Statusi, në pritje të vendimit të Këshillit të BE-së

58

CEU1(Azhurnim) Shqipëria pret sot vendimin e Këshillit të BE-së, ku Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare do të vendosin në lidhje me propozimin e Komisionit Europian, për dhënien e statusit të vendit kandidat, për në BE.

Përpara fillimit të mbledhjes një sërë ministrash kanë deklaruar përpara mediave opinionet dhe qëndrimet e tyre në lidhje me këtë vendim.

Ministri i Jashtëm i Holandës Frans Timmermans, ka deklaruara se vendimi për Shqipërinë ende nuk është marrë.

“Nuk kemi marre vendim për Shqipërinë. Presim ta diskutojmë me kolegët e tjerë gjatë mbledhjes”- ka thënë ai.

Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Karl Erjavec, ka deklaruar gjithashtu se, nuk dihet nëse do të ketë sot një vendim për Shqipërinë, por vendi ka bërë progres të dukshëm.

“Ne e mbështesim kandidaturën e Shqipërisë pasi mendojmë se ka bërë progres të dukshëm. Nuk e di nëse do të kemi sot një vendim për Shqipërinë”,- ka deklaruar Erjavec.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Vesna Pusic, ka deklaruar se Shqipëria i ka plotësuar të tëra kushtet në lidhje me statusin.

“Kroacia është iniciatore e letrës që rekomandon dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, pasi sipas nesh Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për marrjen e statusit. Ne morëm mbështetjen e disa vendeve për këtë letër, të cilat e reflektuan qëndrimin e tyre edhe në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Jashtëm. Le të shohim se ç’do të ndodhë sot, por për sa i përket Kroacisë, ne mbështesim fort kandidaturën e Shqipërisë dhe do të punojmë në këtë drejtim për ta mbështetur këtë vendim”,- tha Pusic.

Carl Bildt, Ministër i Punëve të Jashtme të Suedisë, është shprehur se, Shqipëria ka bërë një punë të mirë dhe se duhet shpërblyer për këtë.

“Shpresoj të kemi një vendim pozitiv për Shqipërinë. Gjithsesi nuk jam i sigurt sepse e di që janë disa vende që kanë rezerva për këtë çështje. Nuk kam pasur ende ndonjë bisedë me Ministrin e Jashtëm të Holandës, por mendoj të flas rreth Shqipërisë. Çështja është se Statusi Kandidat është një term jo shumë i qartë dhe për këtë arsye ndoshta ka konfuzione kur vjen momenti për të dhënë një gjykim. Fakti qëndron se gjykimi në këtë rast duhet të jetë objektiv, sepse Shqipëria ka bërë një punë të mirë duke filluar që nga zgjedhjet e fundit, të qershorit 2013 si dhe nisja e punës nga qeveria e re. Mendoj se Shqipëria duhet shpërblyer për këtë”, tha Bildt.

Alexander Stubb, Ministri i Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Jashtme të Finlandës ka deklaruar mbështjen ndaj Shqipërisë:  “Mbështesim Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat”.

Jean Asselborn, Ministër i Punëve të Jashtme të Luksemburgut, po ashtu është deklaruar në mbështetje të Shqipërisë:  “Mbështesim Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe shpresojmë të gjendet një zgjidhje deri në fund të javës kur mbyllet mbledhja e Këshillit”.

Qëndrimit kundër të Holandës i bashkëlidhen edhe qëndrimet skeptike të disa vendeve si Danimarka, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe.

 ‘EU Observer’: Shqipëria meriton statusin

 “Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat”. Në një opinion të sajin, gazeta e pavarur online “EuObserver” që mbulon politikat e Bashkimit Europian shkruan se Shqipëria, ku 87% e popullsisë kërkon anëtarësimin është e gatshme të bëjë përpjekje të mëdha për ta arritur.

Këtë javë, udhëheqësit e BE-së do të vendosin për t’i dhënë ose jo statusin e vendit kandidat pas rekomandimit pozitiv të Komisionit në tetor. Atëherë pse parashikohet gjerësisht që Shqipëria të prekë mbi supin e ftohtë të BE? Pas dy kundërshtimeve , shkruan Euobserver, në vitin 2010 dhe 2011, Komisioni i ofroi së pari Shqipërisë, një gati-miratim në vitin 2012, i cili u rrethua nga gardhi i kushteve.

Euforia e shkurtër që ndjenë shqiptarët, e cila përkoi me festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë, menjëherë u rrëzua. Zgjedhjet e fundit, më në fund përmbushen standardet dhe sollën në pushtet Partinë Socialiste të Edi Ramës, gjeneruan ndjenjën se diçka kishte ndryshuar; sollën shpresë. Progres-Raporti 2013 nënvizoi se Shqipëria ka shënuar progres në reformat kryesore. Megjithatë statusi i vendit kandidat nuk do të thotë anëtarësim i nesërm, sepse përpara ka shumë vite negociatash. Raportimet e fundit i vendosin disa vende në kornizën për të bllokuar progresin e Shqipërisë, mes të cilëve Britania e Madhe dhe Holanda.