Sot Kurban Bajrami,myslimanët falin namazin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

21

Bajrami-2Besimtarët myslimanë në mbarë botën festojnë sot Kurban Bajramin. Edhe në Tiranë mijëra besimtarë myslimanë, ashtu si çdo vit, nisën kremtimet që në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të Kurban Bajramit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” .

Në faljen e namazit ishte kreu i komunitetit mysliman shqiptar, Selim Muçai cili përcolli urimin e rastit. Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit te Zoti dhe në emër të dashurisë për njeriun. Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes.

Krerët më të lartë të shtetit pritet të vizitojnë sot selinë e Komunitetit Mysliman për të përcjellë urimet me rastin e Kurban Bajramit.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar therret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit.

Familja që e therr mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra. Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen gjëra të ëmbla, të cilat duhet t’u serviren edhe miqve. Ndërkohë, të gjithë besimtarët si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.