Gjosha: Rritja e buxhetit ndihmesë për integrim

gjosha2Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, gjatë raportimit të saj në Komisionin e Integrimit, deklaroi se rritja e buxhetit për vitin 2014 do të ndihmojë në përmbushjen e detyrimeve dhe realizmin e reformave për integrimin evropian.

Gjosha tha se rritja e buxhetit për vitin e ardhshëm me 65% më shumë krahasuar me një vit më parë shërben për përmbushjen e reformave në kuadër të 5 prioriteteve. “Kemi rritje të buxheteve në disa instanca që shërben për të përmbushur detyrat . Buxheti 2014 është i fokusuar në 5 prioritete. Ministria e Integrimit do të vazhdojë reformat. Ne jemi të bindur për ta çuar përpara këtë progres”.

Ndërsa Kryetarja e Komisionit, Majlinda Bregu, theksoi se me këtë buxhet dhe paketë fiskale qeveria do të rrisë skepticizmin në vendet e Bashkimit Evropian si dhe do të vihet në pikëpyetje stabiliteti ekonomik i Shqipërisë.

Bregu gjithashtu fajësoi qeverinë për shtyrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

“Dje humbëm atë që Komisioni Evropian e kishte konfirmuar dy herë në tetor. Duhet të kuptojmë se çfarë mesazhi çoi qeveria e re që u shty statusi për vendin kandidat në BE”, -u shpreh Bregu.

Lushnjë, gjendet një 40-vjeçar i vdekur

pallat ne ndertimShtetasi Luli Lusha, 40-vjeçar, banues në Lushnjë është gjetur i vdekur mëngjesin e sotëm, në një pallat në ndërtim, po në qytetin e Lushnjës. Sipas policisë, kufoma është gjetur në lagjen “Skënder Libohova”.

Shtetasi Lusha, me origjinë nga Kavaja, por banues në Lushnjë punonte në ndërtim dhe ishte i divorcuar. Policia nuk ka bërë ende të ditura shkaqet e vdekjes, por ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet.

 

Statusi, Serbia fillon negociatat më 21 Janar

serbia-eu-Serbia do të nisë negociatat për anëtarësim në BE, më 21 Janar. Kjo do të jetë dhe data e Konferencës së parë ndërqeveritare që do të mbahet mes Serbisë dhe BE-së.

Sipas mediave serbe, ende nuk ka një kërkesë të shkruar nga Gjermania dhe Britania e Madhe, që të kërkojë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Nëse do të ekzistonte një dokument i tillë, në fund të procesit ai duhet të shndërrohet në një dokument të detyrueshëm juridik, që do ta nënshkruanin Serbia dhe Kosova.  

Zyrtarë evropianë kanë arritur kompromisin që çështja e Kosovës të lidhet me kapitullin 35 të anëtarësimit , por nuk kanë dhënë asnjë datë se kur do të fillojë hapja e negociatave me Kosovën.

Baronesha Ashton, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian, e ka cilësuar si mbresëlënës përparimin në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe ka bërë thirrje që me Serbinë të hapen negociatat e anëtarësimit në BE.

Shtyhet Statusi për Shqipërinë në qershor 2014

Council of the EUKëshilli i BE-së vendos shtyrjen e dhënies së statusit Shqipërisë për në qershor të vitit të ardhshëm. Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë Stefan Fyle, ka deklaruar se statusi do të merret në qershor të vitit 2014.

Eurokomisioneri Stefan Fyle konfirmon progresin domethënës të Shqipërisë dhe përpjekjet e intensifikuara nga qeveria e re. Ai thekson se ka një prespektivë të qartë për marrjen e statusit kandidat në qershor.

“Štefan Füle: ‪#‎Albania‬: ‪#‎GAC‬ recognised significant progress, and intensified efforts by new government: clear perspective of candidate status in June”.

Pas reagimit të Komisionerit Fyle ka reaguar edhe kreu i qeverisë Rama, i cili po ashtu në rrjetin social Twitter ka deklaruar se vendimi i Këshillit është një kompromis mes arritjeve të Shqipërisë dhe ngërçit të brendshëm jashtë saj.

“BE: Kompromis mes arritjeve te Shqiperise dhe ngercit te brendshem jashte Shqiperise. Vleresohet lart puna e qeverise po vendimi ne qershor!”, – shkruan Rama

Statusi për Shqipërinë, 5 vende propozojnë qershorin 2014

VOA

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian janë të ndarë në qëndrimet lidhur me propozimin e Komisionit europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, pavarësisht se të gjithë njohin përparimin e bërë.

Ndërsa shumica e tyre janë në favor, pesë shtete anëtare Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Holanda dhe Danimarka, kanë propozuar në mbledhjen e pasdites së sotme një ndryshim në tekstin e projekt përfundimeve, ku kërkojnë që Statusi të jepet qershorin e ardhshëm.

“Këshilli mirëpret veprime të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe angazhimin e qeverisë së re për të intensifikuar përpjekjet në këtë fushë. Këshilli shpreson të marrë një vendim lidhur me dhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë në qershor 2014, në varësi të miratimit nga Këshilli Evropian, me kusht që Shqipëria ta vazhdojë përparimin inkurajues të arritur deri tani”, lexohet në tekstin e propozuar nga 5 shtetet anëtare ku janë dhe ato me peshën me të madhe në Bashkimin Europian.

Ajo që bie në sy në këtë propozim është se kërkohet edhe që Komisioni europian të paraqesë një tjetër raport për Shqipërinë, pavarësisht se ai ka deklaruar se vendi i ka përmbushur detyrimet e tij ndaj Brukselit për cështjen e Statusit.

“Këshilli do të shqyrtojë, mbi bazën e një raporti që do të paraqitet nga Komisioni në muajin qershor, zbatimin e qëndrueshëm të strategjive për luftën kundër korrupsionit dhe reformën juridike, të legjislacionit të miratuar kohët e fundit si dhe të prirjes në vazhdim për hetimet dhe ndjekjet ligjore aktive, duke përfshirë ato në fushën e krimit të organizuar”, përfundon teksti i propozuar, i cili parashikohet të shoqërohet me debate gjatë mbledhjes së pasdites së sotme dhe komplikon dukshëm situatën.

Javën e shkuar tetë vende anëtare, përmes një letre drejtuar presidencës lituaneze të BE-së dhe Përfaqësues së lartë për politikën e Jashtme, Catherine Ashton, u shprehën në favor të Statusit për Shqipërinë duke vlerësuar se ajo i kishte përmbushur detyrimet e saj.

Vendimi përfundimtar duhet të merret nga Këshilli Europian, i përbërë nga kryetarët e shteteve dhe kryeministrat e vendeve anëtare, por që pritet të pasqyrojë të njëjtat qëndrime të ministrave të jashtëm.

Statusi, në pritje të vendimit të Këshillit të BE-së

CEU1(Azhurnim) Shqipëria pret sot vendimin e Këshillit të BE-së, ku Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare do të vendosin në lidhje me propozimin e Komisionit Europian, për dhënien e statusit të vendit kandidat, për në BE.

Përpara fillimit të mbledhjes një sërë ministrash kanë deklaruar përpara mediave opinionet dhe qëndrimet e tyre në lidhje me këtë vendim.

Ministri i Jashtëm i Holandës Frans Timmermans, ka deklaruara se vendimi për Shqipërinë ende nuk është marrë.

“Nuk kemi marre vendim për Shqipërinë. Presim ta diskutojmë me kolegët e tjerë gjatë mbledhjes”- ka thënë ai.

Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Karl Erjavec, ka deklaruar gjithashtu se, nuk dihet nëse do të ketë sot një vendim për Shqipërinë, por vendi ka bërë progres të dukshëm.

“Ne e mbështesim kandidaturën e Shqipërisë pasi mendojmë se ka bërë progres të dukshëm. Nuk e di nëse do të kemi sot një vendim për Shqipërinë”,- ka deklaruar Erjavec.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Vesna Pusic, ka deklaruar se Shqipëria i ka plotësuar të tëra kushtet në lidhje me statusin.

“Kroacia është iniciatore e letrës që rekomandon dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, pasi sipas nesh Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për marrjen e statusit. Ne morëm mbështetjen e disa vendeve për këtë letër, të cilat e reflektuan qëndrimin e tyre edhe në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Jashtëm. Le të shohim se ç’do të ndodhë sot, por për sa i përket Kroacisë, ne mbështesim fort kandidaturën e Shqipërisë dhe do të punojmë në këtë drejtim për ta mbështetur këtë vendim”,- tha Pusic.

Carl Bildt, Ministër i Punëve të Jashtme të Suedisë, është shprehur se, Shqipëria ka bërë një punë të mirë dhe se duhet shpërblyer për këtë.

“Shpresoj të kemi një vendim pozitiv për Shqipërinë. Gjithsesi nuk jam i sigurt sepse e di që janë disa vende që kanë rezerva për këtë çështje. Nuk kam pasur ende ndonjë bisedë me Ministrin e Jashtëm të Holandës, por mendoj të flas rreth Shqipërisë. Çështja është se Statusi Kandidat është një term jo shumë i qartë dhe për këtë arsye ndoshta ka konfuzione kur vjen momenti për të dhënë një gjykim. Fakti qëndron se gjykimi në këtë rast duhet të jetë objektiv, sepse Shqipëria ka bërë një punë të mirë duke filluar që nga zgjedhjet e fundit, të qershorit 2013 si dhe nisja e punës nga qeveria e re. Mendoj se Shqipëria duhet shpërblyer për këtë”, tha Bildt.

Alexander Stubb, Ministri i Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Jashtme të Finlandës ka deklaruar mbështjen ndaj Shqipërisë:  “Mbështesim Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat”.

Jean Asselborn, Ministër i Punëve të Jashtme të Luksemburgut, po ashtu është deklaruar në mbështetje të Shqipërisë:  “Mbështesim Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe shpresojmë të gjendet një zgjidhje deri në fund të javës kur mbyllet mbledhja e Këshillit”.

Qëndrimit kundër të Holandës i bashkëlidhen edhe qëndrimet skeptike të disa vendeve si Danimarka, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe.

 ‘EU Observer’: Shqipëria meriton statusin

 “Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat”. Në një opinion të sajin, gazeta e pavarur online “EuObserver” që mbulon politikat e Bashkimit Europian shkruan se Shqipëria, ku 87% e popullsisë kërkon anëtarësimin është e gatshme të bëjë përpjekje të mëdha për ta arritur.

Këtë javë, udhëheqësit e BE-së do të vendosin për t’i dhënë ose jo statusin e vendit kandidat pas rekomandimit pozitiv të Komisionit në tetor. Atëherë pse parashikohet gjerësisht që Shqipëria të prekë mbi supin e ftohtë të BE? Pas dy kundërshtimeve , shkruan Euobserver, në vitin 2010 dhe 2011, Komisioni i ofroi së pari Shqipërisë, një gati-miratim në vitin 2012, i cili u rrethua nga gardhi i kushteve.

Euforia e shkurtër që ndjenë shqiptarët, e cila përkoi me festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë, menjëherë u rrëzua. Zgjedhjet e fundit, më në fund përmbushen standardet dhe sollën në pushtet Partinë Socialiste të Edi Ramës, gjeneruan ndjenjën se diçka kishte ndryshuar; sollën shpresë. Progres-Raporti 2013 nënvizoi se Shqipëria ka shënuar progres në reformat kryesore. Megjithatë statusi i vendit kandidat nuk do të thotë anëtarësim i nesërm, sepse përpara ka shumë vite negociatash. Raportimet e fundit i vendosin disa vende në kornizën për të bllokuar progresin e Shqipërisë, mes të cilëve Britania e Madhe dhe Holanda.

 

 

 

 

Rama firmos Memorandumin e TAP në Azerbajxhan

rama-bushati1Kreu i qeverisë Edi Rama ka firmosur në Azerbajxhan marrëveshjen për kalimin e gazit në Europë nga gazsjellësi Trans Adriatik Pipeline, TAP. Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliev deklaroi gjatë ceremonisë se ky projekt do të ndryshojë hartën e energjisë në rajonin tonë dhe do të ndihmojë zhvillimin historik të vendit tonë.

Rreth vitit 2019, Shah Deniz pritet të furnizojë me 16 miliardë metra kub gaz në vit Europën. Dokumenti i firmosur përfshin një vendim investimi mbi Shah Deniz si dhe në projektet Trans Anatolian dhe Trans Adriatik të cilat të kombinuara së bashku kushtojë 35 miliardë dollarë.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ishin të pranishëm në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes së rëndësishme të këtij projekti, që do të kalojë nga Shqipëria për në Bashkimin Europian. Në ceremoninë që u zhvillua në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, përveç ministrit shqiptar mori pjesë edhe kryeministri i Gjeorgjisë dhe ai i Kroacisë.

Kryeministri Edi Rama ka folur pas marrëveshjes së nënshkruar në Azerbajxhan për projektin TAP. Ai ka theksuar se TAP është një projekt i madh që do i hapë rrugën projekteve të reja. “ Implementimi i projektit Trans-Adriatik të gazsjellësit TAP do të hapë rrugën për projekte të reja të tilla si IAP. TAP është një projekt i madh por do të jetë akoma më i madh pasi do i hapë rrugën projekteve të reja inovative të përbashkëta mes Shqipërisë, Kroacisë , Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi, në një përpjekje të përbashkët për të promovuar IAP I cili shpërndajë gazin në tregjet e reja nga Korridori Jugor I gazit deri në rrjedhën e pasme të tij.”- tha Rama.

“TAP mund të jetë ( dhe kemi për qëllim për të bërë këtë me ndihmën e Azerbajxhanit dhe partneri ynë strategjik Turqi ) një burim i zhvillimit jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kroacinë, Maqedoninë, Malin e Zi, dhe të gjitha vendet e tjera të Evropës Juglindore, një rajon që i bashkohet epokës së re të paqes dhe të bashkëpunimit”-theksoi Rama.

Këshilli i BE-së, strategji dhe vëmendje e lartë ndaj Partneritetit Oriental

CEU1Mbledhja e radhës e Këshillit të BE-së, e zhvilluar dje në Bruksel ka fokusuar punimet me një vëmendje të veçantë ndaj Partneritetit Oriental. Situatat e fundit politike në Ukrainë, protestat popullore dhe dhuna e ushtruar janë diskutuar duke pasur në objektiv, rolin specifik angazhues dhe ofrues që mund të luajë BE, jo vetëm përballë Ukrainës, por edhe Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Këshilli ka diskutuar edhe mbi situatën në Ballkanin Perëndimor, progresin Kosovë-Serbi dhe situatën globale në përgjithësi.

Gjatë mbledhjes së djeshme të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së, Ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Linkevičius bëri thirrje për më shumë vëmendje ndaj Programit të Partneritetit Oriental dhe anëtarëve të saj, në veçanti Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë.

‘Someti i Vilnusit na hapi sytë, ne duhet të shikojmë Partneritetin oriental në mënyrë më strategjike, të përcaktuar dhe të përbashkët”,- ka deklaruar Linkevičius.

Gjatë diskutimit mbi situatën në Ukrainë, Ministri foli mbi vizitën e tij në Kiev dhe bëri thirrje për të pasur përfaqësues të përhershëm të nivelit të lartë të BE-së, në kryeqytetin ukrainas për të vëzhguar situatën, në rastin konkret, për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve. Linkevičius tha se më e rëndësishmja tani, është garantimi me të tëra mënyrat i sigurisë së manifestuesve, pengimi i dhunës dhe provokimeve dhe kërkimi i një dialogu konstruktiv dhe të pakontestueshëm. Në prag të vizitës së Presidentit ukrainas në Moskë, Ministri deklaroi se presim nga Kiev, një pozicion të qartë mbi rrugën europiane.

“Nëse drejtuesit ukrainas tregojnë qartësisht, se janë të vendosur për të nënshkruar Marrëveshjen e Asocimit, ne duhet të qëndrojmë të hapur ndaj mundësisë së një dialogu, duke respektuar gjithashtu parimet tona. Ne, duhet të marrim në konsideratë përpjekjet e atyre, që kanë dalë në rrugë për të mbrojtur zgjedhjen evropiane”,- deklaroi Linkevičius

Në mënyrë që të përmbushim pritjet e Ukrainës, por edhe të Gjeorgjisë dhe të Moldavisë, që i kanë nënshkruar Marrëveshjet e Asocimit, BE, duhet, sipas Ministrit, të ndërmarrë një progres krijues dhe elastik, kryesisht në fushën e liberalizimit të vizave. Vlerësohet po ashtu, e nevojshme krijimi i një katalogu tërësor masash për të ndihmuar vendet, që kanë zgjedhur rrugën e asocimit.

Në një bashkëbisedim para drekës të Ministrave të BE-së, me shefin e diplomacisë ruse Lavrov, Linkevičius, inkurajoi BE-në të vlerësojë situatën reale të marrëdhënieve dhe të reflektojë mbi orientimin e marrëdhënieve të ardhshme. Ministri nënvizoi, se të gjithë vendet, si edhe Rusia, duhet të respektojnë zgjedhjen e vendeve të tjerë.

“E ftova Ministrin rus në një takim në janar, për të diskutuar mbi situatën e marrëdhënieve bilaterale. Dialogu është gjithmonë i nevojshëm, për të rregulluar problemet”,- tha Linkevičius pas diskutimit.

Ministrat gjatë mbledhjes së Këshillit, kanë diskutuar gjithashtu mbi marrëveshjen e arritur me Iranin, mbi programin nuklear. Lituania ka përshëndetur dhe u shpreh se do të mbështesë përpjekjet e ardhshme të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë Catherine Ashton, për të arritur në një kompromis global afatgjatë.

Këshilli ka diskutuar gjithashtu, përgatitjet për negociatat e paqes për Sirinë, situatën në Ballkanin Perëndimor dhe progresin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Këshilli ka adoptuar po ashtu, konkluzionet mbi situatën në Libi, Iran dhe procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe ka dënuar qartazi dhunën në Republikën e Afrikës Qendrore./i.t/

 

Celibashi: Sot Ministrat dorëzojnë mandatet e tyre parlamentare

qeveria-rama4Sot, Ministrat e Kabinetit Rama pritet të dorëzojnë mandatin e tyre të deputetit. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirian Celibashi ka deklaruar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social FB se sot, do të përmbushet zotimi politik për shmangien e funksioneve të dyfishta duke u perqëndruar tek rolet ekzekutive.

“Sot së bashku me kolegët Ministra Eglantina Gjermeni, Milena Harito, Klajda Gjosha, Erion Veliaj Edmond Haxhinasto dhe Nasip Naço dorëzojmë mandatin e deputetit. Përmbushim një zotim politik për shmangien e funksioneve të dyfishta dhe përqendrohemi në rolet tona ekzekutive. I siguroj qytetarët dhe votuesit e Fierit se angazhimi im për ta është një proces afatgjatë në të cilin jam plotësisht i përfshirë në drejtim të mbajtjes së premtimeve elektorale dhe përmirësimit të jetesës së tyre. Kontributit tim për Fierin, tani i shtohen edhe kolegët Adelina Rista dhe Anduel Xhindi, të cilëve i uroj suksese si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë”,- shkruan Celibashi në Facebook.

Ministri Celibashi deklaron gjithashtu se, Adelina Rista dhe Anduel Xhindi do të jenë deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë për qarkun e Fierit.

Bulqizë, kriminelët dhunojnë nënën dhe fëmijën 13-vjeçar

skene-krimi-mos-kalo1Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Bulqizë, ku familja Gjeka është grabitur dhe dhunuar nga kriminelë me maska në kokë dhe të armatosur.

Sipas policisë në familjen Gjeka në Bulqizë kanë hyrë dy persona të maskuar dhe të armatosur të cilët kanë dhunuar anëtarët e familjes dhe kanë grabitur banesën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit në lagjen “Gjeologu”.

Dy grabitësit sipas rrëfimit të familjarëve kanë hyrë nga dritarja në dhomën e gjumit të banesës dhe kanë dhunuar një grua. Në momentin e grabitjes kryefamiljari Gëzim Gjeka ndodhej në emigracion. Ndërkohë fëmija 13-vjeçar i familjes rrëfen ngjarjen për News 24. Ai tregon se grabitësit kanë hyrë në dhomën e gjumit dhe i kanë hedhur sprait në sy bashkëshortes së Gezim Gjekës. I mituri tregon se është goditur me lopatë në kokë nga grabitësit.

“ Ata hynë nga dritarja te dhoma e gjumit të mamit pasi kanë kontrolluar aty për lekë hapën derën dhe erdhën te dhoma tjetër. Ne nuk i njohëm sepse ata kishin çorape në kokë dhe doreza. Ata i hodhëm mamit sprait në sy dhe e goditën, i doli edhe pak gjak. Donin të na qëronin edhe ne. Mua më ranë me lopatë apo levë nuk e di se çfarë ishte dhe më pas shkuan të qëllonin motrën por unë dola nga dritarja dhe ata nuk e prekën motrën.”- rrëfen 13-vjeçari F.Gjeka. Ai tregon se policia është njoftuar nga fqinjët. Në momentin e ngjarjes në banesë ndodheshin nëna dhe tre fëmijët më i madhi 13-vjeç. I mituri tregon se nuk e di se kush mund ta ketë kryer grabitjen pasi në lagje sipas tij ka shumë hajdutë.

Berisha: Ky është buxheti i rrokullisjes

berishaIsh Kryeministri Berisha ka deklaruar shkurtimisht për mediat, jashtë sallës së Kuvendit se ky buxhet nuk është transparent dhe se rrit taksat 3 herë më shumë se gjatë qeverisjes së tij. Ndonëse nuk është aplikuar ndonjëherë konsulta paraprake me qytetarët në lidhje me buxhetin, gjatë qeverisjes së tij , Berisha e konsideron anormale faktin që Qeveria Rama të përjashtojë qytetarët nga ky debat.

“Të përjashtuar të gjithë qytetarët nga një diskutim që është normal. Buxheti dhe politikat buxhetore duhet të jenë më transparente. Një Qeveri ka frikë nga buxheti i saj, pasi është buxheti i rrokullisjes. Ky buxhet rrit taksat 3 herë më shumë se gjatë 8 viteve që ishim në pushtet. Ky buxhet varfëron brenda vitit shumicën e shqiptarëve, pasi rrit 100 % taksat. Mësues, infermierë e administrata, merrnin një rrogë më shumë duke u hequr taksat, ndërsa sot marrin gjysmë rroge. Qëndrimi ynë është transparenca. Një Qeveri që merr borxhin me 62 % dhe e çon në 72 %. Ne do të bëjmë një diskutim të gjerë me qytetarët, interesat e tyre, mashtrimet që janë bërë ndaj tyre. PD do reagojë. Kjo sjell për qytetarët ndalimin e investimeve të huaja, shpunësimin masiv të shqiptarëve dhe kjo është politika më e keqe fiskale. Ky është një rikthim shumë më keq se 2003 në disa aspekte. Ne u lamë pothuajve gjysmë të gatshëm”,- tha Berisha.