Thaçi, Jacobson: BKS nuk do jetë republikë

51

jakobson-thaci-280x200Kryeministri kosovar Hashim Thaçi dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, kanë hedhur poshtë pretendimet e zyrtarëve të lartë serbë se Bashkësia e Komunave serbe që pritet të krijohet në bazë të marrëveshjes Kosovë- Serbi, të jetë një pjesë e pavarur nga shteti kosovar.

Vetëm pak ditë para takimit të rradhës me homologun serb Ivica Daçiç, Thaçi deklaron se ndikimi i Serbisë në Kosovë po fillon të ç’rrënjoset.

“Suksesi i zgjedhjeve të 3 dhe 1 dhjetorit, do ta ç’rrënjosë përfundimisht ndikimin e Serbisë në Kosovë. Nuk do të ketë as Republika serbe, as autonomi e as pretendime për ndarje territoriale të Kosovës. Kosova është një, unike, e pandarë dhe do të punojmë për të ardhmen evropiane të saj dhe si atdhe i të gjithë qytetarëve të saj”tha ai.

Ndërsa duke folur për mbarëvajtjen e proçesit zgjedhor në Kosovë, Thaçi shprehet:

“Me zgjedhjet lokale që u organizuan në Kosovë, shteti i Kosovës ka dërguar mesazhin më të mirë për të ardhmen evropiane. Ka treguar mesazhin më të mirë për organizimin e zgjedhjeve të lira, demokratike të standardeve më të larta ndërkombëtare. Për këto zgjedhje jemi vlerësuar nga Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Suksesi i dytë është organizimi i zgjedhjeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës pas 14 vitesh”.

Ndërsa përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jacobson u shpreh se në veri të Mitrovicës nuk është e mundur të krijohet një republikë e pavarur serbe, por nga ana tjetër ajo është e mendimit se fitorja e 9 komunave nga serbët nuk përbën rrezik për stabilitetin e Kosovës.

Jacobson tha se çdo rrezik mund të minimizohet përmes bisedimeve, por në çdo rast duhet patur vëmendje që të mos lejohet krijimi i një bashkësie autonome serbe në veri të Kosovës.