Shtyhet Statusi për Shqipërinë në qershor 2014

58

Council of the EUKëshilli i BE-së vendos shtyrjen e dhënies së statusit Shqipërisë për në qershor të vitit të ardhshëm. Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë Stefan Fyle, ka deklaruar se statusi do të merret në qershor të vitit 2014.

Eurokomisioneri Stefan Fyle konfirmon progresin domethënës të Shqipërisë dhe përpjekjet e intensifikuara nga qeveria e re. Ai thekson se ka një prespektivë të qartë për marrjen e statusit kandidat në qershor.

“Štefan Füle: #‎Albania‬‪#‎GAC‬ recognised significant progress, and intensified efforts by new government: clear perspective of candidate status in June”.

Pas reagimit të Komisionerit Fyle ka reaguar edhe kreu i qeverisë Rama, i cili po ashtu në rrjetin social Twitter ka deklaruar se vendimi i Këshillit është një kompromis mes arritjeve të Shqipërisë dhe ngërçit të brendshëm jashtë saj.

“BE: Kompromis mes arritjeve te Shqiperise dhe ngercit te brendshem jashte Shqiperise. Vleresohet lart puna e qeverise po vendimi ne qershor!”, – shkruan Rama

Statusi për Shqipërinë, 5 vende propozojnë qershorin 2014

VOA

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian janë të ndarë në qëndrimet lidhur me propozimin e Komisionit europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, pavarësisht se të gjithë njohin përparimin e bërë.

Ndërsa shumica e tyre janë në favor, pesë shtete anëtare Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Holanda dhe Danimarka, kanë propozuar në mbledhjen e pasdites së sotme një ndryshim në tekstin e projekt përfundimeve, ku kërkojnë që Statusi të jepet qershorin e ardhshëm.

“Këshilli mirëpret veprime të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe angazhimin e qeverisë së re për të intensifikuar përpjekjet në këtë fushë. Këshilli shpreson të marrë një vendim lidhur me dhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë në qershor 2014, në varësi të miratimit nga Këshilli Evropian, me kusht që Shqipëria ta vazhdojë përparimin inkurajues të arritur deri tani”, lexohet në tekstin e propozuar nga 5 shtetet anëtare ku janë dhe ato me peshën me të madhe në Bashkimin Europian.

Ajo që bie në sy në këtë propozim është se kërkohet edhe që Komisioni europian të paraqesë një tjetër raport për Shqipërinë, pavarësisht se ai ka deklaruar se vendi i ka përmbushur detyrimet e tij ndaj Brukselit për cështjen e Statusit.

“Këshilli do të shqyrtojë, mbi bazën e një raporti që do të paraqitet nga Komisioni në muajin qershor, zbatimin e qëndrueshëm të strategjive për luftën kundër korrupsionit dhe reformën juridike, të legjislacionit të miratuar kohët e fundit si dhe të prirjes në vazhdim për hetimet dhe ndjekjet ligjore aktive, duke përfshirë ato në fushën e krimit të organizuar”, përfundon teksti i propozuar, i cili parashikohet të shoqërohet me debate gjatë mbledhjes së pasdites së sotme dhe komplikon dukshëm situatën.

Javën e shkuar tetë vende anëtare, përmes një letre drejtuar presidencës lituaneze të BE-së dhe Përfaqësues së lartë për politikën e Jashtme, Catherine Ashton, u shprehën në favor të Statusit për Shqipërinë duke vlerësuar se ajo i kishte përmbushur detyrimet e saj.

Vendimi përfundimtar duhet të merret nga Këshilli Europian, i përbërë nga kryetarët e shteteve dhe kryeministrat e vendeve anëtare, por që pritet të pasqyrojë të njëjtat qëndrime të ministrave të jashtëm.