Thaçi uron Ramën për 28 Nëntorin: Kosova mirënjohëse shtetit shqiptar

thaçiKryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, i ka dërguar një telegram urimi kreut të qeverise Edi Rama me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit. Në këtë telegram urimi Kryeministri Thaçi thekson se, 28 Nëntori Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar është dhe do të mbetet njëra ndër ngjarjet më të ndritura të popullit shqiptar. Thaçi shpreh gjithashtu mirënjohjen e tij në emër të institucioneve dhe qytetarëve kosovarë ndaj shtetit shqiptar, per kontributin e dhënë në të gjitha periudhat për Kosovën.

Mesazhi i plotë i urimit i Kryeministrit Thaçi:

“Kaloi më shumë se një shekull pavarësi të shtetit shqiptar, akti më i rëndësishëm i historisë së kombit shqiptar, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, duke sublimuar kështu përpjekjet e pareshtura të popullit shqiptar për të qenë i lirë dhe i pavarur.

28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar është dhe do të mbetet njëra ndër ngjarjet më të ndritura të popullit shqiptar. Është vlerë që duhet të ruhet dhe kultivohet në shenjë respekti për paraardhësit tanë, për të tashmen dhe të ardhmen e brezave që do vijnë.

Në këtë përvjetor Shqipëria gjendet shumë më e konsoliduar si shtet me frymën e re të rilindjes, i anëtarësuar në NATO, me liberalizim të vizave dhe një prej vendeve që po kontribuon në forcimin e stabilitetit dhe paqes në rajon.

Institucionet dhe qytetarët e Kosovës i janë mirënjohës shtetit shqiptar për kontributin që ka dhënë në të gjitha periudhat për Kosovën.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës  dhe në emrin tim, ju lutem pranoni urimet më të përzemërta me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar, për një Shqipëri me perspektivë evropiane. “

Basha: Me Rezolutën që do të dorëzojmë në Kuvend, do të marrim statusin nga BE

Lulzim-Basha-PD-deklaron1-565x413PD do të dorëzojë ditën e sotme në Kuvend një Rezolutë, ku i kërkohet Bashkimit Europian që Shqipërisë t’i jepet përfundimisht statusi i vendit kandidat dhe kjo të përkojë me hapjen e negociatave.

Kreu i PD-së Lulzim Basha, ka theksuar se PD do të dorëzojë Rezolutën në Kuvend dhe duke shpresuar se Kuvendi do ta votojë, do shpresohet të merret statusi.

“Grupi ynë parlamentar do i paraqesë sot Parlamentit një projektrezolutë për një çështje kaq të rëndësishme do i kërkojmë Kuvendit dhe familjes europiane të bëhemi pjesë e tyre. Rezoluta jonë që do të paraqesë grupi jonë i PD shpresojmë të miratohet me votë unanime në Kuvend dhe të shpresojmë të marrim statusin”.

Basha ka theksuar se PD kërkon që BE të marrë një mesazh të qartë që Shqipëria e meriton statusin.

“Ne duam që në këtë fazë në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat, Europa të marrë një mesazh të qartë të unifikuar dhe me bindjen tonë të drejtë, se Shqipëria e meriton plotësisht statusin e vendit kandidat. Shqipërisë duhet ti hapet drita jeshile për hapjen e negociatave për anëtarësim pas hapit që vjen pas marrjes së statusit”.

Ndonëse në parim, përpilimi i një rezolute nga ana e PD-së për marrjen e statusit te vendit kandidat, nuk ka aspak lidhje me procedurën aktuale të dhënies se statusit te vendit kandidat nga institucionet e BE-se, duket se karta që luhet është në funksion propagandistik elektoral.

 

Presidenti i Ukrainës, BE-së: Marrëveshja poshtëruese, nuk jemi fëmijë të na blini me ëmbëlsira

Ukraine's President Yanukovich addresses during the draw of the Euro 2012 soccer championship at the Palace of Arts in KievMijëra ukrainas vazhdojnë të protestojnë në Kiev, për të kërkuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Asocimi të Ukrainës me Bashkimin Europian. Këto manifestime të organizuara nga opozita, që prej të dielës janë më të rëndësishmet, që nga periudha e Revolucionit portokall pro-perëndimor të 2004-s.

Por, Presidenti Victor Ianoukovitch, ka deklaruar dje se, Ukraina priste kushte më të mira për të nënshkruar një Marrëveshje me të 28 vendet. Sipas tij, termat e ndihmës financiare të ofruara nga BE, në shkëmbim të marrëveshjes ishin ‘poshtëruese’. “ Nuk dua të jem i vrazhdë por, ju nuk duhet të na poshtëroni në këtë mënyrë. Ne nuk jemi fëmijë. Nuk mund të na blini me ëmbëlsira”,- ka deklaruar ai.

Presidenti Ianoukovitch ka vendosur të ‘qartësojë’ pozicionin e tij në Vilnus, në Lituani, ku duhej të ishte nënshkruar Marrëveshja.

Presidentja e Parlamentit të Lituanisë është në Kiev dhe i është bashkuar dje 7 mijë manifestuesve të mbledhur në qendrën e kryeqytetit.

“Jam e sigurt që Ukraina do t’i bashkohet Europës, ka thënë në rusisht Loreta Grauziniene, vendi i së cilës, ka presidencën e radhës në BE. Është një rrugë e vështirë, por duhet ndjekur me krenari. Unë kam besim te populli ukrainas. Unë e di që ju e doni vendin tuaj. Dhe në interesin e fëmijëve,  nipërve dhe mbesave tuaj, ju do bëni gjithçka mundeni për të qenë në gjirin e Europës”.

Për të parën herë, Kryeministri ukrainas bëri publik faktin, se Rusia e kishte penguar Kievin të nënshkruante Marrëveshjen e Asocimit me Europianët.

 

 

Braçe: Ja Marrëveshja e fshehtë e Berishës me Podesta Group, 60 mijë dollarë në muaj

brace Kontrata PodestaDeputeti socialist Erjon Braçe ka bërë sërish publike kontratat e lobimit mes Këshillit të Ministrave dhe Podesta Group. Braçe thekson se midis KM dhe Podesta Group nuk ka Kontratë, por vetëm një Marrëveshje Angazhimi prej dy fletësh, e cila i jep Kopanisë 60 mijë dollarë në muaj për dy vjet për t’i bërë tualetin Sali Berishës dhe qeverisë së tij nga grabitjet dhe vrasjet.

Braçe thekson gjithashtu që Marrëveshja kërkohet të jetë e fshehtë dhe të mos publikohej dhe dy vite pas mbarimit të saj.

Postimi i plotë i Erjon Braçes:

“Sic ju kisha thene, dje ne Kuvend;

Publikova edhe Kontratat e lobimit mes “KM” dhe Kompanise Podesta Group.

Vetem ne 6 fatura 950 mije dollare, para te taksave te shqiptareve.

Dy gjera dua te them edhe per to:

E para, nuk ka Kontrate qe do te ishte gjeja me normale ne nje rast te tille;
Ka vetem nje marreveshje angazhimi, dy flete (sic e shihni), te fshehte, jontransparente, qe i jep kesaj kompanie edhe me shume para se te pares, 60 mije dollare ne muaj per dy vjet per make up e Sali Berishes, fytyres te lodhur, rrudhur e mbaruar nga pushteti i tepert, grabitjet e vrasjet, tamam ne shba;

E dyta, marreveshja eshte aq e fshehte sa kerkon nga kompania te mos bej publike kurre gjate afatit te saj dhe dy vite me pas, porosi, veprime dhe pershkrimin e punes nga “KM”!

Edhe per kete rast pres vetem:

Qeveria te bej detyren dhe te perndjeke penalisht per shkelje te renda e shperdorim te parave publike zyrtaret politike e egzekutive pergjegjes.

Doda kundër PD:Olldashin e latë vetëm, madje dhe e qëlluat

mesila-dodaNë një fjalim të mbajtur dje në parlament deputetja Mesila Doda, ka akuzuar indirekt deputetët e grupit parlamentar të PD-së dhe drejtuesit e saj se deputeti Sokol Olldashi u la vetëm në përpjekjen e tij për të ndryshuar të djathtën.

“Askush nga ne, askush ne ketë parlament, nuk do mbushë dot kurrë boshllëkun e lënë prej tij. Por idealet e një historie të re për Shqipërinë, ëndrrën e Sokolit tonë kemi detyrën dhe të drejtën ta mbajmë në jetë. Mjaft më hipokrizi perbeniste, shuka me balte qe ja hedhim fytyres së tjetrit kur do duhet në fillim të pastrojmë tonën.

Unë kisha faj! Une kisha faj ato dhjetra, ato qindra herë kur tentova të isha politikane e mire, oratore e shkelqyer dhe harrova që u afrova në politikë jo se më duhej një rrogë e as se më duhej dashamirsia e eproreve por e doja politikën, që të sillja ndryshimin, të mundësoja një botë më të mirë.

Ju kishit Faj! Kishit Faj kur e late Sokolin të vetëm në përpjekjen e tij titanike e solitare për të ndryshuar të djathtën shqiptare, për të bërë një forcë politike më militantë që afrohen nga zemra e jo nga xhepi pranë politikës. Kishit të gjith faj se e latë vetëm, madje shumë herë dhe e qëlluat dhe e përbaltët dhe e bëtë të ndjehej fajtor pa faj. Sot askush nuk bën dot Pilatin!!!”, u shpreh Doda në parlament.

Si ta mposhtësh lodhjen

lodhjeTë lodhur dhe në pamundësi për të marrë veten? Nuk është gjithmonë faji i stresit. Ja disa këshilla që fillojnë me veshjet, ushqimin dhe lëvizjen.

Tashmë mund të dorëzohemi: gjumi nuk na shqitet, fundjava nuk arrin ta mposhtë lodhjen, rëndesa mendore dhe fizike nuk na lehtësohet, çfarëdolloj autoterapie të përpiqemi të bëjmë. Shkenca na siguron: ky është stres. Ose sipas hipotezës edhe më shqetësuese, bëhet fjalë  për lodhje kronike, një nga sindromat më të përhapura në Perëndim, por së cilës ende nuk i dihen shkaqet, ndërsa mjekët nuk janë ende të sigurt për kurat.

Dhe ndërkohë që mjekimi pritet të gjendet, e vetmja gjë me të cilën në Perëndim po përballohet ky shqetësim, janë seancat e meditimit apo të jogës, përpara se të mendohet për të blerë qetësues nëpër farmaci. E megjithatë, diçka edhe mund të bëhet: të rikuperojmë rezervën energjetike që kemi mbledhur në pjesën e djathtë të trurit, në zonën që përgjigjet për emocionet, e cila lihet në vend të dytë për shkak të inteligjencës racionale. Dhe pikërisht në këtë zonë, të mbetur disi në hije, gjendet përgjigjja instiktive ndaj vështirësive. Ta përplotësosh këtë zonë, do të thotë  të zbulosh më shumë burime, pra me pak fjalë, të ndjehesh më mirë. Po si mund të arrihet  kjo? Për mjekët psikologë, kjo është diçka që mund të bëhet. Sipas tyre, ka disa lloj sjelljesh që mund të duken fare të rëndomta, por që janë mjaft të efektshme, që arrijnë të fusin në punë pikërisht atë zonë të trurit që u përgjigjet emocioneve. Ja disa prej këtyre mënyrave.

Hapni sytë

Tringëllin zilja e orës: jeni nga ata që …. edhe pesë minuta? Atëherë sipas mjekëve, le t’i përdorim këto minuta për të hyrë në kontakt me ditën e re, duke marrë frymë dalëngadalë: kështu perceptojmë trupin, riaktivizojmë energjinë dhe mund të përfitojmë ritmin e përditshëm psikofizik. Duhet ta dimë që kurdo që ta kemi programuar zilen e orës, zgjimi i trupit fillon diku rreth orës katër të mëngjesit, atëherë kur GH, hormoni i rritjes i prodhuar nga truri, fillon të shpërhapet nëpër trup, duke i stimuluar gjëndrat mbiveshkore të prodhojnë kortizonin, (hormoni i zgjimit). Presioni rritet dhe na vë në lëvizje. Pastaj vjen ngritja, kalohet nga shtrati për në tualet, nga dollapi në kuzhinë për të ngrënë mëngjesin (edhe pse ndoshta jo me këtë rend veprimesh), praktika të përditshme që i bëjmë në mënyrë automatike. Por në fakt ky është edhe momenti ideal i të ndjerit mirë me vetveten, momenti që ndikon ndoshta më shumë në vazhdimin e ditës. Veçanërisht momenti kur jemi vetëm në banjë. Këto janë minuta të çmueshme: nëse do t’ia vëmë veshin efektit mirëbërës që ka tek ne çdo gjest sado i vogël që i kushtohet kujdesit mëngjesor, atëherë do të kuptojmë se pikërisht këtu është vendi i duhur për të “peshkuar” energjinë e nevojshme.

Ç’ngjyrë të pëlqen?

Edhe zgjedhja e veshjes nuk është dhe aq rastësore, ka gjithmonë të bëjë me humorin tonë të momentit. Veshja është lëkura jonë e dytë. Prandaj është gabim i madh që të bësh gati që një natë përpara veshjen e së nesërmes, është më mirë ta kuptosh në mëngjes atë që të bën të ndihesh mirë. Dhe këtu ngjyra ka rëndësi të dorës së parë, sepse është pikërisht ajo që shpreh ndryshueshmëritë që syri i percepton për t’ia transmetuar pjesës së djathtë të trurit.

Karburanti

Eshtë mjaft i përhapur mendimi se kafeja është benzina që i jep ritmin e duhur ditës. Por mjekët nuk ndajnë të njëjtin mendim. Sepse kafeina, ashtu si dhe teina, janë përbërës që rrisin tensionin arterial, por nuk e vënë në veprim pompën e zemrës në atë mënyrë që mendohej. Nuk ekziston ndonjë mëngjes që të mund të quhej ideali, por në vend të kafesë një efekt tonik më të mirë mund ta jepte kripa, e cila me klorin dhe sodën rregullojnë osmozën e gjakut. Dhe kur dëgjoni fjalën kripë, nuk keni pse t’ju kapë paniku: janë mjaft të përshtatshëm corn-flakes-at, një tas i tillë ka po aq sodë sa një qese me patatina. Por nuk duhet të harrojmë edhe një tjetër gjë të rëndësishme: energjia ushqehet nga ndryshimet. Nëse çdo mëngjes marrim të njëjtën meny, nuk është çudi që ajo të mos vazhdojë të ketë të njëjtin efekt. Një ndryshim i herëpashershëm do të ishte i këshillueshëm.

Bota e jashtme

Një tjetër metodë që vlen edhe për rrugën shtëpi – punë – shtëpi: Ndryshimi i herëpashershëm i rrugës stimulon shikimin  dhe dëgjimin, dy nga motorët e energjisë që nuk duhen lënë kurrë të shkarkohen. Por zakonisht kemi edhe një tjetër ves: ndërsa ecim rrugës për në punë mendojmë për gjërat që na presin në zyrë… Mjekët na këshillojnë që këtë nuk duhet ta bëjmë kurrë, sepse duke menduar për detyrat që na presin, rrezikojmë të arrijmë të lodhur. Prandaj është mirë që ta heqim mendjen duke dëgjuar muzikë në kasetofonin e makinës apo edhe me kufje në vesh kur jemi në këmbë. Ose duke ecur, mund të çlodhemi duke parë rreth e rrotull.

Ndiqni pikun

Të dëgjosh instiktin, do të thotë të merresh me zbulimin e nevojave më të thella. Edhe në zyrë. Kështu mund të zbulojmë që në harkun e një dite ekziston një pik i energjisë maksimale. Ka nga ata njerëz që ndihen në maksimumin e formës që herët në mëngjes, të tjerë akoma në orët e vona të pasdites, dikush tjetër natën. Duke zbuluar pikërisht këtë pikë kur energjia jonë është në maksimum, mund të programojmë që punët më të koklavitura, takimet më të rëndësishme, provat apo sfidat t’i
bëjmë pikërisht në këtë kohë. Dhe një tjetër sekret: Nëse në një farë pike, ndërsa je i përqendruar në punë, fillon të ndjesh mërzi, është e nevojshme ta ndërpresësh për disa minuta, të marrësh frymë dhe ta spostosh vëmendjen drejt diçkaje tjetër. Ndoshta edhe tek muri përballë.

Nga dashuria tek ëndrrat

Një botim mjaft serioz si British Medical Journal ka zbuluar se 53 për qind e meshkujve dhe 58 për qind e femrave evropiane, nuk bëjnë seks pikërisht për faj të stresit. Por edhe për shkak të dembelizmit. E megjithatë, të bërit dashuri shpie në maksimumin e karikimit të energjisë.

Por nga ana tjetër, edhe gjumi ka veti mirëbërëse. Dhe sidomos pjesa e tij me ëndrra, të cilat luajnë rolin kryesor në eliminimin e skarcove të mendjes: shkarkojnë tensionet e ditës. Eshtë njësoj sikur të pastronim hard-disk -un e mendjes sonë nga të gjitha file-t që nuk na nevojiten më.

Valë e re incidentesh dhune në Shkup

shkup dhuneValë e re incidentesh mes të rinjve në qytetin e Shkupit. Personat që sulmuan me gurë dhe lënduan 7 të pafajshëm, gjatë orëve të para të mëngjesit, janë kapur dhe u është caktuar masa e arrestit 30 ditë paraburgim. Një nga viktimat e dhunës, një 19 vjeçar nga Shkupi, është në gjendje kome dhe gjendet në Spitalin e Qytetit.

Sipas Ministrisë së Brendshme, autorët e rrahjes janë identifikuar nga vetë të lënduarit. Pasi janë marrë në pyetje, ndaj personave me inicialet H.M 25 vjeç, B.S 28 vjeç, Z.J 26 vjeç dhe L.P 27 vjeç, që të gjithë nga Shkupi, janë paditur për pjesëmarrje në akt dhune, me pasojë lëndime të rënda në trup. Ata kanë ndërmarrë aktin e dhunës, rreth orës 3:30 të mëngjesit, pa asnjë arsye, ndaj grupit të rastësishëm prej 7 të rinjsh, pranë objektit të ri të Ministrisë së Jashtme.

Ndërkohë, edhe mbrëmë rreth orës 18.40 në Bit Pazar, përkatësisht në njërin nga stacionet e autobusëve, është sulmuar një 18 vjeçar me inicialet H.S nga disa sulmues të cilët kishin zbritur nga autobusi me numër 50. Ndërkohë 1 orë më vonë, një tjetër grup të rinjsh kanë sulmuar me gurë autobusin me numër 24. Nga sulmi ka pësuar me lëndime në trup një vajzë e moshës 18 vjeçe me inicialet M.A. nga fshati Çiflik i Shkupit. Ndaj valës së re të sulmeve LSDM-ja i bëri apel MPB-së që të bëjë një vlerësim real të ngjarjeve, dhe të gjejë motivuesit dhe prapavijën e tyre. Për LSDM-në, në këto 7 vite, Jankullovska përflitet vetëm për paaftësi.

“Qëndrimi i Jankullovskës për incidentet e para 10 ditëve ishte se ‘një njeri që mendon me mendje të shëndoshë nuk do të mundej të bënte një projektim monstruoz dhe të keqpërdorte fëmijët, me qëllim krijimin e krizave’, por në të njëjtën ditë, kryeministri Gruevski konstatoi se ‘ngjarjet e tilla përsëriten çdoherë kur afrohet ndonjë datë e rëndësishme siç është tani samiti i Këshillit Europian”.

Ndërkaq, ndërsa reagimi për kapjen e autorëve të rrahjes së mbrëmshme ka qenë i rrufeshëm, nuk ka ende zbardhje të incidenteve të mëparshme. Janë disa raste me dhjetëra viktima dhune shqiptarësh, fajtorët për të cilët ende janë në gjendje të lirë.

SHBA kundër Kinës, nis 2 aeroplanë në ishujt e diskutueshëm

Senkaku islandsShtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar dy aeroplanë ushtarakë në zonën ajrore mbi ishujt e diskutuar në detin lindor kinez, në kundërshtim me rregullat e reja të mbrojtjes të përcaktuara nga Kina.  Kina e kishte shpallur këtë zonë, “zonë të ndalim-fluturimi” ditën e shtunë. Një kolonel amerikan, citon BBC,  tha se dy aeroplanët kanë ndjekur “procedurat normale”.

Ishujt e njohur si “Senkaku” në Japoni dhe “Diaoyu” në Kinë, janë burim tensionesh në mes këtyre dy vendeve. Kina insiston që aeroplanët të cilët hyjnë në këtë zonë, duhet t’u përmbahen rregullave ose do të përballen “me masa emergjente të mbrojtjes”.

“Ne kemi kryer operacionet tona në zonën e ishujve Senkakus”, ka thënë koloneli amerikan Steve Ëarren, duke shtuar se deri tani nuk ka patur reagim nga Kina.

Aeroplanët, të cilët ishin të paarmatosur, ishin nisur nga Guami të hënën, dhe fluturimi ishte pjesë e ushtrimeve të rregullta në atë zonë, sqaroi një zyrtar i mbrojtjes amerikane.

Berisha: Canin e shpëtoi Theodhori Sollaku

Sali BerishaMinistrat e qeverisë “Rama” kanë debatuar gjatë seancës së Kuvendit me ish-Kryeministrin, Sali Berisha për çështjen e sigurisë e të dhënave të takimeve si edhe për “Belle Air”.

Ish-kreu i PD-së gjatë fjalës së tij theksoi se, ekonomia e vendit po shkon drejtë një skenari grek duke paralajmëruar situatë të vështirë ekonomike. Ai akuzoi qeverinë e majtë se nuk është në gjendje të paguajë dot pagat, pensionet dhe ndihmat ekonomike.

.Sëmundjet kronike nuk shërohen, por kurohen. Shqipëria do të shkojë drejtë skenarit grek. Kryetari juaj tha se në dhjetor dalim nga rreziku. Por ju nuk po jepni dot rrogat pensionet. Për herë të parë, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Pse po rrokullisni ekonominë e vendit? Nuk po investohet asnjë qindarkë në punë publike, nuk po hapet asnjë vend pune”, u shpreh Berisha.

Më tej ai akuzoi qeverinë për manipulim të të dhënave tatimore duke iu referuar arrestimit të IT-së së tatimeve pak ditë më parë. Ish-kryeministri u shpreh se ky veprim ka ardhur pas kundërshtimit që specialist i bëri kërkesës së këshilltarit të ministrit të Financave. Shkëlqim Cani.

“Vëllai juaj (i drejtohet ministrit të Energjisë, Damina Gjiknuri)  në thyerje të të gjitha ligjeve të vendit dhe së bashku me këshilltarin e ministrit të patates së Ramiz Alisë një Beqiri seç është kanë kërkuar të dhëna. Nuk mund të merret e dhënë në këtë shtet pa procesverbal. U zhdukën të dhënat. Por yt vëlla nuk e di që ka një backup nga sistemi”, u shpreh Berisha.

Në fund ish-Kryeminstri preku edhe çështjen e “Belle Air” që pak ditë më parë ka shpallur falimentin. Ai tha se pas kësaj fshihet një aferë pasi sipas tij u shkel marrëveshje e arritur mes shtetit dhe kompanisë së fluturimeve.

Ministri i Enegjisë, Damian Gjiknuri reagoi duke thënë se vëllai i tij, që punon si këshilltar i Canit dhe jo i Ramës, “ka qenë duke ushtuar kontroll për procedurat e ushtrimit të rrjetit i të dhënave.” Dhe nga ana tjetër theksoi se Berisha, ka hallin se njerëzit e tij kanë futur duart tek të dhënat tatimore.

Debati në Kuvend mes Berishës dhe ministrave Gjiknuri, Beqaj dhe Cani

Berisha: Nuk mund të merret e dhënë në këtë shtet pa procesverbal

Gjiknuri: Shqiptarët e dinë që ke gënjyer, se tek të dhënat e tatimeve ke futur duart

Berisha: Arrestuat si në vitet ‘50 shefin e IT së tatimeve.

Beqja: Këtë çështjen e serverave e dini mirë ju, se e bërë më 21 janar në mbrëmje. Më i rrezikshëm është ai që di keq. Meqë fole për sëmundje kronike, ju do të mbeteni doktori pacient i politikës shqiptare.

Berisha: Po i përmende serverin ai humbet logjikën.

Cani: Ka 5 vjet që ai 10 dollarëshi që derdhet për çdo biletë në buxhetin e shtetit nuk derdhet, është krijuar një borxh prej 5 milionë dollarë. Të mos paguash taksat është evazion, por t’i marrësh paratë tjetrit që nuk të takojnë është vjedhje. Ju jeni mësuar që të mos e zbatoni asnjë herë ligjin, por ne kemi ardhur për të zbatuar ligjin.

Kanë tentuar miq tua t’i fshijnë të dhënat, por aty janë. Një më një po ju vjen radha, nuk ka kush i fshin të dhënat.

Kur ju mërmërisnit për trimërinë me Alinë, unë jam takuar dhe kam paralajmërua ku do të shkonte ekonomia shqiptare. Kam fol me zë të plotë, ju vetëm keni mërmëritur. Atë pataten merreni se është e nxehtë mbajeni t’ju bëjë mirë.

Ju jeni rast tipik i pashërueshmërisë. Keni fol katër vjet për suksese imagjinare. S’ka ilaç. E pranioi Beqaj të heqë dot nga shërimi juaj.

Berisha: Këta janë vetëm për të bërë papagallin dhe për të përsëritur atë çka u mëson apo u dikton një krye papagall. Të dhënat kanë rregullin e marrjes së tyre.

Është gënjeshtër se keni dërguar audit, keni dërguar dy këshilltarë. Kur shefi i IT-së ka kërkuar zbatimin e rregullave, është kërcënuar se do të arrestohet. Pa procesverbal ka thënë nuk jap asgjë, si përfundim e arrestuan.

Sa i përket karrierës tuaj politike (i drejtohet Canit) nuk dua të hy, ti je njeriu që pasi u vodh thesari i bankës së shtetit, të cilin ju e kishit vendosur në raport të botuar se ekziston, dole u the shqiptarëve se banka nuk ka flori. Të shpëtoi Dhori Sollaku, se ti paguaje me verdhushkat e thesarit të Kërrabës.

PE, Rezoluta për Shqipërinë me 18 rekomandime

PE / fotoalbaniaplusKomisioni i Jashtëm në Parlamentin Evropian ka miratuar rezolutën për Shqipërinë, ku rekomandohet dhënia e statusit të vendit kandidat në dhjetor. Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Nikola Vuljaniç, ka përgatitur rezolutën për Shqipërinë, e cila do të jetë objekt debati në PE në muajin dhjetor për marrjen e statusit të vendit kandidat. Në dokument përfshihen vërejtjet e progresraportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, si edhe ecuria e reformave të nevojshme që ka ndërmarrë Shqipëria duke marrë parasysh rekomandimet e BE-së.

Rezoluta përbëhet nga 18 pika të rëndësishme:

1. Vlerësohen fryma e bashkëpunimit dhe sjellja e forcave politike gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit. Gjithashtu, është parë një frymë kompromisi dhe bashkëpunimi nga palët në të mirë të progresit.
2. Integrimi Evropian duhet të marrë mbështetje mbarëkombëtare dhe duhet të jetë një projekt që të përfshijë të gjitha palët politike dhe shoqërinë civile.
3. Vërejmë se ka pasur një progres mjaft premtues në axhendën e reformave dhe shprehim besim në potencialin, kapacitetin dhe vendosmërinë e Shqipërisë drejt integrimit evropian.
4. Mirëpresim vendosmërinë e shtetit ndaj integrimit evropian dhe modernizimin e disa sektorëve kyç të qeverisjes përmes reformave. Inkurajojmë Shqipërinë që të marrë rezultatet e kërkuara nga Komisioni Evropian në vitin 2010, veçanërisht në ndërtimin e shtetit ligjor, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
5. Vlerësojmë se Këshilli u njoh me progresin e Shqipërisë dhe kërkojmë që t’i jepet statusi i vendit kandidat.
Kriteret politike

6. Kërkojmë që të bëhen përpjekje të mëdha për të forcuar pavarësinë dhe eficencën e sistemit të drejtësisë, duke shtuar këtu edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kërkojmë që te përmirësohet qasja ndaj organeve të drejtësisë për këdo që ka nevojë. Kërkojmë që të përmirësohet dhe forcohet puna e autoriteteve që merren me të drejtat e njeriut, siç janë Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen kundër Diskriminimit.

7. Vlerësojmë vendosmërinë për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet dhe kujtojmë se duhet ende punë për forcimin dhe koordinimin institucional për këto çështje. Kërkojmë që të qartësohet roli dhe kompetencat e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Duhet që të monitorohen të gjitha strategjitë antikorrupsion.
8. Duhen ende përmirësime në luftën kundër krimit të organizuar dhe duhen bërë përparime në metodologjinë hetimore.
9. Vlerësojmë progresin e dialogut mes shoqërisë civile dhe qeverisë, dhe theksojmë që ky dialog të konsolidohet edhe më tej, si në planin e demokracisë, ashtu edhe në përmirësimin legjislativ dhe të reformave.
10. Vlerësojmë se minoritetet në përgjithësi gëzojnë respekt dhe garantim të të drejtave të tyre. Kërkojmë gjithashtu që autoritetet të mbajnë dhe të zhvillojnë më tej klimën e tolerancës për të gjitha minoritetet në vend. Kërkojmë implementimin e strategjive për integrimin e komunitetit rom në shoqëri, si edhe të komunitetit LGBT. Për këta të fundit, duhen disa rregullime ligjore kundër diskriminimit.

11. Ndërkohë që media është pluraliste dhe diverse, ka shqetësime lidhur me influencën politike në mediat publike. Duhet të garantohet liria e medias dhe pavarësia e autoriteteve rregullatore. Duhen bërë transparente rrugët e financimit të tyre.
12. Duhet mbështetje më e madhe e reformave dhe implementimit të tyre në fushën socio-ekonomike dhe zhvillimit ekonomik në tërësi.
13. Mirëpresim përpjekjen e autoriteteve përkatëse për rritjen e eficencës në mbledhjen e taksave dhe për të luftuar informalitetin. Gjithashtu, përgëzojmë qeverinë për mbështetje dhe provim të punësimit.
14. I kërkojmë qeverisë që të garantojë respekt për të gjithë të punësuarit, qoftë në sektorin privat apo publik.
15. Duhet vëmendje e veçantë për respektimin dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve. Duhen investime në ciklin fillor mësimor, si edhe për sektorin shëndetësor që kujdeset për ta. Duhet mbështetje për fëmijët në nevojë.
Bashkëpunimi rajonal

16. Vlerësojmë rolin stabilizues të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në marrëdhëniet me shtetet fqinje, ku ka një komunitet të konsiderueshëm shqiptarësh.
17. Vlerësojmë refuzimin e qeverisë së re shqiptare ndaj nacionalizmit dhe diskursit që e nxit atë. Inkurajojmë politikat tolerante ndaj kësaj çështje në çdo instancë qeverisëse.
18. Refuzimi që Shqipëria i bëri armëve kimike të Sirisë, me gjithë këmbënguljen amerikane, është komentuar si shenjë e pjekurisë politike nga eurodeputetët, të cilët u shprehen përgjithësisht në mbështetje të Këshillit të Evropës për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Evropian diskutoi draftrezolutën për Shqipërinë, përpiluar nga raportuesi i ri kroat, Nikola Vuljaniç, në të cilin u vërejtën sukseset e Shqipërisë, por edhe problemet. Ndër çështjet e shtruara si të pazgjidhura ishte edhe problemi i gjakmarrjes dhe ngujimit.