Nishani letër Kuvendit: Fondet për Presidencën nuk mjaftojnë

NishaniPresidenti i Republikës, Bujar Nishani i është drejtuar me një letër Kuvendit të Shqipërisë dhe partive politike, ku kërkon rishikim të buxhetit për institucionin e Presidencës. Nishani thekson në letër se fondet që buxheti parashikon për këtë institucion janë larg kërkesave që Presidenca ka parashtruar duke i ulur këto shpenzime me 46.8 milionë lekë.

SHKRESA E PLOTË

Drejtuar: Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
SH.T.Z. Ilir Meta
Kryetar

Z.Gramoz Ruci
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste

Z. Edi Paloka
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

Z. Petrit Vasili
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim

Z. Shpëtim Idrizi
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet

Z. Fatmir Mediu
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane

Lënda: Kërkesë për rishikim të fondeve të parashikuara për Institucionin e Presidentit të Republikës për Buxhetin e vitit 2014

I nderuar Zoti Kryetar i Parlamentit,
I nderuar Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste,
I nderuar Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike,
I nderuar Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim,
I nderuar Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet,
I nderuar Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane,

Përmes kësaj shkrese, kërkojmë të tërheqim vëmendjen tuaj rreth një çështje serioze, diskutimin dhe miratimin e projekt-buxhetit të vitit 2014, dhe vështirësitë që sjell buxheti i planifikuar për Institucionin e Presidentit të Republikës në zbatimin e aktiviteteve të rëndësishme shtetërore për vitin 2014 për këtë Institucion.

Paraprakisht, Institucioni i Presidentit të Republikës ka qenë i gatshëm të diskutonte me Qeverinë Shqiptare (Ministrinë e Financave) në seancën dëgjimore për fazën e dytë të përgatitjes së buxhetit afatmesëm 2014-2016, në përputhje me përcaktimet e Udhëzimit Nr. 9, datë 22.02.2013 “Për përgatitjen e programit buxhetor afatmesëm 2014 – 2016”. Kjo seancë, e përcaktuar për t’u zhvilluar më datë 27 shtator nuk është zhvilluar nga ana e Ministrisë së Financave dhe për këtë jemi njoftuar në rrugë verbale.

Deri në ditën e sotme, pas përcjelljes së propozimeve tona për Ministrinë e Financave për Buxhetin e vitit 2014, nuk kemi marrë asnjë komunikim zyrtar apo shkresor për t’u njohur me tavanet e përcaktuara (alokuara) nga Qeveria Shqiptare për Institucionin e Presidentit të Republikës.

Në rrugë elektronike, nëpërmjet e-mail, dërguar më datë 16 Dhjetor 2013, jemi vënë në dijeni mbi shifrat e parashikuara për Institucionin e Presidentit, për vitin 2014, si më poshtë:

• Shpenzimet e personelit, janë 99.5 milion lekë
• Shpenzimet e tjera operative, janë 58.7 milion lekë
• Shpenzimet kapitale, janë 5 milion lekë
• Në total, fondet janë parashikuar 163.2 milion lekë

Nga një analizë krahasuese e zërave kryesore të buxhetit të dërguar, duke krahasuar fondet e parashikuara të vitit 2014, me fondet faktike (buxhetin faktik) të vitit 2013, vërehet se:

• Shpenzimet e personelit, janë rritur me 10.5 milion lekë, ose 11.8%
• Shpenzimet e tjera operative, janë ulur me 6.9 milion lekë, ose 10.5%
• Shpenzimet kapitale, janë ulur me 10 milion lekë, ose 66.7%
• Ne total, fondet janë ulur me 6.4 milion lekë, ose 3.8% (169.6 milion lekë buxheti total)

Në kërkesën tonë për projektbuxhetin e vitit 2014, dërguar me shkresën nr. 1921/1, dt. 17.10.2013, kemi kërkuar fondet përkatësisht:

• Në shpenzimet për personelin, 95 milion lekë
• Në shpenzimet e tjera operative, 105.5 milion lekë
• Në shpenzimet kapitale, 5 milion lekë
• Në total, janë kërkuar 203.5 milion lekë

Pra, duke krahasuar fondet e kërkuara, me fondet e parashikuara vërehet se në shpenzimet e tjera operative, kemi ulje prej 46.8 milion lekë, afërsisht sa gjysma e fondeve të kërkuara zyrtarisht nga Institucioni i Presidentit të Republikës.

Kërkesa jonë u bazua në aktivitetet e shumta të parashikuara të Presidentit të Republikës gjatë vitit 2014, për përmbushjen e funksioneve kushtetuese të Presidentit, vizitat e Presidentëve të Rajonit në Shqipëri, vizitat jashtë vendit të Presidentit, organizimet e veprimtarive protokollare brenda vendit, etj.

Ndër aktivitetet më të rëndësishme që do të kryhen gjatë vitit 2014, por edhe me një kosto të konsiderueshme për vetë natyrën specifike të tyre, veçojmë:

• 4 vizita të parashikuara të Presidentëve të rajonit dhe vendeve mike në Shqipëri
• 2 vizita të Presidentit të Republikës në SHBA
• Dhe vizita zyrtare të Presidentit të Republikës në vende të tjera si dhe aktivitete normale protokollare që ndodhin çdo vit.

Duke analizuar historikun e akordimeve të fondeve buxhetore në vite (buxheti faktik), për zërin shpenzime operative, për Institucionin e Presidentit, rezulton:

Në vitin 2011:
• Shpenzime të tjera operative, 63.4 milion lekë (shpenzimet operative janë ulur me 4.7 milion lekë, ose 8%)

Në vitin 2012:
• Shpenzime të tjera operative, 75.4 milion lekë (shpenzimet operative janë ulur me 16.7 milion lekë, ose 28%)

Bazuar nga sa më sipër, kërkojmë vëmendjen tuaj që kërkesat e përcjella nga Institucioni i Presidentit të Republikës për buxhetin e vitit 2014 të gjejnë reflektimin e duhur në miratimin e pritshëm që Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë në seancë plenare.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin,

Arben Idrizi
Sekretar i Përgjithshëm

Sarandë, Rama: Pushtuesit e detit nuk mund të bëjnë biznes mbi det

rama-turizmiKryeministri i vendit Edi Rama, gjatë një takimi të zhvilluar ditën e sotme në Sarandë është shprehur edhe mbi gjendjen aktuale të vijës bregdetare. Ai ka deklaruar, se aksioni i rikthimit në normalitet të vijës bregdetare, që ka nisur në Vlorë do të vazhdojë edhe në Sarandë.

“Ne kemi ndërmarrë një aksion që nuk do të ndalet. Pastrimi i bregdetit të Vlorës dhe krijimi i kushteve për zhvilluar një projekt të standardeve më të mira të Mesdheut dhe për ta kthyer Vlorën në një qytet, një portë dinjitoze të Mesdheut për Shqipërinë dhe gjithë rajonin është vetëm një pjesë. Aksioni do të zbresë deri në Butrint. Ne nuk do lemë okupatorë të detit që bëjnë biznes mbi det”,- tha Rama.

.

KLD rrëzon kandidaturat për gjyqtarë të Ministrisë së Drejtësisë

KLD-NishaniKëshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzon propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për miratimin e emërimeve të gjyqtarëve të rinj në sistemin e drejtësisë.

Ministri, Nasip Naço e ka cilësuar refuzimin e përfshirjes së kësaj pike në rendin e ditës një farsë. Naço ka theksuar se mungesa e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani në mbledhje tregon qartë për vendimin.

Ai akuzoi për mungesë transparence dhe akuzoi se KLD qëllimisht nuk merr vendimin për plotësimin e vendeve vakante që krijuar prej tre muajsh.

Naço shprehet se KLD kërkon që të plotësojë këto vende me transferime, ndërsa vetë ai ka propozuar që të emërohen gjykatës të rinj.

“Jam për emërimin e gjyqtarëve të rinj. Mbeten pa u emëruar 15 magjistratë të rinj”, tha Naço.

Edhe anëtari i KLD-së, Sokol Çomo e ka cilësuar në shkelje të ligjit mbledhjen e sotme të KLD-së.

Në mbledhjen e sotme, Naço kërkoi emërime në disa gjykata të vendit, si dhe plotësimin e 13 vendeve vakante në Gjykatën e Tiranës.

Beyonce shkëlqen në skenën e “United Center” të Çikagos

Beyonce5Beyonce vazhdon të shfaqet në një formë të admirueshme, gjatë turit të saj ‘Mrs Carter World Tour”. Ajo ka interpretuar kësaj radhe në “United Center” të Çikagos e mirëpritur dhe e duartrokitur fuqishëm nga admiruesit e saj, që kishin mbushur sallën. Interpretimi skenik ka tërhequr vëmendje dhe nëpërmjet veshjes së këngëtares, ku xhaketa e qepur në mënyrë artizanale dhe e stolisur me argjend, u cilësua si një vepër arti.

 

 

 

 

Beyonce
Beyonce

 

Beyonce
Beyonce

 

Beyonce
Beyonce

 

Beyonce
Beyonce

 

 

 

BE-Turqi, hapet dialogu i liberalizimit të vizave

BE-TurqiKomisionerja për Punët e Brendshme në BE, Cecilia Malmström dhe Ministri i Brendshëm i Turqisë, Muammer Güler kanë nëshkruar në Turqi, Marrëveshjen e Ripranimit. Paralelisht me këtë Marrëveshje, Komisionerja Malmström ka nënshkruar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë Ahmet Davutoğlu, Marrëveshjen mbi hapjen e dialogut të liberalizimit të vizave.

Ceremonia e nënshkrimit, u zhvillua nën praninë e Kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan, Ministrit turk të Punëve Europiane Egemen Bağiš dhe Ambasadorëve të Shteteve Anëtare të BE-së, në Turqi.

“Sot, është një ditë me rëndësi historike. Bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit Europian dhe Turqisë, ka bërë një hap të rëndësishëm përpara. Ne kemi nisur dy iniciativa paralele, të cilat do të përmirësojnë marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Europian dhe do të sjellin përfitime për qytetarët e tyre. Shpresoj që, Marrëveshja e Ripranimit do të ratifikohet tani, nga të dy palët pa vonesa dhe se dialogu i liberalizimit të vizave, do të bëjë të mundur së shpejti, regjistrimin e një përparimi thelbësor”,- ka deklaruar Komisonerja Malmström.

Objektivi kryesor i Marrëveshjes së Ripranimit është krijimi mbi bazën e reciprocitetit, të procedurave për ripranim të shpejtë dhe të rregullt, nga secila palë, të personave që kanë hyrë ose banojnë në territorin e palës tjetër, në mënyrë të parregullt.

Marrëveshja pritet t’i dërgohet Këshillit të BE-së, Parlamentit Europian dhe Asamblesë Kombëtare turke, për ratifikim.

Ndërsa synimi i hapjes së dialogut mbi liberalizimin e vizave BE-Turqi, është përparimi drejt eliminimit të detyrimit të vizave, që iu imponohet për momentin qytetarëve turk, që udhëtojnë në zonën Shengen.

Dialogu mbi liberalizimin e vizave, do të konsistojë kryesisht në një ekzaminim të legjislacionit turk dhe praktikave administrative, që do të aprovohet nga Komisioni, mbi bazën e një dokumenti të quajtur: “ Udhërrëfyesi drejt regjimit të lirë të vizave me Turqinë”.

Ndër kërkesat, që renditen në këtë dokument janë: nevoja për zbatim të plotë dhe efikas të Marrëveshjes së Ripranimit; menaxhimi i kufijve dhe politikave të vizave në mënyrë që të parandalohet në mënyrë efikase migrimi i paligjshëm; pasja e dokumenteve të sigurta të udhëtimit; krijimi i sistemeve të migrimit dhe azilit në të njëjtën linjë me standardet ndërkombëtare; pasja e strukturave funksionuese për luftimin e krimit të organizuar me fokus mbi kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore; zbatimi i formave të duhura të bashkëpunimit policor dhe juridik me Shtetet Anëtare të BE-së dhe Komunitetin Ndërkombëtar dhe respektimi i të drejtave themelore të qytetarëve dhe të huajve me një vëmendje specifike ndaj personave, që i përkasin minoriteteve dhe kategorive në nevojë.

Pasi Komisioni të vlerësojë, se të gjithë kërkesat e renditura në udhërrëfyes janë plotësuar dhe pasi të ketë prezantuar propozimin e tij për amendim, ky propozim do të kalojë për votim me shumicë të cilësuar nga Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Europian.

Procedura nuk specifikon një afat kohor, por gjithçka do të varet nga vullneti politik i Turqisë në përmbushjen e kritereve të vendosura./i.t/

.

BE Zgjerimi, Ministrat e Jashtëm në përgatitje të mbledhjes së Këshillit

photo EU

photo EUMbledhja e Këshillit të Punëve të Përgjithshme, që do të zhvillohet më 17 Dhjetor në Bruksel pritet të adoptojë konkluzione, mbi zgjerimin e BE-së dhe të aprovojë mandatin për fillimin e negociatave me Serbinë. Sipas Progres-Raportit të përvitshëm të Komisionit të publikuar më tetor, Këshilli i kryesuar nga Ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë Linas Linkevičius, do të adoptojë konkluzionet mbi zgjerimin dhe procesin e stabilizim asocimit. Këshilli do të vlerësojë gjithashtu progresin e bërë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Islanda, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Serbia dhe Turqia.

Ministrat do të përgatisin mbledhjen e Këshillit Europian të 19-20 Dhjetorit. Ato do të diskutojnë gjithashtu draft konkluzionet, duke përfshirë edhe çështjet mbi Sigurinë e Përbashkët dhe Politikat Mbrojtëse, thellimin e Unionit Ekonomik dhe Monetar Politikat Ekonomike dhe Sociale, energjinë, zgjerimin dhe migrimin.

 

Linjat urbane paralizojnë Kryeqytetin, grevë për marrjen e pagave

autobusKryeqyteti është gdhirë i paralizuar sot, pasi linjat e autobusëve, që transportojnë përditë mijëra udhëtarë, kanë hyrë në grevë. Greva raportohet të ketë nisur në orën 05:30 të mëngjesit dhe do të mbyllet rreth orës 08:30 të mbrëmjes.

Ndërsa çdo autobus është i pozicionuar në ndalesën përkatëse, njoftimi i vendosur në të lajmëron fillimin dhe mbarimin e kësaj greve:  “Njoftohen qytetarët se ditën e hënë, datë 16.12.2013, transporti i shërbimit urban në Tiranë do të fillojë në orën 08:30. Nga ora 5:30 deri në orën 8:30, Shoqata e Punonjësve ka shpallur grevë”.

Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Transportit Urban, Zija Hasanaj, ka sqaruar për mediat, se shkak për nisjen e grevës është mosmarrja e pagave të shoferëve dhe fatorinove prej disa muajsh. Ndërkaq, kërkesa e sindikatës drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë, konsiston në vendosjen e çmimeve dhe tarifave të tjera të biletës, si dhe ribursimin e biletave të studentëve dhe personave në nevojë.

Hasanaj ka paralajmëruar, se nëse qeveria nuk merr asnjë masë për kërkesat e tyre, ditën e hënë të javës së ardhshme do të zhvillohet grevë 24-orëshe.

Ndërkohë prej kohësh, Shoqata e Transportit Urban Qytetas ka ngritur shqetësimin për situatën e vështirë ekonomike në të cilën ndodhen kompanitë. Kjo për shkak të çmimit të rritur të karburantit, investimeve me mjete të reja dhe mossubvencionimit nga qeveria, për grupet që udhëtojnë pa pagesë.

 

Artan Fuga: Pushteti, vepër e të pafuqishmit

artan-fuga-veper-480x330Bisedoi Reldar Dedaj

Nëse ndokush do të ndalet krejt rastësisht në këtë bisedë, jam shumë i sigurtë se nuk do të ketë mundësinë të dëgjojë asgjë. Kjo, jo se ne po pipëzamë gjatë këtij dialogu, por se mbi të gjitha, si ashtu krejt pa kuptuar, vendosem të respektojmë si asnjëherë tjetër heshtjen. Ju garantoj se kjo nuk është aspak filozofi, përkundrazi; unë nuk jam i aftë, të ndjek në të njëjtën gjatësi vale profesor Artan Fugën. Megjithatë, si çdo gjë tjetër në këtë botë, si pa e kuptuar, i lamë edhe ne një shteg të vogël kësaj bisede; për ta dëgjuar edhe ndonjë kureshtar këmbëngulës. Në rreshtat që vijojnë, vendosem që turbullirat e ndryshme nuk do t’i trajtojmë si ca dosje të shkëputura, e as në mënyrë sistematike. Por, ecuria jonë do të jetë më tepër si ecuria e dy vegjeluesve nate në një kopsht, të nesërmen e stuhisë, ndërkohë që paralajmërohet një stuhi tjetër. Të pajisur me fener, porsi një Santa Claus, vazhduam të ecim me një hap të kujdesshëm në disa terrene shumë të vështira, e drejtuam tufën e rrezeve në pjesën e errët të qenies, pastaj nga një tjetër, pastaj kontrolluam disi realitetin, u kthyem mbrapsht, u përkulëm mbi një kujtim të braktisur; më pas filluam të marrim për nga një kep i lartë në det, e shuam fenerin, dhe u përpjekëm të rrokim me të gjitha shqisat pamjen e ofruar.  Ky njeri, s’është as shtinak, as dogmatik, as nuk ka dalë për të kërkuar ithtarë dhe në këtë realitet nuk i përket asgjë drejtpërdrejt. Por aij atje banon. Ndoshta kjo i mjafton, sa për t’u kujtuar se çdo gjë që mund të prekë këtë tokë, i takon drejtpërsëdrejti.

1-“Një intervistë me Artan Fugën? Më së fundi do të kuptojmë diçka!”. Kështu më kanë thënë disa kur i kam lajmëruar se do të bëja këtë bisedë me ju. Tregojnë që tekstet tuaja janë të vështira, në kufirin e lexueshmërisë. Ka zëra se disa lexues janë larguar qysh më parë prej këtij nami. Si e jetoni këtë? Është diçka që e keni kërkuar vetë apo përkundrazi, e vuani?

Mua më shqetëson sinqerisht e kundërta e kësaj. Pra që nuk kam mundësi t’i drejtohem lexuesit shqiptar me një nivel abstraksioni më të lartë dhe me një terminologji më të përpunuar teknikisht. Kjo më frustron, censuron, më çstrukturon mendimin. Një pjesë e studimeve të mia shkruar në frëngjisht kanë mbetur pa u përkthyer pikërisht sepse terminologjia e tyre nuk është për botimin masiv. Kohët tona janë të shoqërive të masave, por filozofia nuk është e masave, as shkencat sociale në aspektin e tyre teorik. Kurse, ka një mentalitet që edhe mendimin shkencor ta vendosim nën diktaturën e masave. Te ne kjo vjen edhe nga fakti se universitete kioska, sa publike aq edhe private kanë thirrur në arenën e dijes aftagjatë teorike dhe shtresa që nuk e kanë kapacitetin për këtë dhe as dëshirën. Ndërkohë, perversiteti që te ne ka më shumë tirazh shtypi i përditshëm politik sesa revistat, revistat sesa romanet, romanet sesa librat shkencorë, tregon se në cfarë gejndje jemi. T’i nënshtrohem masës në gjykime? As mos e kërko nga unë. Ndërkaq, unë kam edhe aspektin popullarizues në punën time, mijëra e dhjetra mijëra miq në facebook që më lexojnë për ditë, qindra studentë, mijëra blerës të librave të mi. Pra, indikatorët më tregojnë se aq sa duhet impakti masiv është jo keq. Se mos ata miqtë tuaj më lexojnë para gjumit…?!

2-Për t´ju lexuar, duhet të kesh nocione jo vetëm të filozofisë, por gjithashtu të psikoanalizës, të letërsisë, të historisë, të gjuhësisë si dhe të filozofisë së komunikimit…?

Unë nuk i ndaj këto nga njëra-tjetra, normale, është njësoj si të thuash që për të vajtur në Petrelë duhet të kalosh nga Sauku, Farka, etj. Janë ndarje artificiale dhe institucionale. Nuk kanë të bëjnë me ligjet e arësyes.

3-Për t´ju lexuar, duhet të kesh lexuar Artan Fugën…?

Pasi të kesh lexuar Artanin nuk besoj se ja vlen të më lexosh më mua.

4-Shpëtimi tek veçimi, a s´është njëlloj si të shpëtosh prej fatit? Prej fatit tuaj të filozofit, p.sh?

Sot çështja është si të shpëtosh prej turmës, masës së manipuluar dhe çetave të servilëve, jo si të shpëtosh nga vetja. Unë nuk dua t’i shpëtoj vetes, dua ta gjej. Nuk i besoj fare fatit. Fatin e kam ndërtuar vetë në jetë dhe për çdo ditë e kam shpikur jetën time. Sidomos karriera njëzetvjeçare në Francë më ka mësuar si të mbështetem vetëm te vetja, ta ndërtoj jetën çdo ditë, në një mjedis të huaj, derisa bëhesh me miq që në dallim nga familja nuk t’a jep fati, por i zgjedh e krijon vetë.  Kurse fatin e filozofit nuk i shpëtoj, por i nënshtrohem. Fati i filozofit është ai i Sokratit, edhe po s’e helmuan me helm në çast, i helmojnë jetën me mijra goditje, me moskuptime, keqkuptime, mospëlqime. Krishti u tha dishepujve : Si kujtoni ju, se duke qenë ndjekësit e mi, do të keni jetë më me pak mundime sesa unë? Edhe Sokrati kështu na tha kur u ndamë atë ditë në qelinë e tij, kur na refuzoi ndihmën tonë të arratisej, dhe piu helmin.

5-Keni kujtime prej frikës?

I kam harruar nga frika

6-Po cili duhet të jetë qëndrimi i një intelektuali në marrëdhëniet me veprimin politik?

Kundërshtar i politikës. Për politikën? Intelektuali nuk e kupton politikën. Kjo është taktika më e mirë e intelektualit për të bërë politikë. Midis politikës dhe arsyetimit shkencor ka një papajtueshmëri të plotë. Politika vepron si bardh e zi, midis po-së dhe jo-së, për të lajkuar masat elektorale. Kurse shkenca vepron me analiza përtej poleve konceptuale përjashtuese, me as po as jo, edhe po edhe jo, pra nuk përjashton, nuk premton asgjë, tregon të vërtetën e hidhur, nuk lajkaton, dhe mbi të gjitha nuk kërkon ndjekës.

7-Jeni një nga filozofët e rrallë që interesohen për psikoanalizën, që i jepni një vend në vepër, jo vetëm si një referencë e thjeshtë, por si një levarashmëri e vazhdueshme. A ka në të arsye filozofike, sipas interesit tuaj?

Thjesht, përtej çdo gjëje që thuhet apo ndodh, ka diçka të pathënë që e shpjegon, kurse ato që thuhen apo vethuhen janë sipërfaqësore, sigurisht jo rrena. Psikanalizë quhet kjo?. Nuk e di… Heshtja për mua është koncepti filozofik më i rëndësishëm, asgjëja është më e rëndësishme sesa qenia. Histori e gjatë. Unë qesh, shkrihem gazit, me ata gjojahistorianë që bëjnë historinë nisur nga dokumentat e gjetura. Harxhojnë mushkritë në pluhur bibliotekash kot. Historia e bazuar në dokumenta është histori e ngritur mbi pjesën e dukshme të ajzbergut, kurse pjesa e padukshme, ajo më e rëndësishmja, është e pathënë në dokumente. E njejta gjë në gazetari, politikë, ekonomi, etj. Pjesa që nuk shprehet është më e rëndësishmja. Miqtë tuaj që duan të kuptojnë ndonjë gjë nga kjo intervistë, duhet të lexojnë mirë heshtjen.

8-Atëherë, cila është lidhja mes përvojës suaj në psikoanalizë dhe shfrytëzimit të saj si humus ndërtues për librat tuaj. Kam parasysh librat; Rrota e mundimit, Brirët e Dhisë, Ikja nga Kompleksi i Rozafës, Shtigje drejt guvës së gjarpërit, Shoqëria periferike dhe ndoshta se fundi edhe romanin tuaj të parë që pritet të dalë shumë shpejt në treg me titull “Murgu”?

Histori e gjatë… Si mund t’i përmbledh në një frazë? Psh te libri Monolog (ju e keni harruar) unë argumentoj se ideologjia është shprehje e mentaliteteve kolektive popullore të pashprehura që pasi “lahen” nga ndërgjegjja dalin në formë sindromesh të zhvendosura në strukturat e veprimit ideologjik. Por, te ne psikanaliza në format e saj të ndryshme pothuajse njihet keq. Ose gabim.

9-Cilët janë filozofët apo mendimtarë të tjerë jashtë fushës së filozofisë që ju vozisni më shpesh në jetën tuaj?

Unë kam poshtë krevatit gjithmonë nja dhjet a njëzet libra të hedhura rrëmujthi. Kur shtrihem të fle kap qorrazi atë që më del përpara dhe e hap rastësisht duke lexuar ndonjë faqe atje ku më del. Këta vozis…! Kohët e fundit vozis shumë Jozef Stiglitz, një libër i trashë, i nobelistit financiar, i cili tregon sesa idiot është liberalizmi ekstrem dhe cilat janë reformat e vërteta politike dhe ekonomike që duhet të bëjnë vendet që nuk kanë më parà për të dalë nga para apokalipsit financiar sa nuk është vonë. E lexoj dhe … fle.

10-Çfarë ndodh me Artan Fugën në momentin kur kthehet në Qenan K?

Qenan K. do të bëhet si unë, jo e kundërta.

11-Në shumë autorë ekziston ideja se shpeshherë ata i kap një lloj “krize” në lidhje me librat e tyre, ju personalisht, jeni gjendur në të tillë ndjesie dhe kjo aksh gjë, mos ju ka bërë të ktheheni kundër vetë materialit tuaj dhe të urreni librin që keni bërë. A ka gjithmonë ndonjë krizë për çdo libër?

Gënjejnë për t’u bërë interesantë. Duhet të pyesësh ata për veten e tyre dhe jo mua për ata. Mua s’më ka kapur asnjë krizë për librat që bëj. Aq më shumë edhe kur nuk e dua një njeri nuk e urrej, vetëm e shmang me shumë mirësjellje, sepse urrejtja e madhe është një formë dashurie e pakuptuar. Një njeri që s’e do është vërtet humbje kohe edhe ta urresh. Mjafton injorimi… Unë i ndaj librat e mi në dy pjesë kohe, para 90, kur isha një studjues i ri, i formuar në shkollën marksiste, kur veç anëve që i quaj arritje për kohën ka edhe mbizotërim të ideologjisë marksiste të dogmatizuar nga rusët, dhe pas viteve 90, në vitet 2000, kur procesi krijues brenda meje u çlirua gradualisht. Ky është transformimi i brezit tim që në fakt inicioi dhe kreu edhe transformimin e shkollës shqiptare. Askush nuk na e njeh këtë veprim madhor, pra emancipimin e shkollës shqiptare nga dogmat e dikurshme, por s’ka problem.

12-Mos po kërkonit luftë kur shkruat librin “Rënia e qytetit”?

Unë nuk sulmoj gjërat që bien… Kujt i shpall luftë mjeku kur thotë : I sëmuri po mbaron…

13-Heroi juaj duhet të jetë gjithmonë i zemëruar, i mbytur me probleme, apo duke u ankuar?

Gjithsesi nuk është njeriu që del në punë vullnetare në orarin e punës ku nuk bën gjënë për të cilën paguhet. Por, është e vërtetë, unë nuk kam asnjë interes profesional për njeriun e lumtur. E lë në lumturinë e tij. Mua më intereson hallexhiu, qenia njerëzore në situata ekstreme, ai që po shkon të ekzekutohet, ai që e kanë vjedhur, i braktisuri nga të gjithë, i mashtruari, ndejk këshillën kristjane : Qendro me ata që janë më keq se ty sepse mjeku nuk rri me të shëndoshin, çfarë i duhet?

14-A ndjeheni ju i fuqishëm në Shqipëri?

Ata që ndihen të fuqishëm, ndodh sepse nuk e dinë sesa fragjile është qenia njerëzore. Unë jam fare i pafuqishëm dhe ky kusht ekzistence më jep forcë të paparë. Shteti si koncept, koncepti si universal, drejtësia, janë vepër e të pafuqishmëve. Cfarë e do pushtetin dhe shtetin një i fuqishëm? Cfarë e do ligjin një i fuqishëm? Shteti? Drejtësia, ligji, e pengojnë të fuqishmin. Duke qenë i pafuqishëm ndihem shumë i fuqishëm sepse nuk ma pengon arsyetimin asnjë interes. Për të arritur maja në krijimtarinë time do të doja të isha edhe akoma më shumë i pafuqishëm sesa jam. Ne do të ndërtojmë demokraci atëhere kur të kemi shtetarë të pafuqishëm. Unë mezi po pres tash gjashtë muaj që të përmbushet premtimi elektoral që ministrat t’i përzënë nga Kuvendi, mos jenë deputetë. Shihni sesa po zgjat kjo punë, pra sa vështirë është të kesh pushtetarë të pafuqishëm, ose të fuqishëm aq sa duhet. Unë kam idhull Françeskun, të shenjtin, që babai i pasur nuk e linte të ndihmonte të varfërit. I thoshte i jati, fabrikant pëlhurash, unë kam investuar te ti! Dhe Françesku i shenjtë për të shlyer çdo borxh u zhvesh, ja hodhi rrobat në oborr, lau të gjitha borxhet, dhe ashtu lakuriq iku tutje i zhveshur nga çdo interes drejt thirrjes së shpirtit të tij.

15-Ju nuk jeni shkrimtar, të paktën për disa kohë, por në librat tuaj ka heronj, që janë gjithmonë në transformim. Ju si jeni në krahasim me këta. Si mund ta përshkruani vetveten?

Çdo sekondë jam tjetër njeri. Si të gjithë. Por, disa nuk e kuptojnë që ndryshojnë…!

Poeti Lefter Çipa vlerësohet me titullin “Nderi i Himares”

Lefter_CipaBashkia e Himarës ka nderuar me titullin “Nderi i Qytetit” disa prej korifejve të polifonisë së bregdetit. Në prani të dhjetëra artistëve dhe të ftuarve të shumtë u zhvillua një ceremoni ku ata që morën fjalën nxorrën në pah vlerat e secilit prej personave të  përzgjedhur nga bashkia për të marrë titullin “Nderi i Qytetit”.

Me “Nderi i Qytetit” u vlerësua Neço Muka Himarjoti, ai që këngën polifonike të Pilurit dhe Himarës nuk e mbylli mbrenda mureve të kësajtreve, por e përcolli atë edhe nëpër Europë. Me çmimin “Nderi i Qytetit” bashkia e Himarës ka vlerësuar sot edhe korifejtë e këngës polifonike himarjote Lefter Cipa , Katina Bjeleri etj .

Emocione të rralla sollën në këtë veprimtari kujtimet e këngëtarëve që morën tiullin si dhe nderimi për polifonët që nuk janë më në jetë, por që kanë pasuruar traditën e këngës himariote dhe që në dekada janë përfaqësues të shkëlqyer të një tradite unike në llojin e vet jo vetëm në trevat shqiptare, por më gjerë.

Në fjalën e vet kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro, shtoi se ky nderim i vonuar për këngëtarët, artistët dhe grupet tona të këngës është një detyrim që po kryejmë në emër të vlerave të traditës dhe kulturës himariote dhe vendit në tërësi.

Lefter Çipa është vlerësuar me titullin “Nderi i Himares”, por në fakt ai është nderi i të gjithë Shqipërisë. Lefer Çipa është padyshim një ndër poetët më të shquar shqiptarë. Ai është autor tipologjik i shumë librave të botuar me poezi. Ndër librat më të qarkulluar të këtij autori me poezi janë : “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, ” Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit” etj.
Konsiderohet “Princi ” i polifonisë shqiptarë. Njëri prej studiuesve dhe hulumtuesve më këmbëngulës të poezisë orale popullore në trevat jugore të vendit. Autor i mbi 1250 këngësh të interpretuara nga grupet e famshme polifonike si ai i Pilurit (udhëheqës artistik i të cilit ka qenë për mbi 40 vjet, grupet polifonike të Himarës, Bënçës, Dhërmiut, Gjirokastrës, Vlorës, Lapardhasë, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve si dhe dhjetëra ansambleve të tjera artistike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.

-Kanë thënë për Lefter Çipën
“…Në atë breg shqiptar gurin e lëmuar të detit, mund ta quash edhe Lefter Çipa…” – Dritëro Agolli
“A mund të harrohet Nase Beni dhe poeti popullor më i shkëlqyer dhe i famshëm i Shqipërisë së sotme, pilurioti Lefter Çipa ? A mund të harrohet Katina Bejleri, kjo këngëtare e madhe e Himarës ? Në shtëpinë e Lefter Çipës pashë me sytë e mi pllakën matricë të gramafonit, ku më 1924 në Paris, Neço Muko incizoi kryeveprën “Vajza e Valëve”. M’u drodhën duart kur e preka këtë pllakë. Ajo, një ëndërr përralle, kam në kokë idenë që të bëhet një skulpturë viganë e “Vajzës së Valëve” për t’u vendosur mbi një platformë mbi sipërfaqen e Detit Jon. Kjo do të bënte përshtypje të jashtëzakonshme, ashtu siç bën edhe Statuja e Sirenës së Andersenit, e vendosur mbi ujërat e Kopenhagës. Kjo statujë do të na kujtonte mallin, apoteozën e dashurisë, tragjeditë e shpresën…. …Nuk di asnjë rast tjetër në krijimtarinë popullore të kultivuar artistikisht, si njeriu i talentuar dhe atdhetar Lefter Çipa…” – Moikom Zeqo
“…Në brigjet himariote, rron dhe këndon bardi popullor, Lefter Çipa, më i madhi ndër të gjallët dhe ndoshta i fundit me hove dhe shkëndijime të reja të ligjërimit popullor…” – Xhevahir Spahiu
“…Lefteri ka një krijimtari të pasur në sasi kohët e fundit. Kritika ka shkuar të bëjë një gjumë vdekjeje e nuk i dihet se kur do të zgjohet. Lefteri bën punën e tij. Po pavarësisht sasisë, poezia e tij më e mirë, seç ka atë qasje, aq feminore dhe të virgjër e njëherësh, aq mjeshtërore ndaj fjalës, vargut e ritmit, sa të zgjon kureshtjen e thellë për këtë princ gjuhëpikuar të fjalës siç e quan me të drejtë ai veten. Një princ që ka hyrë në garë me veten. Nuk do t’i zërë sërën a vendin dikujt tjetër. As që i shkon kjo ndërmend një princi, një himarioti si ai.” – Sadik Bejko
“…Në Breg të Himarës, përveç detit, ullinjve, portokalltëve të fishkura dhe maleve Akrokeraune, do të gjej ata njerëz dhe njeriun e veçantë, Lefter Çipa…” – Aleksandër Zoto (1980)
“…Këngët e Bregut tonë kanë gjetur një bilbil. Edhe të të them det, edhe të të them koral apo guaskë, prapë nuk i ngatërroj gjërat…” -Petro Marko (Bisedë në vitin 1986)
“…Ky fakt i bukur, që këngët e tij këndohen, jo vetëm nga Katerina dhe Grupi i Pilurit, e bën poezinë e Lefter Çipës më fatlume se të shumë poetëve të tjerë dhe jep shkas për të hapur bisedën për këtë poezi… Poezia e Lefter Cipës është në shtratin e gjerë, të mbarë poezisë sonë, por ajo në këtë lumë të madh, bie ujë të freskët të gurrave, të maleve tona dhe e bën këtë lumë më të pastër akoma. Ajo është një rremb i ri i gjithë poezisë…” – Anastas Kondo
“…Lefter Çipa që nga viti 1964 është bashkëpunëtor i Institutit të Folklorit e më pas (1979) i Institutit të Kulturës Popullore. Në arkivin e shkruar të IKP ndodhen qindra faqe me materiale të mbledhura nga ky autor. Veç kësaj, ai ka marrë pjesë edhe në disa ekspedita etno-folklorike të zhvilluara në krahinën e Labërisë dhe sidomos në fshatrat e Bregut të Himarës. Është autor i një filmi dokumentar me përmbajtje etno-folklorike…” – Prof. Dr. Afërdita Onuzi
“…Poezia e Lefter Çipës është e lëmuar, si zajët e Bregut kur i çik shkuma, e thellë, si honet e maleve të Vetëtimave, e zjarrtë, si prushi i yjeve që digjen valëve të Jonit…” – Zimo Krutaj
“…Lefter Çipa mbetet autori i vargjeve të paarritshme. Lefteri është i veçantë në Himarë, të kujton disi Lasgushin, që shëtiste edhe ai buzë liqenit me kostumin e tij. S’bëjmë krahasime, secili le të mbajë madhështinë e vet, po ja që të kujtojnë njëri-tjetrin, njëri buzë liqenit e tjetri buzë detit…” – Agron Çobani
“… Lefter Çipa dhe kënga, kanë lidhje të dyanshme, si një binom. Nuk mund të kuptohen sot pa njëri-tjetrin. Me këngën e fuqishme piluriote, Lefteri është binjak. Binjak me atë këngë, që edhe në Dibër, këndohet aq bukur sa në Labëri dhe Himarë. Lefteri e ngriti këngën labe, e bëri poezi, i dha shpirtin e tij. Këngëtari i zjarrtë i brigjeve të Jonit, fitoi famë me “Bejkën e bardhë”, në vitet shtatëdhjetë. Ky poet i veçantë popullor, është simbol i atdhetarit shqiptar në Himarën tonë të lashtë dhe të re…” – Albert Abazi
“…Lefter Çipa, ky njeri i dobët dhe krenar, për dhjetëra vjet tashmë, i mban në krahë të dy grupet, të Pilurit dhe Himarës, për t’i çuar nga festivali në festival. Me të, grupet e kulmit të polifonisë shqiptare vazhdimisht fitojnë…” – Enton Abilekaj
“Ta vecosh këngën e Lefterit nga kënga popullore, është vështirë, se ato janë të shkrira tek njëra-tjetra, i bëjnë dritë njëra-tjetrës, zbukurojnë njëra-tjetrën. Ndaj dhe këngët e Pilurit tashmë janë kaq të përhapura e dëgjohen kudo me ëndje. Ndaj dhe Lefteri pa pushim mpreh e mpreh penën dhe këngë të reja i burojnë nga shpirti prej sedërlliu, plot nerv krijues… Buzë më buzë e paç zemrën me gaz e këngë, o Lefter Çipa !” – Odise Goro
“…Në fshatin tim të lindjes, Finiq, tipike është kënga polifonike. Ndaj ajo më pëlqen shumë. Që në fëmijëri këngët e Lefter Çipës kanë qenë për mua një ushqim shpirtëror i jashtëzakonshëm. I kam adhuruar shumë këngët e Bregut, të Pilurit. Janë këngë që kanë patos, lirizëm, dinamikë, ritëm e melodi. Janë këngë të pavdekshme. Kur jam në qejf për shembull këndoj këngët e Lefter Çipës “Tundu Bejkë e bardhë tundu”, “28 mijë yje”, “Këngët e Atdheut tim” etj…” – Irini Qirjaqi
“…Emri i Lefter Çipës përfaqëson një individualitet të fuqishëm të njohësit, vlerësuesit, bartësit, krijuesit, zhvilluesit dhe pasuruesit të mëtejshëm të krijimtarisë folklorike. Nga shqyrtimi i gjithë krijimtarisë së tij, përfshirë në folklor, figura e tij e spikatur mund të shërbejë si një shembull i gjallë, konkret dhe tipik për çdo studiues që kërkon të nxjerrë në pah aktet krijuese dhe qarkulluese të folklorit shqiptar…” – Prof. Dr. Agron Xhagolli
“…Poezia e Lefter Çipes, në kufirin midis krijimit popullor dhe të kultivuar, ruan të gjerë shpirtin poetik të lindur, qëkurse njeriu këndoi. Ajo i flet zemrës dhe mendjes. Poezia e tij është ligjërim i ëmbël dhe plot mendime, që ecin me kohën, plot lirizëm e gëzim prej dashurive, trishtim prej padrejtësive dhe largimit nga idealet, revoltë ndaj së keqes. Poezia e këtij poeti, që dëgjon dallgët e detit dhe sheh vetëtimat kur shkrepin në mal, të shpie më afër natyrës dhe zemrës shqiptare…” – Dalan Shapllo
“…Shumë gjëra të tij ende s’janë bërë të njohura për botën e kulturës shqiptare. Ato që ende s’dihen nga arkivi dhe fondi i Lefter Çipës në Himarë, janë të barabarta me një muze… Janë gjëra që mbartin befasi dhe pasuri të pazakontë, që plotësojnë antologjinë e argumenteve historikë dhe materialë për këtë zonë, ku ndeshet enigma me provën reale. Etnografia shqiptare, folkloristika dhe më së shumti poezia orale në banesën e Lefter Çipës kanë një muze tjetër të palegalizuar zyrtarisht dhe që administrata e kulturës sonë fatkeqësisht s’do të ketë kurrë vullnetin për ta inventarizuar…”

Berisha: Dervishi fitoi një automjet tjetër

berisha ndIsh-kryeministri Sali Berisha akuzoi kryeministrit Rama, si përgjegjësin kryesorë për vendosjen e eksplozivit në mjetin e kreut të qarkut të Vlorës, Besnik Dervishit.

Këto akuza, deputeti i PD-së i bëri përmes profilit të tij në “Facebook”. “Pardje në mëngjes, mediat u informuan se një telefonatë anonime kishte njoftuar se në Kryeministri ishte vendosur një bombë dhe se një makinë, që nuk dihej se e kujt ishte, kishte arritur të parkohej në një zonë të ndaluar.

Mediat paraqitën drejtpërdrejt makinë e parkuar, në zonën ku për arsye sigurie lejohen të parkohen vetëm makinat e ministrave dhe jo ajo e sugarit, më saktë manarit të kryeministrit, Fugës.

Pas tri orësh show mediatik, doli se makina ishte personale dhe ajo ajo shtetërorja e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishit dhe se nën të ndenjurat e prefektit ishin vendosur 250 gr eksploziv c4, nga ai që qeveria përdor këto kohë për të hedhur në erë ndërtesat.

Faktohet në mënyrë të padiskutueshme se kapsollën prefektit ia kishte vënë mprapa vet Edi Rama. Por Dervishit i ra bingoja! Mori një makinë të re personale nga qeveria që i dëmtoi makinën në skenarin qesharak në oborrin e saj”, shkruan Berisha.