Eurocopteri, zhdukja enigmatike e pajisjes me vlerë 758 mijë euro

117

1378285037‘DITA’ INVESTIGIM

Batërdia  me tenderin e helikopterëve, mungojnë 758 mijë euro pajisje. Zyrtarë të lartë të Bazës Ajrore të Farkës denoncojnë se një nga helikopterët e kontratës me “Eurocopter”, edhe pse është paguar i plotë nuk ka mbërritur i pajisur me paketën mjekësore, që veç dëmit ekonomik e bën atë jofunksional. Oficerët që nuk firmosën kontratën me shkelje u transferuan, ndërsa drejtues të Ushtrisë dhe të operacionit të blerjes mohojnë të kenë dijeni.

Një paketë me vlerë mbi 758 mijë euro mungon në helikopterin “Cougar” që Shqipëria bleu me bujë nga kompania franceze “Eurocopter”. Në mënyrë të çuditshme paratë janë paguar edhe për këtë pjesë, pa të cilën, specialistët thonë se helikopteri nuk është funksional. Skandali ka “ngrënë” disa koka oficerësh në bazën e helikopterëve në Farkë, dhe sipas një denoncimi dërguar nga major Agim Manaj për ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, arsyeja për largimet nga detyra ishte mospranimi i tyre për të firmosur si të përmbushur kontratën, të cilës i mungonte paketa 758 mijë euro. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi dhe drejtori i Modernizimit në Ministrinë e Mbrojtjes, Baki Bala, që ka vepruar në këtë rast si përfaqësues i palës blerëse, mohojnë të kenë dijeni rreth kësaj çështje, edhe pse sipas Manajt, i pari është njoftuar me letër, ndërsa i dyti rezulton personi që ka firmosur kontratën si të përmbushur. Sipas dokumenteve që zotëron investigim.al dhe informacioneve nga një ushtarak që kërkoi të mbetej anonim, mungesa e paketës ishte arsyeja pse pranimi i helikopterit u vonua më shumë se 2 muaj (nga prilli në korrik 2013). Të paktën dy oficerë të lartë që refuzuan të firmosin pranimin e helikopterit u larguan nga detyrat që mbanin dhe u zëvendësuan me personat, që sipas burimit, morën në dorëzim paketën mjekësore “Kit for Medevak” e cila nuk ekziston. Manaj, në letrën dërguar ministres Kodhelli, të cilën e disponojmë flet për dëme deri në 1.7 milionë euro që i janë shkaktuar Shqipërisë në ekzekutimin e kontratës për helikopterët nga ish-drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes.
Mbërritja në bazë
Helikopteri “Cougar AS 532 Medevak” mbërriti në Tiranë pasditen e 25 prillit, ku u prit në një ceremoni zyrtare nga krerët më të lartë të Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së kohës. Por ndryshe nga sa u tha publikisht, helikopteri me vlerë 14 milionë e 479 mijë e 897 euro nuk mund ta përmbushë misionin e tij në rast se nuk ka në bord pajisjen “Kit for Medevak” (komplet mjekësor). Debati për këtë kuti pajisjesh, i përcaktuar edhe në një dokument me qarkullim të kufizuar të NATO-s ka nisur menjëherë pas mbërritjes së helikopterit në Shqipëri. Një grup ushtarakësh, pjesë e komisionit të ngritur për pritjen e mallit (helikopter dhe komplet pajisjesh) ka firmosur një procesverbal sipas të cilit merr në dorëzim “Kitin Medevak”, vlera e saktë e të cilit është758 mijë e 25 euro. Por investigim.al mësoi se ish-drejtuesit e Bazës Ajrore të Farkës informuan eprorët e tyre se ky komplet pajisjesh nuk ekziston dhe për këtë arsye helikopteri nuk mund të merret në dorëzim. Nga ana tjetër, një dokument zyrtar me emërtimin “Procesverbal për pritje malli” tregon se një komision i përbërë nga gjashtë ushtarakë, më 25 prill 2013 ka marrë në dorëzim kompletin e pajisjeve “Kit for Medevac” të helikopterit “Cougar AS 532 Medevak”. “Komisioni prezent kontrolloi Kit Medeva (kompleti i pajisjeve) për pamjen e jashtme dhe gjendjes faktike, dhe konstatojmë se nuk ka dëmtime dhe se është i rregullt, i cili merret në dorëzim me fletë-hyrjen …..”,- thuhet në procesverbal. Komisioni kryesohet nga kolonel Frederik Beltoja (tashmë gjeneral) dhe përbëhet edhe nga pesë ushtarakë të tjerë: nënkolonel Kuto Hasani, nënkolonel Pëllumb Sevdari, major Skerdilajd Zavalani dhe kapiten Çlirim Plaku, ky i fundit është i vetmi që nuk e ka firmosur procesverbalin. Në këtë dokument bie në sy mungesa e numrit të fletë-hyrjes për kompletin mjekësor, i cili është pse është marrë në dorëzim, nuk ka një numër të përcaktuar në fletë-hyrjen për magazinimin e pajisjeve mjekësore.

faksimile 1     Faksimile e Procesverbalit per makazinimin e Helikopterit, mbajtur ne daten 10 korrik 2013 ok

Ku avulluan  paisjet?
Investigim.al ka hulumtuar mbi këtë çështje duke siguruar një sërë provash shkresore dhe dëshmi, të cilat pavarësisht se ndryshojnë nga njëra-tjetra tregojnë se kompleti i pajisjeve mjekësore nuk ka mbërritur asnjëherë në Shqipëri. Një dokument që investigim.al disponon tregon se helikopteri “Cougar AS 532 Medevak” edhe pse ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit pasditen e 25 prillit të vitit 2013, dhe po atë ditë është marrë në dorëzim, ai është magazinuar në Bazën e Helikopterëve Farkë vetëm më 10 korrik të këtij viti. Sipas dokumentit, rezulton se procesverbali për pritje malli është firmosur nga nënkoloneli Altin Lamaj dhe shefi i Logjistikës, Agim Manaj, i cili më pas do të denonconte në Ministrinë e Mbrojtjes mungesën e kompletit të pajisjeve mjekësore. Procesverbali nuk është firmosur nga shefi i shëndetësisë, major Astrit Mezuraj për arsye ende të panjohura. Por, duke iu referuar të njëjtit procesverbal rezulton se nga kontrolli i mallrave të ardhura në dokumentacionin shoqërues u konstatua mungesa e një artikulli. “Gjatë kontrollit të mallrave të ardhura në dokumentacionin shoqërues “Airborne Kit lot de bord Aircraft” u konstatua se artikulli “MCP KIT FOR TRAININ”, 1 copë mungon. Nuk ka ardhur me helikopterin, ndërsa një copë tjetër është vendosur në helikopterin AS532”,- thuhet në dokumentin e firmosur nga dy prej tre anëtarëve të komisionit që bënë magazinimin e helikopterit “Cougar AS 532 Medevak”. Por në këtë dokument nuk thuhet asgjë për pajisjet mjekësore të cilat bëjnë funksional helikopterin, i cili sipas specialistëve të kontaktuar, vihet në përdorim vetëm në rastet e emergjencave mjekësore e natyrore. “Gjatë kësaj kohe, nga 25 prilli deri më 10 korrik, pra disa ditë pas zgjedhjeve të 23 qershorit në Repartin Ushtarak të Farkës ka pasur një luftë të brendshme për marrjen në dorëzim të helikopterit dhe kompletit të pajisjeve mjekësore”, – thotë oficeri i lartë që u kontaktua nga investigim.al. Ish-zyrtari i kësaj baze ushtarake tha për investigim.al, se refuzimi i tij për të marrë në dorëzim helikopterin për shkak të mungesës së “Kitit Medevak” solli edhe transferimin e tij dhe të disa oficerëve. Ai akuzon drejtues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, të cilët urdhëruan disa lëvizje në radhët e drejtuesve të kësaj baze ushtarake për të mundësuar pranimin e helikopterit pavarësisht problemeve. Një tjetër ushtarak, ish-shefi i Logjistikës në Bazën Ajrore Farkë, major Agim Manaj, i cili ka firmosur në procesverbalin për magazinimin e helikopterit, gjithashtu është transferuar, pasi kishte denoncuar skandalin tek eprorët e tij.  “…si shpërblim për këtë mora largimin nga pozicioni i punës”, – shkruan majori Manaj, në një letër që i ka bërë ministres aktuale së Mbrojtjes.

Denoncimi te ministri i ri

Në të njëjtën letër, të datës 23 shtator 2013, majori Manaj informon ministren lidhur me problematikën që shfaqet në kontratën për blerjen e pesë helikopterëve nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Një prej çështjeve të prekura në letër është edhe mungesa e kompletit mjekësor të helikopterit “Cougar AS 532 Medevak”. “Helikopteri ‘Cougar AS 532’ me numër anësor 632, i dyti i mbërritur në Shqipëri, është marrë në hyrje jo në mënyrë të rregullt sipas dokumentacionit shoqërues”, – thotë ndër të tjera majori i larguar nga detyra. Sipas tij, ky helikopter me vlerë rreth 15 milionë euro është në versionin “Medevac”, por që në fakt nuk ka lidhje me këtë version. “Në faturën shoqëruese është shënuar “KIT FOR MEDEVAC”, por këto pajisje nuk kanë mbërritur asnjëherë edhe pse kërkohet të tejkalohet si veprim, të cilin e kundërshtova sërish në mënyrë përfundimtare, pasi mungojnë 758 mijë e 25 euro, duke mos dhënë informacion për vendndodhjen e “Kit For Medevac”,- thuhet në denoncimin e major Agim Manaj. Më tej ai shkruan se ky komplet pajisjesh është faturuar nga pala kontraktore, këmbëngulje që me detyrim të merret hyrje nga ana jonë. “Për këtë arsye janë hartuar një sërë dokumentesh për tiu kërkuar se nuk mund të merrej hyrje helikopteri sipas faturës së vënë në dispozicion, pasi mungon tërësisht “Kit For Medevac” me vlerë 758 mijë e 25 euro”, – thotë majori. Sipas tij, për këtë problematikë është vënë në dijeni në fillim të muajit qershor sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, komandanti dhe zv.komandanti i Forcës Ajrore, si dhe komandanti i Bazës Ajrore për shkeljet flagrante.

letra 2

Gjenerali ngre supet

Pas këtij denoncimi që ka mbërritur në zyrën e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, investigim.al kontaktoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Xhemal Gjunkshin, i cili i  pyetur për këtë çështje, tha se nuk mund të fliste për diçka që nuk kishte informacion. “Nuk mund të prononcohem dhe të jap informacion për një çështje për të cilën nuk kam dijeni. Unë ju falënderoj për interesimin tuaj, por për këtë çështje mund të kontaktoni me drejtorin e Modernizmit në Ministrinë e Mbrojtjes”, – tha z.Gjunkshi, duke iu përgjigjur interesimit të investigim.al.  Gjithashtu, u kontaktua edhe me drejtorin e Modernizmit në Ministrinë e Mbrojtjes, Baki Bala, i akuzuar nga Manaj në letrën për Kodhelin. Bala ka firmosur faturën (një kopje të së cilës ne e zotërojmë) për marrjen në dorëzim të Helikopterit “Cougar AS 532 Medevak” në cilësinë e blerësit, por ai mohoi të kishte informacion për mungesën e kompletit të pajisjeve mjekësore. “Nuk jam unë personi i duhur për këtë çështje. Ju e keni gabim informacionin. Ju lutem, por nuk duhet të më kontaktoni mua për këtë çështje”, – tha drejtori i Modernizmit në Ministrinë e Mbrojtjes, Baki Bala. Një foto e brendisë së helikopterit, që iu vu në dispozicion investigim.al nga një prej burimeve, tregon se në bordin e helikopterit me vlerë 15 milionë euro janë vetëm disa barela dhe asgjë tjetër. Personat që na kanë vënë në dispozicion këtë fotografi thonë se helikopteri “Cougar” nuk disponon asnjë nga pajisjet mjekësore për të cilat janë paguar mbi 758 mijë euro nga ana e shtetit shqiptar. Për këtë çështje investigim.al kontaktoi edhe me ministren e Mbrojtjes, znj.Mimi Kodheli, të cilës i kërkoi informacion lidhur me denoncimet zyrtare për mungesën e kompletit të pajisjeve mjekësore, por nuk mori përgjigje prej saj. Në një e-mail dërguar zyrës së shtypit të Partisë Socialiste (pasi na u tha se ministrja e Mbrojtjes nuk ka ende një zyrë shtypi), investigim.al kërkoi informacione lidhur me rastin, por nuk mori përgjigje edhe pse u njoftua se ministres i ishin dorëzuar pyetjet.

Faksimile e Procesverbalit per marrjen ne dorezim te Kitit Medevak ndryshe kompet pajisjesh mjekesore ok

Një mungesë e çuditshme

Pajisjet që i mungojnë helikopterit janë ndërkohë një kërkesë e Agjencisë së Standartizimit në NATO, e cila u referohet atyre me përshkrimin “Pajisje mjekësore të rekomanduara për evakuimet aeromjekësore”. Në këtë dokument përcaktohen një sërë mjetesh dhe aparaturash të cilat duhet të jenë pjesë e çdo mjeti fluturues që ka si funksion evakuimin aeromjekësor. Duke qenë se Shqipëria është pjesë e Atlantikut të Veriut që prej vitit 2008, helikopteri i blerë për qëllime mjekësore duhet të kishte pjesë të tijën: respiratorin, ventilatorin manual, burimin e oksigjenit, sistemin e shpërndarjes së oksigjenit, pajisje për injeksione, si dhe një sërë pajisjesh, aparaturash dhe medikamentesh që duhet të ishin pjesë e kompletit mjekësor me vlerë mbi 758 mijë euro. Ndër to, pajisjet më të rëndësishme janë: defribrilator-kardioskop, monitori shumëparametërsh (ECG, okzimetër, presioni i gjakut jo invaziv, rrahjet e zemrës, temperature) si dhe respiratori pneumatik ose elektrik. Por këto pajisje, përveçse në dokumentin e NATO-s nuk përmenden askund tjetër, madje edhe në procesverbalin për pritjen e kompletit mjekësor që drejtuesit e Bazës Ushtarake të Farkës kanë mbajtur në Aeroportin e Rinasit më 25 prill 2013. Madje, këto aparatura nuk u përmenden aspak as në ceremoninë e zhvilluar me rastin e mbërritjes së helikopterit “Cougar AS 532 Medevak”, ku morën pjesë ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Xhemal Gjunkshi, si dhe një sërë zyrtarësh e ushtarakësh të tjerë të lartë. Sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, referuar ceremonisë së pritjes së helikopterit, ndër të tjera thuhet se helikopterët “Cougar” janë nga më modernët dhe operojnë në të gjitha kushtet meteorologjike, ditën dhe natën, në misione të vështira, operacione luftarake,  si dhe në mbështetje të Forcave Tokësore apo Detare. “Cougar, AS 532 AL” është i pajisur me një sërë pajisjesh të veçanta të cilat bëjnë të mundur që ky helikopter të përdoret më së miri për transportim të plagosurish. Ekuipazhi minimal: VFR: 1 pilot; IFR: 2 pilotë. Evakuimi i të plagosurve: 6 barela dhe 11 ndenjëse për pacientët ose stafin mjekësor”,- thuhet në përshkrimin e helikopterit, por pa përmendur asnjë prej pajisjeve mjekësore që ky helikopter duhet të kishte. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, helikopteri “Cougar”, “Medevac” i Forcës Ajrore Shqiptare me numër anësor FA632, është helikopter i tipit shumë-rolësh. “Në variantin e prokuruar nga Ministria e Mbrojtjes, “Medevac” do të përdoret kryesisht për transport të plagosurish, 6 pacientë të sistemuar në barela, por mund të përdoret në rast nevoje edhe për transport trupash (deri në 24 trupa pa pajime), transport ngarkesash (CARGO) deri në 3000 kg, (ngarkesë të brendshme), etj.”,- thuhet në njoftim.

 

Helikopteri   pamje e brendshme helikopteri