Korrupsioni në drejtësi

53

FIKSI-MBULIM-26_1Pas një investigimi disa-mujor, emisioni “Fiks-Fare” nisi nga mbrëmja e së martës transmetimin e një cikli emisionesh për denoncimin e korrupsionit në gjyqësor.

Historia e një familjeje, 6 anëtarët e të cilës u arrestuan gjatë një proteste për të drejtat elementare të mbijetesës, zbuloi hallkat e korrupsionit në kete sistem.

Investigimi i “Fiks-Fare” solli një zinxhir sekserësh, të cilët kërkojnë para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke sjellë me zë dhe figurë të vërtetën e funksionimit të sistemit të drejtësisë në vend.

Korrupsioni në drejtësi që i referohet shpesh politika, raportet ndërkombëtare e deri tek ambasadori i SHBA kur tha se në Shqipëri ka gjyqtarë që duhet të ishin pas hekurave, erdhi në serinë e denoncimeve të Fiks Fare i provuar me fakte reale.

“Unë jam banor i Fushë Arrëzit. Në muajin Prill më arrestuan gjashtë pjestarë të familjes në një mënyrë kriminale. Arsyeja e arrestimit ishte një protestë e realizuar për arsye se kompania “Beralt” na ka shkatërruar ekonomikisht, na ka bllokuar tokën, ujin, ndot ambientin e shumë të tjera, diçka për të cilën nuk na ka kompenuar kurrë”, denoncoi në mikrofonat e “Fiks-Fare” banori që nuk deshi të identifikohej me emër dhe fytyrë.

“Protesta u zhvillua në 15 prill 2013. Gjatë protestave u arrestova dhe unë. U lirova pas dy muajsh e gjysmë, kur më ndryshuan masën e sigurisë në arrest shtëpie. Bëra kërkesë dhe u lirova me detyrim paraqitje. Nuk kishte shanse të liroheshe pa paguar. Liria më kushtoi katër milionë lekë (të vjetra)”, vazhdoi denoncimin viktima e kësaj skeme gjigante të korrupsionit në drejtësi.

“Nga Prilli deri në Gusht mund të kem shkuar në gjykata 20 herë dhe nuk pranonin të më merrin kërkesën, pasi kërkonin lekë. Unë s’isha mësuar me këtë, gjykatësit përdorin sekserë. Paratë kërkoheshin për prokurorin e gjyqtarin, kërkonin jo më pak se 5,5 mln lekë për lirim. Unë detyrohem të marr borxh, më vonë nëse vazhdon kështu do të detyrohem të shes shpinë dhe rrugë tjerë s’ka sepse nëse s’paguajmë ata s’do të dalin nga burgu”, vazhdoi denoncimkin qytetari.

Të alarmuara nga ky denoncim, kamerat e “Fiks-Fare” mbërritën në vendngjarje, në Gjykatën e Rrethit Pukë, që pa shumë vështirësi mundën të takoheshin me sekserin. “Prokurori nuk ta qit djalin pa marrë kafen. Bën 6 milionë lekë. Prokurorët dhe gjyqtarët marrin në fillim kafet dhe më pas të mbarojnë punë”, thotë sekseri me zë dhe figurë përpara qytetarit.

Më pas, kamerat dokumentojnë oficerin e policisë gjyqësore, Hasan Allën, i cili ndërmjetëson lirimin pas pagimit të lekëve. Kamerat dokumentojnë takimin me avokatin Fariz Xhuxhi, i cili thotë: “Paguaj dhe për dhjetë ditë lirohet”. Ai del garant për të zgjidhur të gjithë situatën, ndërsa i pyetur nga qytetari se nëse ka rrezik që çështja të rihapet, Xhuxhi jep të sigurt se gjykatësi nuk do ta bëjë kurrë gjyqin.

“Unë do i them, në ta mban b…. liroje dhe merr lekët. Kështu funksionon, çështje interesi”, shton Xhuxhu, duke iu referuar gjyqtarit.

Në “Fiks-Fare”, në këtë emision të parë që hap një seri emisionesh që demaskojnë korrupsionin në drejtësi, dokumentohet pjesëmarrja në këtë skemë madhore edhe e kancelares e sekretares së gjykatës.

Sekretarja, nga ana e saj del garant që do të dorëzojë lekët gjykatësit dhe prokurorit, ndërsa kancelarja jep udhëzimet e duhura për mënyrën se si duhet të realizohet të gjitha veprimet. “Kam 21 vite që merrem me këtë punë, unë jam mafie”, thotë në një moment sekretarja.

Ngjarjet e transmetuara këtë të martë i përkasin shkallës së Parë të Gjyqësorit. Por, në ditët në vazhdim, investigimi i ”Fiks-Fare” do të tregojë se pazaret bëhen edhe në shkallët më të larta të gjyqesorit. / Top Channel/