Rama: Nuk do të cënojmë jetën e shqiptarëve

21

rama sotNë një postim në Facebook Kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do të ndërmarrë asnjë vendim që cënon jetën dhe të ardhmen e shqiptarëve.

“Duke kërkuar mirëkuptimin e të gjithëve, ashtu siç mirëkuptoj plotësisht të gjithë ata që ndihen të shqetësuar apo edhe ata që dalin në protestë, jo nga rruga e interesave politike, por nga rruga e interesit qytetar dhe atdhetar, sot ne mundet vetëm të themi me plot gojën se në asnjë rast dhe për asnjë arsye, ne nuk do të pranonim që të cënohej integriteti i vendit tonë, qoftë në aspektin jetik, qoftë në aspektin mjedisor, qoftë në aspektin e të ardhmes së vet.

Çdo vajzë dhe çdo djalë, nxënës apo student, që sot është përfshirë në këtë debat, duhet ta dijë se kurrë, unë vetë dhe kjo Qeveri nuk do të pranonte që, jo jeta, por vetë e ardhmja e tyre të vihej në diskutim me cenimin më të vogël. Çdo prind duhet ta dijë se kurrë, unë apo Qeveria nuk do të vendoseshim në asnjë lloj pozicioni që do të rrezikonte qoftë edhe një fije fëmijën apo familjen. Çdo gjyshe dhe gjysh, në këtë vend, duhet ta dijë se kurrë ne nuk do të thoshim një “Po” dhe kurrë unë nuk do të shkoja përballë publikut dhe përballë Parlamentit për të kërkuar “Po”-në e tyre të domosdoshme, pa pasur në dorë një plan të bazuar mbi një marrëveshje, që do të garantonte jo vetëm që të gjitha rreziqet e imagjinuara për shkak të një propagande, do të thosha të mbështetur në një tërësi të pavërtetash dhe me disa të vërteta që janë dhe të vërtetat tona, të kthehej në një problem.

Pra, është absolutisht e qartë që për ne, për mua, për Qeverinë, me patjetër, kontributi ynë dhe pozicionimi ynë i qartë krah për krahë Shteteve të Bashkuara është i lidhur me interesin e çdo shqiptari, të çdo familjeje shqiptare dhe të ardhmërisë së këtij vendi dhe të familjeve të këtij vendi në këtë vend. Çka do të thotë se “Po”-ja jonë do të mund të lidhet vetëm me një plan dhe me një marrëveshje, nga ku, të jetë e qartë për të gjithë, që Shqipëria do të dalë jo vetëm më kokën lart, por e fituar dhe edhe më e pastër seç është sot.” shkruan Rama.