PD, pse humbi më 23 Qershor*

58

alfred PezaNga Alfred Peza

Ka një lidhje shumë të ngushtë mes asaj ç’farë ka ndodhur me buxhetin faktit të vitit 2012 dhe shkaqeve që çuan në humbjen e opozitës së sotme në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Ka një lidhje korrelative mes mënyrës sesi u projektua, sesi u realizua, sesi u menaxhua dhe ç’farë fenomenesh prodhoi ky buxhet për Shqipërinë dhe shqiptarët, me shkaqet që i detyruan ata që të ndëshkojnë me votë Sali Berishën dhe mazhorancën e tij qeverisëse.
Partia Demokratike nuk ka bërë ende asnjë analizë për shkaqet e humbjes së saj në këto zgjedhje. Dhe me gjasë, nuk do ta bëjë atë kurrë. As brenda strukturave të saj dhe as në publik. Shkaqet janë të shumta e të shumëllojta. Por njëra mbetet gjithnjë parësore.
Përkrahësit, mbështetësit, aleatët e PD por edhe të tjerë, duhet ta dinë se shkaku themelor i daljes në opozitë të çdo qeverie në përgjithësi dhe PD në veçanti është keqqeverisja. Tek mënyra sesi qeveria e Sali Berishës e menaxhoi buxhetin e shtetit të vitit 2012, gjenden disa nga përgjigjet për humbjen e tij të pastër e të thellë në këto zgjedhje.
Sepse duke qenë buxheti i fundit i plotë që qeverisja e kaluar projektoi, miratoi dhe realizoi gjatë 8 viteve të saj në pushtet, ajo është edhe pasqyra më e mirë për të gjithë ne, për të parë dhe analizuar të gjitha defekteve e saj.
Buxheti i 2012 do të mbahet mend si buxheti i rekordeve negative. Si buxheti i thyerjes së rregullit fiskal të vendosur në ligjin bazë të buxhetit që në vitin 2008, për ruajtjen e tavanit të borxhit në nivelin 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ç’farë e detyroi qeverinë e Sali Berishës që të prishte brenda 4 vitesh një rregull fiskal që e kishte projektuar, vendosur dhe miratuar vetë? Pse e hoqi kjo qeveri tavanin 60% të paprekshmërisë së borxhit? Pse i rrëshqet drejt humnerës situata ekonomike dhe fiskale një qeverie që pretendon se i ka siguruar vendit dhe qytetarëve të vet, rritjen më të lartë ekonomike në planet pas Gjermanisë?! Përse treguesit e rritjes ekonomike të Shqipërisë gjatë 2012 ranë frikshëm në pikjatë, duke shkuar me shpejtësi skëterrë drejt ZEROS?
Sepse administrata shtetërore në përgjithësi dhe ajo tatimore dhe doganore në veçanti, nuk u përdorën për të garantuar rregullin fiskal, ritmin e rritjes ekonomike të vendit dhe trendin e performancës pozitive të biznesit. Ajo u përdor si seksion partie dhe si një instrument i përfitimeve ekonomike dhe politike.
Zbulimi pas 23 qershorit i skemave mashtruese nga ana e hetimit tatimor dhe atij doganor, më qëllim përfitimet e paligjshme të miliona e miliona eurove nga drejtuesit e administratës së kaluar në bashkëpunim me biznese fantazëm, janë vetëm maja e aisbergut të një mega- vjedhje që i është bërë shqiptarëve dhe financave të tyre publike sidomos gjatë 2012 dhe deri në ndërrimin e pushtetit në 2013.
Kjo bëri që buxheti i vitit 2012 të mbahet mend, si buxheti i rënies së dukshme të performancës në mbledhjen e të ardhurave nga ana e administratës tatimore dhe doganore. Gjë që çoi në shterimin e burimeve financiare për të mundësuar realizimin shpenzimeve buxhetore sipas planit fillestar të buxhetit të shtetit. Për të realizuar investimet publike dhe për të ruajtur trendin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Në buxhetin fillestar të vitit të kaluar, të ardhurat totale parashikoheshin të rriteshin me 7.7% kundrejt një viti më parë. Por, ç’farë ndodhi? Në fund të vitit 2012, të ardhurat totale jo vetëm që nuk u rritën në raport me 2011, por ato pësuan rënie.
Viti 2012, nuk do të mbahet mend jo vetëm për prekjen e tavanit të borxhit dhe rritjen e tij përtej kufirit 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, jo vetëm për rënien e mbledhjes së të ardhurave dhe rënien e ndjeshme të rritjes ekonomike të vendit. Viti 2012 do të mbahet mend, edhe si viti i krijimit të një barre të panjohur më parë borxhi, ndaj biznesit privat.
Qeveria e mëparshme, na ka lënë sot mbi kurriz një borxh prej 200- 300 milionë eurosh, në formën e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit për punë publike të kryera dhe të papaguara, ose për pagesa tatimesh që janë objekt rimbursimi. Dhjetra biznesmenë, qindra biznese, mijëra familje dhe dhjetra mijëra njerëz sot vujanë në Shqipëri, pasojat e këtij borxhi. Viktimat më të mëdha ajo ka shënuar në fshatrat, komunat, qytetet dhe zonat më të varfëra në Shqipërisë. Ndaj, ky fenomen ka prekur sot shumë biznese dhe banorë të zonës sime elektorale në qytetin e Peqinit dhe në komunat e Karinës, Gjocajt, Përparimit, Pajovës dhe Shezës.
Ky borxh, ka asfiksuar biznesin, ka rritur papunësinë, ka ndalur investimet, ka bllokuar transaksionet dhe ka rritur ndjeshëm kreditë e këqia në banka, të cilat kanë arritur në nivelin 25%. Ose e thënë ndryshe, për çdo 4 kredi të marra nga biznesi dhe qytetarët, njëri nuk ka sot asnjë mundësi dhe aftësi që ta shlyejë atë. Kjo bëri që ritmi i rritjes ekonomike të Shqipërisë, të ulej me pothuajse rreth tri herë, nga parashikimi fillestar i buxhetit të 2012, deri tek realizimi i tij faktik.
POR, të gjitha këto, nuk mjaftojnë ende për të shpjeguar më të keqen që ka ndodhur. E keqja e madhe që u gatua nga qeveria e Sali Berishës në vitin 2012 në kurriz të buxhetit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, e cila solli edhe ndëshkimin e saj shembullor me votë më 23 qershor.
Meqë ish Kryeministri Berisha i referohet herë pas here doktrinave kur flet për ekonominë, financat dhe buxhetin, plot gjysëm shekulli më parë Seymur Martin Lipset hodhi tezen e thjeshtë por të fortë se “sa më i zhvilluar të jetë një vend aq më të shumta janë shanset që ai ka për të pranuar demokracinë”. Nisur nga kjo, politologët Adam Përzorksi dhe Fernando Limongi analizuan të gjitha vendet e botës, në periudhat nga 1950 e deri më 1990. Dhe arritën në përfundimin se një vend që të bëhet një demokraci liberale e sigurtë, duhet që të ardhurat për frymë të popullsisë të jenë rreth 6000- 7000 dollarë me indeksin e sotëm.
Sipas vetë qeverisë shqiptare, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe CIA-s amerikane, të ardhurat për frymë të shiptarëve luhaten nga 3 600 deri në 3 900 dollarë për frymë. Pra shumë larg kufirit të përcaktuar nga studimi i dy politikologëve të njohur. “Kur bëhesh i pasur, demokracia bëhet e pavdekshme”,- thonin ata. Asnjëra nga 32 regjimet demokratike me të ardhura mbi 9000 dollarë për frymë të popullsisë, nuk ka dështuar. Në të kundërtën, nga 69 regjime të varfëra, plot 39 prej tyre dështuan.
Sipas Fared Zakarias së CNN, Shqipërisë i duhet mjaft më shumë kohë se disa demokraci të tjera të ish lindjes komuniste në Europë, si Polonia, Çekia apo Hungaria, për tu bërë një demokraci liberale e sigurtë.
Por, krahas nivelit të të ardhurave, që një shtet si Shqipëria t’ia arrijë kësaj, duhet edhe lidership që ndërmer reforma strukturore të thella, të qëndrueshme dhe me rezultate afatgjata. Të cilët nuk bëhen vetëm në funksion të kolltukut të tyre dhe të fatit të zgjedhjeve të ardhëshme, por mbi të gjitha në funksion të ecjes më ritme të shpejta përpara të Shqipërisë dhe në funksion të brezave të ardhshëm.

Ajo që reflekton analiza e buxhetit faktik të vitit 2012 është fakti se JO monopolet, JO pasurimi i familjeve të pushtetit dhe i një grushti njerëzish rreth pushtetit, është mënyra më e mirë për ta zhvilluar këtë vend. Përkundrazi, kjo filozofi e zbatuar nga qeveria e Sali Berishës, po e çonte këtë vend drejt katastrofës ekonomike dhe po i’a zvogëlonte gjithnjë e më shumë gradët e lirisë dhe frymëmarrjen, demokracisë.
Procesi i zhvillimit ekonomik të vendit, larg sëmundjeve dhe defekteve si ato që reflektohen në buxhetin faktik të vitit 2012, SE PARI, mundëson që segmente kyçe të shoqërisë,- para së gjithash biznesi privat,- të fitojnë pushtet të pavarur nga shteti. Dhe SE DYTI, duke hyrë në marëdhënie me biznesin, shteti bëhet më pak lakmitar dhe kapriçoz, më shumë i orientuar drejt ligjit e më i përgjegjshëm ndaj nevojave të shoqërisë.
Një buxhet i mirë shteti, investon për rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve të vet, rritjen e nivelit arsimor, shëndetësor, infrastrukturor, për modernizimin dhe diversifikimin e transportit urban, rrit të ardhurat për frymë të popullsisë, investom për kulturën dhe artin, stimulon kristalizimin e klasës së mesme. Liberalizimi ekonomik çon në prodhimin e borgjezisë sonë kombëtare, forcimin e medias dhe shoqërisë civile, duke e çuar vendin viti pas viti, drejt një demokracie liberale të pranueshme dhe të qëndrueshme.
Por, a ka vepruar në këtë mënyrë qeveria e Sali Berishës në punën e saj për realizimin e buxhetit faktit të vitit 2012. JO.
Ç’farë ka ndodhur? Përveç të tjerash viti 2012 do të mbahet mend si viti i krijimit të monopoleve private në ekonomi, me ndihmën e qeverisë.
– Monopoli i Llotarisë Kombëtare.
– Monopoli i ngjyeruesit të karburantëve.
– Monopoli i skanimit të konteniereve dhe makinave.
I’u shtuan monopoleve të mëparshme apo të mëpasme të:
– Koncensionit të fibrave optike.
– Të monopolit të pullave fiskale
– Monopolit të tenderave
– Monopolit të tregjeve
– Monopolit të porteve,
– Monopolit të minierave
– Monopolit të karburanteve, etj, etj.
Miliarda euro u devijuan në këtë mënyrë, nga të ardhurat për në buxhetin e shtetit, drejt xhepave të biznesit dhe bizneseve të lidhura me familjen e Kryeministrit, me qeveritarët dhe oborrin e tyre.
Për ti bërë të qartë qytetarëve shqiptarë se ç’farë sjellin monopolet, mjafton që të shohin atë që kanë para syve këto ditë. Shembullin e monopolit të fluturimeve ajrore nëpërmjet kompanisë “Belle Air”, e cila në vitin 2012 siguroi një xhiro prej 110- 115 milionë eurosh dhe sot mbyllet pa pritur e pa kuptuar. Shpall falimentin, por ndërkohë vijon e prêt bileta udhëtimi dhe i mer sërisht para shqiptarëve. Duke lënë në ankth mbi 50 mijë qytetarë që kanë rezervuar udhëtime deri në marsin e vitit të ardhshëm. Imagjinoni dramën e mbi 4 mijë udhëtarëve në tri ditët e fundit nëpër aeroportet e botës, që kanë humbur jo vetëm kohën e tyre të çmuar, paratë e kursyera me aq sakrifica, por dhe punën e të ardhmen e tyre.
Kaq, mjafton për të kuptuar se si ka qeverisur Partia Demokratike jo vetëm gjatë vitit të shkuar 2012, por në 8 vitet e mazhorancës së saj. Se si e ka menaxhuar pushtetin dhe buxhetin e shtetit qeveria e kryeministrit Sali Berisha. Se kush ka qenë filozofia dhe praktika e qeverisjes së saj. Për të kuptuar më qartë dhe më mirë, se përse shqiptarët e ndëshkuan më votë Partinë Demokratike dhe Sali Berishën më 23 qershor. Këto dhe ndonjë arësye tjetër, janë edhe shkaqet e vërteta se përse kjo forcë politike, ndodhet sot në opozitë.
Analiza e buxhetit faktit 2012, është një këmbanë alarmi për të gjithë ne, por mbi të gjitha, për mazhorancën e sotme, tani gjatë hartimit dhe në prag të diskutimit e miratimit të buxhetit të shtetit për vitin 2014. Për të zhbërë gabimet e së shkuarës. Për të korigjuar gabimet e sotme. Dhe për të projektuar cilësisht krejt ndryshe, të ardhmen e buxhetit, ekonomisë por edhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

* Fjala e mbajtur sot në Parlament, gjatë diskutimit për buxhetin faktik të vitit 2012