Gjosha në Suedi: Bashkimi Evropian, një perspektivë e qartë e Shqipërisë

54

KLAJDA-GJOSHA-11_8Në vijim të turit me përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të shtetit suedez. Siç bën të ditur zyra e shtypit e Ministrisë së Integrimit, çështjet në të cilat ministrja Gjosha e vuri theksin në këto takime ishin plotësimi i prioriteteve të lëna nga progres-raporti, përmirësimi i imazhit të Shqipërisë tek vendet anëtare si dhe progresi i bërë me reformat e ndërmarra muajit e fundit.

Fillimisht Ministrja Gjosha u prit nga Sekretari i Shtetit Frank Belfrage. Ai i shprehu ministres shqiptare, vlerësime për rolin stabilizues të Shqipërisë në Ballkan. Ministrja Gjosha, theksoi në fjalën e saj se shqiptarët janë një popull që e duan Bashkimin Evropian dhe se marrja e statusit të vendit kandidat do të ishte vetëm një hap i rëndësishëm përpara në procesin e integrimit të vendit. Gjithashtu u zhvillua një takim me Ministren e Çështjeve Evropiane të Suedisë, Eva Birgitta Ohlsson. Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha shprehu vendosmërinë e qeverisë për të çuar përpara reformat në vend dhe procesin e integrimit në tërësi. “Ne jemi të vendosur për të vazhduar me përmbushjen e prioriteteve , kyçe të cilat do ta drejtojnë Shqipërinë drejt Evropës”,- tha ministrja Gjosha.