Biznesmeni i naftës i akuzuar për evazion fiskal, dënohet me 6 muaj burg

75

biznesmeni i naftesBIRN

Biznesmeni shqiptar, Hajri Elezaj, i akuzuar se ka kryer krimin më të madh financiar të zbuluar ndonjëherë në Shqipëri, është dënuar me 6 muaj burg më 31 tetor, edhe pse vendimi u bë publik vetëm fundjavën e shkuar.

Elezaj akuzohej se së bashku me një biznesmen tjetër, dhe me bashkëpunëtorë në tatime dhe dogana, kishte manipuluar eksportet e asaj që njihet si nafta virgine, e cila më vonë tregtohej në mënyrë ilegale në tregun shqiptar nga viti 2007 deri në vitin 2009.

Prokurorja e Tiranës, Daniela Sulaj kishte kërkuar 13 vite burg për Elezajn për mashtrim të rëndë, pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe thyerje të arrestit shtëpiak.

Por paneli gjyqësor, i kryesuar nga gjyqtari Martin Deda, e gjeti fajtor vetëm për falsifikim dokumentesh dhe e dënoi me vetëm 6 muaj burg.

Për çudi, paneli gjyqësor nuk ofroi ndonjë argument për të mbështetur vendimin. Gjykata po ashtu hoqi gjendjen e sekuestros mbi kompanitë e Elezajt, Euroil dhe Lajthiza.

Elezaj u arrestua në mars të vitit 2011 bashkë me 12 të dyshuar të tjerë, por theu arrestin e shtëpisë dhe u paraqit në gjykatë një vit më vonë.

Nga të dyshuarit, gjykata shpalli të pafajshëm ish- zyrtarin e tatimeve, Dashamir Kasaj, që akuzohej për shpërdorim të detyrës dhe drejtorin e Euroil, Bledar Rama, që akuzohej për mashtrim të rëndë.

Dhjetë të dyshuarit e tjerë, që u gjykuan në raste të ndara pasi nuk kundërshtuan akuzat, morën dënime të lehta që variojnë nga tre deri në 16 muaj.

Nafta virgine, që prodhohet nga rafineria ARMO, ka një cilësi të dobët dhe nuk lejohet të shitet brenda vendit.

Megjithatë, sipas prokurorëve, dy kompani tregtare, duke përdorur dokumente false dhe të ndihmuar nga zyrtarët e tatimeve dhe taksave, falsifikuan eksportet e kësaj nafte, duke e shitur atë në pikat e karburantit.

Si rezultat i këtij mashtrimi, dy kompanitë, Euroil dhe Fisheku mendohet se kanë fituar 40 milion euro në akcizë të papaguar duke shitur naftë të një cilësie jashtëzakonisht të dobët.

Një zëdhënës i Prokurorisë së Përgjithshme, Albi Serjani, tha se vendimi do apelohet.

Ky vendim është një goditje ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, që është renditur mes pesë prioriteteve kyçe që Tirana duhet të plotësojë për të ecur në procesin e anëtarësimit në BE./Nga Besar Likmeta