ju kemi parë edhe me skena më agresive në parlament.

Ilir Meta – sepse unë e kam një bindje tashmë që qetësia dhe toleranca janë forcë e vërtetë e një politikani. Ka politikanë që mendojnë se duhet të tregojnë se janë të fortë kur kanë një mundësi. Kjo mendoj se është e gabuar. Të jeni e sigurt që partia demokratike nuk do të kishte humbur kaq thellë në rast se në muajt e fundit nuk do të ishte përpjekur të trysnionte me forcën e pushtetit, por të ishte sjellë në një mënyrë më të përmbajtur dhe më të qetë.

Ilva Tare – Interesant. Ju duhet kjo këshillë edhe si maxhorancë sepse keni forcën e numrave me veten tuaj.

Ilir Meta – absolutisht mazhoranca mendoj se është treguar tepër e qetë. Ka treguar vullnet për të respektuar opozitën, për t’i dhënë kohën e duhur maksimalisht që ajo të shprehë mendimet dhe idetë e saj që nga cështja e programit, në raste të tjera apo në debatin më të fundit për ndryshimet në ligjin “Për statusin e nëpunësit civil”, ku opozita u ftua përpara se qeveria të ndërmerrte këtë akt për të biseduar, për të parashtruar arsyet, argumentet pse po bëhen këto ndërhyrje dhe për të gjetur një mirëkuptim. Edhe miratimin e këtij akti e shtymë nga java e kaluar për këtë javë, përsëri me idenë e mirë për të dhënë një mundësi kontakti, bashkëpunimi, mirëkuptimi.

Ilva Tare – Po a ka rezultuar diçka e mirë shtyrja, sepse kam zëdhënësen e Partisë Demokratike, e cila dy orë më parë deklaroi se nëse qeveria po tenton të fabrikojë me marifete ekstrazgjedhore një shumicë të cilësuar enkas për këtë rast, pra për të kaluar këtë ligj, ky do të jetë një atentat i dyfishtë kundër konsensusit, me pasoja akoma më të rënda për vendin. Si e lexoni ju këtë mesazh të kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Basha?

Ilir Meta – Mendoj që zoti Basha do të ishte më mirë të ishte pranuar ftesën për një dialog me Kryeministrin Rama dhe pikëpamjet e tij t’i kishte shprehur në këto takime, ashtu sikurse do të kishte bërë shumë mirë, që ta kishte lejuar kryetarin e grupit të tij parlamentar, që të kishte shkuar në takim me ministrat e qeverisë përpara se ky akt të kalojë nga qeveria, sepse ndoshta argumentet e Partisë Demokratike mund të kishin qenë kaq bindëse, sa qeveria nuk do ta kishte iniciuar një hap të tillë. Këto i konsideroj më shumë si deklarata të karakterit politik , por absolutisht…

Ilva Tare – Jo, janë edhe të karakterit paralajmërues me pasoja edhe më të rënda për vendi. Ky do të ishte një atentat kundër konsensusit.

Ilir Meta – Mendoj se do të ishte më mirë që Partia Demokratike edhe për këtë çështje t’i shprehte edhe në komisionet parlamentare apo t’i shprehte edhe në Parlament do ta ketë rastin edhe gjatë ditëve që do të vijnë për ta bërë këtë gjë.

 Ilva Tare – A e dëmton opozitën e sotme, Partinë Demokratike tashmë në opozitë, fakti që kryetari i saj nuk është në Parlament?

Ilir Meta – Nuk mendoj se kjo është një çështje esenciale. E rëndësishme është figura që bën grupi parlamentar. Nuk ka pasur në historinë 23 vjeçare të Shqipërisë minorancë më të pakët në numër se ajo e Partisë Socialiste e viti 1992- 1996 dhe maxhorancë më të madhe dhe më të fuqishme sesa ajo e Berishës në atë periudhë, por absolutisht, mendoj që Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste në atë kohë edhe pse ishte vetëm me 36 deputetë, kishte një fuqi të jashtëzakonshme përfaqësimi të opinionit publik dhe opozitar. Kështu që mendoj se nuk është ky problemi, për më tepër që zoti Nano në atë kohë, pjesën më të madhe e kaloi në një burg politik, pra kryetari i partisë. Nuk është kjo çështja kryesore, por mendoj se Partia Demokratike, aktualisht, për mendimin tim, jo si Kryetar Parlamenti, por si kryetar i LSI-së nuk ka një mesazh të qartë deh nuk ka një mesazh për të ardhme. Ka thjesht mesazhe kontestuese, refuzuese.

Ilva Tare – Dhe nga se i vjen kjo paqartësi mesazhesh, sipas jush në analizën tuaj? Apo nuk doni të hyni në detaje?

Ilir Meta– Kjo nuk është e drejta ime, nuk kam dëshirë, se nuk dua të hyj…, por kam të drejtë të jap edhe unë një mendim.

Ilva Tare – Pa diskutim që keni një mendim. E keni dhënë edhe në Parlament. Kam veçuar dy momente, kur ju në një farë mënyre, keni bërë atë që e nisëm edhe emisionin më herët, e keni moderuar me një qetësi të admirueshme debatin që mund të shpërthente në çdo moment midis kreut të qeverisë aktuale dhe përfaqësuesve të opozitës. Ja dy momentet që i kam veçuar:

Ilva Tare – Kaq ishte! Pse e quajtët bashkëkryetar zotin Berisha?

Ilir Meta – Po më bëri një kompliment, o bashkëkryetar qeverisës dhe nuk mund të rrija dot pa i bërë një kompliment.

Ilva Tare – Ai thjesht një kompliment për zotin Berisha?

Ilir Meta – Po. Normale.

Ilva Tare – Nuk ishte një thumbim për zotin Basha? I cili nuk po e drejton dot Partinë Demokratike për shkak të ndërhyrjeve të zotit Berisha.

Ilir Meta – Zoti Basha, nuk mendoj se ndjehet i thumbuar në këtë rast.

Ilva Tare – Zoti Meta çfarë bëhet me miqësinë tuja me zotin Basha? Dhe, a ka miqësi në politikë?

 Ilir Meta – Këto janë mjaft relative, miqësia, kjo apo jo, por absolutisht që zoti Basha është mjaft i respektuar nga ana ime edhe si kryetar i Partisë Demokratike, përveç se si Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ndërsa, lidhur me këto aludimet, ma bëjnë shpesh, shumë njerëz këtë pyetje, në fakt, që nga nata e fundit…

Vlorë, “fundi i marrëzisë” bllokon 66 objekte

policiaPolicia e Vlorës ka bllokuar sot 66 objekte, pasi është konstatuar se kishte mangësi në dokumentacionin e tyre.

Në kuadër të operacionit “fundi i marrëzisë”,  policia e qytetit të Vlorës, zhvilloi ditën e djeshme kontrolle të hapura në të gjitha kazinotë dhe pikat e basteve sportive në qarkun e Vlorës.

Sipas policisë, nga kontrolli, janë konstatuar 99 ambiente kazino/baste sportive.

 Nga këto është ushtruar kontroll i hapur në 35 ambiente të ndryshme, si dhe janë bllokuar 64 ambiente të tjera ku nuk ndodheshin personat përgjegjës.

Mësohet se janë sekuestruar 33 kompjutera dhe 7 televizorë të cilët shërbenin për organizim të lotarive të palejuara.

Ndërkohë, nga Sektori Kundër Krimit Ekonomik, ka filluar procedimi penal dhe është bërë dokumentimi ligjor për 14 shtetas për veprën penale “organizim i lotarive të palejuara”.

/Shekulli Online/ E.B./

Sot Kurban Bajrami,myslimanët falin namazin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Bajrami-2Besimtarët myslimanë në mbarë botën festojnë sot Kurban Bajramin. Edhe në Tiranë mijëra besimtarë myslimanë, ashtu si çdo vit, nisën kremtimet që në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të Kurban Bajramit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” .

Në faljen e namazit ishte kreu i komunitetit mysliman shqiptar, Selim Muçai cili përcolli urimin e rastit. Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit te Zoti dhe në emër të dashurisë për njeriun. Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes.

Krerët më të lartë të shtetit pritet të vizitojnë sot selinë e Komunitetit Mysliman për të përcjellë urimet me rastin e Kurban Bajramit.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar therret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit.

Familja që e therr mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra. Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen gjëra të ëmbla, të cilat duhet t’u serviren edhe miqve. Ndërkohë, të gjithë besimtarët si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.

Rama: Do ta nxjerrim ekonominë nga kriza

edi rama   yKryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me menaxhimin e ekonomisë nga qeveria paraardhëse. Ai ka thënë se ekonomia ka arritur në pikën e fundit. Këto deklarata Kryeministri i vendit i ka bërë në emisionin e “A1 REPORT”, në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”.

Sipas Ramës s’mund ta trajtosh ekonominë si të “njerkës”. “Vazhdojmë të jemi me gjetje të reja. Kemi trashëguar një borxh publik të përgjithshëm, por kemi dhe një borxh në formën e huave dhe borxheve ndaj kompanive dhe sistemeve të ndryshme, që është padyshim një shkëmb në mes të rrugës sonë. Një borxh që vazhdon rritet, në kuptimin e gjërave që dalin njëra pas tjetrës, për të cilën ne kemi vendosur të dialogojmë një kompani të besueshme auditimi, për të parë situatën ku ndodhemi. Ajo që dihet është një gjë, dhe ajo që nuk dihet ende është një gjë tjetër”, tha Rama.

 

Tahiri godet lojërat e fatit

policia...Policia e Shtetit po ndërmerr një operacion të gjerë në të gjithë qarqet e vendin. Në operacionin, ku po angazhohet rreth 6 mijë forca policie, synohet bllokimi i të gjitha pikave të basteve të jashtëligjshme.

Për më pak se 2 orë shteti ka mbyllur mbi një mijë qendra të lojërave të fatit ilegale në Shqipëri, duke i dhënë fund një prej bizneseve më gërryese të shoqërisë.

Forcat e policisë në këtë operacion janë mbështetur edhe nga inspektorët e tatimeve dhe institucioni që mbikëqyr lojërat e fatit. Sipas të dhënave në 12 qarqet e vendit ku operacioni ka qenë i njëkohshëm dhe i befasishëm janë bllokuar mbi 1 mijë biznese në këtë fushë, duke u kyçur menjëherë.

Ministri Tahiri ka inspektuar operacionin nga afër, duke deklaruar se kjo ndërmarrje do t’i japë fund këtij biznesi në rastet që ai është i paligjshëm.

Në një prononcim për mediat ministri Tahiri ka thënë lojërat e fatit janë kthyer në një bazë paligjshmërie, me dëme për buxhetin e familjeve shqiptare, si dhe në një çerdhe kriminaliteti.

“Kemi premtuar publikisht me kryeministrin Rama mbylljen e aktiviteteve të paligjshme. Jam krenar që sot mbyllëm këtë operacion. Është një aksion që nga njëra anë tregoi vullnetin e Policisë së Shtetit dhe nga ana tjetër pikat e dobëta. Deri tani janë bllokuar mbi 350 subjekte në gjithë Shqipërinë dhe aksioni do vijojë deri në pikën e fundit”.

Blic edhe në Lezhë, bllokohen 10 pika të lojërave të fatit

Ashtu si në shkalle vendi operacion blic i policisë ndaj lojërave të fatit është shtrirë edhe në qytetin e Lezhës. Uniforma blu morën kanë bllokuar 10 pika të lojërave të fatit.

Krahas policisë në aksion morën pjesë edhe inspektorë tatimorë në përpjekje për zbulimin e lojërave të fatit që u janë shmangur detyrimeve tatimore. Të dhënat e policisë të Lezhës pohuan se për disa pika ka dyshime që kanë shmangur taksat me kohë, ndërsa për ato pika që nuk kanë ligjshmërinë pritet të merren masa ndaj tyre.

Sipas policisë së Lezhës të tilla aksione do të merren rishtazi për të bërë të mundur edhe ndalimin e personave të dyshimtë, ku krahas kazinove kontrolle do të ushtrohen edhe në loto, pika bastesh etj.

Refuzon urdhrin e Tahirit, pezullohet kryepolici i “Qytet Studentit”

Pezullohet nga detyra komandanti i policisë në “Qytetin Studenti” në Tiranë. Vendimi është marrë pasi komandanti i policisë në “Qytetin Studenti” Arsen Sinomataj nuk ka zbatuar urdhrin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për zhvillimin e kontrolleve te pikat e basteve dhe kazinotë në këtë zonë.

Pezullimi i tij vjen në një kohë kur në gjithë vendin po zhvillohet aksioni kundër pikave të paligjshme të lojërave të fatit.

Ndërkaq nga kontrollet e zhvilluara deri më tani në zonën e “Qytetit Studenti”, janë bllokuar 150 pika të paligjshme bastesh, të cilat ushtronin aktivitetin e tyre jashtë kritereve të përcaktuara në ligj.

Spiropali pezullon djalin e ish-presidentit Meidani

denion meidaniDrejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali, ka pezulluar nga detyra kreun e Antikontrabandës, Denion Meidanin, djalin e ish-presidentit, Rexhep Meidani. Mësohet se, ky vendim është marrë për shkak se, ka dekonspiruar aksionin tek “KURUM”.

Djali i ish-presidentit mori këtë detyrë në Drejtorinë e Doganave që prej 2 shatorit të këtij viti. Vetëm 8 ditë para rotacionit të pushtetit, PD emëroi Denion Meidani në këtë detyrë.

Karriera e Denion Meidanit

-Drejtori i Antikontrabandës, Shtator 2013 –

-Drejtori i Përgjithshëm, Revista “OK”, maj 2013 – shtator 2013

-Drejtor, ICS, dhjetor 2011 – shtator 2013

-Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm, KESH, qershor 2010 – prill 2011

-Drejtori i Përgjithshëm, METE, mars 2010 – qershor 2010

-Kryeshefi Zgjerimi, Starsat International, prill 2008 – shtator 2009

-Këshilltar, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, shkurt 2005 – janar 2008

-Këshilltar, SIGMA – Vienna Insurance Group, prill 2004 – shkurt 2005

-Anëtar i Kabinetit, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, korrik 2002 – gusht 2004

-Menaxher i Projektit, Vodafone, gusht 2001 – nëntor 2001

-Asistent Profesor, Clark University, shtator 2000 – janar 2001

Nishani takohet me Venizelos: Të hiqet ligji i luftës. Venezilos: Greqia gjendje paqe me Shqipërinë

presidenti-nishani-ministri-jashtem-grek-venizelos-2Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani priti sot në një takim Zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Evangelos Venizelos dhe delegacionin që e shoqëron, njofton Presidenca e Shqipërisë.

Presidenti Nishani dhe Zv.Kryeministri Venizelos, gjatë takimit, shkëmbyen mendime për nivelin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë dhe mundësitë e zhvillimit të tyre të mëtejshëm, në fusha me interes të ndërsjellë, në planin dy dhe shumëpalësh si edhe në kuadër të forcimit të bashkëpunimit rajonal.

Duke e falenderuar Ministrin Venizelos për mbështetjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e shndërrimeve demokratike, mikpritjen e emigrantëve të shumtë dhe integrimin euroatlantik, Presidenti Nishani theksoi se, në kushtet kur dy vendet tona janë anëtare në NATO, bashkëjetojnë në fqinjësi të mirë dhe ndërmjet tyre ekziston edhe një traktat miqësie dhe bashkëpunimi, është e domosdoshme që Parlamenti Grek të heqë ligjin e luftës dhe të njihet e drejta e mohuar e pronave në vendin fqinj për qytetarët shqiptarë.

Kryediplomati grek Venizelos u shpreh se Greqia e ka shpallur gjendjen e paqes me Shqipërinë me vendim të Këshillit të Ministrave që në vitin 1987 dhe se qytetarët shqiptarë mund tu drejtohen gjykatave greke, ose atyre evropiane për të drejtën e pronës, ndërsa kërkoi që të zgjidhet çështja e Paktit Detar mes Greqisë dhe Shqipërisë bazuar në të drejtën ndërkombëtare të detit.

Presidenti u shpreh në favor të rifillimit të bisedimeve për Paktin Detar, bazuar në frymën e mirëkuptimit dhe respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Kreu i Shtetit, pasi kërkoi nga bashkëbiseduesi që Greqia të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin evropian, shtoi se Shqipëria do të vazhdojë t`i kontribuojë paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm rajonal, duke vënë në dukje gjithashtu se Kosova e pavarur ka provuar të jetë faktor stabiliteti për rajonin dhe më gjerë.

Nga ana e tij, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Venizelos nënvizoi se mbështetja e zgjerimit të Bashkimit Evropian në drejtim të rajonit të Ballkanit do të jetë një nga prioritetet e Greqisë gjatë Presidencës së saj evropiane në gjysmën e parë të vitit 2014.