Këshilli Bashkiak, të majtët “rrëzojnë” Bashën

Keshilli BashkiakPas debatesh të forta, Këshilli Bashkiak i kryeqytetit vendosi të shtyjë alokimin e fondit prej 160 mln lekësh, për shpronësimin e banorëve të prekur nga ndërtimi i zgjatimit të bulevardit të ri të Tiranës.

“T’i japim fund praktikës së dëmshme, që për vepra të mëdha punimet të avancohen pa marrë parasysh të gjitha kërkesat e familjeve që shpronësoheshin, të pronave që prekeshin, kundrejt kuadrit ligjor në fuqi”, tha Enno Bozdo, zv. kryetar i Bashkisë së Tiranës.

“Këtu nuk jemi në epokën e kolektivizimit, që ne të dimë se çfarë është më mirë për fshatarët. Kështu që edhe kjo skemë, që mendohet se ju mendoni që atyre do iu rritet vlera dhe nesër do marrin vlerë, apo hajd tani zoti Basha t’u gjejë firmat e ndërtimit që përzgjedh ai në mënyrë selektive, në mënyrë që nesër t’i kompensojnë, nuk ka të bëjë fare me zhvillimin e pronës në një ekonomi tregu. Pasi në këtë të fundit, është tregu që përcakton çmimin. Zoti Basha duhet të ishte këtu dhe të përballej me një nga problemet kryesore që ka të bëjë me pronarët e Tiranës në këtë pikë. Ata që protestojnë jashtë tregojnë se nuk është mbyllur procesi i negocimit”, tha Ervin Bushati, këshilltar i Partisë Socialiste.

“Non-senset që kanë të bëjnë me vlerësimin e pasurive këtu ose atje, nuk do t’i pengojnë por, përkundrazi, i hapin rrugën. Përndryshe ne do të ngelemi në dy raste: ose që s’duam ta bëjmë projektin, ose që do të bëjmë një projekt pa çelur fonde për shpronësimin e banorëve”, tha Ferdinand Poni, këshilltar i Partisë Demokratike.

“Nuk është fjala për të mos e miratuar. Duhet lënë edhe pak kohë, që ne të përpiqemi në këtë hallkë të fundit, sidoqoftë, të mos marrim vendime që duket sikur u bëjmë karshillëk pronarëve”, tha Shezai Rrokaj, këshilltar i LSI.

Gjatë kësaj kohe, banorët, pronat e të cilëve preken nga punimet në bulevard, zhvilluan një protestë para dyerve të Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë në mbledhje, Këshilli Bashkiak miratoi marrjen e 679 kredive të buta për banorët e pastrehë. Ndërsa shkarkimi i anëtarëve të djathtë në Këshillin e Qarkut, pas ndryshimit të mazhorancës, shkaktoi largimin e të djathtëve në shenjë proteste, pas përfshirjes së këtij vendimi në rendin e ditës, me propozim të kryetarit të këshilltarëve të majtë, Gent Gazheli. /tch/

Liban, shpërthim pranë ambasadës iraniane

Libi shperthimShtatë persona raportohet të kenë vdekur në një shpërthim të ndodhur në afërsi të selisë së ambasadës iraniane në Liban, në kryeqytetin Beirut.  Lajme të pakonfirmuara sugjerojnë se shpërthimi mund të ketë ardhur nga një raketë apo një autobombë. Ndërtesa të shumta përreth janë dëmtuar, tregojnë dëshmitarët.

Irani është mbështetësi më i madh i lëvizjes shiite libaneze Hezbollah, që ka dërguar luftëtarë në Siri për të mbështetur qeverinë e Bashar al Assad. Konflikti në Siri ka përkeqësuar tensionet sektare në Liban.

Zona përreth ambasadës iraniane, në jug të Beirutit, konsiderohet një bastion i Hezbollahut. Më 15 gusht, 16 persona humbën jetën në një shpërthim të ndodhur në këtë zonë.

Luftëtarët e grupit Hezbollah ishin një instrument kyç në fitoren strategjike të forcave të qeverisë siriane në Kusair, qytet pranë kufirit me Libanin, në fillim të qershorit.

Bushati takim me delegacionin e ODHIR: Të gatshëm për vijimin e reformave

Ditmir-BushatiMinistri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka zhvilluar sot një takim me delegacionin e  ODIHR, kryesuar nga McComack.

Në një deklaratë të përbashkët për mediat, Bushati falenderoi për gatishmërine e ODIHR-it për të vijuar me ndihmën e tij për Shqipërinë dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë per vijimin e reformave.

“Jemi gati për të vijuar reformat në bazë të rekomandimeve për t’i paraprirë në kohë zgjedhjeve vendore e më pas parlamentare. Mora gatishmërinë e ODIHR për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë proces”- tha Bushati.

McComack deklaroi, se ndodhet në Shqipëri për një vizitë të shkurtër për të rishikuar me përfaqësues të partive dhe grupet e interesit rekomandimet e raportit perfundimtar të ODIHR-it për vendin tonë.

“Kthehem për disa ditë për të rishikuar rekomandimet e bëra nga raporti përfundimtar i ODIHR-it. Ne kemi monitoruar 11 zgjedhje në vendin tuaj, kemi ardhur për të riparë rekomandimet me përfaqësues të partive të përfaqësuar në Kuvend ose jo dhe me grupet e interesuara të shoqërise civile”- tha ajo.

 

 

Çuçi: Do çohet ne Prokurori çdo zyrtar që ka abuzuar, të gjithe po kalojnë në filter

bledi çuçiNë një intervistë për “AS” Ministri për Pushtetin Vendor, njëkohësisht Koordinatori Kombëtar Anti-Korrupsion, Bledi Çuçi, ka deklaruar se po kalojnë në filtër çdo dokumentacion të lënë nga paraardhësit e tyre, për të kontrolluar rastet e abuzimit. Sipas Ministrit , nën sitë po kalon jo vetëm puna e mëhershme në dikastere, por dhe institucionet e varësisë dhe se dosjet do të kalojnë menjëherë në prokurori.

“Çdo Ministër po bën një analizë shumë të detajuar të funksionimit të aparatit të tyre dhe nga kjo analizë në qoftë se, do të dalin raste korruptive paraardhëse, apo të personave që mund të jenë ende pjesë e aparatit të Ministrive, ato do të shkojnë pa diskutim para drejtësisë. E rëndësishme është që mos të lenë asnjë rast korruptiv qoftë në të kaluarën apo qoftë edhe në vazhdim pa u denoncuar dhe u ndërshkuar”, tha Bledi Çuçi.

 

 

Këshilli i Sigurimit i KB-së debaton sot për Kosovën

keshilli_i_sigurimit_i_kb_se_mNë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara sot debatohet për Kosovën. Gjatë debatit do të kihet parasysh edhe raporti i sekretarit të përgjithshëm të OKB, Ban Ki-Moon, për zhvillimet në Kosovë, prej 16 korrikut e deri më 15 tetor të vitit 2013.

Në raportin e tij prej 17 faqesh, që është publikuar në Internet, theksohet se situata e sigurisë “në Kosovë ka mbetur në përgjithësi e qetë, me incidente të herëpashershme të raportuara në hapësirat e përziera etnike”.

Megjithatë,thuhet se “të gjitha palët duket se demonstrojnë një përkushtim në rritje për parandalimin e tensioneve në terren për ta mundësuar dialogun e nivelit të lartë dhe për lëvizjen përpara të procesit implementues”.

Në raportin e tij, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, e lavdëron si Beogradin ashtu edhe Prishtinën, për angazhimin e vazhdueshëm aktiv në kornizën e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas tij, “një numër i sfidave, që janë paraqitur në proces kanë marrë përgjigje nga liderët politikë në Beograd dhe Prishtinë, me vizion dhe këmbëngulje, duke rezultuar me kompromise të mëtejshme dhe me forcimin e konsensusit, dhe në këtë mënyrë është mbajtur lëvizja përpara e procesit”.

Ban Ki-Moon konsideron se “do të jetë e rëndësishme për palët që ta vazhdojnë implementimin e marrëveshjeve me besim, pa i rihapur rezervat e tyre”.

Në këtë kuadër, në raport theksohet se “angazhimi aktiv i Bashkimit Evropian, përfshirë rolin personal të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, po ashtu vazhdon të jetë esencial”.

Më tej, vlerësohet se “prita brutale kundër EULEX-it, më 19 shtator, që ka rezultuar me vdekjen tragjike të oficerit doganor të EULEX-it, ishte incidenti më serioz në periudhën e raportimit dhe pengesë trazuese”.

Rrjedhimisht, “të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë më nga afë me EULEX-in dhe policinë e Kosovës, në hetimet që po zhvillohen për të siguruar se kryerësit të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë dhe të bëjnë çdo përpjekje për parandalimin e përsëritjes së incidentit të tillë”.

Këtij raporti i është bashkangjitur edhe aneksi i Përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri për aktivitetet e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë, që është miratuar nga shefi i misionit EULEX, Bernd Borchardt.

Në seancën e sotme pritet të marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç.

Biznesmeni i naftës i akuzuar për evazion fiskal, dënohet me 6 muaj burg

biznesmeni i naftesBIRN

Biznesmeni shqiptar, Hajri Elezaj, i akuzuar se ka kryer krimin më të madh financiar të zbuluar ndonjëherë në Shqipëri, është dënuar me 6 muaj burg më 31 tetor, edhe pse vendimi u bë publik vetëm fundjavën e shkuar.

Elezaj akuzohej se së bashku me një biznesmen tjetër, dhe me bashkëpunëtorë në tatime dhe dogana, kishte manipuluar eksportet e asaj që njihet si nafta virgine, e cila më vonë tregtohej në mënyrë ilegale në tregun shqiptar nga viti 2007 deri në vitin 2009.

Prokurorja e Tiranës, Daniela Sulaj kishte kërkuar 13 vite burg për Elezajn për mashtrim të rëndë, pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe thyerje të arrestit shtëpiak.

Por paneli gjyqësor, i kryesuar nga gjyqtari Martin Deda, e gjeti fajtor vetëm për falsifikim dokumentesh dhe e dënoi me vetëm 6 muaj burg.

Për çudi, paneli gjyqësor nuk ofroi ndonjë argument për të mbështetur vendimin. Gjykata po ashtu hoqi gjendjen e sekuestros mbi kompanitë e Elezajt, Euroil dhe Lajthiza.

Elezaj u arrestua në mars të vitit 2011 bashkë me 12 të dyshuar të tjerë, por theu arrestin e shtëpisë dhe u paraqit në gjykatë një vit më vonë.

Nga të dyshuarit, gjykata shpalli të pafajshëm ish- zyrtarin e tatimeve, Dashamir Kasaj, që akuzohej për shpërdorim të detyrës dhe drejtorin e Euroil, Bledar Rama, që akuzohej për mashtrim të rëndë.

Dhjetë të dyshuarit e tjerë, që u gjykuan në raste të ndara pasi nuk kundërshtuan akuzat, morën dënime të lehta që variojnë nga tre deri në 16 muaj.

Nafta virgine, që prodhohet nga rafineria ARMO, ka një cilësi të dobët dhe nuk lejohet të shitet brenda vendit.

Megjithatë, sipas prokurorëve, dy kompani tregtare, duke përdorur dokumente false dhe të ndihmuar nga zyrtarët e tatimeve dhe taksave, falsifikuan eksportet e kësaj nafte, duke e shitur atë në pikat e karburantit.

Si rezultat i këtij mashtrimi, dy kompanitë, Euroil dhe Fisheku mendohet se kanë fituar 40 milion euro në akcizë të papaguar duke shitur naftë të një cilësie jashtëzakonisht të dobët.

Një zëdhënës i Prokurorisë së Përgjithshme, Albi Serjani, tha se vendimi do apelohet.

Ky vendim është një goditje ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, që është renditur mes pesë prioriteteve kyçe që Tirana duhet të plotësojë për të ecur në procesin e anëtarësimit në BE./Nga Besar Likmeta

Votat e Korçës, Kolegji rrëzon padinë e PD-së

kolegjiKolegji Zgjedhor ka rrëzuar padinë e PD-së, për zgjedhjet në Korçë. Përfaqësuesi Ligjor i Partisë Demokratike Ivi Kaso menjëherë pas vendimit u shpreh se Kolegji zgjodhi të mbyllë sytë para blerjes së votes. Sipas tij zgjedhjet në Korçë s’ishin të lira dhe të ndershme. PD kërkoi pavlefshmëri të zgjedhjeve për Bashkinë Korçë. Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor kandidati i Partisë Socialiste Sotiraq Filo do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e Kryetarit të Bashkisë së qytetit të Korçës.

Gjatë shqyrtimit të provave përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Ivi Kaso deklaroi se personat e rregjistruar në video kanë votuar për Partinë Socialiste. Ai kërkon që të zbardhet se sa persona janë dhe kush janë këta persona. Sipas Kasos ky është dhe thelbi i padisë të bërë nga PD-ja. “Prokuroria të gjejë kush e shiti votën për 20 mijë lekë. Humbi e drejta e lirisë së votes. Nuk ishte proces i lirë dhe i ndershëm.”- ka deklaruar Kaso. Ai kërkoi ripërsëritjen e zgjedhjeve në Korçë.

Sipas përfaqësuesit ligjor të PS-së Salianji kjo është tentativë e PD për të zbehur humbjen që pësoi. Ndërsa përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste Eridian Salianji deklaron se video ka efekt publik por jo ligjor.

Zgjedhjet e Korçës kaluan në Kolegjin Zgjedhor, për shkak të kërkesës së Partisë Demokratike për t’i shpallur ato të pavlefshme, me pretendimin se ka pasur blerje të votës, pas publikimit të videos në emisionin “Fiks Fare”

Pesë minatorë tentojnë të vetëdigjen

Bulqiza-minatoretPesë minatorë kanë  tentuar që të vetëflijohen në shenjë proteste, ndaj mbylljes së punës së tyre në minierë. Si pasojë e gjendjes së vështirë ekonomike minatorët e Bulqizës kërkojnë rifillimin e punës në galeritë të cilat janë mbyllur nga autoritet, sepse sipas tyre nuk i plotësojnë kushtet e sigurisë.

Kreu i sindikatave të  minatorëve, Agron Basha, tha se gjendja e vështirë e minatorëve i ka detyruar ata të ndërmarrin akte ekstreme.

“Për ne nuk është e rëndësishme kush është fajtor, por me rëndësi është që të punojmë. Minatorët i zbuluam në kohe, dhe nuk i lejuam të kryenin aktin fatal. U kam nisur te gjitha institucioneve shkresat e duhura për ecurinë dhe aktin e bllokimit të punës pa kriter. Minatorët kanë kushte të vështira ekonomike, kane marrë kredi dhe duke mos punuar kanë vendosur të marrin aktin e vetëflijimit,”- deklaroi Basha.

Basha: PD në krahun e duhur, falenderoj qytetarët që i’u bënë barrikadë Ramës

Foto nga Armando Babani
Foto nga Armando Babani
Foto nga Armando Babani

Kreu i PD-së, Lulzim Basha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar deklaroi se, opozita u rreshtua në anën e duhur lidhur me çmontimin e armëve kimike në vend.

Ndonëse e përzunë nga sheshi, Basha falenderoi qytetarët që sipas tij u shndërruan në një barrikadë të pakapërcyeshme për armët kimike.

Basha akuzoi kreun e qeverisë Rama për mashtrim, në lidhje me armët kimike duke theksuar se, pas tyre fshiheshin interesat personale të Ramës.

 

Paris, të shtëna me armë para Bankës së Shoqërisë së Përgjithshme

paris shtena me arme
Foto e personit ne kerkim

Një person i armatosur ka qëlluar pranë kullës Granite, që i përket Bankës së Shoqërisë së Përgjithshme, në zonën ku ndodhen një sërë godinash biznesi në Paris.

Sipas burimeve policore, nuk ka pasur viktima. Personi i armatosur ka qëlluar dy herë në drejtim të godinës, pa marrë në shënjestër ndonjë person konkret, ndërkohë që punonjësit gjendeshin poshtë godinës, përballë tij.

Pasi ka qëlluar dy herë,  personi është larguar në këmbë, i armatosur. Policia e Parisit  ka mbërritur menjëherë në vendngjarje.

Sipas dëshmitarit okular të kontaktuar nga Le Monde, personi kishte veshur një pallto ngjyrë kaki, e cila korrespondon me përshkrimin e autorit, i cili ka qëlluar dhe plagosur rëndë një ndihmës fotograf paraditen e sotme, në hollin e gazetës “Libération”.

Policia dyshon se në të tre ngjarjet bëhet fjalë për një person të vetëm, kërcënimi në kanalin televiziv BFMTV, plagosja në hollin e gazetës “Libération” dhe incidenti i fundit para godinës së Bankës së Shoqërisë së Përgjithshme.