Tahiri godet lojërat e fatit

34

policia...Policia e Shtetit po ndërmerr një operacion të gjerë në të gjithë qarqet e vendin. Në operacionin, ku po angazhohet rreth 6 mijë forca policie, synohet bllokimi i të gjitha pikave të basteve të jashtëligjshme.

Për më pak se 2 orë shteti ka mbyllur mbi një mijë qendra të lojërave të fatit ilegale në Shqipëri, duke i dhënë fund një prej bizneseve më gërryese të shoqërisë.

Forcat e policisë në këtë operacion janë mbështetur edhe nga inspektorët e tatimeve dhe institucioni që mbikëqyr lojërat e fatit. Sipas të dhënave në 12 qarqet e vendit ku operacioni ka qenë i njëkohshëm dhe i befasishëm janë bllokuar mbi 1 mijë biznese në këtë fushë, duke u kyçur menjëherë.

Ministri Tahiri ka inspektuar operacionin nga afër, duke deklaruar se kjo ndërmarrje do t’i japë fund këtij biznesi në rastet që ai është i paligjshëm.

Në një prononcim për mediat ministri Tahiri ka thënë lojërat e fatit janë kthyer në një bazë paligjshmërie, me dëme për buxhetin e familjeve shqiptare, si dhe në një çerdhe kriminaliteti.

“Kemi premtuar publikisht me kryeministrin Rama mbylljen e aktiviteteve të paligjshme. Jam krenar që sot mbyllëm këtë operacion. Është një aksion që nga njëra anë tregoi vullnetin e Policisë së Shtetit dhe nga ana tjetër pikat e dobëta. Deri tani janë bllokuar mbi 350 subjekte në gjithë Shqipërinë dhe aksioni do vijojë deri në pikën e fundit”.

Blic edhe në Lezhë, bllokohen 10 pika të lojërave të fatit

Ashtu si në shkalle vendi operacion blic i policisë ndaj lojërave të fatit është shtrirë edhe në qytetin e Lezhës. Uniforma blu morën kanë bllokuar 10 pika të lojërave të fatit.

Krahas policisë në aksion morën pjesë edhe inspektorë tatimorë në përpjekje për zbulimin e lojërave të fatit që u janë shmangur detyrimeve tatimore. Të dhënat e policisë të Lezhës pohuan se për disa pika ka dyshime që kanë shmangur taksat me kohë, ndërsa për ato pika që nuk kanë ligjshmërinë pritet të merren masa ndaj tyre.

Sipas policisë së Lezhës të tilla aksione do të merren rishtazi për të bërë të mundur edhe ndalimin e personave të dyshimtë, ku krahas kazinove kontrolle do të ushtrohen edhe në loto, pika bastesh etj.

Refuzon urdhrin e Tahirit, pezullohet kryepolici i “Qytet Studentit”

Pezullohet nga detyra komandanti i policisë në “Qytetin Studenti” në Tiranë. Vendimi është marrë pasi komandanti i policisë në “Qytetin Studenti” Arsen Sinomataj nuk ka zbatuar urdhrin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për zhvillimin e kontrolleve te pikat e basteve dhe kazinotë në këtë zonë.

Pezullimi i tij vjen në një kohë kur në gjithë vendin po zhvillohet aksioni kundër pikave të paligjshme të lojërave të fatit.

Ndërkaq nga kontrollet e zhvilluara deri më tani në zonën e “Qytetit Studenti”, janë bllokuar 150 pika të paligjshme bastesh, të cilat ushtronin aktivitetin e tyre jashtë kritereve të përcaktuara në ligj.