Dorëzohet i dyshuari për vrasjen e 17-vjeçarit, arrestohet mësuesi për mos kallëzim krimi

45

vrasja 17Policia ka arrestuar një nga mësuesit e shkollës profesionale “Beqir Çela”, me akuzën e mos kallëzimit të krimit. Sipas policisë, Thoma Llazari po zhvillonte mësim gjatë momentit kur u vra 17-vjeçari. Llazari ka parë autorin e krimit por nuk ka dëshmuar emrin e tij, por emri i autorit të krimit është dhënë vetëm nga nxënësit e pranishëm.

17:30 – Policia e Durrësit ka arrestuar autorin e vrasjes së Adriatik Totës, disa orë pas krimit, Uniformat e rendit kanë prangosur Edrin Varakun, 16-vjeç pasi është autor i dyshuar për vrasjen e bashkëshomashtarit të tij.

Adoleshenti është dorëzuar në polici i shoqëruar nga i ati. Aktualisht ai po merret në pyetje në Komisariatin e Policisë Durrës.

Kapja e të riut është realizuar rreth orës 16:45, falë edhe bashkëpunimit të familjarëve të personit të kërkuar. Që prej momentit të ngjarjes, policia kishte marrë masa të shumta duke kontrolluar banesat e familjarëve dhe të afërmve të autorit të dyshuar si dhe kishte duke ngritur postoblloqe kontrolli në të gjitha akset rrugore të zonës. Krahas këtyre masave u kontaktua me familjarët e autorit duke ju bërë të qartë situatën në të cilën ndodhej fëmija i tyre.

Pas një sërë veprimesh policore për identifikimin e lidhjeve të tij dhe kontakteve të tij më të fundit falë edhe bashkëpunimit të familjarëve u bë arrestimi i 15-vjeçarit, në një prej lokaleve të qytetit të Durrësit. Nga deklarimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta të një grindjeje mes adoleshentësh.

13:45 – EdrinVaraku, nxënës i vitit të parë është autor i vrasjes së 17-vjeçarit në Shkozet. 16-vjeçari është nxënës i së njëjtës shkollë.

Dyshohet se shkaku që kanë çuar Barakun në ekzekutimin e Adriatik Tota në ambientet e shkollës me një armë të modifikuar ka qenë një grindje që ka ndodhur një ditë më parë.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, 17-vjeçari është qëlluar me dy plumba: një në kokë dhe një në shpatull.

Ndërkohë policia ende nuk ka mundur të arrestojë autorin dhe për këtë qëllim janë ngritur 15 grupe të forcave të rendit për kapjen e 16-vjeçarit.

Sipas policisë, Varaku ka hyrë në klasë i armatosur ka zbrazur armën në drejtim të bashkëmoshatarit dhe është larguar me shpejtësi. Policia ka gjetur rreth 100 metra larg ngjarjes të hedhur në një stol një xhaketë ngjyrë blu pjesë e uniformës që veshin nxënësit e kësaj shkolle, e cila dyshohet të jetë hedhur nga autori pas kryerjes së krimit.

Krimi ka ndodhur në klasën ku zhvillohet praktika profesionale e shkollës. 19 nxënës kanë qenë duke zhvilluar orën e mësimit të mekanikës në momentin që ka ndodhur vrasja. Vetëm 7 prej tyre kanë qenë nga viti i parë, ndërkohë pjesa tjetër kanë qenë nga viti i dytë.

Familjarët dëbojnë ish-ministrin e PD-së

Pas vrasjes së 15-vjeçarit Adriatik Tota në shkollën profesionale “Beqir Çela”, mbërritën edhe disa ministra e deputetë. Njëri prej tyre ishte dhe deputeti i PD, Eduard Halimi. Ai kishte shkuar atje për t’ju gjetur pranë familjarëve të viktimës, por një familjar i është drejtuar me nervozizëm.

“A mbarove punë? Ec atje, shko..”, i tha i moshuari deputetit demokrat Halimi. Nuk janë të pakta herët kur politikanë e deputetë shkojnë në zonën e tyre elektorale vetëm për të marrë votën, në fushatë elektorale apo kur ndodhin fatkeqësitë, por pa bërë asgjë paraprakisht për të evituar ngjarje si kjo e sotmja.

VRASJA TRONDITËSE

10:00– Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në shkollën e mesme profesionale, “Beqir Çela”, në Shkozet të Durrësit.

Një 17-vjeçar ka gjetur vdekjen rreth orës 10:00 të mëngjesit, pasi është qëlluar me breshëri automatiku nga një bashkëmoshatar i tij.

Sipas informacioneve, vrasja ka ndodhur teksa nxënësit po kryenin praktikën, brenda ambienteve të shkollës, ndërsa dyshohet se autori i krimit është një bashkëmoshatar i tij. Sipas policisë, viktima është 17-vjeçari, Adriatik Tota, nxënës në vitin e parë, dega mekanikë, ndërsa autori është identifikuar si shtetasi Emir Baraku, i cili është shpallur në kërkim nga policia.

Dëshmitarët, të cilët kanë qenë të pranishëm në vendngjarje, kanë thënë se vrasësi ka qenë një djalë i ri, i veshur me një bluzë me kapuç, i cili është larguar në drejtim të paditur dhe policia ende nuk ka bërë të mundur kapjen e tij. Burimet bëjnë me dije se, 17-vjeçari Tota, jetonte në konviktin e shkollës.

Menjëherë drejt ngjarjes janë nisur forca të shumta policie, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla si dhe një sërë deputetësh nga Partia Demokratike, të cilët kanë ndërprerë mbledhjen në komisionin e Ligjeve dhe janë nisur drejt Durrësit.

Kush ishte Adriatik Tota?

Adriatik Tota, 17-vjeçari i mbetur i vrarë me dy plumba ishte nxënës i shkollës profesionale “Beqir Çela” në Shkozet të Durrësit.

Sipas informacioneve të para që vijnë nga policia, dyshohet se Tota ka pasur një sherr me një nxënës të shkollës së tij, që studionte në vitin e parë.

Kjo mendohet se është shkaku që ka çuar Edrin Varakun drejtë vrasjes së bashkëmoshatarit të tij në ambientet e shkollës.

Tota ishte nxënës në vitin e dytë në shkollën profesionale “Beqir Çela”, me origjinë nga Kukësi dhe banues në zonën e Sukthit. I riu ishte djalë i vetëm dhe ka tre motra.

Tota, nga fotot e publikuara prej tij në rrjetet sociale duket një dashamirës i muzikës hip-hop. Madje ai ka publikuar edhe këngë në YouTube.

11.30- Tahiri: Ngjarja ka tronditur sigurinë në shkolla

 Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se kjo është një ngjarje shumë e rëndë dhe ka tronditur sigurinë në shkolla. Ai ka shtuar se ka një plan masash të posaçme, dhe garanton prindërit për ruajtjen e sigurisë nëpër institucionet arsimore.

 “Është ngjarje e rëndë që më ka tronditur në radhë të parë si prind edhe më pas për detyrën që mbaj. Garantoj të gjithë prindërit që policia e shtetit është në krye të detyrës për të siguruar jetën e çdo fëmije në shkolla. Është një ngjarje që na bën që të reflektojmë për sigurinë në sistemet arsimore. Kemi gjetur një situatë që nuk i përmbush të gjitha kushtet e sigurisë në shkolla. Jemi në fazat që po marrin hapat e duhura lidhur me masat radikale që duhet të marrim për të garantuar siguri absolute në sistemet arsimore”, -është shprehur Tahiri.

11.40-Nikolla: Sot janë dy nëna të tronditura, ne do të bëjmë çmos që kjo ngjarje të mos përsëritet më

Ndërsa ministrja e arsimit Lindita Nikolla është shprehur se nuk gjen fjalë për të ngushëlluar nënën e djalit që humbi jetën, ndërsa ka shtuar se do të bëhet gjithçka që ngjarje të tilla të mos ndodhin më.

“Janë dy nëna të tronditura sot, pasi është një i ri që është vrarë dhe është po një i ri që është kthyer në kriminel. Është tronditje e thellë që kërkon angazhime të posaçme. Situata që ne gjetëm ishte e vështirë, por ne jemi të gjithë bashkë dhe jemi të qartë për programet e ndërhyrjes që duan kohën e tyre.  Ky rast tregon se sa shumë e rëndësishme është që të krijojmë në frontin e edukimit partneritetin mësues-prindër dhe nxënës”, –u shpreh Nikolla.

12.20-Reagimi i familjarëve

Menjëherë pas tragjedisë ka ardhur edhe reagimi i parë i familjarëve. Ata kërkojnë nga shteti që të gjendet autori dhe të arrestohet.

“Jemi shume tronditur nga ngjarja. Nuk e dimë se si ka ndodhur. Kërkojmë që shteti të arrestojë autorin dhe organet e drejtësisë të bëjnë drejtësi.”- thanë ata, teksa ishin në pritje të mbylljes së procedurave për të marrë trupin në morgun e spitalit.

Reagimi i Ramës

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili është shprehur se ngjarja e sotme është një kambanë e fortë për të gjithë. Rama kërkoi një hetim të plotë të tragjedisë dhe kërkoi të merren të gjitha masat që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

“Kryeministri është informuar sot rreth ngjarjes së ndodhur në Shkozet të Durrësit, ku një i ri ka humbur jetën. I keqardhur për lajmin, Edi Rama shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjen e djalit që humbi jetën dhe i ka kërkuar ministrit të Brendshëm dhe ministres së Arsimit të shkojnë në vendngjarje për tu siguruar që të afërmit e viktimës, studentët dhe mësuesit të kenë të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin e nevojshëm.

Kjo ngjarje tragjike është një kambanë e fortë alarmi për të gjithë, qeverinë, trupat mësimore, prindërit, shoqërinë në tërësi. Kryeministri ka kërkuar të bëhet një hetim i plotë dhe të njihet me të gjitha faktet, në mënyrë që të merren të gjitha masat e nevojshme që ngjarje të tilla të mos përsëriten”, -thuhet në njoftimin për shtyp të kryeministrisë.

Reagimi i PD-së, Ristani: Ditë e tmerrshme për familjet durrsake, Policia e Shtetit të shkundet nga plogështia 

Pas ngjarjes së ndodhur në Durrës, ka ardhur edhe një reagim nga Partia Demokratike, e cila ka akuzuar qeverinë Rama për këtë tragjedi. Sipas deputetit, Arben Ristani, ky është një dështim total i qeverisë për të luftuar. Ai e ka cilësuar qeverinë e re, si një nga qeveritë më të dështuara në historinë e Ballkanit dhe historinë e Shqipërisë.

“Sot është një ditë e tmerrshme për një familje durrsake. Por është një ditë e keqe mes shumë ditëve të këqija që po përjetojnë qytetarët e Shqipërisë, në dështimin total të kësaj qeverie për të luftuar krimin. Me hapat që po hedh, kjo qeveri jo vetëm që nuk po ndihmon për një shtet, për një shoqëri më të sigurt me rend dhe me ligj, por po njehsohet me shpejtësi me një nga qeveritë më të dështuara në historitë e Ballkanit dhe historinë e Shqipërisë.

Me këtë rast, i bëj thirrje strukturave të Policisë së Shtetit, të shkunden nga plogështia që i ka zënë, të refuzojnë skenarët politikë që i serviren nga krerët e tyre të politizuar”, -deklaroi Ristani.