Përfiton azil politik në SHBA, ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë

luan hoxhaIsh-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha, i akuzuar lidhur me ngjarjen e Gërdecit, ka përfituar azil politik në SHBA.  Hoxha u largua drejt SHBA-ve, pasi Gjykata e Tiranës e dënoi atë me pesë vjet burg.

Lajmi është bërë i ditur nga avokati i Hoxhës, i cili mbron çështjen e tij në Tiranë.

Ish-zyrtari i lartë i FA-së, është larguar së bashku me familjen e tij në 1 janar të vitit 2012.

Largimi 2 vite më parë i tij, u komentua gjatë në shtyp, por prokuroria dhe gjykata u shprehën se nuk kishin vendosur ndonjë masë ndalimi për daljen nga Shqipëria, të ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

E megjithatë, Luan Hoxha, nuk ka pranuar asnjë nga akuzat e ngritura për përfshirjen e tij në ngjarjen e Gërdecit.

Merkel: Ndihmë Shqipërisë për statusin

MERKELDalja kundër e Gjermanisë për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë ishte lëvizja më befasuese në mbledhjen e djeshme të ministrave të Jashtëm të BE-së. Kjo ndodhi në një kohë që Angela Merkel po kryente betimin për herë të tretë si kancelare.

Në fjalën e saj të parë në mandatin e tretë si kancelare të mbajtur në Bundestag, Merkel ka theksuar se Gjermania dhe BE-ja do të mbështesë Shqipërinë në marrjen e statusit kandidat dhe do të ndihmojë qeverinë shqiptare në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndërkohë, agjencia “Reuters” në versionin gjermanisht, pas daljes kundër të Gjermanisë për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë raportoi se, Merkel ka mbajtur qëndrimin se, Shqipëria nuk duhet të shpresojë për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Sa pari tha Merkel, duhen miratuar ligjet e nevojshme.

Në kontrast, Merkel ka certifikuar progresin domethënës të Serbisë në përafrimin me standardet e BE-së duke theksuar se në janar do të zhvillohet konferenca e parë e hapjes së negociatave.

 

Basha: Refuzimi i statusit faji i shumicës në pushtet

Lulezim Basha_2_1Gjatë zhvillimit të një tryeze të rrumbullakët ditën e sotme, me përfaqësuesit e bizneseve të huaja në Shqipëri, Partia Demokratike foli edhe mbi çështjen e statusit dhe refuzimin e tij.

Ndonëse në rast akordimi të statusit të vendit kandidat, PD do të kërkonte njohjen e rolit të saj në këtë proces, duke marrë përsiper suksesin përkatës, e kundërta po ndodh me refuzimin e tij. 

Edhe pse, Këshilli i BE-së nuk shprehu në asnjë paragraf të konkluzioneve të tij, se fajin për refuzim e ka qeveria në pushtet, kreu i PD-së Basha deklaron se humbja e statusit është përgjegjësi vetëm e shumicës në pushtet.

“Maxhoranca nuk po reflekton siç duhet për humbjen e statusit të Bashkimit Europian. Humbja e statusit është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e maxhorancës. Maxhoranca me revanshin ndaj administratës dëmtoi procesin. Është e pafalshme që kryeministri Rama thotë se nuk ka rëndësi data kur e marrin statusin. Data me rëndësi, pasi humbim shumë, jo vetëm për proceset, por edhe për mbështetjen ekonomike.”- deklaroi Basha.

KQZ-ja zgjodhi sot 7 deputetët e rinj, 21-vjeçarja Mehmetaj zëvendëson Gjoshën

mehmetaj 2Pas dorëzimit të mandatit të deputetit nga ministrat Ilirjan Celibashi, Eglantina Gjermeni, Milena Harito, Klajda Gjosha, Erion Veliaj, Edmond Haxhinasto dhe Nasip Naço, KQZ-ja zgjodhi sot emrat e tjerë që janë në listën e kandidatëve për deputetë, në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës.

Nga diskutimet e rendit të ditës u votua dhe u vendos që mandatin e Erjon Veliajt ta marrë Vladimir Kosta.

Në Fier, mandatin e deputetit Celibashi e merr Anduel Xhindi, të Haritos e mori Enkelejda Shkreli Shamku, të Gjermenit Adelina Rista, të ministrit Haxhinasto e merr Miranda Rira, të Klajda Gjoshës, Kejdi Mehmetaj dhe të Nasip Naços e mori Selfo Kapllani.

Surpriza e kësaj liste ishte deputetja Kejdi Mehmetaj. Ajo shënon një prej rasteve të rralla në historinë e parlamentit shqiptar, sa i përket moshës së re. Ajo është vetëm 21 vjeç dhe u zgjodh në bazë të listës emërore dhe të kriterit të përfaqësimit të gjinisë femërore, që ishte më pak e përfaqësuar në këtë rast.

Mimi Kodheli në RaiUno:Ja ç’vend është sot Shqipëria

mimi kodheli raiE ftuar në emisionin “La vita in diretta” të “Rai Uno”-s (me temë: “Çfarë vendi është sot Shqipëria”), ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli u gjend përpara pyetjesh që rikthyen prapa në kohë, vetëm për të treguar se sa shumë ka ndryshuar, që prej atëherë, situata në vendin tonë.

Mbërritja e anijes “Vlora”, të stërmbushur me emigrantë, në portin e Barit; pamjet e njerëzve që hidheshin në ujë, 8 gushtin e vitit 1991; ishin reminishencë e vuatjes së shqiptarëve, por edhe e kritikave të drejtuara qeverisë italiane nga autoritetet vendore, për atë që moderatori i emisionit, Franco di Mare, e quan një spektakël të padenjë për një vend të civilizuar.

“Të tilla pamje, – thotë ai, – më shkaktojnë emocion të madh, sepse unë isha në mol atë ditë, duke raportuar. Besoj se e njëjta gjë ndodh edhe me ju”. “Nuk mund të ndodhte ndryshe”, ishte përgjigja e zonjës Kodheli, që gjendet në Itali për një vizitë zyrtare.

Mimi Kodheli: Duket sikur ka kaluar një shekull nga ai moment.

Di Mare: Shumë gjëra kanë ndryshuar në vendin tuaj dhe në tonin përgjatë kësaj kohe.

Mimi Kodheli: Kanë ndryshuar shumë gjëra për të gjithë ne. 20 vjet nuk janë pak. Megjithatë, me siguri, për Shqipërinë ka qenë një moment vendimtar, ai i hapjes së portave, jo vetëm të zemrave, por të gjitha atyre, që vendi ynë i kishte të mbyllura, për ta hedhur vështrimin nga e ardhmja, një e ardhme që quhej Europë.

Di Mare: Nuk është e lehtë të shohësh një grua në pozicionin komandues, jo vetëm në vendin tuaj, por edhe tonin, për të qenë të sinqertë. Sidomos kur drejton një dikaster kaq delikat, si ai i Mbrojtjes. Besoj se në NATO janë 4 gra ministre të Mbrojtjes. Si shpjegohet ky ndryshim kaq i madh në Shqipëri.

Mimi Kodheli: Kjo do të thotë se qeveria e re ka sjellë shumë emancipim. Ne jemi 6 gra ministre dhe posti i Mbrojtjes është pak më i veçantë, sepse nuk është diçka që e shoh çdo ditë, për të thënë të drejtën. Italia nuk ka pasur akoma një të tillë, uroj që një ditë të takoj ndonjë kolege italiane, besoj do të ndodhë, me siguri.

Di Mare: Ndonjë ditë, mbase, do të kemi edhe kryeministre femër, ndoshta ndodh edhe në Shqipëri.

Mimi Kodheli: Asnjëherë nuk i dihet. Unë besoj se ky do të jetë shekulli i grave, që janë një forcë e madhe e shoqërisë.

Di Mare: Më vjen mirë ta dëgjoj këtë nga një grua, që vjen prej një vendi ku roli i gruas; të themi kështu; nuk është marrë shumë në konsideratë, – vazhdon Di Mare. – E shumë shpejt mbërrihet te konstatimi, që çdokush mund të nxirrte që në fillim të intervistës. Zonja ministre, po ku e keni mësuar kaq mirë italishten?

Mimi Kodheli: E kam mësuar prej kohësh, kam dëgjuar tim atë që fliste italishten, unë këtu kam kryer doktoraturën, kam jetuar këtu…

Përmendet, ndër të tjera, edhe marrëveshja dypalëshe për bllokimin e trafikimit të paligjshëm të klandestinëve, për të cilin Kodheli shpjegon se funksionon vërtet dhe është një nga arsyet e ndalesës së saj në Itali.

Mimi Kodheli: Trafiqet, jo vetëm ato njerëzore, por të çdo lloji tjetër, mbeten një problem si për Italinë, ashtu dhe për Shqipërinë, – thotë ministrja. – Për këtë arsye, duhet të punojmë së bashku e të ruajmë unitetin, për të treguar se që të dy vendet janë anëtarë të NATO-s, janë vende europiane, nga ku nuk duhet të ketë kalime të paligjshme.

Çështja e klandestinëve, sipas saj, shkon përtej probleme të sigurisë, sepse është një problem social shumë më i gjerë, që nuk prek vetëm Shqipërinë e Italinë, por në përgjithësi të gjithë Europën. Në fund, ministrja dërgon një përshëndetje për të gjithë shqiptarët, që punojnë e jetojnë në Itali.

Mimi Kodheli: I përshëndes me dashuri dhe i ftoj të vijnë në Shqipëri. Këtë qeveri, ne e kemi quajtur “Shqipëria e gjeneratës tjetër” dhe shpresoj të jetë vërtet e tillë.

Bayern Munich kalon në finale të Kupës së Botës për klube

bayernBayerni Mynihut ka mposhtur me lehtësi kampionin e Azisë, Guangzhou Evergrande, me rezultat 3-0, në gjysmëfinale të Kupës së Botës për Klube që po zhvillohet në Marok. Ekipi i drejtuar nga Marcello Lippi befasoi në çerekfinale duke mposhtur kampionin e Afrikës, Al Ahly, me rezultatin 2-0, por kampionia e Evropës nuk i dha shans në asnjë moment.

Që nga vërshëllima e parë e gjyqtarit, loja u zhvillua në gjysmën e klubit kinez me bavarezët që bënin presion të pandërprerë. Aziatikët hasën shumë vëshirësi në krijimin e rasteve dhe u mbyllën në portën e tyre atje ku edhe gabuan në disa raste. Pas shtyllave të Thiagos dhe Kroosit, erdhi goli i epërsisë nga Franck Ribery në minutën e 40-të. Para se të shkonin skuadrat në pushim, Mario Mandzukic e shënoi edhe një gol për bavarezët në minutën e 44-të pas një asisti të dhuruar nga Tiago.

Me fillimin e pjesës së dytë vetëm pas dy minutash, Mario Gotze merr një top nga David Alaba dhe shënon golin e tretë për ekipin gjerman. Guangzhu u përpoq me të gjitha mënyrat për të shënuar të paktën një gol, por mbrojtja e Bayernit ishte e vendosur mjaft mirë. Mesfushori shqiptar që mbron ngjyrat e Zvicrës, Xherdan Shaqiri, hyri në fushë në minutën e 72-të në vend të Frenk Riberi dhe zhvilloi 30 minuta shumë të mira. Ekipi i Guardiolës e menaxhoi shumë mirë lojën deri në fund, për të kursyer energji. Në finale, Bayern Munichu do ta presë fituesin nga dueli në mes të kampionit të Marokut, Raja Casablanca dhe fituesit të Copa Libertadores, Atletico Mineiro.

SHBA kundër “shpëtimit” të Ukrainës: Po injorohet populli

obama putinShtëpia e Bardhë ka thënë të martën se marrëveshja ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës nuk reflekton kërkesat e protestuesve në Kiev.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Ukrainës që të dëgjojë popullin e vet dhe të gjejë rrugën për t’u kthyer në rrugëtimin e saj drejt të ardhmes së saj paqësore, të drejtë, demokratike dhe ekonomike evropiane”, tha zëdhënësi Jay Carney.

Ndërkohë mijëra protestues vazhdojnë të qëndrojnë në rrugët e Kievit, përkundër temperaturave të ulta, kundër vendimit të qeverisë ukrainase për të refuzuar përafrimin me Bashkimin Evropian.

Administrata amerikane thotë se protestat në Kiev, reflektojnë anë tjetër të mëdaljes.
“Qytetarët e Ukrainës kanë aspirata evropiane”, tha Jay Carney.

Të martën në Moskë, presidentët e Rusisë dhe Ukrainës, Vladimir Putin dhe Viktor Yanukovych nënshkruan disa marrëveshje, përmes të cilave Kremlini do t’i akordojë Kievit kredi në vlerë prej 15 milardë dollarë.

Marrëveshjet u bënë të ditura pas takimit ndërmjet të presidentëve rus e ukrainas, Vlladimir Putin e Viktor Yanukovych në Moskë.

Presidenti Putin tha se çmimi i njësive të gazit, me të cilat furnizohet Ukraina, do të ulen për një të tretën e çmimit aktual, ose për 268.5$ për 1000 metra kub gaz.

Sipas tij, kjo masë është e përkohshme, ndërsa ka paralajmëruar se Rusia do të këmbejë bonot që ka në fondin e emergjencave në vlerë prej 15 miliardë dollarë, si garanci shtesë për sigurinë financiare ukrainase.

Ukraina ka nevojë për të paktën 10 miliardë dollarë për të ruajtur qarkullimin në ekonominë e saj.

Shtyrja e statusit, Meta: Reforma të pakthyeshme për të marrë rezultate

metaKryetari i Kuvendit Ilir Meta ka ironizuar mesazhin e publikuar dje nga ish-kryeministri Sali Berisha në lidhje me shtyrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë ndërsa shtoi se rruga e reformave është e pakthyeshme. Në një prononcim për mediat, Meta u shpreh se Berisha le të mbajë kënaqësinë për mosmarrjen e statusit por Shqipëria është pjesë e Europës. “Shqipëria e ka zgjedhur rrugën e saj europiane. Europa është shumë e rëndësishme për Shqipërinë por edhe Shqipëria duhet të jetë më e rëndësishme për Europën. Ky është një binom I pandarë ndërsa sa I takon çështjes në fjalë mendoj se të gjithë politikanët duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre sepse mesazhet kanë qënë të qarta. Shqipëria ka bërë një progres domethënës dhe kjo është shprehur në mënyrën më të qartë. Shqipëria ka marrë për herë të parë në muajin tetor një rekomandim mbështetës mjaft të arguemntuar mirë për statusin kandidat nga Komisioni Europian për shkak të këtij progresi, Parlamenti Europian e ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë por nuk është Shqipëria ajo që përcakton procedurat e marrjes së vendimeve në Bashkimin Europian. Kjo është një çështje që Europa e bashkuar duhet ta zgjidhë në të ardhmen. Ne do të vazhdojmë në rrugën e integrimit sepse ne reformat i bëjmë në radhë të parë për qytetarët tanë. Do të vazhdojmë të përqëndrohemi në forcimin e ligjit dhe t ë reformat ekonomike. Edhe marrëveshja e fundit me FMN tregon seriozitetin dhe vullnetin për të ristrukturuar ekonominë e vendit në mënyrë që të heqim dorë nga politikat spontane populiste të cilat sjellin shqetësime të mëdha për stabilitetin makro-ekonomik të vendit dhe që frenojnë rritjen ekonomike në të ardhmen. Prandaj rruga e reformave është e pakthyeshme dhe do të japë rezultatet e saj” tha Meta.

Rita Ora imazh i ‘DKNY’

Rita OraKëngëtarja kosovare, Rita Ora është përzgjedhur si imazh zyrtar i kompanisë ‘DKNY’ për të reklamuar parfumin e tyre më të ri. Krijuesja e hitit “Hot Right Now” i është rikthyer bashkëpunimit me ‘DKNY’, pasi ajo muaj më parë kishte realizuar një fushatë të tyre duke pozuar me koleksionin më të ri të veshjeve.

Llupo arrestohet për të shlyer ditët e mbetura të dënimit

HOMAZHE-PER-21-JANARINAgim Llupo një prej gardistëve të ngjarjeve të 21 Janarit është arrestuar sërish para banesës së tij, për të shlyer ditët e burgimit që i kanë ngelur.

Gjatë procesit gjyqësor, ish pjesëtar i grupit të zjarrit Llupo, është dënuar me 3 vite burg dhe sipas llogaritjeve edhe të kohës së paraburgimit, ai ka shlyer pothuajse pjesën më të madhe të dënimit.

Agim Llupo u arrestua në 8 shkurt 2011 dhe qëndroi në qeli deri në 7 shkurt të këtij viti. Atij i mbeten edhe pak ditë për të shlyer përfundimisht dënimin për ‘vrasje nga pakujdesia’.

Në 21 janar 2011, në një protestë para Kryeministrisë Garda e Republikës vrau katër protestues: Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj. Për vrasjet u gjykuan si të pandehur komandanti i Gardës, Ndrea Prendi,  gardisti Agim Llupo dhe shoferi i Gardës, Margarit Kume.