PD, pse humbi më 23 Qershor*

alfred PezaNga Alfred Peza

Ka një lidhje shumë të ngushtë mes asaj ç’farë ka ndodhur me buxhetin faktit të vitit 2012 dhe shkaqeve që çuan në humbjen e opozitës së sotme në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Ka një lidhje korrelative mes mënyrës sesi u projektua, sesi u realizua, sesi u menaxhua dhe ç’farë fenomenesh prodhoi ky buxhet për Shqipërinë dhe shqiptarët, me shkaqet që i detyruan ata që të ndëshkojnë me votë Sali Berishën dhe mazhorancën e tij qeverisëse.
Partia Demokratike nuk ka bërë ende asnjë analizë për shkaqet e humbjes së saj në këto zgjedhje. Dhe me gjasë, nuk do ta bëjë atë kurrë. As brenda strukturave të saj dhe as në publik. Shkaqet janë të shumta e të shumëllojta. Por njëra mbetet gjithnjë parësore.
Përkrahësit, mbështetësit, aleatët e PD por edhe të tjerë, duhet ta dinë se shkaku themelor i daljes në opozitë të çdo qeverie në përgjithësi dhe PD në veçanti është keqqeverisja. Tek mënyra sesi qeveria e Sali Berishës e menaxhoi buxhetin e shtetit të vitit 2012, gjenden disa nga përgjigjet për humbjen e tij të pastër e të thellë në këto zgjedhje.
Sepse duke qenë buxheti i fundit i plotë që qeverisja e kaluar projektoi, miratoi dhe realizoi gjatë 8 viteve të saj në pushtet, ajo është edhe pasqyra më e mirë për të gjithë ne, për të parë dhe analizuar të gjitha defekteve e saj.
Buxheti i 2012 do të mbahet mend si buxheti i rekordeve negative. Si buxheti i thyerjes së rregullit fiskal të vendosur në ligjin bazë të buxhetit që në vitin 2008, për ruajtjen e tavanit të borxhit në nivelin 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ç’farë e detyroi qeverinë e Sali Berishës që të prishte brenda 4 vitesh një rregull fiskal që e kishte projektuar, vendosur dhe miratuar vetë? Pse e hoqi kjo qeveri tavanin 60% të paprekshmërisë së borxhit? Pse i rrëshqet drejt humnerës situata ekonomike dhe fiskale një qeverie që pretendon se i ka siguruar vendit dhe qytetarëve të vet, rritjen më të lartë ekonomike në planet pas Gjermanisë?! Përse treguesit e rritjes ekonomike të Shqipërisë gjatë 2012 ranë frikshëm në pikjatë, duke shkuar me shpejtësi skëterrë drejt ZEROS?
Sepse administrata shtetërore në përgjithësi dhe ajo tatimore dhe doganore në veçanti, nuk u përdorën për të garantuar rregullin fiskal, ritmin e rritjes ekonomike të vendit dhe trendin e performancës pozitive të biznesit. Ajo u përdor si seksion partie dhe si një instrument i përfitimeve ekonomike dhe politike.
Zbulimi pas 23 qershorit i skemave mashtruese nga ana e hetimit tatimor dhe atij doganor, më qëllim përfitimet e paligjshme të miliona e miliona eurove nga drejtuesit e administratës së kaluar në bashkëpunim me biznese fantazëm, janë vetëm maja e aisbergut të një mega- vjedhje që i është bërë shqiptarëve dhe financave të tyre publike sidomos gjatë 2012 dhe deri në ndërrimin e pushtetit në 2013.
Kjo bëri që buxheti i vitit 2012 të mbahet mend, si buxheti i rënies së dukshme të performancës në mbledhjen e të ardhurave nga ana e administratës tatimore dhe doganore. Gjë që çoi në shterimin e burimeve financiare për të mundësuar realizimin shpenzimeve buxhetore sipas planit fillestar të buxhetit të shtetit. Për të realizuar investimet publike dhe për të ruajtur trendin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Në buxhetin fillestar të vitit të kaluar, të ardhurat totale parashikoheshin të rriteshin me 7.7% kundrejt një viti më parë. Por, ç’farë ndodhi? Në fund të vitit 2012, të ardhurat totale jo vetëm që nuk u rritën në raport me 2011, por ato pësuan rënie.
Viti 2012, nuk do të mbahet mend jo vetëm për prekjen e tavanit të borxhit dhe rritjen e tij përtej kufirit 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, jo vetëm për rënien e mbledhjes së të ardhurave dhe rënien e ndjeshme të rritjes ekonomike të vendit. Viti 2012 do të mbahet mend, edhe si viti i krijimit të një barre të panjohur më parë borxhi, ndaj biznesit privat.
Qeveria e mëparshme, na ka lënë sot mbi kurriz një borxh prej 200- 300 milionë eurosh, në formën e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit për punë publike të kryera dhe të papaguara, ose për pagesa tatimesh që janë objekt rimbursimi. Dhjetra biznesmenë, qindra biznese, mijëra familje dhe dhjetra mijëra njerëz sot vujanë në Shqipëri, pasojat e këtij borxhi. Viktimat më të mëdha ajo ka shënuar në fshatrat, komunat, qytetet dhe zonat më të varfëra në Shqipërisë. Ndaj, ky fenomen ka prekur sot shumë biznese dhe banorë të zonës sime elektorale në qytetin e Peqinit dhe në komunat e Karinës, Gjocajt, Përparimit, Pajovës dhe Shezës.
Ky borxh, ka asfiksuar biznesin, ka rritur papunësinë, ka ndalur investimet, ka bllokuar transaksionet dhe ka rritur ndjeshëm kreditë e këqia në banka, të cilat kanë arritur në nivelin 25%. Ose e thënë ndryshe, për çdo 4 kredi të marra nga biznesi dhe qytetarët, njëri nuk ka sot asnjë mundësi dhe aftësi që ta shlyejë atë. Kjo bëri që ritmi i rritjes ekonomike të Shqipërisë, të ulej me pothuajse rreth tri herë, nga parashikimi fillestar i buxhetit të 2012, deri tek realizimi i tij faktik.
POR, të gjitha këto, nuk mjaftojnë ende për të shpjeguar më të keqen që ka ndodhur. E keqja e madhe që u gatua nga qeveria e Sali Berishës në vitin 2012 në kurriz të buxhetit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, e cila solli edhe ndëshkimin e saj shembullor me votë më 23 qershor.
Meqë ish Kryeministri Berisha i referohet herë pas here doktrinave kur flet për ekonominë, financat dhe buxhetin, plot gjysëm shekulli më parë Seymur Martin Lipset hodhi tezen e thjeshtë por të fortë se “sa më i zhvilluar të jetë një vend aq më të shumta janë shanset që ai ka për të pranuar demokracinë”. Nisur nga kjo, politologët Adam Përzorksi dhe Fernando Limongi analizuan të gjitha vendet e botës, në periudhat nga 1950 e deri më 1990. Dhe arritën në përfundimin se një vend që të bëhet një demokraci liberale e sigurtë, duhet që të ardhurat për frymë të popullsisë të jenë rreth 6000- 7000 dollarë me indeksin e sotëm.
Sipas vetë qeverisë shqiptare, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe CIA-s amerikane, të ardhurat për frymë të shiptarëve luhaten nga 3 600 deri në 3 900 dollarë për frymë. Pra shumë larg kufirit të përcaktuar nga studimi i dy politikologëve të njohur. “Kur bëhesh i pasur, demokracia bëhet e pavdekshme”,- thonin ata. Asnjëra nga 32 regjimet demokratike me të ardhura mbi 9000 dollarë për frymë të popullsisë, nuk ka dështuar. Në të kundërtën, nga 69 regjime të varfëra, plot 39 prej tyre dështuan.
Sipas Fared Zakarias së CNN, Shqipërisë i duhet mjaft më shumë kohë se disa demokraci të tjera të ish lindjes komuniste në Europë, si Polonia, Çekia apo Hungaria, për tu bërë një demokraci liberale e sigurtë.
Por, krahas nivelit të të ardhurave, që një shtet si Shqipëria t’ia arrijë kësaj, duhet edhe lidership që ndërmer reforma strukturore të thella, të qëndrueshme dhe me rezultate afatgjata. Të cilët nuk bëhen vetëm në funksion të kolltukut të tyre dhe të fatit të zgjedhjeve të ardhëshme, por mbi të gjitha në funksion të ecjes më ritme të shpejta përpara të Shqipërisë dhe në funksion të brezave të ardhshëm.

Ajo që reflekton analiza e buxhetit faktik të vitit 2012 është fakti se JO monopolet, JO pasurimi i familjeve të pushtetit dhe i një grushti njerëzish rreth pushtetit, është mënyra më e mirë për ta zhvilluar këtë vend. Përkundrazi, kjo filozofi e zbatuar nga qeveria e Sali Berishës, po e çonte këtë vend drejt katastrofës ekonomike dhe po i’a zvogëlonte gjithnjë e më shumë gradët e lirisë dhe frymëmarrjen, demokracisë.
Procesi i zhvillimit ekonomik të vendit, larg sëmundjeve dhe defekteve si ato që reflektohen në buxhetin faktik të vitit 2012, SE PARI, mundëson që segmente kyçe të shoqërisë,- para së gjithash biznesi privat,- të fitojnë pushtet të pavarur nga shteti. Dhe SE DYTI, duke hyrë në marëdhënie me biznesin, shteti bëhet më pak lakmitar dhe kapriçoz, më shumë i orientuar drejt ligjit e më i përgjegjshëm ndaj nevojave të shoqërisë.
Një buxhet i mirë shteti, investon për rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve të vet, rritjen e nivelit arsimor, shëndetësor, infrastrukturor, për modernizimin dhe diversifikimin e transportit urban, rrit të ardhurat për frymë të popullsisë, investom për kulturën dhe artin, stimulon kristalizimin e klasës së mesme. Liberalizimi ekonomik çon në prodhimin e borgjezisë sonë kombëtare, forcimin e medias dhe shoqërisë civile, duke e çuar vendin viti pas viti, drejt një demokracie liberale të pranueshme dhe të qëndrueshme.
Por, a ka vepruar në këtë mënyrë qeveria e Sali Berishës në punën e saj për realizimin e buxhetit faktit të vitit 2012. JO.
Ç’farë ka ndodhur? Përveç të tjerash viti 2012 do të mbahet mend si viti i krijimit të monopoleve private në ekonomi, me ndihmën e qeverisë.
– Monopoli i Llotarisë Kombëtare.
– Monopoli i ngjyeruesit të karburantëve.
– Monopoli i skanimit të konteniereve dhe makinave.
I’u shtuan monopoleve të mëparshme apo të mëpasme të:
– Koncensionit të fibrave optike.
– Të monopolit të pullave fiskale
– Monopolit të tenderave
– Monopolit të tregjeve
– Monopolit të porteve,
– Monopolit të minierave
– Monopolit të karburanteve, etj, etj.
Miliarda euro u devijuan në këtë mënyrë, nga të ardhurat për në buxhetin e shtetit, drejt xhepave të biznesit dhe bizneseve të lidhura me familjen e Kryeministrit, me qeveritarët dhe oborrin e tyre.
Për ti bërë të qartë qytetarëve shqiptarë se ç’farë sjellin monopolet, mjafton që të shohin atë që kanë para syve këto ditë. Shembullin e monopolit të fluturimeve ajrore nëpërmjet kompanisë “Belle Air”, e cila në vitin 2012 siguroi një xhiro prej 110- 115 milionë eurosh dhe sot mbyllet pa pritur e pa kuptuar. Shpall falimentin, por ndërkohë vijon e prêt bileta udhëtimi dhe i mer sërisht para shqiptarëve. Duke lënë në ankth mbi 50 mijë qytetarë që kanë rezervuar udhëtime deri në marsin e vitit të ardhshëm. Imagjinoni dramën e mbi 4 mijë udhëtarëve në tri ditët e fundit nëpër aeroportet e botës, që kanë humbur jo vetëm kohën e tyre të çmuar, paratë e kursyera me aq sakrifica, por dhe punën e të ardhmen e tyre.
Kaq, mjafton për të kuptuar se si ka qeverisur Partia Demokratike jo vetëm gjatë vitit të shkuar 2012, por në 8 vitet e mazhorancës së saj. Se si e ka menaxhuar pushtetin dhe buxhetin e shtetit qeveria e kryeministrit Sali Berisha. Se kush ka qenë filozofia dhe praktika e qeverisjes së saj. Për të kuptuar më qartë dhe më mirë, se përse shqiptarët e ndëshkuan më votë Partinë Demokratike dhe Sali Berishën më 23 qershor. Këto dhe ndonjë arësye tjetër, janë edhe shkaqet e vërteta se përse kjo forcë politike, ndodhet sot në opozitë.
Analiza e buxhetit faktit 2012, është një këmbanë alarmi për të gjithë ne, por mbi të gjitha, për mazhorancën e sotme, tani gjatë hartimit dhe në prag të diskutimit e miratimit të buxhetit të shtetit për vitin 2014. Për të zhbërë gabimet e së shkuarës. Për të korigjuar gabimet e sotme. Dhe për të projektuar cilësisht krejt ndryshe, të ardhmen e buxhetit, ekonomisë por edhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

* Fjala e mbajtur sot në Parlament, gjatë diskutimit për buxhetin faktik të vitit 2012

Korrupsioni në drejtësi

FIKSI-MBULIM-26_1Pas një investigimi disa-mujor, emisioni “Fiks-Fare” nisi nga mbrëmja e së martës transmetimin e një cikli emisionesh për denoncimin e korrupsionit në gjyqësor.

Historia e një familjeje, 6 anëtarët e të cilës u arrestuan gjatë një proteste për të drejtat elementare të mbijetesës, zbuloi hallkat e korrupsionit në kete sistem.

Investigimi i “Fiks-Fare” solli një zinxhir sekserësh, të cilët kërkojnë para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke sjellë me zë dhe figurë të vërtetën e funksionimit të sistemit të drejtësisë në vend.

Korrupsioni në drejtësi që i referohet shpesh politika, raportet ndërkombëtare e deri tek ambasadori i SHBA kur tha se në Shqipëri ka gjyqtarë që duhet të ishin pas hekurave, erdhi në serinë e denoncimeve të Fiks Fare i provuar me fakte reale.

“Unë jam banor i Fushë Arrëzit. Në muajin Prill më arrestuan gjashtë pjestarë të familjes në një mënyrë kriminale. Arsyeja e arrestimit ishte një protestë e realizuar për arsye se kompania “Beralt” na ka shkatërruar ekonomikisht, na ka bllokuar tokën, ujin, ndot ambientin e shumë të tjera, diçka për të cilën nuk na ka kompenuar kurrë”, denoncoi në mikrofonat e “Fiks-Fare” banori që nuk deshi të identifikohej me emër dhe fytyrë.

“Protesta u zhvillua në 15 prill 2013. Gjatë protestave u arrestova dhe unë. U lirova pas dy muajsh e gjysmë, kur më ndryshuan masën e sigurisë në arrest shtëpie. Bëra kërkesë dhe u lirova me detyrim paraqitje. Nuk kishte shanse të liroheshe pa paguar. Liria më kushtoi katër milionë lekë (të vjetra)”, vazhdoi denoncimin viktima e kësaj skeme gjigante të korrupsionit në drejtësi.

“Nga Prilli deri në Gusht mund të kem shkuar në gjykata 20 herë dhe nuk pranonin të më merrin kërkesën, pasi kërkonin lekë. Unë s’isha mësuar me këtë, gjykatësit përdorin sekserë. Paratë kërkoheshin për prokurorin e gjyqtarin, kërkonin jo më pak se 5,5 mln lekë për lirim. Unë detyrohem të marr borxh, më vonë nëse vazhdon kështu do të detyrohem të shes shpinë dhe rrugë tjerë s’ka sepse nëse s’paguajmë ata s’do të dalin nga burgu”, vazhdoi denoncimkin qytetari.

Të alarmuara nga ky denoncim, kamerat e “Fiks-Fare” mbërritën në vendngjarje, në Gjykatën e Rrethit Pukë, që pa shumë vështirësi mundën të takoheshin me sekserin. “Prokurori nuk ta qit djalin pa marrë kafen. Bën 6 milionë lekë. Prokurorët dhe gjyqtarët marrin në fillim kafet dhe më pas të mbarojnë punë”, thotë sekseri me zë dhe figurë përpara qytetarit.

Më pas, kamerat dokumentojnë oficerin e policisë gjyqësore, Hasan Allën, i cili ndërmjetëson lirimin pas pagimit të lekëve. Kamerat dokumentojnë takimin me avokatin Fariz Xhuxhi, i cili thotë: “Paguaj dhe për dhjetë ditë lirohet”. Ai del garant për të zgjidhur të gjithë situatën, ndërsa i pyetur nga qytetari se nëse ka rrezik që çështja të rihapet, Xhuxhi jep të sigurt se gjykatësi nuk do ta bëjë kurrë gjyqin.

“Unë do i them, në ta mban b…. liroje dhe merr lekët. Kështu funksionon, çështje interesi”, shton Xhuxhu, duke iu referuar gjyqtarit.

Në “Fiks-Fare”, në këtë emision të parë që hap një seri emisionesh që demaskojnë korrupsionin në drejtësi, dokumentohet pjesëmarrja në këtë skemë madhore edhe e kancelares e sekretares së gjykatës.

Sekretarja, nga ana e saj del garant që do të dorëzojë lekët gjykatësit dhe prokurorit, ndërsa kancelarja jep udhëzimet e duhura për mënyrën se si duhet të realizohet të gjitha veprimet. “Kam 21 vite që merrem me këtë punë, unë jam mafie”, thotë në një moment sekretarja.

Ngjarjet e transmetuara këtë të martë i përkasin shkallës së Parë të Gjyqësorit. Por, në ditët në vazhdim, investigimi i ”Fiks-Fare” do të tregojë se pazaret bëhen edhe në shkallët më të larta të gjyqesorit. / Top Channel/

Gafa e OBSH-së: Gjysma e të prekurve me HIV në Greqi, të infektuar për të marrë asistencë

OBSHNjë raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë bën të ditur se ka një numër të madh në rritje të qytetarëve grekë që infektojnë veten qëllimisht me virusin HIV, në mënyrë që të përfitojnë ndihmën ekonomike që ofron shteti për këtë kategori.

OBSH-ja i publikon këto të dhëna alarmante pas hetimit të raportit mes rënies ekonomike dhe numrit të infektimeve me HIV. OBSH shkruan se rreth gjysma e infeksioneve të reja me HIV janë vetëshkaktuar duke bërë të mundur që njerëzit e infektuar të marrin nga shteti rreth 700 € në muaj, si dhe të përfitojnë pranimin më të shpejtë në programet e rehabilitimit të drogës.

Por, të martën, grupi pranë OBSH-së që ka realizuar raportin ka sqaruar se një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe se kemi të bëjmë me një gabim.

“Nuk ka të dhëna që njerëzit në Greqi apo diku tjetër në Evropë kanë infektuar veten me qëllim”, tha Martin Donoghoe, zëdhënës i OBSH-së. Ai ka shtuar se në raport kjo gjë është paraqitur si pasojë e një gabimi gjatë shkrimit

Gjosha në Suedi: Bashkimi Evropian, një perspektivë e qartë e Shqipërisë

KLAJDA-GJOSHA-11_8Në vijim të turit me përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të shtetit suedez. Siç bën të ditur zyra e shtypit e Ministrisë së Integrimit, çështjet në të cilat ministrja Gjosha e vuri theksin në këto takime ishin plotësimi i prioriteteve të lëna nga progres-raporti, përmirësimi i imazhit të Shqipërisë tek vendet anëtare si dhe progresi i bërë me reformat e ndërmarra muajit e fundit.

Fillimisht Ministrja Gjosha u prit nga Sekretari i Shtetit Frank Belfrage. Ai i shprehu ministres shqiptare, vlerësime për rolin stabilizues të Shqipërisë në Ballkan. Ministrja Gjosha, theksoi në fjalën e saj se shqiptarët janë një popull që e duan Bashkimin Evropian dhe se marrja e statusit të vendit kandidat do të ishte vetëm një hap i rëndësishëm përpara në procesin e integrimit të vendit. Gjithashtu u zhvillua një takim me Ministren e Çështjeve Evropiane të Suedisë, Eva Birgitta Ohlsson. Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha shprehu vendosmërinë e qeverisë për të çuar përpara reformat në vend dhe procesin e integrimit në tërësi. “Ne jemi të vendosur për të vazhduar me përmbushjen e prioriteteve , kyçe të cilat do ta drejtojnë Shqipërinë drejt Evropës”,- tha ministrja Gjosha.

PE: Shqipëria meriton statusin. Refuzimi i armëve kimike, shenjë pjekurie

PE/fotoalbaniaplus

Refuzimi që Shqipëria i bëri armëve kimike të Sirisë, me gjithë këmbënguljen amerikane, është komentuar si shenjë e pjekurisë politike nga eurodeputetët, të cilët u shprehen përgjithësisht në mbështetje të Këshillit të Evropës për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Evropian diskutoi draftrezolutën për Shqipërinë, përpiluar nga raportuesi i ri kroat, Nikola Vuljaniç, në të cilin u vërejtën sukseset e Shqipërisë, por edhe problemet. Ndër çështjet e shtruara si të pazgjidhura ishte edhe problemi i gjakmarrjes dhe ngujimit.

Ja disa prej diskutimeve të eurodeputetëve lidhur me draft-rezolutën për Shqipërinë:

Nikola Vuljaniç, raportues për Shqipërinë në PE: “Për mua ka dy qëllime, së pari për të ndihmuar vendin, duke mbështetur raport-progresin e Komisionit e duke ofruar arsye shtesë ndaj Këshillit për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat. Arsyeja tjetër është stabiliteti rajonal e forcimi i pozicionit e politikës së Unionit që thotë se arritjet duhen respektuar e shpërblyer në rrugën e integrimit. E nuk ka dyshime për arritjet, pjekuria politike u dëshmua me refuzimin e shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Me gjithë insistimin e SHBAve, qeveria shqipëtare dëgjoi popullin”.

Jelko Kacin, raportues për Serbinë, slloven: “Ajo çfarë na mungonte prej disa vitesh ishte një raportues proaktiv mbi Shqipërinë, pasi Shqipëria nuk mund të na paraqesë vetë një raport përsa kohë që ne nuk jemi veprues për të dorëzuar diçka, ndaj kjo është për t’u nënvizuar. Megjithëse erdhi shumë vonë, në fund të fundit u shënua një kontribut i madh për të mobilizuar dhe për të vërtetuar përpjekjet e Shqipërisë”. Ndërsa Këshillit i sugjerohet të shmang “vonesa të panevojshme” për dhënien e statusit kandidat në Dhjetor, Tiranës i kërkohet dialog politik dhe reforma të qëndrueshme për të siguruar pavarësinë e institucioneve, gjyqësorit, administratës e medias, krahas luftës kundër korrupsionit, krimit e trafiqeve.

Eduard Kukan, PPE, kreu delegacionit për Ballkan: “Në i bëjmë thirrje Këshillit të njoh progresin e vendit dhe t’i japë statusin kandidat pa vonesë të panevojshme. Por duhet kuptuar gjithashtu me këtë raport se progresi i arritur kërkon më tepër konsolidim e zbatim dhe për reformat e mbetura duhet përshpejtuar miratimi”.

Marije Cornelissen, eurodeputete hollandeze, Të gjelbrit: ” Kalimi i pushtetit pa dhunë, greva urie apo çfarëdolloj qoftë, është një gjë normale për t’u bërë dhe po kështu edhe kryerja e reformave të përcaktuara, ndaj nuk mendoj se është e drejtë që të bëjmë shumë lavdërime për këtë. Ne duhet të kujtojmë të shkuarën, e të jemi paksa të shqetësuar për të ardhmen e afërt. Kuvendi nuk nisi dhe aq në harmoni siç duhej, dhe unë do doja që Shqipëria të na tregonte dëshmi provash se është konsistente dhe vijon bashkëpunimi pozitiv mes partive”.

Nikola Vuljanic, raportues për Shqipërinë: “Në asnjë moment e në asnjë fjali, nuk dhashë idenë se përmirësimi erdhi me ndryshimin e qeverisë. Nuk ndodh asgjëkundi kështu, as në Shqipëri. Ajo që më shqetëson në mardhënien qeveri-opozitë është mungesa e plotë e dialogut dhe ky dialog duhet vendosur nëse duan të ecin para”.

Charles Tannock, britanik, konservator: ”Shqipëria është një anëtare e plotë e Konferencës së Organizatës Islamike, një gjë e pazakonshme për Ballkanin. E kjo shkakton ca dilema në politikën e jashtme, kurdo që t’i bashkohet Bashkimit Europian, për mënyrën se si aleatët votojnë në Kombet e Bashkuara”.

Marietje Schaake, ALDE, hollandeze: ”Dëgjojmë shumë njerëz në shoqëritë tona të thonë se Shqipëria nuk është gati për anëtarësim, çfarë është mëse e vërtetë dhe askush nuk e kundërshton, sepse mbeten shumë shqetësime: korrupsioni, krimi organizuar, diskriminimi, liria e medias e sundimi i ligjit. Ndaj besoj se është e rëndësishme të japim sinjal të qartë se ne presim Shqipërinë të vazhdojë reformat pozitive me statusin kandidat dhe se ka shumë hapa për t’u ndërmarrë e se BE do të ndihmojë Shqipërinë për të ecur përpara e për t’ia arritur”.

Knut Fleckenstein, eurodeputet gjerman, S&D: “Ajo që është më e rëndësishmja për këtë komitet, kur këtu kemi eurodeputetë gjermanë e hollandezë, është të dërgojmë mesazhe të qarta ndaj qeverive tona, se ne kemi mbërritur në pikën që mbështesim statusin kandidat dhe se Shqipëria e meriton këtë, shqipëtarët e kanë fituar këtë. Nëse bëjmë hap mbrapa, e kemi parë të ndodhë me serbët, ne do të humbisnim besimin e i dimë pasojat që do tëkishim atje. Ndaj duhet të jemi shumë të bindës ndaj qeverive të vendeve tona, zoti Posselt mund të më bashkohet, për të treguar se gjërat po shkojnë mirë”.

Marije Cornelissen, eurodeputete holandeze, Të gjelbrit: “Gjakmarrja është disi e rëndësishme në Shqipëri. Janë të paktën 10 mijë familje të prekura. Numri i viktimave të gjakmarrjes është rritur vitet e fundit, regjistrohen të paktën në 150 veta në vit. Shumë fëmijë djem janë të detyruar të rrinë brenda shtëpisë e të mos shkojnë në shkollë e të mos luajnë jashtë. Ka një makineri shteti për këtë, një komitet i ngritur prej 2005, ka një ligj, por në terren asgjë nuk ka ndryshuar dhe problemi qëndron tek përkeqësimi, në vend që të përmirësohet”.

Nikola Vuljanic, raportues për Shqipërinë: “Amendamentin për gjakmarrjen nuk e përfshiva në rezolutë pasi e njohim të gjithë këtë problem, por nuk mund të përfshihen shumë çështje në një raport e kjo mund të konsiderohej në dokumente të mëtejshme. Por e kuptoj se ky amendament kompromisi është pranuar e do të votohet, sipas proçedurës. Jam i lumtur që u përmend toleranca fetare. S’mund ta besoja kur shkova atje. E për habinë time, qeveria dhe opozita më konfirmuan se kështu ndodh e ata nuk i kushtojnë vëmendje fare, është një çështje private e njerëzve. E shkëlqyeshme, pasi nuk e kam parë në asnjë vend të Ballkanit, përfshirë Kroacinë. Për lojërat e fatit dhe krimin e organizuar, i vura një minus amendamentit pasi dëgjova aksionin pjesërisht të suksesshëm për të ndaluar kumarin e paligjshëm, por nuk ia dolën të kapin asnjë bos, asnjë kriminel, pasi dikush nga policia i kishte njoftuar përpara aksionit”. Përfaqësuesja e Komisionit Europian vlerësoi se gjatë periudhës shtator-nëntor, Shqipëria ka ndërmarrë reforma për sundimin e ligjit dhe veprime ndaj shërbimit të taksave e doganave, si dhe ka rritur efikasitetin për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, duke dëshmuar gadishmëri e vullnet politik për marrjen e statusit kandidat. Pavarësisht insistimit të raportuesit, votimi i rezolutës për Shqipërinë pritet të votohet nga Komiteti i Jashtëm më 5 Dhjetor, për t’u miratuar në seancë plenare 10 ditë përpara dhënies së vendimit nga Këshilli i BE-së. /Arta Tozaj – TCH/

Debatet në Kuvend, Cani: Po përpiqeni të fshini të dhënat, një nga një do ju vijë radha

kuvendi-i-shqiperise1Seanca e sotme parlamentare ka vijuar me debate mes ministrave të kabinetit Rama dhe ish Kreut të PD-së, Sali Berisha.

Ish-kreu i PD-së gjatë fjalës së tij theksoi se, ekonomia e vendit po shkon drejt një skenari grek duke paralajmëruar situatë të vështirë ekonomike. Ai akuzoi qeverinë e majtë se nuk është në gjendje të paguajë dot pagat, pensionet dhe ndihmat ekonomike.

“Sëmundjet kronike nuk shërohen, por kurohen. Shqipëria do të shkojë drejtë skenarit grek. Kryetari juaj tha se në dhjetor dalim nga rreziku. Por ju nuk po jepni dot rrogat pensionet. Për herë të parë, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Pse po rrokullisni ekonominë e vendit? Nuk po investohet asnjë qindarkë në punë publike, nuk po hapet asnjë vend pune”,- deklaroi Berisha.

Ndërkohë që sot është bërë publike arrestimi dhe lirimi i shefit të IT-së së zyrës së tatimeve i denoncuar për fshirje të të dhënave nga Drejtoresha e Tatimeve Shehaj, Berisha deklaroi pikërisht të kundërtën se është kërkuar nga shefi i IT-së të dhëna pa procesverbal.

Në lidhje me “Belle Air” Berisha akuzoi qeverinë se ka prishur marrëveshjen mes shtetit dhe kompanisë së fluturimeve.

Debati në Kuvend mes Berishës dhe Ministrave Gjiknuri, Beqaj dhe Cani

Berisha: Nuk mund të merret e dhënë në këtë shtet pa procesverbal

Gjiknuri: Shqiptarët e dinë që ke gënjyer, se tek të dhënat e tatimeve ke futur duart

Berisha: Arrestuat si në vitet ‘50 shefin e IT së tatimeve.

Beqja: Këtë çështjen e serverave e dini mirë ju, se e bërë më 21 janar në mbrëmje. Më i rrezikshëm është ai që di keq. Meqë fole për sëmundje kronike, ju do të mbeteni doktori pacient i politikës shqiptare.

Berisha: Po i përmende serverin ai humbet logjikën.

Cani: Ka 5 vjet që ai 10 dollarëshi që derdhet për çdo biletë në buxhetin e shtetit nuk derdhet, është krijuar një borxh prej 5 milionë dollarë. Të mos paguash taksat është evazion, por t’i marrësh paratë tjetrit që nuk të takojnë është vjedhje. Ju jeni mësuar që të mos e zbatoni asnjë herë ligjin, por ne kemi ardhur për të zbatuar ligjin.

Kanë tentuar miq tua t’i fshijnë të dhënat, por aty janë. Një më një po ju vjen radha, nuk ka kush i fshin të dhënat.

Kur ju mërmërisnit për trimërinë me Alinë, unë jam takuar dhe kam paralajmërua ku do të shkonte ekonomia shqiptare. Kam fol me zë të plotë, ju vetëm keni mërmëritur. Atë pataten merreni se është e nxehtë mbajeni t’ju bëjë mirë.

Ju jeni rast tipik i pashërueshmërisë. Keni fol katër vjet për suksese imagjinare. S’ka ilaç. E pranoi Beqaj të heqë dot nga shërimi juaj.

Berisha: Këta janë vetëm për të bërë papagallin dhe për të përsëritur atë çka u mëson apo u dikton një krye papagall. Të dhënat kanë rregullin e marrjes së tyre.

Është gënjeshtër se keni dërguar audit, keni dërguar dy këshilltarë. Kur shefi i IT-së ka kërkuar zbatimin e rregullave, është kërcënuar se do të arrestohet. Pa procesverbal ka thënë nuk jap asgjë, si përfundim e arrestuan.

Sa i përket karrierës tuaj politike (i drejtohet Canit) nuk dua të hy, ti je njeriu që pasi u vodh thesari i bankës së shtetit, të cilin ju e kishit vendosur në raport të botuar se ekziston, dole u the shqiptarëve se banka nuk ka flori. Të shpëtoi Dhori Sollaku, se ti paguaje me verdhushkat e thesarit të Kërrabës.

 

Rama takim me krerët e qeverive të Evropës Qendrore dhe Juglindore

rama- rumaniKryeministri Edi Rama mori pjesë në takimin e krerëve të qeverive të Evropës Qendrore dhe Juglindore dhe Kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës që u zhvillua në Bukuresht. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Rumanisë, Bullgarisë, Kroacisë, Çekisë, Estonisë, Hungarisë, Lituanisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Polonisë, Serbisë, Sllovakisë, Sllovenisë dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Në këtë takim, u bisedua për rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore dhe Kinës, duke u përqendruar kryesisht në fushat e ekonomisë dhe tregtisë. Përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse theksuan se ky bashkëpunim merr shkas nga partneriteti strategjik mes Bashkimit Evropian dhe Kinës dhe u shprehën të gatshëm për ta forcuar edhe më tej këtë bashkëpunim duke zhvilluar mbledhje të përvitshme të krerëve të qeverive dhe duke promovuar investime në ekonomi dhe tregti.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë që viti 2014 ka për rajonin, si i pari vit që e gjen Ballkanin në paqe të plotë. Kryeministri Rama tha se ky moment i ri duhet shfrytëzuar për të bashkëpunuar sa më ngushtë me vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore për të nxitur investime rajonale, sidomos në fushën e transportit dhe energjisë.

Në këtë takim Kryeministri Rama shoqërohej nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, Ministri i Bashkëpunimit Ekonomik Arben Ahmetaj, si edhe deputeti Taulant Balla. Gjatë ditës së sotme Kryeministri Rama do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale.

 

Portugali, Policia proteston dhe tenton futjen në Parlament

A demonstrator shouts after breaking through a line of policemen guarding the Portuguese parliament in LisbonForcat policore dhe të xhandarmërisë portugeze, kanë manifestuar më 21 nëntor në Lisbonë, kundër masave shtrënguese ekonomike që qeveria po aplikon. Xhandarmëria do të humbasë rreth 15% të buxhetit të 2014-s. Edhe pse kjo nuk është protesta e parë në Portugali, manifestuesit rreth 10 mijë në numër, u gjenden mes një situate të tensionuar, pasi përballë policisë me uniformë ishin kolegët e tyre, policë të veshur civilë.

Protestuesit disa prej tyre me kapuçë në kokë, kanë rrëzuar barrierat e mbrojtjes policore, kanë çarë kordonin e policisë duke tentuar të futen në Parlament.

Ndërhyrja e grupeve speciale policore, ka bërë të mundur spostimin e turmës, që shtynte për tu futur në parlament.

Ministri i Brendshëm Miguel Macedo, e ka vlerësuar ngjarjen për ‘Publico’ si ‘absolutisht të papranueshme’. Së pari, pasi rregullat e sigurisë duhet të respektohen dhe sepse ato që i kanë për mision t’i respektojnë, nuk mund të japin shembullin e dhunimit të tyre.

Paulo Valente Guedes, Drejtori Kombëtar i Policisë, ka dhënë dorëheqjen të nesërmen e ngjarjeve të ndodhura para Parlamentit.

Kryeministri Pedro Passos Coelho, sipas “Ipsilon” ka deklaruar se “ mos respektimi i rregullave në manifestimin e policisë nuk duhet të kishte ndodhur kurrë” dhe se “kjo nuk ishte një indikator i mirë i autoritetit të forcave të sigurisë”.

Presidenti António Cavaco Silva, ka bërë thirrje për qetësi duke theksuar respektin e tij të madh për forcat e rendit : “Ruani qetësinë në këto kohë të vështira për Portugalinë, ndërkohë që ne varemi nga kreditorët, që na vëzhgojnë çdo ditë”

 

Kontrolli i DPB-së, shkarkohen 5 Kryekomisarë paralajmerim për 4 të tjerë

drejtoria-e-burgjeveDrejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton, se në vazhdim të masave të marra gjatë kontrolleve të ushtruara së fundmi nga DPBSH përkatësisht në IEVP Rrogozhinë, Durrës, Fushë- Krujë, Vaqarr janë konstatuar sende të paligjshme, si telefona celularë dhe pije alkoolike.

Sa më sipër, në zbatim të përmirësimit dhe rritjes së standardeve të sigurisë në IEVP-të e vendit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve janë marrë këto masa administrative:

Largim nga detyra

1. Kryekomisar Arben Haxho, Shef i Ruajtjes së Sigurisë në  Fushë- Krujë

2. Kryekomisar Besim Rama, Shef i Ruajtjes së Sigurisë në  Rrogozhinë

3. Kryekomisar Albert Muça, Shef i Ruajtjes së Sigurisë në Durrës

4. Kryekomisar Behar Bregu, Shef i Ruajtjes së Sigurisë në  Vaqarr

5. Drejtues Bardhyl Lloha, përgjegjës informacioni në DPB

Paralajmërim për largim nga detyra

1. Bardhyl Faskaj, Drejtor i  Vaqarr

2. Astrit Kotaj, Durrës

3. Ramazan Hoxha, IEVP Fushë- Krujë

4. Ferdinand Doksani,  Rrogozhinë

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh angazhimin e plotë në respektimin e ligjit dhe ruajtjen e sigurisë në sistemin e burgjeve në të gjithë vendin. Kontrollet do të jenë intensive edhe në vazhdim dhe DPB do të jetë rigoroze në dhënien e masave të duhura, për të synuar drejt një sistemi sa më afër standardeve të kërkuara.

Victoria Silvested pushime në Florida

Victoria Silvested
Victoria Silvested
Victoria Silvested

Modelja Victoria Silvested është fotografuar teksa po kalonte një fundjavë pushuese pranë brigjeve të Oqeanit Atlantik. Silvested është shfaqur në formë teksa po argëtohej duke kryer disa aktivitete sportive në breg të detit.

Modelja e cila ka aktruar dhe në disa filma, ka një shtëpi pushimi në ‘Sunshhine State’, në Florida.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Victoria Silvested
Victoria Silvested

 

Victoria Silvested
Victoria Silvested

 

Victoria Silvested
Victoria Silvested