Këshilli Bashkiak, të majtët “rrëzojnë” Bashën

39

Keshilli BashkiakPas debatesh të forta, Këshilli Bashkiak i kryeqytetit vendosi të shtyjë alokimin e fondit prej 160 mln lekësh, për shpronësimin e banorëve të prekur nga ndërtimi i zgjatimit të bulevardit të ri të Tiranës.

“T’i japim fund praktikës së dëmshme, që për vepra të mëdha punimet të avancohen pa marrë parasysh të gjitha kërkesat e familjeve që shpronësoheshin, të pronave që prekeshin, kundrejt kuadrit ligjor në fuqi”, tha Enno Bozdo, zv. kryetar i Bashkisë së Tiranës.

“Këtu nuk jemi në epokën e kolektivizimit, që ne të dimë se çfarë është më mirë për fshatarët. Kështu që edhe kjo skemë, që mendohet se ju mendoni që atyre do iu rritet vlera dhe nesër do marrin vlerë, apo hajd tani zoti Basha t’u gjejë firmat e ndërtimit që përzgjedh ai në mënyrë selektive, në mënyrë që nesër t’i kompensojnë, nuk ka të bëjë fare me zhvillimin e pronës në një ekonomi tregu. Pasi në këtë të fundit, është tregu që përcakton çmimin. Zoti Basha duhet të ishte këtu dhe të përballej me një nga problemet kryesore që ka të bëjë me pronarët e Tiranës në këtë pikë. Ata që protestojnë jashtë tregojnë se nuk është mbyllur procesi i negocimit”, tha Ervin Bushati, këshilltar i Partisë Socialiste.

“Non-senset që kanë të bëjnë me vlerësimin e pasurive këtu ose atje, nuk do t’i pengojnë por, përkundrazi, i hapin rrugën. Përndryshe ne do të ngelemi në dy raste: ose që s’duam ta bëjmë projektin, ose që do të bëjmë një projekt pa çelur fonde për shpronësimin e banorëve”, tha Ferdinand Poni, këshilltar i Partisë Demokratike.

“Nuk është fjala për të mos e miratuar. Duhet lënë edhe pak kohë, që ne të përpiqemi në këtë hallkë të fundit, sidoqoftë, të mos marrim vendime që duket sikur u bëjmë karshillëk pronarëve”, tha Shezai Rrokaj, këshilltar i LSI.

Gjatë kësaj kohe, banorët, pronat e të cilëve preken nga punimet në bulevard, zhvilluan një protestë para dyerve të Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë në mbledhje, Këshilli Bashkiak miratoi marrjen e 679 kredive të buta për banorët e pastrehë. Ndërsa shkarkimi i anëtarëve të djathtë në Këshillin e Qarkut, pas ndryshimit të mazhorancës, shkaktoi largimin e të djathtëve në shenjë proteste, pas përfshirjes së këtij vendimi në rendin e ditës, me propozim të kryetarit të këshilltarëve të majtë, Gent Gazheli. /tch/