Basha: Rama një satrap oriental

Lulzim-Basha-PD-deklaron1-565x413Partia Demokratike ka mbledhur sot grupin e saj parlamentar. Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi se Kryeministri i vendit po sillet si satrap oriental dhe se, PD do të depozitojë sot në Kuvend kërkesën për një referendum popullor në lidhje me armët kimike.

“Prej më shumë se një jave, shqiptarët po përjetojnë ankthin e lajmit të mbërritjes së armëve kimike në Shqipëri. Shqiptarët duan të dinë të vërtetën nga kryeministri, që është investuar personalisht dhe mesa shihet i vetëm fare në këtë çështje. Ne kemi kërkuar transparencë për këtë çështje, por Rama zgjodhi rrugën e tij të preferuar: heshtjen arrogante ndaj zërit të qytetarëve. Ne i bëmë thirrje publike: Mos bëj strucin përballë shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ai u përgjigj, por foli me gjuhën e mashtrimit. Qytetarët nuk e besuan. Edi Rama është dy herë gënjeshtar, edhe  ndaj publikut shqiptar, edhe me ata që u ka krijuar iluzionin se drejton një vend ku nuk ka opozitë. Rama e nis me mashtrime dhe shpreson t’ia dalë me mashtrime. Ne nuk do ta lejojmë.

Tani është radha jonë t’i bëjmë me dije këtij kryeministri që ka vendosur të sillet sipas standardit të një satrapi oriental. PD do të depozitojë sot në Kuvend kërkesën për mbajtjen e një referendumi popullor për armët kimike. Duhet të jenë shqiptarët ata që do të vendosin për Shqipërinë e nesërme.

Duam të garantojmë çdo shqiptar se për ne vullneti dhe zëri juaj janë gjëja më e shtrenjtë. Jemi të vendosur që së bashku të bëhemi një barrierë e pakaërcyeshme për papërgjegjshmërinë e Edi Ramës.

Ne do të depozitojmë edhe kërkesën për mocion me debat me kryeministrin që ua bëri ujë gjakun shqiptarëve”, tha Basha.

Berisha për armët kimike: Refuzimi nuk dëmton partneritetin ndërkombëtar

Sali BerishaEdhe ish Kryeministri Berisha i është përgjigjur interesit të mediave lidhur me armët kimike duke dhënë një deklaratë përpara se të hynte në Kuvend.

“Referendumi është një rrugë demokratike, por ndërkohë nuk do të pranojmë qoftë edhe një mbushje të vetme të armëve kimike. PD ka një qëndrim të kristaltë: jemi kategorikisht kundër. Shpresojmë te të rinjtë dhe shqiptarët që janë të fyer sot”.

I pyetur lidhur me importin e mbetjeve, një nga vendimet e qeverisë së tij, që u anulua menjëherë pas formimit të qeverisë “Rama”, Berisha tha se kushdo që bën një krahasim mes importit të mbetjeve dhe armëve kimike është i çmendur.

“Ai që krahason plastikat dhe letrën me armët kimike ka një problem mendor të jashtëzakonshëm. Këtë po e refuzojnë vendet më të zhvilluara europiane dhe po e merr një njeri që mund të quhet gjithçka, por jo normal. Refuzimi nuk dëmton aspak partneritetin me vendet perëndimore”, tha Berisha.

Armët kimike, Meta: Çështja po instrumentalizohet nga politikanë që s’janë çarmatosur vetë

ilir-metaPara fillimit të seancës parlamentare kreu i Kuvendit Ilir Meta dha një deklaratë të shkurtër për mediat duke theksuar se nuk ka asnjë vendim qeveritar në lidhje me këtë pikë dhe se politikanë që s’janë çarmatosur vetë po e instrumentalizojnë këtë çështje.

“Mendoj se ka mjaft spekulim dhe është një çështje që po instrumentalizohet nga disa politikanë, që akoma nuk janë çarmatosur vetë. Politikanë që nuk kanë bërë asnjë reflektim për dëmet që i kanë shkaktuar mjedisit në të kaluarën. Nuk ka asnjë vendim dhe nuk mund të ketë të tillë jashtë syve dhe vëmendjes së shqiptarëve”, tha Meta.

 

Qeveria ndryshon ligjin për Sigurimet Shoqërore

qeveriaaa ramaQeveria ka miratuar dje, gjatë mbledhjes së radhës, disa ndryshime në ligjin për sigurimet shoqërore. Ndryshimet konsistojnë në caktimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si autoritet kompetent për monitorimin dhe kontrollin e veprimtarisë së Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

PROJEKTLIGJ:

1. Për disa ndryshime në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Ndryshimet që do t’i  propozohen Kuvendit për miratim me këtë projektligj, synojnë përcaktimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si autoritet kompetent për monitorimin dhe kontrollin e veprimtarisë së Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në kuadër të miratimit, si një nga fushat e përgjegjësisë të kësaj ministrie, të zhvillimit të politikave dhe legjislacionit në lidhje me sigurimet shoqërore. Gjatë mbledhjes janë marrë dhe vendime të tjera që kanë të bëjnë me përcaktimin e formës të dokumenteve të gjendjes civile; emërime të ndryshme, etj. VENDIME:

1. Për një ndryshim në vendimin nr.332, datë 17.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e formës, elementeve përbërëse, mënyrës së mbajtjes e afatit të përdorimit të dokumenteve bazë, që mbahen dhe lëshohen nga Shërbimi i Gjendjes Civile”, të ndryshuar.

Vendimi ka si qëllim reflektimin në aktet nënligjore të ndryshimeve të fundit në ligjin nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”. Konkretisht të modelit të procesverbalit që mbahet gjatë procedurës për ndryshimin e emrit dhe mbiemrit të shtetasve.

2. Për lejimin e ekspozimit në Kosovë të 14 veprave të artit në pikturë, me vlera unikale, në kuadër të realizimit të ekspozitës “Imazhi gjuhësor i piktorëve të hershëm tradicionalë në viset tona”.

Vendimi ka si qëllim lejimin e ekspozimit në Kosovë, të 14 pikturave, në ekspozitën “Imazhi gjuhësor i piktorëve të hershëm tradicionalë në viset tona”, që do të qëndrojë e hapur nga data 19 nëntor deri më 20 dhjetor 2013.

3. Për emërimin në detyrë të drejtorit të Cirkut Kombëtar të z.Kujtim Dumi. 4. Për emërimin në detyrë të drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrin e Kukullave të Znj. Monika Lubonja.

5. Për shfuqizimin e vendimit nr.983, datë 10.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kompetencave të Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” dhe riorganizimin e disa institucioneve të trashëgimisë kulturore”.

 Vendimi synon shfuqizimin e vendimit nr.983 datë 10.11.2010, të Këshillit të Ministrave, pasi Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” i janë dhënë disa kompetenca në kundërshtim me ligjet materiale, për shkak të të cilave edhe struktura dhe organika e këtij  institucioni, nuk ka mundur dhe nuk mund të implementohet.

 6. Për lejimin e Ministrisë së Mbrojtjes për zhvillimin e procedurës së prokurimit, me objekt “Mirëmbajtje e sistemit të vëzhgimit të integruar të hapësirës detare”.

 Projekti ka për qëllim lejimin e zhvillimit të procedurës së prokurimit, me objekt “Mirëmbajtje e sistemit të vëzhgimit të integruar të hapësirës detare”, mosrealizimi i të cilës ka cënuar rëndë përmbushjen e misionit të Komandës së Forcës Detare.

Gjykata rrëzon kërkesë-padinë për shpifje të dhëndrit të Berishës, ndaj Taulant Ballës

balla-gjykata-Gjykata e Tiranës ka hedhur poshtë pretendimin e familjarëve të Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, lidhur me deklaratat e deputetit Taulant Balla, për privatizimin e pronave të Sport Klub Partizanit.

Gjykata e Tiranës rrëzoi kërkesë- padinë për shpifje të familjarëve të Malltezit, sipas të cilës, ata kërkonin 100 milionë lekë dëmshpërblim.

Pas vendimit, deputeti socialist ka thënë se ky vendim i hap rrugë hetimit të privatizimit të pronave të Sport Klub Partizanit, një pjesë e të cilave janë marrë pikërisht nga dhëndri i Berishës.

“Vendimi i gjykatës i hap rrugën një hetimi të plotë të privatizimit të Sport Klub Partizanit dhe të pronave të tjera të ushtrisë shqiptare të shitura me vlera qesharake. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të fillojë menjëherë hetimin për këtë çështje. Provat tona, të cilat ia paraqitëm gjykatës, janë të plota dhe tregojnë qartë abuzimet”, tha Balla.

Berisha: Rama po mashtron qytetarët shqiptarë

Sali BerishaNë një postim në rrjetin social FB, ish Kryeministri Berisha ka akuzuar kreun e qeverisë Edi Rama se po vazhdon të mbajë kodin e heshtjes për sa i përket vendimit në lidhje me armët kimike. Kjo sipas Berishës është një turp dhe se ai po mashtron qytetarët shqiptarë.

“Te dashur miq, Edi Rama vazhdon kodin e heshtjes ndaj qytetareve dhe opozites. Shqiptaret mesojne nga mediat amerikane, britanike, gjermane, franceze dhe ruse se nje seri vendesh anetare te NATO-s, si Norvegjia, Turqia, Greqia, Italia etj kane refuzuar shkaterrimin e armeve kimike siriane ne territorin e vendit te tyre.Po nga mediat e ketyre vendeve shqiptaret mesojne te verteten se Edi Rama me entuziazem iu ka premtuar jo nje por disa vendeve anetare dhe jo te NATO-s shkaterrimin e ketyre armeve ne Shqiperi.

Zoti Rama perseri dje mashtroi shqiptaret kur tha se nuk ka vendosur asgje dhe me nje cinizem ekstrem iu deklaroi atyre se “edhe ne rast se do na duhet te marrim nje vendim qofte ne njeren ane qofte ne anen tjeter, me argumentat qe do paraqesim, vendimi qe do marrim do beje krenar cdo shqiptar”. Pra qytetaret duhet te ndjehen krenar pavarsisht nese Rama do vendose per shkaterrimin e armeve ose mospranimin e armeve kimike siriane ne Shqiperi, sepse me se fundi ai do marre mundimin t’iu komunikoje atyre vendimin qe ka marre.Ky eshte nje turp. Kjo eshte transparence orwelliane!!” shkruan Berisha në fb.

Letër Obamës: Nuk menaxhojmë dot problemet tona, jo armët e Sirisë

siri (1)Asgjësimi i armëve kimike në Shqipëri ka shqetësuar jo vetëm ambientalistët, por edhe qytetarët shqiptarë, të cilët janë ngritur edhe në protesta. Një qytetare e Shqipërisë i ka dërguar një letër Presidentit të SHBA-ve, Barack Obama, ku i tregon për problemet e vendit tonë dhe për pasojat shkatërrimit të armëve kimike në vend.

“ I dashur President Barack Obama. Unë jam një qytetare thellësisht e shqetësuar, si miliona shqiptarë, të cilët janë tronditur nga lajmi, se armët kimike toksike vdekjeprurëse, arsenal i regjimit të Asadit do të zbarkojë në brigjet shqiptare”, kështu e nis letrën një vajzë shqiptare e quajtur Armela Bega.

Ajo thotë se, vendi ynë i vogël me një sipërfaqe prej 28.000 km2 ka këto probleme: Është i mbipopulluar, me infrastrukturë të dobët, me probleme të panumërta në çdo sektor të ekonomisë, shëndetësi, arsim, mjedis, bujqësi, turizëm, duke luftuar për mbi dy dekada korrupsionin dhe krimin e organizuar të pllakosur në çdo qelizë të shoqërisë sonë. Sipas saj vendimi për asgjësimin e armëve kimike në Shqipëri do të kishte një ndikim të madh negativ mbi mjedisin. Potenciali vdekjeprurës do të ketë ndikim si në jetën e shqiptarëve dhe në mjedisin për rreth.

Ajo i tregon Obamës edhe për marrëdhëniet miqësor të hershme mes dy vendeve, por oferta e SHBA-ve për të sjellë armët kimike të Sirisë në vend nuk mund të pranohet.

Ajo tregon edhe arsyet se pse duhet të refuzohet kjo ofertë. Vendi ynë është më i varfër në Evropë dhe kjo marrëveshje e rrezikon seriozisht atë. Ajo thotë se si mundet një vend si yni të merret me menaxhimin e mbeturinave dhe gazit sirian, kur nuk menaxhon dot mbeturinat dhe shkatërron dot  materialet kimike të trashëguar nga komunizmi? Letra tregon edhe rastin e “Gërdecit”, i cili mori jetët e disa njerëzve të pafajshëm nga paaftësia e autoriteteve për të menaxhuar si duhet armët. Po për gjithë këtë arsenal, kush i garanton shqiptarët se nuk do t’i ndodhë asgjë. Sipas kësaj qytetare, këto armë janë fataliste për jetët e popullit shqiptar.  Ajo tregon edhe për efektet që do të kenë armët kimike në vendin tonë për breza me radhë.

‘Nëse në Shqipëri do të vdesin, do të vdesin për shkak të politikanëve të saj’, kështu përfundon letra drejtuar Obamës.

Rusia ofron 2 milionë dollarë për shkatërrimin e armeve kimike siriane

siria-armi-chimiche-usaRusia do të ofrojë rreth 2 milionë dollarë për shkatërrimin e armëve kimike siriane, gjithashtu do të ofrojë edhe ndihmën e një grupi ekspertësh, ka thënë sot një zyrtar i lartë rus.

 “2 milionë dollarë së bashku me asistencën teknike, do të ofrohen nga Rusia për të ndihmuar një organizatë ndërkombëtare të eliminojë armët kimike të Sirisë”, njofton Reuters.

Lajmi vjen në një kohë kur Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, ka ngritur një fond prej 10 milionë euro, për armët kimike siriane, sipas një marrëveshjeje amerikano–ruse, të arritur në muajin shtator.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike duhet të miratojë deri të premten një plan përfundimtar nga Siria për të shkatërruar armët e saj kimike. Presidenti Bashar al Assad ka thënë se duhen më shumë  ka fonde për të shkatërruar më shumë se 1.000 ton armë kimike deklaruara nga Siria.

“Rusia, në parim është e gatshme të ofrojë asistencë teknike, ekspertë dhe ndoshta ndihmë financiare. Kjo çështje është duke u diskutuar, por shuma është diku rreth 2 milionë dollarë,” ka thënë zëvendësministri i jashtëm rus, Gennady Gatilov.

Rama: Nuk do të cënojmë jetën e shqiptarëve

rama sotNë një postim në Facebook Kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do të ndërmarrë asnjë vendim që cënon jetën dhe të ardhmen e shqiptarëve.

“Duke kërkuar mirëkuptimin e të gjithëve, ashtu siç mirëkuptoj plotësisht të gjithë ata që ndihen të shqetësuar apo edhe ata që dalin në protestë, jo nga rruga e interesave politike, por nga rruga e interesit qytetar dhe atdhetar, sot ne mundet vetëm të themi me plot gojën se në asnjë rast dhe për asnjë arsye, ne nuk do të pranonim që të cënohej integriteti i vendit tonë, qoftë në aspektin jetik, qoftë në aspektin mjedisor, qoftë në aspektin e të ardhmes së vet.

Çdo vajzë dhe çdo djalë, nxënës apo student, që sot është përfshirë në këtë debat, duhet ta dijë se kurrë, unë vetë dhe kjo Qeveri nuk do të pranonte që, jo jeta, por vetë e ardhmja e tyre të vihej në diskutim me cenimin më të vogël. Çdo prind duhet ta dijë se kurrë, unë apo Qeveria nuk do të vendoseshim në asnjë lloj pozicioni që do të rrezikonte qoftë edhe një fije fëmijën apo familjen. Çdo gjyshe dhe gjysh, në këtë vend, duhet ta dijë se kurrë ne nuk do të thoshim një “Po” dhe kurrë unë nuk do të shkoja përballë publikut dhe përballë Parlamentit për të kërkuar “Po”-në e tyre të domosdoshme, pa pasur në dorë një plan të bazuar mbi një marrëveshje, që do të garantonte jo vetëm që të gjitha rreziqet e imagjinuara për shkak të një propagande, do të thosha të mbështetur në një tërësi të pavërtetash dhe me disa të vërteta që janë dhe të vërtetat tona, të kthehej në një problem.

Pra, është absolutisht e qartë që për ne, për mua, për Qeverinë, me patjetër, kontributi ynë dhe pozicionimi ynë i qartë krah për krahë Shteteve të Bashkuara është i lidhur me interesin e çdo shqiptari, të çdo familjeje shqiptare dhe të ardhmërisë së këtij vendi dhe të familjeve të këtij vendi në këtë vend. Çka do të thotë se “Po”-ja jonë do të mund të lidhet vetëm me një plan dhe me një marrëveshje, nga ku, të jetë e qartë për të gjithë, që Shqipëria do të dalë jo vetëm më kokën lart, por e fituar dhe edhe më e pastër seç është sot.” shkruan Rama.

Aksident në autostradë, 1 i vdekur 3 të plagosur

aksidentNjë aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur pasditen e sotme, në autostradën Tiranë-Durrës. Një person ka humbur jetën dhe 3 të tjerë janë plagosur, si pasojë e përplasjes së dy automjeteve. Burime nga policia bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:00 në Vorë, ku dy makina janë përplasur për shkaqe ende të panjohura.

Momentalisht nuk ka të dhëna rreth identitetit të viktimës, ndërsa të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit të rëndë.