Pas deklaratave të një eurodeputeti, i cili në lidhje me situatën në Shqipëri, deklaroi se koha është për të arrestuar ndonjë ministër apo ish Kryeministër dhe pas raportimeve në media të ndryshme, se po aludohej për arrestimin e ish Kryeministrit Berisha, i akuzuar publikisht nga opozita për shumë afera korrupsione, për vrasjet e 21 janarit dhe plagosjen e shumë qytetarëe të tjerë, vjen dhe reagimi i këtij të fundit.
Gazeta kosovare Express, ndër mediat që e pasqyroi këtë lajm, i ka marrë një prononcim Berishës.
Berisha ka folur shkurt për Express duke thënë vetëm kaq: “Janë trillime të enveristëve të Edi Ramës”.
Prokuroria e Tiranës ka rinisur hetimet për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve nga Policia e Shtetit më 21 janar 2011.
Megjithëse nuk dihet se përse këto hetime po zhvillohen gati tre vjet me vonese, pavarësisht pretendimeve të herëpashershme, mësohet jo zyrtarisht se është caktuar një grup prokurorësh, që pasi kanë administruar kallëzimet e mbi 130 qytetarëve që ishin pjesëmarres në protestë, po pyeten intesivisht oficerë policie që ndodheshin në detyrë përgjatë kësaj demonstrate që u mbyll me katër të vrarë.
Pyetjes së Top Channel, se përse hetimet janë kaq te vonuara, burimet ju përgjigjën për shkak të fluksit të hetimit në këtë dosje. “Ne kemi dyshime, – shtuan disa prokurore te çështjes, – se dhuna është ushtruar nga oficerë pa uniformë në tejkalim të detyrës së efektivëve të policisë”.
Ne fakt pas demonstratës tragjike të 21 janarit, në atë kohë në Shqipëri këtë shqetësim e ngriti edhe Komiteti i Parandalimit të Torturës në Këshillin e Europës, pasi mori në pyetje një numër të madh të ndaluarish apo të shoqëruarish në të gjitha komisariatet e Tiranës. Në raport u tha në atë kohë se përveç dhunës në protestë, personat e ndaluar raportuan se ishin detyruar të kalonin përmes rreshtave të policisë në komisariate teksa rriheshin e më pas pështyheshin edhe kjo e fundit e konsideruar një mënyrë dhune me qëllim degradimin e qytetarëve.
Por ndërsa në atë kohë në raport u rekomandua ngritja e një grupi të posaçëm që të hetojë dhunën e pretenduar dhe mënyrën se si u shoqëruan, trajtuan e dërguan në gjykatë këta qytetarë, në atë kohë nuk pati asnjë reagim nga institucionet.
Nuk dihet ende nëse Prokuroria do të verifikojë edhe qëndrimin e përfaqësuesve të vet në gjykatë, në momentin që prokurorët por edhe gjyqtarët gjatë masave të sigurisë janë venë në dijeni nga të dëmtuarit se ishin keqtrajtuar nga policia./TCH
Kryeministri kosovar Hashim Thaçi dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, kanë hedhur poshtë pretendimet e zyrtarëve të lartë serbë se Bashkësia e Komunave serbe që pritet të krijohet në bazë të marrëveshjes Kosovë- Serbi, të jetë një pjesë e pavarur nga shteti kosovar.
Vetëm pak ditë para takimit të rradhës me homologun serb Ivica Daçiç, Thaçi deklaron se ndikimi i Serbisë në Kosovë po fillon të ç’rrënjoset.
“Suksesi i zgjedhjeve të 3 dhe 1 dhjetorit, do ta ç’rrënjosë përfundimisht ndikimin e Serbisë në Kosovë. Nuk do të ketë as Republika serbe, as autonomi e as pretendime për ndarje territoriale të Kosovës. Kosova është një, unike, e pandarë dhe do të punojmë për të ardhmen evropiane të saj dhe si atdhe i të gjithë qytetarëve të saj”tha ai.
Ndërsa duke folur për mbarëvajtjen e proçesit zgjedhor në Kosovë, Thaçi shprehet:
“Me zgjedhjet lokale që u organizuan në Kosovë, shteti i Kosovës ka dërguar mesazhin më të mirë për të ardhmen evropiane. Ka treguar mesazhin më të mirë për organizimin e zgjedhjeve të lira, demokratike të standardeve më të larta ndërkombëtare. Për këto zgjedhje jemi vlerësuar nga Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Suksesi i dytë është organizimi i zgjedhjeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës pas 14 vitesh”.
Ndërsa përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jacobson u shpreh se në veri të Mitrovicës nuk është e mundur të krijohet një republikë e pavarur serbe, por nga ana tjetër ajo është e mendimit se fitorja e 9 komunave nga serbët nuk përbën rrezik për stabilitetin e Kosovës.
Jacobson tha se çdo rrezik mund të minimizohet përmes bisedimeve, por në çdo rast duhet patur vëmendje që të mos lejohet krijimi i një bashkësie autonome serbe në veri të Kosovës.
Kryeministri i vendit, Edi Rama zhvilloi një takim me sipërmarrësit italianë në Tiranë, ku theksoi vendosmërinë e qeverisë për krijimin e kushteve të favorshme për investimet italiane në Shqipëri. Sipas tij, qeveria po ndërmerr nisma konkrete, në mënyrë që Shqipëria të jetë zgjedhja e parë e investitorëve italianë.
Kryeministri informoi sipërmarrësit italianë se është ngritur një grup deputetësh, që bashkë me ambasadorin italian, shumë shpejt do të bëjnë vizitën e parë në Itali, për të bërë propozime konkrete, në mënyrë që investitorët italianë të vijnë në Shqipëri.
“Kemi krijuar një grup parlamentarësh të cilët kanë detyrimin dhe përgjegjësinë, por së pari kanë dëshirën për të marrë pjesë personalisht në këtë nismë, duke shkuar në Itali, duke folur për Shqipërinë, duke paraqitur mundësi, duke dëgjuar sipërmarrësit italianë që kanë shumë pyetje për të bërë duke marrë shënime qoftë për pyetjet dyshimet. Dhe duke krijuar një urë ndërmjet botës së sipërmarrjes italiane dhe qeverisë e institucioneve italiane”, tha Rama.
“Në këtë vend ne kemi nevojë të madhe për vende të reja pune, të cilat nuk mund të krijohen nga shtetit, por nga sipërmarrja, nga hapja drejt botës së biznesit me nxitje të reja.
Duam të eksplorojmë potencialet e sektorit të manifakturës, edhe duam të përfitojmë nga ajo gjendje jo fort e mirë që ky sektor po përjeton në Itali. Ne mund të ofrojmë kushte të favorshme dhe mund të krijojmë avantazhe për daljen e ndërmarrjeve italiane jashtë Italisë. Duam të shohim ç’mund të bëjmë edhe në fushën e bujqësisë”, tha kryeministri.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, i tha Zërit të Amerikës se Shqipëria ka dështuar në ndërtimin e shtetit ligjor në vitet e tranzicionit.
Duke iu referuar një raporti të organizatës Transparency International, sipas të cilit Shqipëria ka shënuar rënie në perceptimin e korrupsionit, Majko tha se vendi ka ligje shumë të mira, por korrupsioni shihet në publik si një çështje e pashpresë.
Ai theksoi se Shqipërisë i nevojiten prokurorë dhe gjykatës të guximshëm, të cilët nuk mund të justifikohen më se politika është e paprekshme.
Majko, i cili është një nga drejtuesit e Partisë Socialiste, ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një takim të NATO-s, në cilësinë e anëtarit të Kuvendit të Shqipërisë.
Policia ka arrestuar një nga mësuesit e shkollës profesionale “Beqir Çela”, me akuzën e mos kallëzimit të krimit. Sipas policisë, Thoma Llazari po zhvillonte mësim gjatë momentit kur u vra 17-vjeçari. Llazari ka parë autorin e krimit por nuk ka dëshmuar emrin e tij, por emri i autorit të krimit është dhënë vetëm nga nxënësit e pranishëm.
17:30 – Policia e Durrësit ka arrestuar autorin e vrasjes së Adriatik Totës, disa orë pas krimit, Uniformat e rendit kanë prangosur Edrin Varakun, 16-vjeç pasi është autor i dyshuar për vrasjen e bashkëshomashtarit të tij.
Adoleshenti është dorëzuar në polici i shoqëruar nga i ati. Aktualisht ai po merret në pyetje në Komisariatin e Policisë Durrës.
Kapja e të riut është realizuar rreth orës 16:45, falë edhe bashkëpunimit të familjarëve të personit të kërkuar. Që prej momentit të ngjarjes, policia kishte marrë masa të shumta duke kontrolluar banesat e familjarëve dhe të afërmve të autorit të dyshuar si dhe kishte duke ngritur postoblloqe kontrolli në të gjitha akset rrugore të zonës. Krahas këtyre masave u kontaktua me familjarët e autorit duke ju bërë të qartë situatën në të cilën ndodhej fëmija i tyre.
Pas një sërë veprimesh policore për identifikimin e lidhjeve të tij dhe kontakteve të tij më të fundit falë edhe bashkëpunimit të familjarëve u bë arrestimi i 15-vjeçarit, në një prej lokaleve të qytetit të Durrësit. Nga deklarimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta të një grindjeje mes adoleshentësh.
13:45 – EdrinVaraku, nxënës i vitit të parë është autor i vrasjes së 17-vjeçarit në Shkozet. 16-vjeçari është nxënës i së njëjtës shkollë.
Dyshohet se shkaku që kanë çuar Barakun në ekzekutimin e Adriatik Tota në ambientet e shkollës me një armë të modifikuar ka qenë një grindje që ka ndodhur një ditë më parë.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, 17-vjeçari është qëlluar me dy plumba: një në kokë dhe një në shpatull.
Ndërkohë policia ende nuk ka mundur të arrestojë autorin dhe për këtë qëllim janë ngritur 15 grupe të forcave të rendit për kapjen e 16-vjeçarit.
Sipas policisë, Varaku ka hyrë në klasë i armatosur ka zbrazur armën në drejtim të bashkëmoshatarit dhe është larguar me shpejtësi. Policia ka gjetur rreth 100 metra larg ngjarjes të hedhur në një stol një xhaketë ngjyrë blu pjesë e uniformës që veshin nxënësit e kësaj shkolle, e cila dyshohet të jetë hedhur nga autori pas kryerjes së krimit.
Krimi ka ndodhur në klasën ku zhvillohet praktika profesionale e shkollës. 19 nxënës kanë qenë duke zhvilluar orën e mësimit të mekanikës në momentin që ka ndodhur vrasja. Vetëm 7 prej tyre kanë qenë nga viti i parë, ndërkohë pjesa tjetër kanë qenë nga viti i dytë.
Familjarët dëbojnë ish-ministrin e PD-së
Pas vrasjes së 15-vjeçarit Adriatik Tota në shkollën profesionale “Beqir Çela”, mbërritën edhe disa ministra e deputetë. Njëri prej tyre ishte dhe deputeti i PD, Eduard Halimi. Ai kishte shkuar atje për t’ju gjetur pranë familjarëve të viktimës, por një familjar i është drejtuar me nervozizëm.
“A mbarove punë? Ec atje, shko..”, i tha i moshuari deputetit demokrat Halimi. Nuk janë të pakta herët kur politikanë e deputetë shkojnë në zonën e tyre elektorale vetëm për të marrë votën, në fushatë elektorale apo kur ndodhin fatkeqësitë, por pa bërë asgjë paraprakisht për të evituar ngjarje si kjo e sotmja.
VRASJA TRONDITËSE
10:00– Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në shkollën e mesme profesionale, “Beqir Çela”, në Shkozet të Durrësit.
Një 17-vjeçar ka gjetur vdekjen rreth orës 10:00 të mëngjesit, pasi është qëlluar me breshëri automatiku nga një bashkëmoshatar i tij.
Sipas informacioneve, vrasja ka ndodhur teksa nxënësit po kryenin praktikën, brenda ambienteve të shkollës, ndërsa dyshohet se autori i krimit është një bashkëmoshatar i tij. Sipas policisë, viktima është 17-vjeçari, Adriatik Tota, nxënës në vitin e parë, dega mekanikë, ndërsa autori është identifikuar si shtetasi Emir Baraku, i cili është shpallur në kërkim nga policia.
Dëshmitarët, të cilët kanë qenë të pranishëm në vendngjarje, kanë thënë se vrasësi ka qenë një djalë i ri, i veshur me një bluzë me kapuç, i cili është larguar në drejtim të paditur dhe policia ende nuk ka bërë të mundur kapjen e tij. Burimet bëjnë me dije se, 17-vjeçari Tota, jetonte në konviktin e shkollës.
Menjëherë drejt ngjarjes janë nisur forca të shumta policie, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla si dhe një sërë deputetësh nga Partia Demokratike, të cilët kanë ndërprerë mbledhjen në komisionin e Ligjeve dhe janë nisur drejt Durrësit.
Kush ishte Adriatik Tota?
Adriatik Tota, 17-vjeçari i mbetur i vrarë me dy plumba ishte nxënës i shkollës profesionale “Beqir Çela” në Shkozet të Durrësit.
Sipas informacioneve të para që vijnë nga policia, dyshohet se Tota ka pasur një sherr me një nxënës të shkollës së tij, që studionte në vitin e parë.
Kjo mendohet se është shkaku që ka çuar Edrin Varakun drejtë vrasjes së bashkëmoshatarit të tij në ambientet e shkollës.
Tota ishte nxënës në vitin e dytë në shkollën profesionale “Beqir Çela”, me origjinë nga Kukësi dhe banues në zonën e Sukthit. I riu ishte djalë i vetëm dhe ka tre motra.
Tota, nga fotot e publikuara prej tij në rrjetet sociale duket një dashamirës i muzikës hip-hop. Madje ai ka publikuar edhe këngë në YouTube.
11.30- Tahiri: Ngjarja ka tronditur sigurinë në shkolla
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se kjo është një ngjarje shumë e rëndë dhe ka tronditur sigurinë në shkolla. Ai ka shtuar se ka një plan masash të posaçme, dhe garanton prindërit për ruajtjen e sigurisë nëpër institucionet arsimore.
“Është ngjarje e rëndë që më ka tronditur në radhë të parë si prind edhe më pas për detyrën që mbaj. Garantoj të gjithë prindërit që policia e shtetit është në krye të detyrës për të siguruar jetën e çdo fëmije në shkolla. Është një ngjarje që na bën që të reflektojmë për sigurinë në sistemet arsimore. Kemi gjetur një situatë që nuk i përmbush të gjitha kushtet e sigurisë në shkolla. Jemi në fazat që po marrin hapat e duhura lidhur me masat radikale që duhet të marrim për të garantuar siguri absolute në sistemet arsimore”, -është shprehur Tahiri.
11.40-Nikolla: Sot janë dy nëna të tronditura, ne do të bëjmë çmos që kjo ngjarje të mos përsëritet më
Ndërsa ministrja e arsimit Lindita Nikolla është shprehur se nuk gjen fjalë për të ngushëlluar nënën e djalit që humbi jetën, ndërsa ka shtuar se do të bëhet gjithçka që ngjarje të tilla të mos ndodhin më.
“Janë dy nëna të tronditura sot, pasi është një i ri që është vrarë dhe është po një i ri që është kthyer në kriminel. Është tronditje e thellë që kërkon angazhime të posaçme. Situata që ne gjetëm ishte e vështirë, por ne jemi të gjithë bashkë dhe jemi të qartë për programet e ndërhyrjes që duan kohën e tyre. Ky rast tregon se sa shumë e rëndësishme është që të krijojmë në frontin e edukimit partneritetin mësues-prindër dhe nxënës”, –u shpreh Nikolla.
12.20-Reagimi i familjarëve
Menjëherë pas tragjedisë ka ardhur edhe reagimi i parë i familjarëve. Ata kërkojnë nga shteti që të gjendet autori dhe të arrestohet.
“Jemi shume tronditur nga ngjarja. Nuk e dimë se si ka ndodhur. Kërkojmë që shteti të arrestojë autorin dhe organet e drejtësisë të bëjnë drejtësi.”- thanë ata, teksa ishin në pritje të mbylljes së procedurave për të marrë trupin në morgun e spitalit.
Reagimi i Ramës
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili është shprehur se ngjarja e sotme është një kambanë e fortë për të gjithë. Rama kërkoi një hetim të plotë të tragjedisë dhe kërkoi të merren të gjitha masat që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
“Kryeministri është informuar sot rreth ngjarjes së ndodhur në Shkozet të Durrësit, ku një i ri ka humbur jetën. I keqardhur për lajmin, Edi Rama shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjen e djalit që humbi jetën dhe i ka kërkuar ministrit të Brendshëm dhe ministres së Arsimit të shkojnë në vendngjarje për tu siguruar që të afërmit e viktimës, studentët dhe mësuesit të kenë të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin e nevojshëm.
Kjo ngjarje tragjike është një kambanë e fortë alarmi për të gjithë, qeverinë, trupat mësimore, prindërit, shoqërinë në tërësi. Kryeministri ka kërkuar të bëhet një hetim i plotë dhe të njihet me të gjitha faktet, në mënyrë që të merren të gjitha masat e nevojshme që ngjarje të tilla të mos përsëriten”, -thuhet në njoftimin për shtyp të kryeministrisë.
Reagimi i PD-së, Ristani: Ditë e tmerrshme për familjet durrsake, Policia e Shtetit të shkundet nga plogështia
Pas ngjarjes së ndodhur në Durrës, ka ardhur edhe një reagim nga Partia Demokratike, e cila ka akuzuar qeverinë Rama për këtë tragjedi. Sipas deputetit, Arben Ristani, ky është një dështim total i qeverisë për të luftuar. Ai e ka cilësuar qeverinë e re, si një nga qeveritë më të dështuara në historinë e Ballkanit dhe historinë e Shqipërisë.
“Sot është një ditë e tmerrshme për një familje durrsake. Por është një ditë e keqe mes shumë ditëve të këqija që po përjetojnë qytetarët e Shqipërisë, në dështimin total të kësaj qeverie për të luftuar krimin. Me hapat që po hedh, kjo qeveri jo vetëm që nuk po ndihmon për një shtet, për një shoqëri më të sigurt me rend dhe me ligj, por po njehsohet me shpejtësi me një nga qeveritë më të dështuara në historitë e Ballkanit dhe historinë e Shqipërisë.
Me këtë rast, i bëj thirrje strukturave të Policisë së Shtetit, të shkunden nga plogështia që i ka zënë, të refuzojnë skenarët politikë që i serviren nga krerët e tyre të politizuar”, -deklaroi Ristani.
Presidenti i parë më ngjyrë i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela vazhdon të luftojë me kurajo vdekjen. Këtë e ka konfirmuar e bija, Makaziwe.
Ajo tha për mediat se babai i saj vazhdon të jetë mes të gjallëve, i fortë dhe kurajoz. “Edhe pse nuk flet shumë, ai po na jep mësime për durimin, dashurinë dhe tolerancën”, tha ajo.
Mandela, 95 vjeç është duke u kuruar në shtëpi dhe ka muaj që rri i shtrirë në shtrat. Ai la spitalin ku kurohej në muajin shtator, apsi u trajtua për një infeksion në mushkri.
Mandela fitoi çmimin Nobel për paqe për rolin e tij në luftën kundër racizmit në Afrikën e Jugut, si edhe për faljen që u bëri persekutorëve të tij, kur u lirua nga burgu në vitin 1990.
Kroati Pero Pejiç ka kontratë me Skënderbeun deri në fundin e këtij sezoni kanë bërë të ditur zyrtarët e kësaj skuadre. Por, Takaj mësohet të ketë thënë se asnjë futbollist nuk mbahet me zor në ekipin e Skënderbeut ashtu siç ka bërë të ditur se të gjitha lëvizjet para mbylljes së kontratës janë të parashikuara në kontratë.
Mësohet se Takaj ka shkuar akoma më tej kur është shprehur se gjatë kohës që lojtari ka kontratë me ekipin tonë duhet të tregohet i kujdesshëm edhe për ato çfarë thotë në gazetat sportive në qoftë se nuk duan të përballen me ato çfarë janë të parashikuara në pikat e secilës kontratë.
Mbarëvajtja e zgjedhjeve, lufta kundër korrupsionit, avancimi i procesit të integrimit evropian të vendit dhe kontributi i Tiranës në stabilitetin e rajonit, ishin në fokus të takimeve të Kryetarit të Kuvendit.
Në kuadër të vizitës së tij treditore në Gjermani, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u takua fillimisht me Norbert Lammert, President i Bundestagut Lammert duke vlerësuar mbarëvajtjen demokratike te zgjedhjeve të pergjithshme të 23 qershorit, shprehu bindjen se Shqipëria e ka vendin në Evropë dhe për këtë nevojitet një perspektivë e qartë për vendin.
Më pas Meta u prit nga zv/Presidenti i Bundestagut Johannes Singhammer, i cili bëri një vlerësim të veçantë të politikës rajonale të Shqipërisë, duke vlerësuar kontributin e veçantë të Tiranës në forcimin e stabilitetit të rajonit. Meta zhvilloi një takim edhe me deputetin kristiandemokrat, njëkohësisht njohës i Shqipërisë, Roderich Kiesewetter me të cilin biseduan mbi ecurinë e reformave në Shqipëri dhe mbi avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit dhe rajonit.
Gjatë qëndrimit të tij në Berlin, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u prit ndër të tjera edhe në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë nga Sekretarja e Shtetit, Emily Haber. Sekretarja e Shtetit u shpreh se pas zgjedhjeve të lira e demokratike, Shqipëria i ka shtuar përpjekjet e saj nëadresimin e prioriteteve të Komisionit, por vuri theksin, sidomos në rritjen e zbatueshmërisë së ligjeve.
Pas këtyre takimeve, Ilir Meta u pyet nga Deutsche Welle fillimisht mbi rëndësinë e kësaj vizite në Berlin, stacioni i parë i turit të tij diplomatik si Kryetar Parlamenti.
Ilir Meta: Ishte kënaqësi për mua të zhvilloja këtë vizitë pune në Berlin ku pata kënaqësinë të pritesha nga presidenti i sapo rizgjedhur i Bundestagut zoti Lammert, por njëkohsisht edhe nga shumë personalitete të tjera të Bundestagut, të diplomacisë gjermane dhe jam i bindur se kjo vizitë tregon shkallën mjaft solide të marrëdhënies deri tani të dy vendeve, jo vetëm në drejtim të atyre marrëdhënieve tradicionale të Bundestagut me Kuvendin e Shqipërisë, por është njëkohësisht një tregues i vullnetit tonë për të forcuar akoma më tej marrëdhëniet me Gjermaninë në të gjitha nivelet dhe ku shkëmbimet parlamentare luajnë një rol të veçantë. Ne mbështetemi fuqimisht te Gjermania për të përmbushur edhe aspiratën tonë për integrimin europian pasi dihet roli dhe pesha jashtëzakonisht e rëndësishme që ky vend ka në të gjithë historinë e deri tanishme , por edhe per te ardhmen e Bashkimit Evropian.
Deutsche Welle: Ju patët shumë takime zoti Meta, por si u vlerësuan zhvillimet e fundit në Shqipëri nga politikanë t gjermanë? Çfarë presin ata nga qevria deh politika zyrtare e Tiranës?
Ilir Meta: Në të gjitha takimet u vlerësua me mjaft konsiderata, respekt dhe pozitivitet mbarëvajtja e zgjedhjeve të 23 qershorit në Shqipëri,tranzicioni tepër demokratik dhe konstruktiv i pushtetit, njëkohësisht funksionimi i plotë dhe demokratik i Kuvendit të Shqipërisë, u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit politik ,u vlerësua fakti që integrimi europian në Shqipëri , mbështetet nga të gjitha forcat kryesore politike, ashtu sikurse dhe u vlerësuan dhe u njohën përpjekjet energjike të qeverisë dhe gjithë institucioneve në këto muajt e fundit për të adresuar me forcë prioritetet shumë të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, me luftën kundër korrupsionit. Në këtë drejtim Gjermania është gjithmonë e gatshme për të dhënë mbështetjen e saj të vazhdueshme.
Deutsche Welle: Po për rolin e Shqipërisë në rajon u diskutua në këto takime, zoti Meta?
Ilir Meta : Mund të them me bindje të plotë se në të gjitha takimet vlerësohet efekti i veçantë, stabilizues dhe politika konstruktive e Shqipërisë në rajon, inkurajohet që të ecet në këtë mënyrë, pasi kjo është rruga që e bën rajonin më të sigurtë, e afron atë më shpejt me Bashkimin Europian dhe natyrisht sjell një perspektivë më të mirë për të gjithë qytetarët e rajonit pavarësisht përkatësive etnike, por jo vetëm kaq. E gjitha krijon një mjedis rajonal më atraktiv për investimet e huaja dhe zhvillimin ekonomik.
Deutsche Welle: Duke pasur parasysh zgjedhjen e partnerëve strategjikë dhe kryesorë të politikës qeverisëse të Tiranës, Gjermania sa afër Shqipërisë është zoti Meta? Ku ndodhet ajo sot pas gati tre dekadash bashkëpunimmes dy vendeve?
Ilir Meta: Dihet se roli i Gjermanisë ka qenë vendimtar për krijimin e Evropës dhe mbetet i tillë akoma dhe më shumë edhe për të ardhmen e saj që do të thotë dhe për përmbushjen e aspiratës tonë për t‘u antarësuar në Bashkimin Europian ashtu sikur se dihet se Gjermania ka qenë donatori kryesor në kuadër të Bashkimit Europian për Shqipërinë gjatë këtyre dy dekadave dhe vazhdon të ndihmojë me projekte të jashtëzakonshme në shumë fusha të rëndësishme si në infrastrukturë, në energji, në ujësjellsa, ne fushën e drejtësisë. Por absolutisht përparësia që marrin marrëdhëniet me Gjermaninë në kuadër edhe të zhvillimit më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm të vendit tonë, të rajonit tonë dhe të anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian kanë të bëjnë edhe angazhimin e politikës tonë për të forcuar institucionet tona, për të konkretizuar marrëdhëniet me Gjermaninë në të gjitha drejtimet.
Së afërmi shënohet 30 vjetori i vizitës së parë të politikanit të shquar të Gjermanise Franz Josef Shtraus në Shqipëri, kur ai i shtriu dorën e miqësisë dhe bashkëpunimit vendit tone. Kjo ishte një vizitë e cila nuk u arrit të kuptohej dhe të investohej në mënyrën më të mirë për të ardhmen e Shqipërisë, sepse do të kishte qenë ndryshe në rast se do të kishte patur një vizion tjetër Shqipëria e asaj kohe. Sot pas një eksperience të shkëlqyer marrëdhëniesh me Gjermaninë, ne kemi jo vetëm një bazë solide të këtyre marrëdhënieve, por edhe një perspektivë të shkëlqyer të cilën jam i bindur që do ta vendosim në të mirë jo vetëm të Shqipërisë, të rajonit tonë, por edhe Evropës së Bashkuar.
Forcat e Armatosura kanë festuar sot 101-vjetorin e krijimit të tyre. Ceremonia u zhvillua në ambientet e brendshme të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ministrja Kodheli, ka thënë se ndihet krenare që është pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, ndër të tjera ajo theksoi se Shqipëria tashmë është pjesë e NATO-s dhe për këtë arsye FA-të kanë arritur të modernizohen dhe të arrijnë standardet më të mira të mundshme.
“Është privilegj të jesh pjesë Ministrisë së Mbrojtjes së vendit, të kujtosh ditën e krijimit të Forcave të Armatosura, të cilat me patriotizmin e tyre kanë dhënë edhe jetën për lirinë e vendit”,- është shprehur Kodheli.
Ministrja nuk ka harruar pa përmendur sukseset e FA-së. Ajo bëri të ditur se Forcat e Armatosura, sot janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në mbrojtje të sigurisë.
“FA-të kanë dëshmuar me të gjithë kapacitetin tyre, se janë angazhuar duke ndërhyrë në raste katastrofash natyrore, si përmbytje, zjarre apo në raste të tjera duke qenë garant i jetës dhe shëndetit të shqiptarëve”,- theksoi Kodheli.
Më tej ministrja deklaroi, institucioni që ajo drejton, dhe Qeveria Shqiptare edhe pse kanë trashëguar pengesa të mëdha financiare, kanë gjithë vullnetin e nevojshëm për të mbështetur në rrugëtimin e tyre, Forcat e Armatosura.